Nobelistja Annie Ernaux, asnjë emocion artistik, asnjë kënaqësi letrare
Nga Aranita BRAHAJ
Sapo lexova ‘Kujtime vajze’ të nobelistes Annie Ernaux, Nobel në Letërsi 2022!
Asnjë emocion artistik, asnjë kënaqësi letrare.
Thjesht detaje dhe frustrime psikosociale të një autore në moshë të pjekur, si rekuiem i një moshe të shkuar e të re.
Tani e besoj Helena Kadare kur thotë që në Francë edhe nuk e njohin këtë autore apo këtë zhanër.
Në fakt kam lexuar këtë vit edhe nobelistë të tjerë si Kazuo Ishiguro, Olga Tokarczuk, Tom Morrison… pa dashur të jem fanatike e dëshirës që Nobel në Letërsi të fitohet nga një shqiptar, mendoj që Kadare ka krijuar personazhet me të bukura letrare, artistike, moderne, të brishtë apo stoik të një letërsie jo thjesht Shqiptare por Europiane.
Pallati i Ëndrrave;
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur;
Dimri i Vetmisë së Madhe;
Kronikë në gur;
Kukulla;
Natë me hënë;
Kush e Solli Dorontinën…
-janë vite drite më lart se përzgjedhja (dhe përzgjedhjet) e Akademisë Suedeze.
Asnje autor bashkëkohor nuk mund të krijojë kaq shumë personazhe të socio-historisë më të trishtë të kontinentit, me kujtesë historike të lashtë, me arketip psikologjik ku puthen klasikja me bashkëkohoren, ku gjallon edhe idili femëror, edhe dhunimi i masikilizmit diktat.
Identiteti i europianit është në letërsinë e Kadaresë bindshëm, me logjikë faktesh historike, identitet europian në kufijtë gjeografikë të dhunës për sundim të një perandorie lindore Otomane, metamorfoza psikologjike e personazheve që kanë jetuar dhe lirinë dhe diktaturën; trysnia e individit që jeton në frikën e dikujt që të dënon edhe për ëndrrat, feminzimi në dhunën e agresionit komunist, vërtetësia e personazheve, fatalja e luftërave me gjeneral për ushtri të vdekura. Të gjitha këto personazhe janë të vërteta të shkruara bukur, në plotësi, thellësi dhe formë, ndjeshmëri në përmbajtje letrare.
Jemi me fat që kemi një autor të letërsisë së këtyre personazheve!