Albspirit

Media/News/Publishing

Panairi vjeshtor i librit në kolegjin AAB të Prishtinës

Çerçiz Loloçi

 

Panairet e librave janë ngjarjet më të gëzueshme të botës njerëzore, pavarësisht se ku zhvillohen në Tiranë, në Prishtinë, në Frankfurt, në metropole të ndryshme perëndimore apo ende më tej në territore të tjera jashtë kontinentit europian që, pos të tjerave vijon të mbajë me numrin më të madh të fituesve  për Nobel në Letërsi, çmimi më prestigjioz që ka njohur bota e sotme pas vitit 1901.

Libri është dashuri më vete, ka një intimitet tjetër kur shfletohet vetmueshëm apo kur e lexon atë edhe në Facebook, Google, Yahoo, Hotmail, Twitter; pikërisht këtu gjen një laryshi krijimesh që rrjetet sociale e kanë demokratizuar jashtëzakonisht dhe çdo qënie njerëzore, me pak shkrim e këndim, qoftë edhe me një nëntëvjecare të përfunduar ka mundësinë edhe të shkruaj, po edhe të lexojë të tjerët.

Në këtë mënyrë, kjo bota jonë disamiliardëshe, duket më e vogël sepse të vjen në celularin, laptopin apo tabletin tënd. Natyrisht ka një dallim të madh mes letërsisë cilësore, atë që bëjnë mjeshtrat e mëdhenj, që për fat të keq numërohen me gishtat e dy duarve, me apo pa Nobel të fituar, pra ato vepra dhe autorë që bëhen tekst i detyuar shkollor në Europë, Azi, Amerikë e kudogjetkë dhe vjen pastaj turma e madhe e mediokërve, e të vetshpallurve të shquar, pas tyre edhe lukunia e botuesve që çdo vend diktatorial a demokraci i ka me shumicë, sepse vetëm letërsia nuk ka lidhje shumë me regjimet, ajo ka jetën e vet, misterin e vet ende të padeshifrueshëm që të jep kënaqësi estetike nga dikush që nuk e ke njohur asnjëherë.

Kjo është sipas meje magjia e librit, kur nga ai mund të bëhet një operetë, një simfoni, një dramë a komedi, një film dhe në botën e krijuesve do të jetë gjithmonë një grindje planetare, një dyzim mes të shquarve dhe matrapazëve delirantë, njëfarësoj grindjeje mes Mozartit e Salierit deri sa të jetë jeta njerëzore.

Letërsia shqiptare, me Ismail Kadarenë kryesisht, fitues i trofeve më të rëndësishme botërore, por edhe me krijues të tjerë të spikatur, të ballafaquar me vlerat më të mira botërore, është një majë dinjitoze dhe unë si lexues i vëmendshëm i marr me humor dufet antiletrare, përfshi edhe deliret allashqiptarçe, zhurmuesit, kokëboshët, fytyrëvrerosurit, maratonistët e vjershëtorëve…

Shqiptarët janë sot një popullsi në lëvizje dhe ata i gjen gjithkund botës, por disa personalitete krejt të veçantë si Inva Mula, Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi, Thoma Simaku e Ilir Kerni, Tedi Papavarami e Dua Lipa, Almira Emiri e Vasiliev Nini, Dhurata Lazo e Bujar Llapaj, Ramë Lahaj e Lulzim Tafa, Rita Ora e Shpend Bengu, dinastia e Genc Tukiçit, Shkëlzen Dolli dhe Oleg Arapi dhe disa interpretues të tjerë në orkestrat më hijerëndë të botës muzikore japin një kënaqësi të veçantë sepse janë pjesë e krenarisë së atyre që së paku ndihen shqiptarë, por dhe që përcojnë vlera universale.

Paniri i librit në kolegjin universitar AAB të Prishtinës, që do të zgjasë nga e enjtja deri në të shtunë, mblodhi rreth vetes botues nga të gjitha viset shqiptare, madje edhe shumë të ftuar të huaj duke pasur si kryemotiv nderimin e Ali Podrimjes, ndarë nga jeta 10 vjet më parë.

 

Please follow and like us: