Krizë SHBA-Turqi. Kerry: Anëtarësia e Turqisë në NATO, nën mbikëqyrje
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë po kalojnë në krizë të vërtetë. Kjo të paktën nga deklaratat që po shkëmbehen mes qendrave zyrtare politike. Sot, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paralajmëroi se pasojat e akteve të kryera nga autoritetet turke pas grushtit të shtetit, do të jenë jo të vogla, madje deri në mbikëqyrje të anëtarësisë së Turqisë në NATO. “Është e qartë se shumë njerëz janë arrestuar dhe janë arrestuar shumë shpejt. Vigjilenca dhe kujdesi ynë do të rritet në ditët në vijim. Shpresojmë që të punojmë në mënyrë konstruktive për të shmangur rrëshqitjen pas”, tha Kerry, i cili ka shtuar se “NATO ka gjithashtu kërkesa që kanë të bëjnë me respektimin e demokracisë”.
Në fakt ky është problemi që po prodhon aktualisht presidenti turk Reçep Tayyip Erdogan: në emër të grushtit të shtetit që u tret si kripa në ujë për 12 orë, ai po kërkon një liri veprimi që bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Turqisë, siç është anëtarësia në NATO. Erdogan kërkoi ekstradimin e Fetyllah Gulen, duke shpallur se kushdo që e strehon apo ndihmon atë, është në luftë me vendin e tij. Ky ishte një mesazh nervoz dhe hakërryes ndaj SHBA, pasi Gulen jeton në Pensilvani. Por akti që ndoshta ka provokuar më shumë tensione është ndërhyrja e policisë turke në bazën amerikane në Incirlik ku ndodhen edhe raketat bërthamore. Policia turke deklaroi se po hetonte drejtueëist e bazës për përfshirjen në grushtin e shtetit dhe ndali me këtë rast komandantin e saj, gjeneralin Bekir Ercan Van dhe ushtarakë të tjerë të nivelit më të ulët. SHBA nga ana e vet refuzoi kërkesën e gjeneralit për azil, në shenjë mirëkuptimi me Ankaranë që ndodhet në një situatë tensioni. Nuk është pa gjë edhe afrimi me Rusinë në këto kohë, ndërkohë që shqetësimi se pas arrestimeve dhe shkarkimeve nga puna të mijëra vetëve, qëndron ambicia e Erdogan për një republikë islamike ku ai qëndron në krye de facto si monark, është prezent në debatin në SHBA.
Një tjetër aspekt që ka shumë rëndësi është anashkalimi që po i bëhet faktit se pavarësisht të gjithave, Erdogan është zgjedhur në mënyrë demokratike. Në një konferencë video, të organizuar nga Këshilli Atlantik, ish-ambasadori britanik në Turqi, Peter Westmacott, bëri thirrje për kujdes dhe shmangie të leksioneve për demokraci ndaj Ankarasë. Sipas tij ka shumë njerëz në këtë vend, që ndonëse nuk janë mbështetës të presidentit aktual, janë shumë të shqetësuar mbi ndikimet që mund të ketë lvizja guleniste mbi vendin. Westmacott shtoi se ka një keqllogaritje nga ana e liderëve perëndimorë, pasi sipas tij, në Turqi dominon mentaliteti se asgjë nuk ndodh në botë, po nuk dha aprovimin SHBA. Ndaj mesazhet e forta, provokojë arsyetime të kundërta nga ato që priten normalisht nga ky komunikim politik. Ka një narrativë që po zë vend se SHBA shkatërroi Perandorinë Otomonae dhe tani nuk dëshiron një shtet të fortë turk, diçka si teori konspiracioni që ka aftësinë të helmojë më shumë dhe më gjatë se një konflikt direkt.
http://www.businessinsider.com/turkey-purges-coup-attempt-erdogan-us-rel…