Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Prishtina: Edhe vendimet parimore mund të prodhojnë krizë politike

Sado që Qeveria e Kosovës mund të ketë të drejtë në çështjen e targave, kjo megjithatë nuk e arsyeton atë që të abstrahojë aspektet e sigurisë, të cilat janë drejtpërdrejt të ndërlidhura me këtë vendim qeveritar. Përgjegjësia bëhet edhe më e madhe nëse vendimet e tilla prodhojnë edhe njëfarë imazhi të keq te miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët në hapat e mëtutjeshëm të zhvillimeve në terren mund të mos jenë kooperues me Qeverinë e Kosovës, sidomos nëse situata eskalon në veri, me çka ekziston rreziku që Serbia nga një “partner problematic” të shndërrohet në një “aleat konstruktiv”

 

Kosova po kalon nëpër një fazë delikate të zhvillimeve, si rezultat i krizës së imponuar sociale e ekonomike nga lufta e Ukrainës (dhe jo vetëm), dhe si rrjedhojë e situatës së brendshme politike, që kryesisht është e varur nga çështjet e pambyllura me Serbinë.

Tash së fundi, me vendimin e Qeverisë së Kosovës janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari I vitit të ardshëm do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.

“Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin por në anën tjetër ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha kryeministri Kurti të premten para anëtarëve të Qeverisë.

Por ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka irituar diplomatët dhe institucionet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të ndërkombëtarë për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj, ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill gjatë një debati në Konferencën e sigurisë në Beograd  tha se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike janë lënë anash tema të mëdha.

Edhe partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë “dëmtimin e interesave strategjike të vendit”.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të reja për targat ilegale. BE konsideron se Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog. “Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE. Sipas BE-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në komunikatë. BE përkujton se marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Brukseli mendon se është zhgënjyese të shohësh se Kosova nuk ndoqi këshillën e partnerëve për periudhë më të gjatë tranzicioni. “Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur” – thuhet nga BE.

Sipas BE është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut” – thuhet në reagimin e BE-së.

Nga ajo që mund të shohim, vërehet se as Brukeli, as Washingtoni nuk janë dakord me mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka zgjedhur ta tejkalojë problemin me targat. Këto qëndrime të komunitetit ndërkombëtar janë produkt i analizave të bëra në terren, brenda dhe jashtë Kosovës, sipas së cilave një krizë e përsëritur në veri të Kosovës mund të  kalojë në situatë vëhtirë të menaxhueshme dhe si e tillë ajo mund të hapë probleme të tjera të paparashikueshme që nuk i konvenojnë Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti parimisht ka të drejtë që po vendos dia standarde shtetërore kundrejt Serbisë, për ta detyruar këtë të fundit ta pranojë realitetin në terren, sidomos në ato zona të banuara  me serbë në Kosovë, të cilat bëjnë një jetë paralele institucionale. Qëndrimi i Kurtit për t’i dhënë fund paralelizmit intitucional në Kosovë, është i drejtë, por kjo kërkon një mirëkuptim mdërkombëtar. Tani për tani ky mirëkuptim po mungon, ndërkohë që Parisi dhe Berlini kanë intensifikuar angazhimet në gjetjen e kompromisit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu në Bruksel që pritet të vazhdojë, ende nuk i ka arsyetuar pritjet e diplomatëve të huaj që Prishtina dhe Beogradi përfundimisht të nënshkruajnë një marrëveshje finale e cila do të mbyllte hasmëritë e vjetra dhe do të hapte perspektiva të reja në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, krerët e politikës serbe janë treguar tepër refuzues ndaj çdo ideje që afirmon shtetësinë e Kosovës dhe për rrjedhojë Vuçiqi dhe politikanët tjerë serbë e kanë përsëritur disa herë se “nuk do të ketë marrëveshje me Prishtinën që deytron Serbinë të njoh shtetin e Kosovës.” Me fjalë të tjera, Beogradi çështjen e Kosovës ende e trajton si të ishte problem i brendshëm serb, duke e përfshirë atë si një pjesë të Serbisë në Kushtetutën aktuale, për çka bashkësia ndërkombëtare deri më tani nuk ka bërë ndonjë presion për këtë diversion kushtetues të Serbisë mbi Kosovën.

Problemet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë edhe dimensionin  e sigurisë, prandaj vëzhgues e analistë të ndryshëm kanë tërherqur vërejtjen që rajoni mund të shndërrohet në një skenë konfiktesh nëse vendimet politike miratohen pa i marrë parasysh edhe faktorët destabilizues.

Sado që Qeveria e Kosovës mund të ketë të drejtë në çështjen e targave, kjo megjithatë nuk e arsyeton atë që të abstrahojë aspektet e sigurisë, të cilat janë drejtpërdrejt të ndërlidhura me këtë vendim qeveritar.

Përgjegjësia bëhet edhe më e madhe, nëse vendimet e tilla prodhojnë edhe njëfarë imazhi të keq te miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët në hapat e mëtutjeshëm të zhvillimeve në terren mund të mos jenë kooperues me Qeverinë e Kosovës, sidomos nëse situata eskalon në veri, me çka ekziton rreziku që Serbia nga një “partner problematik” të shndërrohet në një “aleat konstruktiv”.

Kush do ta dëshironte të ndodhë kjo? Kjo pyetje ka të bëjë me çdo anëtarë të kabintetit qeveritar të Kosovës, sidomos me Kryeministrin Kurti, i cili e ka vështirë të mbrojë parime në rrethana kur siguria e vendit varet nga mënyra se si ai iu qaset temave sensitive.

Kur jemi te siguria, Kosova, megjithatë, ka bërë një hap pozitiv, ndoshta të vonuar, pasi që ditë më parë Kuvendi ka miratuar Dokumentin për Strategjinë Kombëtare të Kosovës të viteve 2022-2027. Edhe përkundër vërejtjeve të opozitës, ky dokument megjithatë është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të huaj, kryesisht izraelit, amerikan dhe ekspertë me origjinë shqiptare nga hapësirat e BE-së.

Një prej kritikave të pavend të opozitës kishte të bënte me faktin se ky Dokument i strategjisë kombëtare të Kosovës gjoja është një copypast nga Serbia. Nëse i bëjmë një krahasim këtyre dy strategjive, do të vërejmë se ato asgjë nuk kanë të përbashkët, ndonëse lehtësisht mund të shikohen online edhe strategjitë kombëtare të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku bien në sy specifikat e secilit shtet.

Në vend se opozita të merret me rrezikun real që vjen nga Serbia, si rezultat i dislokimit të 28 bazave ushtarake në një distancë më pak se 15 km. afër kufirit me Kosovën, ajo merret me kritika që nuk ishin në funksion të arritjes së një koncenzusi nacional për miratimin e Strategjisë kombëtare të sigurisë, ku gjithsesi do të mund të jepnin kontribut edhe disa ekpert të fushës së sigurisë,  siç është, bie fjala  Besa Kabashi Rama, apo ndonjë tjetër, të cilët jo domsdoshmërisht duhet të jenë pjesë e nomenklaturës së pushtetit. Madje këtu opozita ka mundur të jetë më këmbëngulëse me kërkesa që në strategjinë kombëtare të përfshihen ekspertë të shquar që tejkalojnë lojalitetet e ngushta politike.

Tani kur Ukraina po dëshmon se është një shtet me kapacitete jo të pakta rezustzese ndaj invazionit rus, shtrohet pyetja se si po sillemi ne si Kosovë kundrejt kësaj krize dhe refleksioneve të kësaj krize në një hapësirë më të gjerë.

Kosova nuk e ka luksin të sillet e papërgatitur ndaj kësaj krize, sidomos kur kemi parasysh se si shoqëri kemi dalë jo moti nga një luftë me pasoja të rënda e që do të duhej të na jepte mësim se si të sillemi në situata të ngjashme. Nëse gjatë luftës së Kosovës nuk ishim të përfshirë të gjithë në betejat e UÇK-së, këtë mund ta bëjmë tani duke formuar një front të vetëm që do të ishte përgjigje ndaj përpjekjeve të jashtme destabilizuese. Ky front duhet të jetë strumbullari i Strategjisë kombëtare të sigurisë dhe nëse vazhdojmë të sillemi duke vepruar pa ndonjë koncept të mirëfillt shtetëror, si përgjigje ndaj situatave emergjente dhe konfliktuoze , atëherë në sytë e botës do të lëmë përshtypje se nuk jemi një shtet i denjë për të qenë anëtar i NATO-s, një kërkesë kjo që po riaktualizohet shumë kohët e fundit. Fundja as NATO nuk pranon në mesin e vet shtete që u mungon strategjia mbrojtëse. Nëse Kosova strategjinë e saj mbrojtëse e mbështet vetëm në kapacitetet e KFOR-it, pa bërë përpjekje që kjo strategji të kombinohet edhe me resurse të brendshme kombëtare, atëherë duhet ta kemi të qartë se dalim shumë joserioz  në sytë e botës si parazit që për shtetin tonë po deshka të luftojnë të tjerët.

Prishtinë, 30 tetor 2022.

Please follow and like us: