Albspirit

Media/News/Publishing

Gersa Rrudha: “Bilbilat” e Kolombit dhe “njeriu pa cilësi” i Musilit

 

Është e vërtetë, të shohësh të renë nuk është e thjeshtë. Kristofor Kolombi, kur zbarkoi për here të parë në Hispaniola, ishullin që sot quhet Santa Domingo e që ai besonte të qe India, mendoi të dëgjonte këngët e bilbilave, por që në fakt, nuk ekzistojnë në atë pjesë të botës. Ja, ky është njeri nga iluzionet më të mëdhenj me të cilët mund të na godisë “trashëgimia” e së shkuarës. Bilbilat që ndjejmë nëpër veshët tanë, qoftë edhe me këngën e tyre të ëmbël, mund të na shurdhojnë ose të na pengojnë të dëgjojmë. Madje edhe të shohim – ashtu siç janë, iluzorë e të pavërtetë – të gjitha ato ndërmarrjet e reja që po përpiqen të hapin udhën e tyre në këtë botë shqiptare të fillim-shekullit. Ndërmarrje që duam t’i transformojnë gjërat rrënjësisht, për suksesin e të cilave nuk ka padyshim asnjë mrekulli, por po njëlloj, as edhe një zgjidhje në tavolinë.

Ekziston një lojë mjaft e përhapur mes njerëzve të shkolluar, por që për ata persona që hyjnë në qarkun e ekspertëve apo teknicientëve ngjan si e ngatërruar, ose pse u duket e padobimtë ose pse u duket pak serioze dhe jashtë teme. Kjo është loja e historisë së këndvështruar sipas “neqoftëse”-ve. Është një lojë që ka për objekt jo vetëm botën ashtu siç ajo është krijuar dhe historinë e saj – ashtu siç ne e njohim – por edhe botën se si do të mund të ishte, nëse në vend që të ndiqte një rrugë të caktuar, ajo ndoqi një rrugë tjetër. Kjo është domethënia e “në qoftëseve ”që e fokusuar ndaj të sotmes shqiptare shndërrohet në më shumë se një lojë, duke u paraqitur si një ushtrim intelektual që e vë mendimin fortësisht në lëvizje, apo si një metodë për ta kundruar të sotmen si një histori që mund ta shkruajmë si në këtë mënyrë ashtu dhe në një tjetër; pra, duke mos e varur zhvillimin e saj në forcat dhe kapacitetet e një personi apo një grupi presonash, por tek fuqia e njeriut me të gjitha kapacitetet e tij, që çdo individ i shoqërisë ka në vetvete.

Këshilla më e vlertë e një intelektuali ose një manual i vogël për çdo klasë drejtuese dhe politike, është leximi dhe rileximi i një romani të madh, i një kryevepre ashtu siç njihet e miratuar botërisht, e shkruar nga austriaku Robert Musil, me titull “Njeriu pa cilësi”. “Njeriu pa cilësi” është simboli i gjallë i një gjenerate të tërë, që ashtu si gjenerata e shqiptarëve të tranzicionit, ndihet e shkulur prej pjesëmarrjes dhe realitetit të ndryshimit, prej mos-shfrytëzimit të kapaciteteve të saj e madje dhe prej shpresës për të ndërtuar një të ardhme të ndryshme. Po kështu Ulrich, personazhi kryesor i romanit, që i zhvillon ngjarjet nën dritën e muzgut të perëndimit të perandorisë austro-hungareze (në prag të luftës së parë botërore, më 1913), nuk është aspak, ashtu siç mund të na sugjerojë titulli, një shëmbull banal i një njeriu rruge. Përkundrazi, ai ka shumë cilësi të gjitha të rangut të parë: është një vëzhgues shumë i hollë, i përpiktë, dinak e i ftohtë deri në mizori, dhe kur vepron e bën një gjë të tillë me një instikt të sigurtë dhe shpeshherë të pagabueshëm. Pra, në përgjithësi, ashtu siç dhe përkufizohet shpesh jo vetëm në diskurset letrare, por kryesisht politike, “njeriu” i Musilit ka mjaft cilësi, por nuk ka vendosmërinë e nevojshme për t’i realizuar ato, për t’i vënë në veprim. Cilësive të tij u mungon një qendër që t’i trupëzojë e t’i konkretizojë. “Njeriu pa cilësi”, e përkufizon vetveten “Moglichkeitsmensch”, njeriun e mundësive, që kalon përtej së “majtës dhe së djathtës”, për të parë para vetes mundësitë më të mëdha të mundshme të një shtetari për të kryer një “revolucion” të vërtetë të të gjitha përmasave, një njeri pra si personazhi ynë që nuk rresht së u nervozuari përpara të ashtuquajturës “sens të realitetit”, pra të “gjërave ashtu siç janë”.

Më shumë se një “njeri pa cilësi”, ai është një “bashkësi cilësisht pa një njeri”, pa një qëndër, pa një veprim që t’i bashkojë të gjitha ato dhunti intelektuale, pra një njeri që ka nisur një “seancë të gjatë pushimore” nga jeta reale , një njeri që i pat parë gjërat nën profilin e “mundësive, por që dalëngadalë nisi të mësojë të refuzojë t’i bashkohet pakushtshmërisht çdo lloj vlere. Ja, pse jeta e këtyre “njerëzve pa cilësi”, siç thotë autori, është e endur me penj tymnajash propagande, imagjinate të shfrenuar dhe fantazish perverse. Po ajo që është më e keqja, është udhëheqja që pretendojnë të bëjnë njerëz të tillë që ende nuk kanë formuar një karakter. Ja, se ç’thotë Shopenhaueri për fitimin e këtij karakteri.

Pranë karakterit të kuptueshëm dhe atij empirik, lipset të kujtohet se qëndron dhe një i tretë, i ndryshëm nga të dy: Karakteri i fituar, që fitohet vetëm në jetë, me anë të praktikimit të botës, e për të cilin flitet kur një person lëvdohet se ka karakter apo qortohet se nuk e ka një të tillës.

Karakteri empirik, si impuls i thjeshtë natyror, është irracional në vetvete, madje manifestimet e tij më shumë shqetësohen nga ana e arsyes, e akoma më fort sa më shumë njeriu është i pajisur me forcën e reflektimit dhe mendimit. Por nëse paskësaj, duke i dhënë udhë kënaqjes së pritshmërive, që i përputhen vetëm me karakterin e tij, ndjen gjithsesi, veçanërisht në moment dhe gjendje shpirtërore të veçanta, shtytjen kah pritshmërive përpikmërisht të kundërta dhe të papajtueshme me të parat, atëherë nëse do të kërkojë të ndjekë i pashqetësuar të parat, këto të tjerat duhet të shtypen plotësisht. Për rrjedhim, ashtu si udha që materialisht përshkruajmë mbi tokë është vetëm dhe gjithmonë një vijë dhe jo një sipërfaqe, po kështu edhe në jetë, nëse do të duam të kapim dhe zotërojmë diçka, duhet të lemë të humbasim, sa majtas djathtas, një numër të caktuar gjërash të tjera. E nëse nuk dimë si ta bëjmë këtë gjë, por si fëmijët në treg, kapim gjithçka që na tërheq nga pejsazhi, atëherë kjo është pritshmëria e pamend e transformimit në një sipërfaqe të vijës së jetës sonë. Shkojmë duke vrapuar me zig-zage, duke vagëlluar si zjarre artificialë të shpërthyer aty-këtu dhe nuk mbërrijnë gjëkund. Ose, duke përdorur një tjetër krahasim, bazuar në doktrinën Hobbsiane të së drejtës, mund të përparojmë vërtet me seriozitet dhe me fat kah një pritshmërie të caktuar, qoftë kjo zbavitje, nderim, pasuri, shkencë, art apo virtyt, vetëm nëse hedhim pas të gjitha pretendimet e huaja për këtë qëllim, vetëm nëse heqim dorë nga gjithçka tjetër. Ndaj thjesht dëshirimi, vullneti por dhe fuqia në vetvete nuk janë ende të mjaftueshme; një njeri duhet edhe të dijë atë që do dhe të dijë atë çka mundet, vetëm kështu do të dëshmojë karakter, e vetëm atëherë do të mund të bëjë diçka të mirë.

Përpara se të arrijë te kjo përgjegjshmëri, pavarësisht nga koherenca natyrore e karakterit empirik, ai do të jetë pa karakter; madje, edhe pse i tërhequr pas nga djalli i tij, do të mundohet në përgjithësi t’i qëndrojë besnik vetvetes e të vijojë të përshkruajë rrugën e vet, përsëri ai do të ndjekë jo një vijë vërtet të drejtë, por një vijë të ndërprerë dhe të lëkundur; do të ngurojë, do të shmanget, do të kthehet pas duke i përgatitur vetes pendim e dhimbje: dhe e gjitha kjo, ndodh ku më shumë e ku më pak, sepse sheh përpara vetes aq shumë gjëra të mundshme dhe të arritshme për njeriun, por pa ditur se cilat prej tyre janë të përputhshme e të përshtatshme për të, madje edhe të shijueshme veç prej tij. Bëhen ziliqarë, për shumë situata dhe kushte, që gjithsesi i përshtaten karakterit të të tjerëve dhe jo të tijit, e në të cilat ai do të ndihej i palumtur, madje dhe mund të mos i duronte dot. Në sajë të mungesës së një kuptimi të mjaftueshëm të kësaj çështjeje, shumë njerëz bëjnë orvajtje të çfarëdolloji të destinuara për të dështuar, e në veçanti arrijnë të dhunojnë edhe karakterin e vet, në një kohë kur duhet ta ndjekin atë pas.

Në ungjillin e Mateut ekziston një varg, që ka shkaktuar gjithmonë interpretime nga më të ndryshmet. Flitet për të “urtët, (të ndruajturit, të thjeshtët, të varfërit) që do të trashëgojnë botën”. Të jetojnë në një botë totalisht ironike si ajo e “Njeriut pa cilësi” të Musilit, për të urtët është një përvojë e tmerrshme dhe e skajshme. Për një njeri politik, është pothuajse e pamundur të jetë i urtë, pasi ai është i ankthshëm të dëshirojë pushtetin, fuqinë, autoritetin: gjithçka këto që të urtët përçmojnë e ua kthejnë krahët kryeneçësisht. Mirëpo, është pikërisht kjo dëshirë për pushtet dhe fuqi që duket t’ua mprehë dhe inteligjencën, që i bën të fitojnë mbi kundërshtarët e të mbërrijnë në vende që cilësitë e tyre të tjera as do të mund të ëndërronin t’i arrinin. Vetëm për ta ka një shpëtim apo një rast të veçantë, që mund t’ua ndryshojë etiketën “njerëz pa cilësi”. Kur vizionet e një njeriu politik ngrihen mbi aktivitetin “normal” të përditshmërisë (që tek e fundit, kur e kryen në një mënyrë të mirë, është përmbushja e një detyre administrative dhe jo vlerë siç po trumbetohet), transformohen në ide afatgjata apo largpamëse, i tërë pushteti dhe arroganca e tyre e zvogëlon apo e redukton fuqinë e vet. Në mendjen e tyre nis të zbresë një cilësi e kulluar intelektuale, që i ngjan kthjelltësisë karakteristike të të urtëve. Është një situatë unike që ua urojmë kryeministrave tanë të ardhshëm, për të mos na i vjedhur më ëndrrat si deri tani.

Gersa Rrudha:  “Vreshti” i Shopenhauerit në “mushtin” e valleve të Poradecit

Please follow and like us: