Albspirit

Media/News/Publishing

Gersa Rrudha:  “Vreshti” i Shopenhauerit në “mushtin” e valleve të Poradecit

 

 

 

Përpara  një viti një vajzë e re troket në derën e Maries, vajzës së poetit tonë të madh Lasgush Poradeci. Ajo i shpjegon se është studente në Universitetin e Bukureshtit, dega e filologjisë për letërsi gjermane dhe angleze, dhe se ka marrë përsipër ta mbrojë temën e vetë të diplomës me një përballje midis dy kolosëve të kulturës gjermane dhe shqiptare, Shopenhauerit, mendimitarit gjenial të “pesimizmit”, sic njihet, dhe Lasgushit, kolosit të poezisë shqipe, që Eqerem Çabej, në artikullin e famshëm të vitit 1929, e pat quajtur “poetin që Shqipëria do t’i falë njëherë botës”. E kuriozuar edhe nga vetë ideja gjithë-sprovuese e kësaj teme, Marie i ofron gjithcka që mundet nga letërkëmbimet apo ditaret origjinale të Lagushit, për të plotësuar sa më shumë korpusin bibliografik aq të nevojshëm për studimin. Para disa ditësh, po Maria na njofton se ekselentja shqiptare në Bukuresht e kish mbrojtur shkëlqyueshëm tezën e saj në gjuhën gjermane, pikërisht në atë gjuhë ku e pat mbrojtur dikur doktoraturën e vet në Graz edhe poeti ynë i madh.

Mos vallë kemi të bëjmë me një tjetër studim të ngjashëm me ato që përgjatë një shekulli kanë shoqëruar poetikën lasgushiane?! Mirëpo kur bisedojmë me filologen e talentuar kuptojmë se ajo ka ecur në një shteg krejtësisht të parrahur të këtyre studimeve.Bëhet fjalë për një punim organik, të plotë e të strukturuar mbi raportin  filozofi-poezi, një shteg ky i parrahur  në llojin e të gjitha studimeve të derimësotme. Aq më tepër që ngjashmëritë, analogjitë dhe vijat paralele që studiuesja heq mbi botëkuptimin e këtyre dy kolosëve kulturorë, sidomos në konceptin shopenhauerian të “përfaqësimit estetik të botës”, në poetikën e Lasgushit përkthehen në leksione të vërteta të edukimit dhe formimit estetik të shpirtit të popullit shqiptar.Në shumë nga shënimet e tij provohet se ky ka qënë qëllimi dhe misioni më i rëndësishëm i poetit.

Për t’u thelluar dhe shpjeguar më mirë këtë risi studimore, po paraqesim edhe intervistën e mëposhtme, e cila përfundon edhe me një lajm të mirë për të gjithë publikun tonëartdashës. E inkurajuar dhe nxitur fortësisht nga  profesorët dhe udhëheqësit e diplomës për cilësinë e punimit të kryer, Gersa Rrudha premton të na sjellë shumë shpejt një libër dy gjuhësh shqip-gjermanisht, me titull  “Vreshti” i Shopenhauerit në “mushtin” e valleve të Lasgush Poradecit.

Po përse vallë mund të përligjet një studim mbi një poet për të cilin është shkruar aq shumë gjatë gjithë këtij njëqindvjecari që ka pasuar nga botimi i veprës së tij?

Sepse sado që deri tani është folur e shkruarshumë për jetën dhe veprën e Lasgush Poradecit, prapëseprapë,mund tëthemi pa drojë, se kjo asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme për ta kuptuarnë thellësi personalitetin e tij madhor. Sa më shumë kalon koha dhe sa mëshumë që ndryshojnë rrethanat shoqërore, aq më tepër bindemi se Lasgush Poradeci edhe më tej mbetet i panjohur për lexuesit në përgjithësi.Dhe natyrisht, duke qenë i tillë ai bëhet aq më intrigues dhe aq më joshëspër ta lexuar dhe rilexuar me një vëmendje të veçantë, per ta riaktualizuargjithnjë “mitin” e këtij misteri i cili përherë bëhet provokues brenda kohësdhe hapësirës sonë.

Si lindi idea e shkrimit te kësaj teme diplome?

Poezia e Lasgush Poradecit ka qenë bashkëshoqëruesja e përhershme e leximeve të mia të parapëlqyera qënëkohë të hershme. Ajo më ka futur gjithmonënë një botë trans-kozmike e cila të josh në deshifrimin e kuptimit të fshehur të metaforave në vargjet e poezisë së tij. Me  rritjen në rrugëtimin tim akademik dhe profesional, fitova dhe mjetet hulumtuese të nevojshme me interpretimin e teksit të tij. Mjaft dëshmi bibliografike të rrëfimtarëve të jetës dhe formimit të kulturës së tij të gjithanshme (që nga Kolevica, Tomi Mato e deri te Kadare e në vitet e fundit edhe Moikom Zeqo me “Lasgushin e panjohur) ma ngjizën dhe dendësuan atmosferën krijuese gjithmonë në kërkim të  atij “deshifrimi” lasgushian. Ishte pikërisht prirja ime e kahershme e filozofisë nga njëra anë dhe botimi më në fund i plotë në shqip i njërit prej klasikëve botërorë të mendimit, “Bota si vullnet dhe si përfaqësim” e Shopenhauerit, filozofit të pesimizmit,  ajo që i dha shkëndijën kësaj atmosfere. Mirëpo, u desh një studim i thellë dhe rrënjësor i gjithë veprës së autorit, madje edhe i vëllimit të dytë të “Botës”, suplementeve, (ende të pabotuara në shqip dhe që mu  desh ti konsultoja nga origjinali në gjermanisht), ku filozofi shtjellon më gjerësisht  mjaft nga teoritë e tij mbi filozofinë, artin, estetikën e poezisë, metafizikën e dashurisë, doktrinën e njohjes abstrakte dhe intuitive, etj, ato që më forcuan përfundimisht idenë time bazë. Deri më tani, shumë nga studimet letrare dhe stilistike janë përpjekur ta mveshin me filozofi poezinë e Lagushit, kur në fakt është pikërisht botëkuptimi i tij filozofik ai që duhet të mveshë poezinë e tij. Në këtë kuptim, mesit të shumë shtresave dhe nënshtresave që krijojnë botën e brendshme të autorit mjaft analogji, ngjashmëri mendimi dhe vija paralele konceptuale, pohojnë se botëkuptimi i tij ka në një masë të rëndësishme një valencë shopenhaueriane.

Cila është metoda e hulumtimit që keni përdorur për të ekzaminuar korpusin letrar te veprave ?

Teza ime është e ndarë në tre pjesë. Në pjesën e parë unë trajtoj raportin e filozofisë së Shopenhauerit me ambjentin shqiptar, në lëmin e mendimit dhe letërsisë, duke perdorur kryesisht metodën e reception history.  Skicën e ndikimit të  filozofisë së Schopenhauer në Shqipëri dhe analizën e këtij ndikimi e kam ndarë në katër faza kohore. Kam dhënë gjithashtu edhe një histori të përkthimeve nga veprat e Schopenhauer-it si dhe informacione mbi pritjen e tij në mendimin dhe letërsinë shqipe. Përsa i përket mendimit janë trajtuar interpretimiet e dhëna nga Zef Valentini, Branko Merxhani dhe Vangjel Koca, kurse nga ana letrare, Krist Maloki dhe Mitrush Kuteli.

Pjesa e dytë e punës sime, që mund të permblidhet ne perifrazimin “Mikrokozmos”, shqyrton raportin filozofi Shopenhauer/korpusi i veprës së Lasgush Poradecit, bazuar kryesisht në metodën hermeneutike, të raportimit dhe interpretimit të tekstit.

Kështu, nëpërmjet nje përzgjedhje citimesh dhe parimesh nga Schopenhauer, si prizëm studimor, dhe nëpërmjet ilustrimesh të përzgjedhura nga poezitë e Lasgushit  psh. në poezitë e natyrës dhe liqenit arrij në perfundimin se ato frymëzohen vërtet  nga filozofia e natyrës së Schopenhauer por nëpërmjet interpretimit  të tekstit, Poradeci aty arrin deri në nje anima mundi, në përputhje me parimin e Shopenhauerit se poeti është mbartësi i idesë së njerëzimit.

Pjesa e tretë, që mund të  permblidhet ne perifrazimin “Makrokozmos“ shqyrton raportin filozofi Shopenhauer /jetë, ambjent personal ku u rrit, u formua dhe zhvilloi jetën e vetë private dhe artistike autori, bazuar kryesisht në një gërshetim të këtyre dy metodave; reception history dhe atë hermeneutike.

Nëpërmjet një ilustrimi të nocioneve dhe koncepteve të Shopenhauer për gjeniun, për asketizmin dhe etikën transhendentale kam gjetur mjaft paralele dhe ngjashmëri mes tyre  te ilustruara nga rrëfimet autobiografike prej miqve, shokëve, dhe fëmijëve të autorit.

Pse Shopenhauer dhe Poradeci? Cilët janë argumentet kryesore që vërtetojnë tezën tuaj?

Në fillim, doktrinën  e Shopenhauerit e kam  përmbledhur në një prizëm konceptesh themelore të filozofisë. Pastaj, përgjatë studimit tim është arritur të ilustrohet dhe të vërtetohet në  një masë të konsiderueshme në të gjitha 4 grupimet më të mëdha në të cilat mund të ndahet poetika e Poradecit.

Pikërisht, prerja diakronike dhe në poezitë më perfaqësuese të cdo grupi, dhe jo në mënyre rastësore nga njëra anë, dhe përputhja jo e koncepteve dytësore por ato me kryesoret të doktrinës nga ana tjetër, është demonstrimi kryesor i vertetësisë së tezës.

Gjithashtu, profili i formimit ne shkollë dhe universitet, i formimit letrar e artistik pergjatë jetës, i forma mentis të studiuar të autorit dhe qëndrimit përgjatë jetës dhe zakoneve më të spikatura të poetit,  përputhet shumë me filozofinë dhe doktrinën shopenhaueriane të jetës dhe vdekjes nga njëra anë dhe te kulturës e disiplinës gjermane nga ana tjetër. Rrjedhimisht plotësohet parimi se botëkuptimi në mikrokozmosin e krijimit dhe formimit poetik  dhe në makrokozmosin e jetës së Poradecit është i ndikuar shumë nga Shopenhauer  dhe kultura gjermane.

Edhe teoria shopenhaueriane e artit, kryesisht në parimin  e rëndësishëm të përfaqësimit estetik të botës, si një formë e re e shprehjes artistike që ka të bëjë me theksimin e estetikës së poezisë dhe thelbit të artit, gjen mjaft analogji dhe paralelizma ne artin magjik të Lasgushit që vlerën estetike e ka vlerën e saj më të lartë.

Cili është targeti qe synon teza juaj? Dhe a do të kemi një vazhdim të saj?

Studentë, pedagogë,  studiues por edhe admirues  të poezisë shqipe  dhe filozofisë Schopenhaueriane. Por kultura e këtij targeti duhet detyrimisht të jetë e lartë. Së pari ata duhet te jenë njohës shumë të mirë të filozofisë në përgjithësi dhe Schopenhauerin në vecanti përvec poezisë së Poradecit. Ky nuk është medoemos  thelbi elitar i targetit tim, por ështënjë domosdoshmëri e kërkueshme që të vlersohet dhe cmohet drejtësisht ky binom i vështirë krahasimor poezi-filozofi. Është një përballje kulturash, kolosësh që të frymëzon, aq më tepër kur rezultatet e kësaj teze u cilësuan si të rëndësishme edhe nga vetë profesorët e filologjisë së universitetit ku unë studioj. I gjithë materiali i mbledhur imtësisht përgjatë një viti të gjatë studimi dhe hulumtimi , më kanë dhënë mjaft lëndë dhe ide që nuk mund të zhvilloheshin plotësisht brenda kufijve të caktuar dhe të ngushtë të një teze. E nxitur edhe nga profesorët e Universitetit, ky punim së shpejti do të plotësohet dhe pasurohet me kapituj të tjerë, për t’i shkuar deri në fund raportit të thellë dhe organik midis filozofisë së Shopenhauerit dhe poetikës lasgushiane. Në një metaforë të tij të famshme për këtë raport Shopenhaueri shkruan se filozofia ndaj poezisë qëndron si vreshti ndaj verës. Ndaj dhe poetikisht titulli i këtij studimi do të mund të qe “Vreshti“ i Shopenhauerit në “mushtin” e valleve të Lasgush Poradecit./gsh, 22 qershor 2021

Please follow and like us: