Niko Mihali: Homazh për akademikun Androkli Kostallari
Profesor dhe akademik Androkli Kostallari një nga kontributorët më të mëdhenj në fushën e gjuhësisë shqiptare sot do të ishte një shekull. Ai ka lindur më 7 nëntor të vitit 1922 në fshatin Leusë mbi Përmet, një fshat me një pasuri unikale në fushën e trashëgimisë kulturore, me kishën e saj një monument i rrallë kulturor, me ato rrugicat e shtruara me kalldrëm, ato portrat me harqe dhe sofatë guri ku janë gdhendur figura të ndryshme nga mitologjia, me një pejsazh aq të bukur dhe nga burime që rrjedhin nga rrëza e Dhëmbelit e Analipsit, një fshat ku kishte vite qe kishte hapur dyert shkolla shqipe dhe nga me dhjetra të rinj merrnin udhën e largët për të mësuar në shkollat e huaja që nga Zosimea e Janinës e gjer në Stamboll, por edhe në licetë e ndryshme në Korçë e Gjirokastër etj.
Leusa, fshati që lidhej me një kalldrëm guri me qytetin e Përmetit, ishte as më shumë e as më pak pjesë e qytetit, ishte vendlindja e një poeti, që kish mbaruar Liceun Francez të Korçës dhe lëvronte satirën e humorin, krahas gazetarisë e mësuesisë në Tiranë e që kishte një pseudonim interesant Chri-Chri, Nonda Bulka. Në ato vite Leusa do të ishte një qendër e rëndësishme e Luftës Nacionalçlirimtare, do të shtypeshin trakte e gazetat e Luftës, ishte fshati që ne gjirin e tij kishte me dhjetra të arsimuar si Alqi Kristo, Elpiniqi Qamo (Frashëri ) etj që që qenë shpërndarë nëpër Shqipëri dhe që xha Miti Adhami na i numëronte sa herë uleshim në sofatet e kishës. Dhe pikërisht këtu në javën e parë të nëntorit bëri pjesë të tij edhe këtë djalë të ri, që shumë shpejt pasi do mbaronte shkollën në vendlindje, do të shkonte të ndiqte studimet në gjimnazin e shtetit në Shkodër në konviktin “Trimat e Maleve”, duke qenë një ndër nxënësit më të shkëlqyer të tij. Tani gjuha e bukur toskërishte, e folura e Përmetit, gjuha e Naimit do të ngjizej me gegërishten e veriut, me gjuhën e Mjedës, Fishtës, Prenushit, Shirokës etj, do të pasuronin njera-tjetrën dhe mbase do të krijonte një shkëndijë për rrugën e gjatë që do niste së shpejti Në këtë qytet veç tjerash ai mori me vete edhe një porosi largpamëse të Fishtës: “Vreni, këtu shkrueni në gjuhën e përbashkët. Mos bëni gabimin që bëna unë…”.
Shumë shpejt Andokliu, ky djalë i Leusës mbi Përmet do të jetë pjesë e rradhëve partizane të luftës për liri, bashkëkohës e moshatar me dëshmoren leusiote Fanjo Ciçako që ra në malet e Vishegradit. Pas përfundimit të Luftës, në vitet 1945 – 1949 shfrytëzoi të gjitha energjitë për të ripërtërirë publicistikën shqiptare duke punuar si përgjegjës i redaksisë së brendshme, sekretar kolegjumi dhe kryeredaktor i të parës gazete publike të pas Luftës, gazetës Bashkimi. Në vitet 1949 Kostallari bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, të etur për kulturë e dije dhe meqenëse në Shqipëri nuk kishte ende shkollë të lartë, udhëton për në Moskë, për të ndjekur studimet e larta universitare në një ndër universitetet më të famshme e më të dëgjuar të botës, në atë që mban ende edhe sot emrin e Lomonosovit. Më 1954 përfundon studimet e larta. Studjon gjuhësi e linguistikë me profesorë me mjekër të rëndë dhe në të gjitha ato vite do të jetë një student dhe doktorant i shkëlqyer. Atje paralelisht me gjuhësinë kryen edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari.
I pajisur me një kulturë të re, me një bagazh të plotë teorik e shkencor, ai kthehet në Shqipëri dhe në prill te vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë. Me hapjen e Universitetit në Tiranë ai në vitin 1957 emërohet zëvendës/dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë dhe pas një viti më 1958 deri në vitin 1962 do të jetë dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, detyrë që e ruajti gjer në ditët e fundit të jetës.
Në këto vite profesor Kostallari do të bashkëpunojë, diksutojë e konsultojë problemet e gjuhësise shqipe, të historisë së formimit të saj, të pasurisë leksikore e ligjeve të brendshme të saj me autoritete unikale për kohën si profesorët A. Xhuvani, E. Çabej, Aleks Buda, Idriz Ajeti në Kosovë, Altimarin tek arbereshët, me profesor Mahir Domin e Shaban Demiraj etj dhe bënë të mundur shumë shpejt që Qendra e Studimeve Albanologjike për gjuhësinë të zbriste nga Vjena e Mynihu, nga San Petërburgu, Parisi, apo Kopenhagen, në Prishtinë e në Tiranë. Në kushtet e reja etnokulturore, me zhvillimin e vrullshëm të arsimit e të kulturës, me rolin gjithnjë e më të madh që mori Tirana si kryeqendër e kulturës kombëtare,u krijuan rrethana të reja dhe përzierje të folurash e ngjyrime kulturore. Duke ecur në gjurmët e albanologëve të shquar të shekullit si Franc Bobp, Majer, Miklosic, Desnickaja, etj në bashkëpunim me albanologët e rinj shqiptarë që ishin individualitete në zëra të veçantë që nga historia e gjuhës, fonetika, leksiku, etj ai do të cilësohet si kolona zanore e gjuhës shqipe, e gjuhës letrare kombëtare. Profesor Kostallari do të jetë një ndër “levat e Arkimedit” për evolucionin e saj, për njësimin e saj në një gjuhë letrare të njësuar kombëtare e cila të ishte një shkrirje me vlerat më pozitive të çdo dialekti. Eshtë një ndër organizatorët e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, hartimit të Fjalorit të parë e të plotë të gjuhës shqipe në vitin 1980 me bashkëautorë dhe do të mbajë një sërë ligjëratash në katedrat e universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Bukureshtit, vendeve nordike etj ku do të marrë shumë vlerësime e tituj shkencore si Honoris Causa, etj.
Gjuhës letrare kombëtare Prof. Kostallari i kushtoi gjithcka, dijenitë e tij shpirtin dhe jetën e tij, për të luftoi me penë në dorë gjithë jetën, për të shpesh la edhe familjen në harresë, u ndesh e mposhti koncepte e paragjykime që e ndoqën jo vetëm gjatë jetës por edhe gjer në ditët tona, tre dekada pas vdekjes… Këtë nuk e bën kushdo, vetëm ata që bartin tiparet më të larta të racës njerëzore të dijeve të saj. Me dijenitë e thella në këto disiplina arriti të formonte një rrjet të gjërë specialistësh në institucionet shkencore e arsimore të cilët flakën e diturisë e çuan në skajet më të largëta të vendit. Tani atë do e gjeje sa në katedrat e universitetit duke dhënë leksione e ku mrekullohej kur merrte vesh se në kurset e tij kishte edhe studente nga Përmeti i tij që e kish për zemër, do e gjeje në fshatrat e largëta të Shqipërisë duke u konsultuar me mësuesit e shkollave tetëvjeçare dhe me njerëz të thjeshtë, në ekspedita të shumta për grumbullimin e leksikut, për pasurimin e fjalorit. Pikërisht në këto vite profesori do të shfaqej më dendur edhe në Përmet, në vendlindjen e tij, do të merrte rrugën ndonjë mbasdite gjer në Leusë të çmallej me kujtimet e moshës që flinin aty në lisat e afresket e kishës së shënjtë të Shën Marisë dhe pastaj do takonte mësues të veçantë, do organizonte me ta konsulta, biseda, sesione shkencore, veçanërisht për fjalën e rrallë. Shumëkujt të moshës sime u kujtohen këto veprimtari dhe ai inkurajim që na jepte profesori për pastërtinë e gjuhës, për drejtshkrimin dhe pasurimin e saj. Tanimë ai kishte krijuar një përfytyrim të plotë për gjuhën letrare kombëtare qysh nga vendi ku kishte mbaruar shkollën, njihte gjuhën e poetëve e shkrimtarëve që bëhej si zanafillë e gjuhës letrare, vlerësonte veçanërisht të folmen e Përmetit, jo vetem si gjuhë e Naimit, por edhe si një e folur me një artikulacion shumë të pastër fonetik e fonematik dhe inkurajonte armatën e madhe të mësuesve në çdo skaj për pasurimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyre u arrit që deri në vitet 1990 kartoteka e leksikut të shqipes të numuronte mbi tre milionë fjalë e forma fjalësh.
Në vitin 1959 dekorohet me Urdhërin e Punës të Klasit të Dytë për veprimtari të shquar në fushën e shtypit. Në prill 1970 u bë Profesor, më 1972 dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë- për ndihmesë të shquar në fushën e arsimit dhe të kulturës, më 1974 mori çmimin e Republikës të Shkallës së Parë- për veprën shkencore ‘Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe’ dhe në mars 1986 merr titullin ‘Mësues i Popullit’. Do të jetë pjesë dhe anëtar i shumë organizatave ndërkombëtare për Europën Juglindore, në Kongrese Linguistike etj etj.
Ka botuar edhe 18 monografi e studime ndër të cilat përmend atë për figurën e Skënderbeut, parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe 1968, Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë 1985 etj. Eshtë kryeredaktor i veprës madhore “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe” 1980 dhe “Fjalor i shqipes së sotme” në vitin 1984 etj. Të gjitha këto e bëjnë profesor dhe akademik Kostallarin një personalitet unikal në fushën e gjuhësisë e shkencës së linguistikës. E bëjnë atë një pikë orientimi dhe udhërrëfyes për më të rinjtë në misionin e madh për pasurimin e gjuhës shqipe, aq më tepër në kohën që jetojmë që gjuha jonë kaq e mirë, kërcënohet seriozisht nga huazimet e bastardimet, që shfaqen si tumore malinje në rekalamat e njësive tregtare, produkteve, reklamave në TV, në podiume e ligjërata që nga Kuvendi i Shqipërisë e gjer në faqet e shtypit tw shkruar.
Ai ka qënë e mbetet veç personalitet shkencor edhe njeri shumë human e shoqëror, inkurajues për nisma e aksione të ndryshme në fushën e kulturës në tërësi. Kujtoj me respekt bisedat e tij që bënim sa këtu në Tiranë po edhe në seksionin e arsimit e kulturës në Përmet, në takime me mësuesit etj. Edhe kur krijuam Shoqatën Kulturore “Elena Gjika – Dora D’Istria”, ai jo vetëm që ishte ndër anëtarët e komisionit nismëtar, na dërgoi një telegram falenderimi së bashku me kolegun e tij Prof. S. Pollo, na vuri në kontakt me personalitete të ndryshme, na ndihmoi në udhëtimin e parë artistik në festivalin Costinestit në Rumani në shtator 1991, nëpërmjet ambasadorit të Rumanisë në Shqipëri George Miku, ish-student dhe miku i tij.
Ndjehesh mirë kur shikon se në këtë fushë nga qyteti ynë kanë ndjekur rrugën e tij edhe të tjerë si Minella Totoni, Hëna Pasho, Liljana Nace, Nexhip Mërkuri, të cilët kanë dhënë ose vijojnë e japin në këtë fushë. Duke e përkujtuar në këtë përvjetor një shekullor, më shumë se përkushtim e homazh, le të jetë ky shkrim një inkurajim e ngacmim për më të rinjtë që të ecin në rrugën e shkencës. Ai vdiq në mars 1992, në moshën 70 vjeçare, me një brengë të madhe për shpartallimin e Bibliotekës së tij shkencore nga pakujdesia e qeverisë që u instalua në vendin tonë në fillim të viteve ’90, një bibliotekë shumë e pasur që u shit rrugëve të Tiranës dhe që e kishte ideuar në studion e tij me një imitim të Leusës, vendlindjes së tij. Vepra e tij shkencore e akademike rrezaton tutje dhe këtë e shikon dhe e ndjen sa tek studentët dhe bashkëkohësit e tij, ajo ligjërohet e studjohet në aulat e Universitetit të Tiranës, është pikë referimi nga albanologë në vende të ndryshme të botës edhe pse sikundër komenton prof. K. Kapllani, hartuesi i monografisë dhe studjuesi i veprës së tij. “Në të gjitha universitetet shqiptare i japin leksionet e tij, por askush nuk ia përmend emrin” (gazeta “Telegraf”, 5 prill 2019). Një shkollë në Tiranë mban emrin e tij, vendlindja e tij Përmeti, e ka shpallur Qytetar Nderi, ndërkohë ai emër është e mbetet i gdhendur në zemrat e shqiptarëve, në themelet e gjuhës sonë letrare kombëtare.