Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (2)

DON LAZER SHANTOJA DON LAZER SHANTOJA (1892 – 1945)

Don Lazër Shantoja asht Martiri i Parë i Kishës Katolike Shqiptare që u pushkatue në Tiranë, nga vrastarët terroristë komunistë më 5 Mars 1945. Me dashtë me shkrue për figurën e Tij njeriu mendohet nga t’ja filloj? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës Shqiptare që vdekja mizore prej katilave komunistë, tue la me gjakun e tij tokën Shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike. Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut. Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme. Ai u pushkatue i çuem zvarrë buzë Lanës (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar. Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë mbi nazistët? – Asnjëherë!

Një dijetar thonte: “Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aqsa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njeriut.” Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, po edhe në shtëpitë e katolikëve, dhe në qelat e priftënve, madje, klerikët edhe i ngulnin ndër hunjë. Vepronin ashtu mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu. Ardhja e komunistëve në pushtet në vitin 1944 solli fakte të mnershme! Shka do të thonte Bota sot, po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë nga Sigurimi, kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik Shqiptar? Shka do të mendonte Bota per rracen Shqiptare kur Don Lazër Shantojën e shef të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës dhe, Nana e Tij tek dera tue u thanë katilëve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi.., mos e leni kështu djalin!” Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptari. Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij. Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve” (me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”. Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven Atè, përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi! Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”. Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq 43 egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”. Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “Letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”. E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue: Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”. Njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit”. Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?! Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po! Ky asht komunizmi! Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar. Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.” Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”.

“Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945”.

Nga Don Lazer Shantoja:

Zani i të vdekunit!

Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi Revolucionin e Francës të vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai popull që ka histori të merzitëshme!”… Po kjé sé qetësia e monotonia e ndodhjeve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë Shqiptarët e soçëm do t’ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të Botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatrresash, tradhëtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk e gjen askund shoqen në Botë. 44 Sot me hapjen e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të ré e ngulë një cak të ri që ka me shenue një Epokë në historinë tonë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na shqiptarët dishrojmë e pretendojmë me e dijtë tek e mbramja se ku jemi! Do të kuvendim me letra të zblueme! Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndodhjeve të viteve që shkuen: Lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbas sodi jo mâ era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme. Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të fillojë me u bâ mâ monotone! Do ta dijmë mâ, njëherë, “ubi consistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, mos-sigurime të paprashme ekzistenca e jonë nuk mund të mbahët mâ. Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bâme dyqan për fitim ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: Mjaft mâ ndêj livadh kulloset ku rend mbas rendit u lëshuen politikanët e improvizuem; mjaft u duruem porsi lâme eksperimentesh për aventurierë kosmopolitë; mjaft pësoi e bâme skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft! Sot popullit i ka ardhë shpirti në fyt: Sot populli don me dijtë kategorikisht: A ka a s’ka Shqipni? Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i kanë përgjegjë ende! Se ka Shqipni e beson sot, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangar-rroguemi; por populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik… nuk mund ta besojë kurrë! Janë disa vjetë që Shteti ynë i Ri velëzon nëpër udhën e hapët të Lirisë. Si lexohët në një ndër vjerrsha ma të bukra e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijes që udhëton me një të vdekun mbrendë”. Në barkën e Shtetit tonë të randuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër përposë një trup të vdekunit. Ky i vdekun asht Populli! Qeveritarët tonë deri më sot u kujtuen me mbajtë Shqipninë e.., mbytne Popullin! Por, ky Popull sot flet! Prej gjumit të dekës çon zanin e me shpresë por edhe me guxim e kercënim pyet: A ka Shqipni edhe për mue? Po kjé sé Misët e Kuvendit Kushtetues me ligjët që do të bâjnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me ju përgjegjë kësaj pyetje, atëherë ajo Mbledhje nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farse e fillesa e një tragjedisë!… Hyu mos e premtoftë! Y. (Don Lazër Shantoja) Shenim nga FR: Y. Asht pseudonimi i Don Lazer Shantojës. Ky artikull asht marrë nga gazeta “Ora e Maleve”, ditën e shtunë me 19 Kallnor 1924, nr. 4, fq. 1.

D Lazër Shantoja.

Melbourne 18 Fruer 2022.

DON MARK XHANI BURRI I BESËS SHQIPTARE

DON MARK XHANI (1909 – 1945) PYETNI PSE E MBYTËT PRIFTIN E NDERUEM DON MARK XHANI?! Askush nuk pergjegjet pse?! E vetmja pergjegje e Arkivit Ministrisë asht: “Nuk ka Dosje fare kjo Ministri per Don Mark Xhanin!” Don Marku asht lé në fshatin malor Xhan të Dukagjinit në vitin 1909. Vazhdoi shkollen e mesme në Seminarin Papnuer në Shkoder, ndersa, studimet e nalta teologjike i kreu në Antonianum, universitet i njohun në Romë Itali. Atje u njoh me një brezni që shumica e tyne u pushkatuen porsa erdhën në vitet e para të pushtimit sllavokomunist në Shqipni. U caktue me sherbye si famullitar në Orosh të krahinës së Mirditës, ku u njoh afer me një nga figurat e spikatuna dhe shumë të nderueme të Klerit Katolik Shqiptar Imzot Frano Gjinin, Abat i Mirditës. Per pak muej ishte edhe sekretar i zyres së Tij në Abacinë e njohun të Mirditës. Porsa e filloi misionin e Tij atje, mbrenda një kohe të shkurtë fshatarët e Mirditës e adhuruen per sjelljen e Tij dhe pershpirtninë e Don Markut në sherbimet fetare në atë krahinë. Ai nuk ishte i angazhuem fare në kaosin e politikes verbuese të shqiptarëve, dhe as nuk donte me dijtë per veprimet politike të kohës. E vetmja gja që ndikoi në arrestimin e Don Markut në muejt e parë të vitit 1945, ishte “porosia e instruktorëve jugosllavë për Partinë komuniste në Shqipni, per zhdukjen e Klerit Katolik Shqiptar dhe inteligjencës antikomuniste, që kishte krye shkollat në Europen Perëndimore”. Ndoshta, kjo e fundit ishte ma antikomuniste se gjithshka tjeter, mbasi politika që ishte në të gjitha hallkat e shtetit komunist, kishte parim kryesor “perçamjen dhe vllavrasjen per me realizue sundimin dhe skllavrimin sllav të Popullit Shqiptar.” Sasia e madhe e Atdhetarëve antikomunistë që ishin nder malet e Shqipnisë së Veriut, ku perfshihej nder shekuj edhe Mirdita e Markagjonëve, ishte një krahinë kryesore që synohej per sundim nga shteti dhe sigurimi i Enver Hoxhes. Prandej, duhej ushtrue terror i vazhdueshem dhe i pamëshirë ashtusi u veprue per 47 vjetë panderpremje. Periudha e masakrave komuniste asht kenë në Mirditë ma e vështira ajo e viteve 1944 deri në vitin 1954, ku janë ba edhe zhdukje në masë të popullsisë së pafajshme nga Ndjekja, kryesisht nga sigurimi komunist antinjerzor per motive antikatolike. I perfshimë në këte luftë asht edhe Don Mark Xhani, Kleriku “pa Dosje Hetuesije”, nga vetë fakti i vdekjes së Tij nder torturat e mnershme nga duertë e shefit të sigurimit Shën Palit, oficerit të njohun si kriminel dhe vllavrasës antishqiptar komunistit Bardhok Biba. Bashkëvuejtësit kujtojnë Don Markun e varun perkrahësh nder hatllat e sigurimit të shtetit në Shën Pal derisa një ditë të zezë Ai dha Shpirtë. Po krimineli Bardhok Biba nuk u knaq me kaq! Trupin e masakruem të Don Markut e hodhën buzë një rruge ku e shkyen copa e grima qejtë e fshatit. E kjo ngjiste per të tmerrue katundin dhe gjithë Mirditen antikomuniste. Kur era e keqe e prishjes së Trupit Martirit filloi me pengue kalimin e fshatarëve andej, atëherë, kriminelët e pangopun të Ndjekjes barbare (ase të sigurimit të shtetit), e hodhën në lum. Flitej se Don Marku nuk ka tregue “disa porosi dhe letra sekrete të Abatit Frano Gjini, dhe se dinte sekrete të takimeve të Tij me të arratisun…”. Kjo nuk qendron mbasi atëherë ishte shumë shpejtë me u mendue atje per takime t’ arratisunish, kur njerzit ishin nder shtëpi e jo në shpella. Rezulton nga disa shkrime analfabetësh gjoja edhe “futja e armëve në Kishen e Oroshit, nga Klerikët e atjeshëm ashtusi në Kishen e Fretenëve në Shkoder, Lezhë etj.” Agjentët e sigurimit Rakip Beqja, Jup Kastrati etj., harrojnë se kur u arrestue Don Mark Xhani, nuk kishte mërrijtë në Shqipni ende nga KGB sovjetike “urdhni i futjes së armëve nder Kishat Katolike”, mbasi Stalini atë urdhen e dha në Tetor e Nandor 1946, mbasi sigurimi organizoi “Lëvizjen e Postribës”, me 9 shtator 1946. Nder Kisha të BS dhe të demokracive “popullore”, urdhni i “futjes së armëve” ka fillue aty nga korriku i vitit 1946. Pra, Kleriku Don Mark Xhani, nuk ka asnjë lidhje me “akuzat e armëve nder Kishat Katolike Shqiptare”, mbasi Don Marku kishte vdekë një vit ma parë në tortura, me 5 Shtator 1945. Mbetet me u besue e vetmja “akuzë” kunder Don Mark Xhanit, po që edhe qendron. Kjo asht dëshmia e Imzot Frano Illisë per Don Mark Xhanin, i mbytun nga sigurimi në moshen 36 vjeç: “Ishte i devotshem e i zellshem. Ndersa po e torturojshin, Atij i kerkojshin të mallkonte Jezu Krishtin, por Ai thirrte me za të naltë: “Rrnoftë Jezu Krishti”! Kjo, u persërit perditë, derisa vdiq nder torturat shnjerzore të tyne. Fjalët e Don Mark Xhanit u treguen me lot nder sy prej Nikollë Përndojt, nga Kthella e Mirditës, i cili ishte në të njejten qeli e muejti t’ shifte e të ndigjonte përmes plasave të drrasave. Trupi i Tij u dergue në Shën Pal e u hodh në humneren e plehnave, ku u coptue prej qejvet. Ishte Hero i vertetë dhe i vendosun i Fesë Katolike”. Melbourne, 25 Fruer 2022.

FLET HIJA E TIJ PAPA PANDI (1910?-1945)

Kur Bota në dukje po rrotullohej aty nga gjysma e Shek.XX, askush nuk e kuptoi se ajo ishte mështjellë me petkun e mbrapambetjes së ndergjegjes njerzore dhe, as nuk dihej gremina ku po perfundon ndoshta pergjithnjë. Maska e një ateizmi barbar nën drapen e çekanin sovjetik jo vetem, po perçudnonte Rusinë staliniste, por po rroposte pamëshirë kulturen sa e sa shekullore t’ Europës plakë që, “pa e kuptue” gjuhej me topa. Askush nuk vrau veten per shka po i sillte njerzimit por, “shokun e vllaun po!”. Krimi i organizuem nga shteti kriminal vetem shfaroste pamëshirë ke tha “Partia Komuniste”. Ishin një grup terroristash barbar të panjoftun e të pa “Atdhe e Fe”, madje, me yllin e kuq pesëcepash mbi ballin e flliqun. Shqipnia mbas vitit 1941 kur u bashkuen Trojet e Saja, as nuk mendonte me hy në kasaphanen e Luftës së Dytë Botnore. Ishte e ngopun me gjak. Roli paqdashës dhe i Vllaznimit i Popullit Shqiptar ishte model Botnor! Flasin vetem dokumentat e papublikueme nga historianët e diktaturës: Në Trojet Shqiptare as nuk njifej fjala “fanatizem”! E këte e gjeni ma sakt nder dosjet e Sigurimit të Shtetit komunist mbas vitit 1945, në hetusitë, ku del haptas Vllaznimi mes Bektashijve e Katolikëve, Ortodoksëve dhe Katolikëve dhe Myslimanëve nder kampet e shfarosjes së Maliqit apo, në Kampin e Interrnimit të Tepelenës, dishmue nga zonja Bajame Hoxha, e cila asht kenë e interrnueme Ajo vetë atje fëmij. Lexoni tekstet e Saja! Heshtja ndaj vllaznimit dhe mirkuptimit mes Ortodoksëve e Katolikëve të viteve 1920 – 1945 e ma vonë, me Imz. Kristofor Kisin asht vetem turp! E ky turp vazhdon me të gjithë ata që zbatuen perçamjen e diktatorëve e barbarëve që nga Ever Hoxha, e po e vazhdojnë edhe sot me Edin Rama. Kam lexue dhe studjue Dosjet e Sigurimit te Shtetit komunist, kryesisht ato të kasaphanës barbare e shnjerzore të hetuesisë së mnershme të Kuvendit të Fretenve të Shkodres, ku dalin në dukje: Vllaznimi dhe Ai i quejtuni mirkuptim shekullor, mes besimeve në Shqiptarët e Vertetë! Nuk ka asnjë Hoxhë apo intelektual Mysliman që në tortura i shpifet një Prifti Katolik. Nuk ka asnjë Pop Ortodoks që akuzon një Hoxhë apo Prift Katolik. Hoxhallarët Bektashijë as mos i kerkoni se, prej Emnave të Tyne, do të kuptoni se kush asht Besimtari i Vertetë e Shqiptari i Kastriotit! Njohja e Tyne sot asht detyrë e parë per Ministrinë e Arsimit e t’Kulturës. Vetem atëherë do të kuptoni pse dhane jeten Atdhetarët Papa Pandi e sa e sa, Martirë të Paharrueshem të Popullit Kastriotit e Nanë Terezes! Do të shkruej per Papa Pandin që asht mbytë në Korçë, në Tetorin e vitit 1945 në mënyrën ma shnjerzore… I prenë koken me sopatë në pyll, dhe ia vune mbi gjoksin e Tij pranë Kryqit. Ishte klerik Katolik që punoi per unifikimin me Kishen Ortodokse Shqiptare. Ishte rreth 35 vjetëve, po me saktësi as sot nuk i dihet as mbiemni as datat kryesore. Gjithshka asht e msheftë dhe e pazbulueme nga sigurimi komunist i Shqipnisë. Ishte Prift Katolik i ritit oriental që ka sherbye në Korçë, pikrisht aso kohe kur disa Klerikë Ortodoks u kthyene në Katolik, por që mbas 1944 porsa erdhen në pushtet komunistët, i mbyten dhe i zhdukën të gjithë mizorisht. Kryesisht arsyeja ishte perçamja fetare me elementin Katolik, që vazhdon edhe sot. Ishte shumë i përgatitun dhe kishte perfundue studimet në Grotta Ferrata t’ Italisë, tue u rikthye në Shqipni me sherbye si Klerik i mirëpërgatitun. Dihet e saktë vrasja e pabesë që asht ba nga barbarët e sigurimit shtetit kur Papa Pandi, po shkonte në fshatin ku sherbente, mbasi kalimi në pyll ishte i detyrueshem si shpjegon edhe Motra korçare Gjeorgjina Bulgareci, aso kohe me sherbim në ate krahinë. Lajmin Moter Gjeorgjina e mori nga njena prej motrave që e kishte mësue nga njeni prej grupit vrastarve. Ma shumë ka ndikue në vrasjen e Papa Pandit sjellja e Tij model Kleriku me të gjitha tiparet e një Priftit të persosun në të gjitha pikpamjet. Emni i Nderuem i Papa Pandit asht kenë i njoftun edhe per mue, po fatkeqsisht në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, nuk figuron as Emni. Kujdesi per vrasjen e Tij dhe zhdukjen e gjurmëve asht i njoftun mirë. Në dokumentacione shpesh Emnin e Nderuem të Papa Pandit, studjuesit e lidhin me Papa Josifin e Elbasanit, edhe Ai i mbytun barbarisht nga disa polic diku pranë Liqenit Pogradecit, që e mbuluen me baltë persëgjalli. Urrejtja e pashoqe per këte brez Klerikësh asht e lidhun me masakrat që u janë ba edhe Klerikëve dhe intelektualëve të krahinave tjera Shqiptare, që kryesisht ishin përgatitë në Europen Perëndimore Perparimtare. Dokumentat nuk mungojnë me vertetue faktet e kriminelave komunistë. Sot mungon vullneti me i studjue ata dokumenta dhe me i paraqitë në të gjitha tekstet e shkollave dhe universiteteve faktet e shkatrrimit Atdheut. Gjithshka per zhdukjen e Shqipnisë Gjergj Kastriotit fillon në vitin 1944. Vdiqen per Atdhe, Fe dhe Perparim t’ Atdheut! Ngjarjet e sotme në Ukrahinë, fatkeqsisht mund të jenë një “parathanje” e atyne vepra që komunistët sllavosovjetikë patne aplikue në Shqipni!! E mos harroni asnjëherë vendin që kanë në Historinë e Shqipnisë sonë: Ata sot e perjetë janë Zamakë të Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut! Melbourne, 4 Mars 2022.

IMZOT FRANO GJINI IMZOT FRANO GJINI RREGJENT’I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI (1886 – 1948)

“Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën t’eme nga Selia Shenjtë!” Imzot Frano Gjini Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake Major Niko Çeta d.v. Për këto arësye kjo Gjykatë është e mendimit Në vitin 1945, në fundin e muejt maj, mbas largimit të dhunshem nga Shqipnia të Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës së vitit 1944, Selia Shenjtë e emnoi tek ne: Imz. Frano GJININ, Regjent’ i Delegacionit Apostolik të Vatikanit. Asht kenë i pari Shqiptar që emnohet në këtë detyrë të naltë në shtetin Shqiptar, ç’ prej thëmelimit të tij. Me datën 20 nandor 1945 i vjen zyrtarisht edhe emnimi nga Vatikani. Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë. Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh asnjëherë këtë detyrë dhe as, nuk do me dijtë per Regjentin e porsa emnuem. Imz. Frano Gjini asht lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini. Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të naltat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku edhe u shugurue Meshtar në vitin 1908.

Vjen në atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në FushëKrujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919 emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928. Prej Kurbinit emnohet në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Mbas dy vjetësh, në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrator i Lezhës. Që në moshën e re bije në sy përvujtnia dhe matunia e Tij, gja që e miqëson me Imzot Luigj Bumçin, Imz. Vinçenc Prennushin, Imz. Jul Bonattin, At Pjeter Meshkallën, At Pashko Gjadrin, Don Shtjefën Kurtin etj. Imz. Frano Gjini, asht e vertetë se njihej me të gjithë pa perjashtim, po edhe konsultohej me ta. Ai ishte edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administronte. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e Tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste e Tiranës. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani, po Vatikani nuk ia miraton kërkesën. Asht muej janar të 1946 kur Imz. Gjini përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që shkon për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si: Mbyllja e shkollave fetare, shtetizimet e pronave të Kishave, per reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, qendrimin e shtetit ma diktatorial ndaj të gjitha familjeve të klerikve katolik etj. Në muejn shkurt 1946 i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare me Vatikanin dhe kerkon me dijtë si do të lidhet me ata. Në muejn maj të 1946 flitej nga radio Vatikani se në Shqipni, do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja e cila dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej dorë e lirë me veprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera shtetnore. Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai porsa u emnue zyrtarisht në detyren e re si Delegat i Vatikanit në nandor të 1945, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue nga diktatori. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Ever Hoxhës, por si dukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave fetare, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat tjera ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike tek na në Shqipni. Ishte e kuptueshme se gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, sepse Ai, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj veprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi, në të gjitha krahinat deri thellë në zonat malore të Mirditës. Ishte një situatë shumë e randueme dhe pa asnjë shpresë lehtësimi e gjendjes nga shteti diktatorial. Imz. Gjini vazhdonte me kambngulje me kerkue takim me Everin. Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit e i Tiranës, Imz. Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji dhjetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por prap nuk u realizue se gjoja, sa kishin përfundue zgjedhjet e dhjetorit. Në mars të 1946-ës, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën prap të gjithë përsonat e sipërpërmendun ku, përveç tyne ishte edhe At Pjeter Meshkalla. Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefen Kurti. Letra u përpilue nga At Pjeter Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e klerit në përgjithësi. Një kopje u vëndos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre lidhjet e korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se Kleri katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me Vatikanin, dhe se kjo çështje asht vetëm një kërkesë kambëngulëse per shkëputje e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga diktatori Ever Hoxha, i cili tashti kishte dalë hapas nder fjalimet e veta. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës si dhe kërkesën e Imzot Gjinit për zëvendsimin e Tij, mbasi Ai nuk njihët nga qeveria e Tiranës dhe as nuk kishte asnjë mundësi me ushtrue detyren në Tiranë. Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë ku mund të jenë mëshehë prej Tij. Letra asht shkrue mbasi këte fakt e pranon edhe At Pjeter Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as Ai. Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me Z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën dhe merrej vesht kjartësisht me të huejtë. Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët, ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje. Kam përshtypjen, se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.

Në vitin 1946 Imzot Frano Gjini bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me ipeshkëv tjetër në atë zonë. Sigurisht, Ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male. Koha ishte shumë e vështirë në të gjitha anët dhe sa vinte e randohej edhe ma shumë me arrestime tjera dhe pushkatime të vazhdueshme. Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist ishte në mal), që thirrej Lleshi i zi. Lleshi i ban një kërkesë Imzot Gjinit, tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se Imz. Gjini, mund të arrestohej shpejt. Imzot Frano Gjini, Ju përgjegj: “Unë edhe po iku, po kujt t’ia la besimtarët e Shen’ Lleshdrit? – Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”. Kështu Ju pre rruga. Sigurisht, kjo temë as nuk u hap ma prej tyne. Përgjegja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon Shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue por jo, me lanë popullin pa drejtues të Fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata, jo vetem nuk u arratisën por pranuen Kalvarin e pafund. Ai, jo vetëm, qëndroi në Atdhe, por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e naltë dhe të randë që iu ngarkue. Përgjegjësia e madhe e Tij vrehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen pa hezitue. Imzot Gjini duhet vue në dukje se jo vetem e njifte mirë sistemin barbar komunist po, edhe dinte të vepronte pa e atakue ate. Sa merr detyrën e Delegatit, Ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët terrorista. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës me klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës, që në ditët e para të janarit 1945, për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie “demokristjane” për zgjedhjet e dhjetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945 dhe, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria diktatoriale e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhjetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me prioritet filosllav jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve dhe organizatave gjoja antikomuniste me njerëz të pafajshëm, pushkatimet e njëmbasnjëshme, konfiskimet e pronave etj. etj. E detyrojnë Imzot Gjinin, me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue klerin katolik, me urdhën të vet Ai: “Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë, me asnjë çështje politike pra, ndalimin e plotë të marrjës me politikë të Klerikve Katolik Shqiptar. Urdhni i Imzot Gjinit asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm per të gjithë pa asnjë perjashtim”.

(Kopja e letres asht e ruejtun në Arkivin e Shtetit Tiranë).

Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Frano Gjini, mbasi aso kohe Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e Tij për kohën që po vinte nga vendosja e diktaturës komuniste në Shqipni. Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, inteligjent dhe Burr’ i dijtun ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent, në atë grup ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhaj e guximtarë trima. Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një Shqiptar besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe Burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh barbar kishte punë, se edhe e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirtë me klerin Shqiptar. Ai ishte i vetëdishëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli koha. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit. Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej, edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruejtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma të vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi, nuk ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë. Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë e aziatikë, që historia do t’i cilësojnë si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar antinjerzor të mbarë globit.., njëditë, ndonse kjo ditë nuk dukej e largët. Ai dinte dhe njihte mirë fillimisht praktikën që po ndiqej prej tyne me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: Jeta e njeriut dhe paprekshmënia e saj, që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun “kundërshtar”, vetëm pse BESONTE NË ZOTIN. Pikërisht, ata agjenta të sigurimit, që hypën në pushtet tue mashtrue popullin “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe që, do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues e gjakatar i shekullit XX. Imzot Frano Gjini asht pa asnjë mëdyshje një nga klerikët katolikë që deri në çastet e fundit të jetës, vetëm kryen detyrën ndaj Atdheut dhe Fesë. Asht arrestue me datën 16 Nandor 1946 tek ndertesa e Delegatit perballë Argjipeshkvisë së Shkodres, i shtrimë nga një smundje siç e shpjegonte i Ndjeri Jak Fistani, infermjer që u ndodh me shiring në dorë per me i ba një ingjeksion, kur forcat e sigurimit shkuene me arrestue Imz. Gjinin, dhe nuk e lejuene infermjerin me i ba as mjekimin. E kam shkrue edhe në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër, që po jepte shpirt dhe, ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jetë atë Martir që, mbas pak minutash u gjet para Gjyqit të mbramë.

Por, që me siguri ka pa Fëtyrën e Zotit.” Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve kur po i jepej vëndimi “me vdekje”: “Jeni të zgjidhun Vëllazën, të gjithë shka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si burrat se asht lavdi me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!” Dhe bishat e terbueme të sigurimit vrastar e tërhoqën zvarrë nga mensa ku po bahej gjyqi në fillimin e Janarit 1948. Asht e vertetë që Imzot Frano Gjinin nuk e pau kush përveç shokëve të Tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948, po, dokumentat sot flasin per kete Burrë Trim të paperkulun. *** Asht Dosja nr. 1302/II – A, viti 1948, që flet kjartë dhe haptas (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), asht kjo Dosje pra, dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini? Nga zhvillimi i gjyqit në mensen e Kuvendit Fretenve (i kthyem në burg), në Janrin e vitit 1948, mbas hetuesisë e torturave nga nandori 1946: I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Dëshmia e Preng Lezajt asht falso se nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë edhe ajo e Padër Gurashit që ti kem thënë unë me ba sabotime në punëtori, por vetëm i kam thënë se pse punojnë të dielat që janë ditë feste. Për Demokristjanën nuk dij gjë për té, as për program as që kam qenë pjestar i sajë. Sa për ndihmën e luftës N.Çl., është e vërtetë se nuk kam ndihmue, se kam pasë mbi krye Gjon Markagjonin. Mbas shlirimit kam strehue dhe ushqyer tre batalione ushtarë të luftës N.Çl., përveç, ekipeve të ndryshme. Nuk kuptoj kërkesën e prokurorit, sikurse unë paskam kenë krejt organizator kunder pushtetit!? Sa për Don Sahatçinë që thotë për mue, ky thotë kot. Katundarin e kam mallkuar në bazë të Statutit Kishtar se kishte marrë tokën e Kishës dhe kur është bërë ligja nuk kam folë por i kam denoncuar të gjitha, edhe ullinjtë. Nuk kam sabotuar Pushtetin. Gjykata deklaroi këtë: NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR: Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës i formuar me: Kryetar Kapiten i I-rë Misto Bllaci, Anëtar N/Toger Anastas Koroveshi, Anëtar N/Toger Xhemal Bejtja,Duke qenë gati Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari, Shaban Qamil Dautaj. Në audiencën publike me datën 8 janar 1948, ka dhënë këtë: V E N D I M Në çështjen penale të rregjistruar nën Nr. 17 të Radhorit Themelor për vitin 1948, kundra: 1. Monsinjor Frano Pjetër Gjini, dënohet me vdekje me pushkatim.

***

Në dosjen Imzot Frano Gjinit që ndodhët në Arkivin e Ministrisë së Mrendshme në Tiranë (viti 1998), asht vëtem kërkesa e Imzot Frano Gjinit, që i ka dërgue Gjykatës së Naltë në Tiranë (e shkrueme prej dorës së Tij), të cilën po e shkruej të plotë pa asnjë mangësi ashtu si mbas origjinalit, si edhe vëndimin e Gjykatës së Naltë Ushtarake të Tiranës komuniste:

“V. F . L. P.

Të Ndertit Gjygjit të Naltë

Ushtarak Tiranë Un i nënshkruemi Mons. Frano Gjini, Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni, kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë se e ndiej për detyrë të Shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës dhanë më 8-I-1948, me kenë se ky vendim asht dhanë në bazë të akt-akuzës lshue prej Prokurorit Ushtarak të Z. U. të Shkodrës me daten 2 – I -1948, e cila, si asht formulue nuk asht konform me të vërtetën për sa i përket personit t’im: Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni, Se nuk kam kenë spijue i imperializmit nazi-fashist, Se s’kam punue për fashistizimin e vendit; Se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italjan me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italjan, bashkë me Kolegët të tjerë t’ Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç të nji formaliteti konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjith përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit t’onë; Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacjonale të popullit; Se nuk kam vue kurrnji pengesë serioze për liminimin e Lëvizjës N.Çl. Se nuk kam ndihmue n’asnji mënyrë Qeverit Quislinge; Se nuk kam ndihmue kurrkend për të pengue resistencën e popullit kundra okupatorit, prandej as formacjonin e bashibuzukve kundra L.N.Çl. Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marrë pjesë, a kryesue ndonji grup politik antipopullorë, me qëllim për të përmysë Pushtetin me vjolencë; as nuk kam ngarkue ndonji person klerik a civil për të më përfaqsue ndër grupe të tilla, në se kanë eksistue; Se nuk i kam drejtue kurr memorandume çëdo karakteri imperialistave të huej; 11) Se nuk kam pasë kurrnji përpjekje as me ilegal, as me reakcjonin e mrendshëm e të jashtëm. Prandej në lidhje me sa sipri e ndiej për detyrë ndërgjegje kombtare, shoqnore, profesionare ti kërkoj në bazë të drejtsisë prej asajë të Ndertës Gjykatë rishikimin e gjygjit, prishjen e vendimit të tij e njoftjen e pafajsis s’eme. N’uzdajë se kërkesa e eme ka m’u pranue, nënshkruhem me nderime, Shkodër, 10-I-1948 +Frano M-a Gjini Regjent’i Delegacjonit Apostolik në Shqipni”

  • Nr.88/I

Tiranë, 24 shkurt 1948. Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare.

Për t’ia përcjellë Presidiumit Kuvendit Popullor Refuzuar. Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake Major Niko Çeta d.v. Për këto arësye kjo Gjykatë është e mendimit që të mos i akordohet asnjë konçesion faljeje ose lehtësimi në dënimin e tij. Shënimi i em FR: Kjo shkresë u dërgue bashkë me dorëshkrimin e Imzot Frano Gjinit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sigurisht, duhet të kenë pasë edhe arësyet e refuzimit, por në dosje nuk janë.

***

Lexoni: Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni? Çfarë qëndrimit mbajti Imz. Frano Gjini në torturat e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij? Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi dhe pse? Aty do të gjeni edhe shkakun: Cila ishte arësyeja që e pushkatoi terroristi barbar Ever Hoxha? Dhe, do të bindeni se arësyeja e vetme asht vetem kjo që do të lexoni këtu: IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ishte Atdhetar i flaktë dhe Klerik Katolik Shqiptar i vertetë. Ai ishte Atdhetar besnik dhe i perkushtuem! Ai ishte një Klerik i formuem me pikpamje demokratike Europjane Perëndimore. Ai ishte Ai Burrë fisnik, që nuk pranoi asnjëherë me u ba agjent i sigurimit të shtetit komunist vrastar e gjakatarë. Pra, nuk pranoi me u shkëputë kurr nga Kisha Katolike Shqiptare, nga Papa i Shenjtë dhe Vatikani, dhe me u lidhë me Lindjen shoveniste sllave dhe aziatike komuniste e bolshevike të diktatorit antinjerzor Josif Stalin, barbar i popujve aiatikë dhe europjan. Ishte plotsisht i pafajshem e asht pushkatue vetem se u emnue Rregjent i Delegacionit Apostolik të Vatikanit në Shqipninë komuniste në 1945. Imzot Frano GJINI asht Trim dhe i bindun se Gjaku i Panjolla i Tij, do të derdhet në Themelet e forta dhe të palëkunduna të Katoliçizmit shekullor të Tokës së Bekueme Shqiptare të Gjergj Kastriotit. Kujtimi i Imzot Frano Gjinit asht i perjetshem per Popullin Shqiptar.

Melbourne, 9 Mars 2022.

AT MATI PRENNUSHI O.F.M.

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PROVINCIAL I FRANÇESKANVE TË SHQIPNISË (1882 – 1948)

Asht lé në Shkodër më 2 tetor 1881, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 300 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, i cili ka vdekë në vitin 1904 dhe asht varrosë në Rrëmaji, ku sot janë vorret e kësaj familje. Don Matia ishte i njohun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e tij, mbasi pikërisht atë vit kur ai vdiq, ky asht shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe Ju kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë paraprëgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, ishte forcë e madhe, por edhe ishte e vullnetshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. Përgatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë, ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. Edhe At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac t’Austrisë në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë që, edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma. Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht. Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe mbas një viti shkon në Katund të Kastratit të Koplikut, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne. Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga viti 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot, o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë në qytetin e Shkodres! Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë, u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit e vet tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi. At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria”. Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, në Deçiq dhe Gerçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin e vertetë dhe që, e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia, ndera e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje. Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.

Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé sëdyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku, që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!” E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona! Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË. Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr! Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentave historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me Shqiponjën Dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin e pushtuem nga turqit barbar. Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Gerçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni nuk kishte që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem. Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”, dhe At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë kurrsesi peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Fishta për té, ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën por, edhe e liroi dhe ja dha me vedi. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe. Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës Shqiptare si të gjithë Kleri Katolik, po, kryesisht ai Françeskan kundër Regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia u dënue me pushkatim. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar e fetar. Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Luigj Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian.

Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po, prej tyne Ai gjithnjë konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmia asht e At Dioniz Makës. Në Tiranë ai u njoht me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentat arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, e veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njoftun ruen respekt të veçantë për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian dhe liberal shumë i kulturuem. Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e Kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame në materialin e ruejtun sot edhe në Arkivin e Shtetit në Tiranë. (shif librin “Françeskanët”). Në vitin 1943 At Matia vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Rregjencë, në vendin e tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Anton Harapin për aprovimin e emnimit të tij në Regjencë, vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale. Po filloj me citue At Konrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi”. Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial i Fretenve. Në fq. 65 (po aty), At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës sonë Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por siduket Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha jonë përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”. Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore. Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia deklaron: “U bisedue nëse mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej, e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë). Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e Ai e léjoi në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.) Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Rregjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia ua dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në këtë letër At Matia jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl., dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante vetë kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit, janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë fatkeqsisht, do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj.etj., që shtjellohën shumë ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944.

Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne. Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ata antishqiptarë? At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arësytue gjithshka e këshillonte atë Vëllau i kuvendit. Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe gjithnjë i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia, ishte elokuent, të bante për vedi, se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla dhe vërejtja e tij mirëpritej si prej ATIT. Me 17 nandor 1946, rreth orës 02.00 të mëngjezit, në një natë me shi, sigurimi i shtetit ndalon makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishë, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë e futen në Kishë nëpër derë të kompanjelit. Shkarkojnë armë e municione në Kishë tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë asnjë njeri me u afrue deri në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit. Atë kohë rrëthohet kuvendi me të gjithë françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat e ndryshme për me pa armët e mëshefuna nga “fretnit”. Këte operacion të futjes së armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit e drejtojnë: Zoi Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, që ngordhën me spaletat e Ministrisë së Mbrendshme të ndihmuem nga agjentët: Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku, etj. At Mati Prennushi asht kenë arrestue me 15 Nandor 1946. Mbas sa muej torturash asht fillimi i vitit 1948, muej Janar kur po zhvillohej gjyqi: Në gjyqin e zhvilluem në mencen e Kuvendit Fretenve të kthyem në burg asht pyet i pandehuri Padër Mati Prennushi dhe tha: Akuza nuk është e vërtetë. Jam meshtar qysh në vitin 1904. Ishe famullitar në Kastrat jam qenë 15 vjet rresht, ndihmat nga Austria dhe Italia jepëshin për ndihmën e kultit dhe shkojshin në favor të kuvendit dhe të përsonit. Nuk kam qenë në shërbim të fashizmit as nuk kam punuar për të, dhe nuk kam dijtë kurrgjë. Më 14 qershor 1944 jam emruar Provinçial në vend të Padër Antonit. Kur erdhi Italia sikur na ra rrëfeja dhe kam kja me lot por unë nuk kam ba kurrgja. Meloni dhe Jachomoni kanë ardhë kur jam ba Provinçial, mbasi kam qenë qysh në 1941 në Tiranë me shërbim e më ka takue rasti të takohesha me ta. Subvencion më kanë dhënë po pa kurrnjë konditë. Kam njohur gjeneral Nuçin por mardhënje politike nuk kam pasë. Kol Bibën e kam njohur më parë por nuk kam punuar me te për ardhjen e fashizmit, gjithashtu edhe Ernest Koliqin, por çështje politike nuk kam fjalosur me to. Tek Jakomoni kam shkuar për vizitë në Pallat se na grishte, kam shkuar si superior i kuvendit e i bënim urime për Shqipni. Me Melonin jam njohur por takime nuk kam pasur. Iljaz Agushin, Papa Lilon e të tjerë i kam njohur në Tiranë, megjithatë Papa Lilon e kam njohur dhe më parë, kam pasë shkuarje por mardhënje politike jo. Ai ishte në shërbim të italianëve. Unë nuk dij se kush ka punuar nga kleri për okupimin e Shqipnisë. Në kohën e Italisë kemi punuar për të këthyer orthodoksët në katolikë, por unë nuk dij se ka pasë qëllime politike, për këtë ka qenë i ngarkuar Delegati Apostolik, në vende të ndryshme shkonte ai vetë. Padër Karma shkonte për predikime ku kanë qenë katolik. Na kishim përfitim shpirtnor. Në Tiranë kam qenë në 1941, përpara kësaj datë kam qenë në Gomsiqe dhe në Bërdicë. Nuk kam predikuar për të shtuar radhët e fashizmit, në Tiranë kam qëndruar deri në vitin 1944. Nuk më ka ardhë keq për kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit të Italisë ka hy Gjermania dhe ma vonë kam njohur gjeneralin Vistull në Tiranë, këtu kam njohur Hausdingun, tek i cili kam shkuar 4-5 herë për të shpëtuar njerëz, por nuk kam shkuar për spijunllëqe dhe nuk kam marrë pare nga Gjenerali Vistull. Me majorin gjerman që asht vra e që ka qenë tek Hausdingu jam njohur por mardhënje politike nuk kam pasur me té. Lëvizjen Nacional Çlirimtare e doja se luftonin kundër okupatorit. Komunizmin e kam urryer. Ballë e Legalitet kishte por nuk jam marrë me to. Kleri, unë e dij se nuk ka punuar me okupatorin. Padër Anton Harapi ish Regjent Shqiptar dhe njëfarë Shqipnije ishte sa me i thanë Shqipni. Unë nuk dij se shka ka punuar ai me okupatorin dhe as më bie ndër mend, por Padër Antoni është munduar shka ka muejt me ba e ka ba. Me Padër Antonin politikisht nuk kam punuar. Kur u ba Regjent ka ardhë në një mbledhje në Shkodër, në “Rozafat” për mos me hy komunistat në qytet, Unë nuk kam folë, as kam aprovue as disaprovue. Aty vetëm Prenkë Cali me disa malësorë të tjerë tha hapët se, ju qytetarët kini vetëm fjalë, dhe nga ne kërkoni gjithnji punën. Ne na kini lanë mbas dore, ne na thirrni kur keni punë me ba. Çfarë vëndimesh u morën aty nuk më kujtohet. Me Padër Antonin nuk kam bërë mbledhje. Nuk dij që kleri të ketë punuar për të organizue forca kundër L.N.Çl., pse unë vetë nuk kam punue. Për armën e gjatë që është gjetur në tavanin e kishës në një birë murit unë nuk di gja fare se kush e ka mëshef, kurse librat që janë gjetur në tavanin e korit të kishës si dhe nën elterin e Shna Ndout, janë futur prej shumë pjestarëve të këtij kuvendi, përposë meje që nuk kam dijtë se janë. Me Mehdi Frasherin, Lef Nosin, Brahim Biçakun jam njohur dhe kanë ardhë në kuvend, këta ishin Regjenta. Lef Nosi shkoi në Dukagjin e Mehdi Frashëri në Gjermani, kurse Ibrahim Biçaku nuk dij gja. Tek Mato Murati kam shkuar një herë, por ai nuk ka ardhë në kuvend. Nuk asht e vërtetë që i kam çuar informata. Me Javer Rushitin jam njohur ma parë e Nën/Kolonel Garxholen jam njohur si shkodranë. Kur ishte në arrati Kol Ashiku më kërkonte lajme, por nuk i kam çue. Një plakë që kishte djalin me Kol Ashikun më ka ardhë e i kam dhanë 4 napolona letër, mbas çlirimit nuk kam treguar aktivitet kundër Pushtetit. Mbledhje në Kuvend me karakter politik nuk kam bërë. Provokacionet greke i kam quajtur të rrezikshme. Padrejtësitë e Konferencës së Paqës i kam pritur keq. Nuk asht e vërtetë se kam sabotuar votat e dhjetorit 1945, unë nuk kam votuar. Kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi ku ka marrë pjesë Monsinjor Thaçi, Gjini, Volaj, Pal Doda, Fausti, Dajani dhe unë, biseduam për punë të xhakojve nëse duhej të votonin dhe vendosëm të mos votonin, disiplina ynë nuk i lejon. Në Seminar ka qenë Padër Gjon Shllaku, Padër Nika, etj., por nuk dij se jepnin edukate fashiste. Tjetër mbledhje nuk kemi bërë. Në Tiranë kam shkue me kontrollue Ipeshkvinë, por mbledhje nuk kemi bërë. Në Durrës nuk kam shkue por në Tiranë jemi kenë në qelë ku lypëm takim me Kryetarin e Qeverisë, por nuk na pranoi. Memorandum bamë por nuk e çuam, as që dij në se e ka çuar Don Shtjefën Kurti, por mbi qeverinë nuk dij gja se asht shkrue, por për çështje të shkollave që na u mbyllën asht ba memorandumi. Delegat Apostolik ka qenë Monsinjor Nigris, zëvendës më vonë ka qenë Monsinjor Gjini, por nuk dij se si korespondonin me Vatikanin, por në kjoftëse nëpërmjet Misjoneve të hueja. Me Loro Kurbinin nuk kam biseduar çështje politike. Më 12 tetor 1945 kam shkuar në Lezhë, edhe në Troshan, por nuk kam dhënë instruksione mos me marrë pjesë në qeveri. Për organizatën Demokristjane nuk dij kurrgja. Nuk kemi formuar Komitete e N/Komitete, as kemi bërë mbledhje e as që asht përmendë. I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Ky ka mbajtë fjalim për sabotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, e me kundërshtuar Reformat me krijuar Komitete.I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Kjo asht nji shpifje, unë nuk dij gja. Dokumentat e municioni që janë gjetë në Kuvend i kam parë kur i kanë gjetë dhe kanë qenë katër pesë pushkë, do gypa me maskë, revolver, pushka automatike, fishekë dhe të tjera, edhe disa bombe të çartuna. Për dokumentat më kanë kallxue, se këto i ka pasë marrë Padër Pal Doda e Padër Çiprian Nika, këto vareshin prej meje, por unë e mora vesht kur ka ndodhë kjo, nuk ma priste mendja se janë ruajtur, i dija të djeguna. Koresponendencë me të arratisur nuk kam pasë dhe nuk i kam konsideruar si ushtri të Demokristjanës të arratisurit. Me Anglo-Amerikan nuk kam pasur lidhje. Në Komitetin e Përbashkët nuk kam qenë antar as kam ftuar njëri për të marrë pjesë. Kur është bërë ngjarja e 9 shtatorit kam ndodhur në Troshan dhe atje e mora vesh. Veprimtarinë time nuk e konsideroj kurrë trathti. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi. (Materiali toskënisht asht shkrue nga sekretari i gjykatës ushtarake.) Gjykata ushtarake dha Vendimin per Pader Mati Prennushin: “Me vdekje, me pushkatim. Me konfiskim pasunije…” I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Unë nuk kam pasë dijeni për Parti Demokristjane. Sa për kundra Pushtetit jam krejt i bindur se nuk kam bërë asgjë. E ndiej vetën të pafajshëm. Rroftë Shqipnia e Shqiptarët! Dhe në deksha unë nuk prishë punë. E dij se jam i pafajshëm”.11 Mars 1948, ora 5 e mengjesit në Zallin e Kirit shenohet fjala e fundit: AT Mati Kol PRENNUSHI tha:” Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” Ai vdiq i respektuem dhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim. At Mati Prennushi punoi pa Ju ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë Françeskanët, se në zemër i vlonte LIRIA.

Melbourne, 11 Mars 2022.

AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M.

AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M. GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS (1900 – 1948)

“Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike fitorën!” At Ç. Nika. At Çiprian Nika asht lé në Shosh të Malsisë së Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit aso kohe e solli Dedën e vogël prej Shoshit në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku, përfundoi edhe shkollën e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për Meshtar vëndosi me ju kushtue Urdhnit të Shen’ Françeskut. Përfundoi studimet e nalta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, shugurohet Meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një pergatitje shumë të mirë kulturore. Ishte ndër ma të ditunit Freten në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në Gjimnazin e Fretënve të Shkodres. Kishte pasion per muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër flautistët ma të mirë që cilsonte mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht, greqishtën e vjetër, latinisht e italisht. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihët si Provinçiali ma i ri në moshë sëpse në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës asht kundër Mbretit Zog, gjithnjë asht i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh dhe gjithnjë perkrah kerkesat e tyne. Për fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue okupacionin fashist. Asht antiitalian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj., madje i kundershton. Pak kujt aso kohe i shkonte mendja tek një okupacion i mundshem me armë i Italisë, mbasi ardhja e sajë mendohej se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë. Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohun antisllave. Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë jashtë kufijve të sotëm, shka përfshinë në Veri dhe Kosovën e krahinat Shqiptare perrreth, na pëlqen ose jo, në fund të fundit duhet pranue se po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë nga Shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e me lexue ashtu si duhej në gjuhën amtare Shqipe. Në vitin 1943 At Çipriani ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por asht At Mati Prennushi, që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunistët që mund t’a pushkatonin të parin Provinçialin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen e mikut të vet At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Nëse, Anglo-Amerikanët do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë titiste, atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se me hymjen e grupeve të tjera demokratike në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan në Ballkan ishte e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e klerit shqiptar e kryesisht atij françeskan i cili njihej per veprimtari kombtare. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At Anton Harapi dhe Regjenca, në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohuna zyrtarisht në Jalta.

Askujt nuk i shkonte mendja se koha do të sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë Shqiptarëve Atdhetarë. Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, At Matia u zgjodh Provinçial e At Çiprian Nika, mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët ma të rrafinuem që ka pasë kleri, prandej ishte i kudondodhun. At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue n’ ato rrethana trimnia e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji jo! E, mbet.”(Dosja 1248). Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve. Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta dhe nuk iu la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit, ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Sejcili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane të vëndosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretënve vetëm për fjetje. Dy herë At Çipriani e At Matia ua kërkojnë nga komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue një shkelje, herën e parë u lirue por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë ma deri me datën 29 nandor 1944, që gjermanët janë largue përfundimisht nga Shqipnia. Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin, mbasi gjermanët kur u larguan kanë lanë disa armë të prishuna në oborr të cilat, atë ditë, pra, më 29 nandor 1944, At Çipriani i nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell, si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas Lëvizjes së Veriut dhe asaj të Koplikut, më 14-15 janar 1945, At Matia urdhnon që të treten armët jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna si dhe jashtë përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë aty afer do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte vet At Çipriani, ky vëndosë groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë tokën e dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër, tue i çimentue edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob që aso kohe shërbente në shtëpinë e tij. At Filip Mazrreku mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim, mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin i cili ia merr të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit, që kishte vdekë pikërisht ato ditë, kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve mëshefet nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinjerit të kuvendit Martin Tarri. Qëllimi ishte që kjo armë e vjeter të mos i grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë të kuvendit nga komandanti Sheuqet Peçi. Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit prej Mirditet para se të arratisej nga Shqipnia. Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia urdhnon që të digjen ata bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës e dokumenta të Shtjefen Gjeçovit, janë disa dokumenta muzeale me vlerë historike si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vende. At Pal Dodaj mendon me ua ndrrue vendin, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë “, por nuk i premton koha me i heq mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët në burg të gjithë janë të arrestuem. Luk Kaçaj nuk përmendet ma mbasi siduket nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij, sëpse kur ishte me tregue vedin para një gjyqi fals kunder tij në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrestuem kur shohin materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit dhe n’ oborr, asht i pari At Donat Kurti, Drejtor’i Gjimnazit Françeskan, qe u thotë: “Një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot”. (po aty, Dosja 1248). Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”, në fakt aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm. Ndersa xhakoni Luk Kaçaj, pak ditë perpara ishte largue prej kuvendit e shkue në fshat mbas një bisede t’ At Matisë me baben e Lukës. At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrestimit!?). Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët por nuk duhet lanë pa u shkrue se kur komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te në hetuesi, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: “Kush je ti?”, këtë fat të zi pat At Çiprian Nika. Në proces-verbalin me numur aktesh: 558, dhe nr. vëndimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “Gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor. Duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni, me anën e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen, ata kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër Pushtetit. Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej nenëve 2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke. Shkodër, 26 dhetor 1947” Sekretari: Sh. Dautaj d.v. Kryetari: Misto Bllaci d.v. (firma). Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon: Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaçi, Antarë: Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi. Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja: U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe tha: Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër. Kam pasë shok At Frano Kirin. Austria e mori në dore çështjen e Klerit Katolik që të mos merrej nëpër kambë. Interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam pasë lidhje zyrtare. Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot. Mue nuk mu ndalue me marrë frymë por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe nuk dij kujt ia dha. Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë, në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista. Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët atje ku shërbenim. Me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër doktrinës së Krishtenë, këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju si dhe në radio “Shkodra”, që asht vue në tallje Kristjanizmi. Kishat nuk janë prishë akoma, por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë dhe jo me politikë. Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroj ma shumë ne, u dogjën fshatra e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku. Padër Antoni u dënue, por nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit.

Unë kam kenë profesor dhe nuk dij se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve. Nuk kemi punue për ardhjen e fashizmit në Shqipni. Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe të mbanim shkollat. Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe, shumë gjana që i bante ky i nxirte në skenë me anë të At Palajt. Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e krijoi. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij, se nuk më erdhi mirë që u ba nga partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti. Sistemi i qeverimit asht kundër parimëve të mija. Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë studjue mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë. Në Tiranë ishte Imzot Gjini për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja. Padër Mati Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më shpjegoi se shka kanë shtrue kur kanë shkue në Tiranë. Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej Postribës nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri. Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend. Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por nuk dij se u gjetën armë. Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit. Për votime kam shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin s’kena dalë fare ndër votime. Nuk kam pasë lidhje me të arratisun. At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok dhe nuk e njof si trathtar. Përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj se mohohen të gjithë ligjët morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj., dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore. Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe të filozofisë. Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor. Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Perëndim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë. Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri se nuk kishëm frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri, por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né. Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni”.

(Dosja 1248).

Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit të At Çiprianit para pushkatimit, nuk kam pasë mundësi me i pa. Avokat Dr. Emid Tedeschini shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue. Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimëve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave. Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçesverbalin hetimor kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit”.

(Dosja 1248, po aty). Fjala e fundit e At Çiprianit në gjyq ishte: “Lutem, të merrni parasyshë mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”. Me datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vëndimin: 1. At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me pushkatim. Sekretari: Tish Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi. Kryetari Misto Bllaci, d.v. (Firma)

***

AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e Tij të gjithë jetës, si ushtar besnik i Shen Françeskut t’ Asizit. Ndoshta, kanë me kalue jo vite por shekuj dhe, kurrma një brezni e këtillë as nuk ka me u dukë sado larg në horizontin e botës Shqiptare. Nuk flas fare per pergatitjen kulturore as fetare, po per perkushtimin Shpirtnuer të Atij brezi të papersëritshem që, vdekja per “Atdhe e Fe” ishte si me lé. Asht e vertetë se Shqipnia e Shekullit XX, edhe pse u shpall e pavarun ishte nder vendet ma të mrapambetuna t’Europës, po s’ duhet harrue asnjëherë formimi Shpirtnuer dhe brumosja me parimet Besë, Burrni e Bujari, tipare të pavdekshme të krejt Shqipnisë Veriore nder Shekuj. Janë pikrisht ato cilsi per të cilat edhe pse kanë kalue 80 vjetë, vazhdon urrejtja e pashueme. Se cili ishte piksynimi i vertetë i Klerit Katolik në qytetin e Shkodres, ate e kanë tregue shkollat e tyne dhe kuadrot që nxori Ai qytet në shumë fusha. E mos harroni se kur serbët e malazezët na gjuenin me topa në 1912-13, në fillim të Shekullit XX, Shkodra e shkodranve të vjeter kishte 28 pianoforta.

Melbourne, 16 Mars 2022.

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI O.F.M.

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI ARGJIPESHKVI I DURRSIT E TIRANËS (1885 – 1949)

“E ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, po u rrëzue të trija herët pa shprehë ankim.” Prof. Arshi Pipa Asht lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe, asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën “Ora e Maleve”, mbasi, aty, Ai shfaq edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike. Ban pjesë në veprimet e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914 mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla për kohën e sotme. Fusha e përkthimeve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi “Fabiola” dhe “Quo vadis?” janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri “Gjeth e lule” mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të nalta mbasi ashtu ishte edhe pena e tij. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisjes Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Imzot Prennushi ishte një ndër themeluesit kryesor të grupit ma të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku Ai ishte ndër penat e rëndësishme dhe ma të njohuna të kohës. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor’i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial ka provue mendimin se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936 At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit. Kur asht Metropolitan i Durrësit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana, përfshihej në Dioçezin e tij (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Prennushit. Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohuna të Klerit Katolik edhe si politikan i shquem, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranës një “epokë”, ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës dhe të kulturës sonë. Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Imz. Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi, jo vetëm, kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo – komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”.

(Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë).

Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue, fatkeqësisht aty asht shkrue se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij: “4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna 75 prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë”.

(Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).

Si Imzot Prennushi, si Imzot Frano Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia”. “Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi vëprimet e tija diheshin publikisht. Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imz. Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë. Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949 dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku, edhe i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur” Tuk Jakova, kujtoj si tashti, se kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, dhe shprehu si zakonisht “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa. Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi arrestohet dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Vinçenc Prennushi asht i parapergatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: “Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Pjeter Meshkalla. Arësyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Vinçenc Prennushi e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim aty në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit: -Bijt’e mijë, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjegj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem se për 40 vjet, komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet! Unë ika. Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist! Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta ma parë tek unë se shka do t’iu gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt. Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue”. Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin. Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë”.

(Dosja 1245).

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i banin rrobe me veshë fukaratë! Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje). Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947: “Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët, né na luftojnë deri në zhdukje”. Me datën 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiriaku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

  1. Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindur në Shkodër.

Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg. Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (1 dhetor 1947), në të kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes: Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve ”refuzon kërkesen e tyre”.

***

Arësyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë: Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor. Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që ajo të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty). Prof. Arshi Pipa, në “In memoriam”, për Imzot Prennushin tregon: “Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: “Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë”. Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës: Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949. Kishe me thanë, se, Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e madje ma shpesh, ma shumë me të vdekun se me të gjallë. Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste që të mos egzistonte”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje”.

(Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin).

Edhe Imzot Çoba dha Shpirt ndër birucat e Sigurimit famkeq të Tiranës. Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me Teresa NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë disa vite perpara: ●“Do të keshë nji aksident rrugor, Do të bahësh Ipeshkëv dhe, Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË”. Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja ndër degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun: “PAK DRITË! – MEHR LICHT”! Jo, jo! Imzot! Shumë dritë i dha Shpirti i Yt Imzot Prennushi, Fesë, Atdheut e kulturës sonë perparmtare, me 19 Mars 1949. Një pjesë e vogel nga krijimtaria e Tij: Ka ra hana ndër bajama, Bijen e vet e pvet e ama: Ç’ke moj bijë që prap po kjanë, Kjanë e fshanë e vetllat vranë? Kjava shumë mori lum nana, Tu’j qendisë më ra gjylpana, M’ra gjylpana nën balkue E jam ulë me e kerkue. Po çka kje qi lotët t’i nxori, Ku kje dhima, ku kje zori? Jam tu’j drashtë mos m’je harlisë, Qysh se kjan-o tu’j qendisë. Nuk asht gja, moj nanë, s’asht gja Por as kot un’ sot s’jam vra, Kjo dashni që m’ka pengu’ Asht e dej’ o nanë për mu’.

Melbourne, 19 Mars 2022.

Please follow and like us: