Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Shqipja e bukur, sekreti i vogël për sukses të madh

Duke lexuar një informacion në faqen e një shoqate të cilën e ndjek gjithmonë në punën e saj, më lindi vetiu pyetja.
Pse shumë faqe të shoqatave apo lidhjeve të ndryshme në rrjetet sociale nuk marrin pëlqime ose nuk kanë ndjekje të lartë?
Në këto faqe, ajo që bie në sy derisa të dërmon dëshirën për të nxjerrë kuptimin e duhur, është struktura e fjalisë. Kuptimi morfologjik që ajo mbart në formimin e saj sintaksor. Këto dy terma gjuhësore (morfologji- sintaksë) shumë prej nesh i kanë harruar. Për të mos thënë që nuk i njohin fare.
Vërehet hapur se vëmendja përqëndrohet tek arritja e qëllimit nëpërmjet informacionit që duan të përcjellin. Pra, të vihet në shërbim fondi i marrë për aktivitetin e bëhet sikur u bë. Të tjerat pak a shumë të gjithë e dimë se si funksionojnë. Duke qenë se nuk ka rëndësinë e vërtet, e gjitha kjo dukje sipërfaqësore, ndodh që të anashkalohen mënyrat e papërgjegjshme të informimit.
Po si përcillet ky informacion?
Në rradhë të parë, bëhet përkthimi nga gjuhë të huaja (përfshirë këtu aktivitete të përbashkëta në vendet ku jetojnë) i cili për nga ana kuptimore nuk ka vlerën e informacionit në gjuhën shqipe.
Nuk mund të pretendojmë se informacioni është dhënë i plotë, në rast se mungon ndërtimi i drejtë i fjalisë. Njerëz të cilët menaxhojnë faqe të ndryshme në rrjete sociale,nuk kanë njohuritë e duhura drejtshkrimore. Dhe kjo duket se nuk i shqetëson aspak.
E pra, ky është çelësi i suksesit ose i dështimit.
Është e qartë se jo të gjithë dinë të shkruajnë pa gabime drejtshkrimore e aq më tepër të shikojnë gabime në strukturën e fjalisë. Por ajo që mbetet për të bërë është të lejojnë individë që dinë ta bëjnë këtë punë dhe janë kompetentë të saj.
Me tepër dashamirësi do të sygjeroja se të jesh i sukseshëm në atë që ofron në komunitet duhet të gjesh mënyrën e drejtë si të përcjellësh informacionin e shoqatës, në lidhje me aktivitetet që do të zhvillohen.
Dhe kjo do të thotë të shkruhet qartë. Pa hiperbolizma e fjalë që ngrenë gracka vetkënaqësie.
Ndërtojmë tekstin e plotë për nga ana kuptimore, pra të kuptojmë çfarë themi, çfarë duam e në bazë të kësaj shkojmë drejt qëllimit. Nisemi nga kuptimi tek qëllimi. Pa kuptim s’ka qëllim.
Fjala ka vlerë kur ajo qëndron bukur në fjali kuptimplote. Ajo ka forcën e saj kur kuptimi që mbart bëhet i qartë në strukturën sintaksore të fjalisë.
Përdoreni fjalën bukur e me kujdes!
Sekret i vogël por tepër i rëndësishëm i një suksesi.
Shënim:
Ky është mendimi im duke u nisur nga çfarë theksova më lart, jo si profesioniste e gjuhës(sepse nuk jam e as kam për të bërë një rol që se bëj dot) por si një lexuese që më pëlqen standati drejtshkrimor.
22. 10. 2022, Londër.
Please follow and like us: