Albspirit

Media/News/Publishing

Qetësi e Arsyes – Qetësi satisfaksionale e shpirtërores!

Qetësi e Arsyes – Qetësi Satisfaksionale e Shpirtërores!
Senad Guraziu – AP, 10 N 2022

Unë them s’është nevoja që Don Lush Sopi e as Dr. Hoxhë Fisteku me artikuj të gjatë t’na e “sqarojnë” ç’na qenka “islamofobia”, më vjen keq… por artikulli i tij ishte diç si “pasqyrë e tejdukshme”, xham-tehurinë, gjoja psikologjisje qetësuese (në emër të besimit), diç si ata xhamat e dhomave të hetuesisë në polici – duke e hetuar ndonjë rast të shkeljes së ligjit i dyshuari përgjigjet në pyetjet e parashtruara dhe aty-këtu e sheh veten në pasqyrën e madhe sa i gjithë muri, s’e vret mendjen që pasqyra nuk është “mur”, në fakt është një xham i pa sfond, nga ana e “tij” atij vetë i pasqyrohet vetvetja, harron për sytë e tjerë përtej xhamit tek e përcjellin “justifikimin” e tij!
Unë them mediatikët (dhe, për fat të keq, pseudo-mediatikët e shumtë) i kanë të gjitha fajet për “euforinë”, ata janë “kova” që e bartë ujin e turbullt, ujin e ndotur, ujin e ndenjur, ujin e “zverdhur” mediatik trans-ballkanik…
Unë them mediatikët shqiptarë, si në Kosovë si në Shqipëri, NUK duhet të “hanë me dy lugë”, është turp kur vetë mediatikët (e sidomos pseudo-mediatikët) na shtiren gjoja edhe “allafranga e edhe allaturka”, as hoxhallarët e as Don Lush Sopat s’do duhej t’na i “lodhin” mediat, vallë nuk ju duket se është bërë si tepër, mjaft do duhej t’ishte “majft”, jemi në shek. XXI jo në shek. XIX…

***
Qetësi e arsyes, qetësi satisfaksionale e shpirtërores!
Të krishterët nuk besojnë në 3 perëndi por në 1 (nëse t’na ishin 3 perëndi… atëherë mbase besimi i tyre do quhej Triteizëm). Nga ana tjetër, jo të gjithë të krishterët besojnë se Ati, Biri dhe Fryma… Shpirti i Shenjtë janë 3 “forma” të Zotit (diç si, avulli, uji, akulli, diç si analogji… si 3 modalitete molekulare të materies). Psh. pikërisht kështu besonin modalistët e “lashtësisë” (sa herë t’jetë më gjatë se 1 mijëvjecar, unë thjesht ia them “lashtësi” : ) Që nga lashtësia dhe ende sot e kësaj dite njësoj besojnë dhe modalistët modernë – kjo formë e besimit quhet Modalizëm.
Triniteti… ose doktrina e krishterë e Trinitetit, perëndinë e përkufizon si 1 Zot i vetëm ekzistent në 3 persona të barabartë, pra si një trini bashkëthelbësore: Zot-Ati, Zot-Biri dhe Zot-Shpirti i Shenjtë. Sipas logjikës pritet ta kuptojmë se fjala është për tre persona të ndryshëm që e ndajnë një thelb (të qenësisë). 3-Zot-personat përcaktojnë se kush është 1-Zoti, ndërsa një thelb i vetëm përcakton se çfarë është Zoti (thelbësisht).
Kjo doktrinë njihet si Trinitarizëm, ndërsa e kundërta si Anti-trinitarizëm. E fundit i ka disa “nuanca” të mospajtimit me Trinitarizmin, nuancat janë mjaft “origjinale” sa i përket dallimit, përfshijnë Unitarizmin, Binitarizmin dhe Modalizmin.
Dhe s’e mohon kush, Trinitarizmi është një doktrinë mjaft e “koklavitur” por dhe temë simpatike, e nxehtë, mjaft e disku-rrahur. Madje as vetë kryeqendrat kishtare të Perëndimit e të Lindjes nuk pajtohen sa i përket Trinitarizmit, “sqarimi teorik” më i zakonshëm i perëndimorëve zor se do pranohej nga lindorët, sikur që vlen dhe anasjellëza.
Dikur, 1 burrë dhe 1 grua, që nga zanafilla, n’mes të Parajsës… dhe s’do merreshin vesh. Nëse vetë Zotit i qe imponuar të “intervenonte”, atëherë mbase s’kemi pse çuditemi as me “mosmarrëveshjet” e së tashmes. Zoti e dinte atëherë në fill të vetë zanafillës, sikur që Zoti e di dhe tani…
Natyrisht, ka disa teori rreth Trinitetit, teori të kolorizuara, mjaft të “polarizuara”. Disa prej teorive (kuptohet, sipas njohësve të çështjeve të besimit) janë tepër të gabuara, aq të gabuara sa rrjedha s’kishte si rridhte ndryshe, por janë shpallur “teori heretike”. Prapë, s’duhet rrudhje vetullash “habitore”, edhe teoritë moderne mund t’jenë “heretike”, njësoj si dikur në Mesjetë njësoj dhe sot e kësaj dite…
Dhe pra si t’ngelet njeriu i kthjellët me buzëqeshjen, kur dhe këta të akuzuarit për “herezi” thjesht besimtarë, të devotshëm e krenarë. Krijohet përshtypja sikur besimtarët e taborreve moderniste na dilkan në oborr për t’i akuzuar besimtarët e taborreve tjera për “heretizma”, per t’i refuzuar teoritë e tyre.
Ngatërrimi vetëm sa shkon e thellohet, i degjojmë mirë se ç’thonë të gjitha palët, mirepo s’vonon dhe e pashmangshme, logjika na bëhet lëmsh. Ja pse dhe teologët thonë se shumë të krishterë VETË e pranojnë që NUK e kuptojnë “trinitetin”. Sikur dhe po aq shumë të krishterë realisht s’e kuptojnë… ama pandehin se e kuptojnë.
Tekefundit triniteti i të krishtereve është vetëm 1-ri nga sa të duash “trinitete” të kësaj bote. Psh. Hindu-panteoni përbëhet jo nga 1… por nga 2 trinitete, pse t’mos i kesh një trini perëndish dhe një trini tjetër perëndeshash. Trinia “Trimurti” përbëhet nga tre perënditë kryesore, e që janë Brahma (Krijues), Vishnu (Ruajtës) dhe Shiva (Shkatërrues). “Trimurti” ekuivalentohet (barazohet) dhe kontrastohet me trininë “Tridevi” të perëndeshave, e që janë 3 perëndeshat kryesore të panteonit; Sarasvati (Krijuese), Lakshmi (Ruajtëse) dhe Kali (Parvati – Shkatërruese).
Gjithsesi, e qartë, Trinitarizmi është doktrinë themelore, doktrinë thelbësore e Krishterimit. Ashtu me “paqartësinë” e vet sikur na e thotë që s’mund të kuptohet logjikisht. Zoti s’rri “fshehur” prapa reve, është shfaqur si uni-zot-trinitar, por mund të “shihet” vetëm si përvojë shpirtërore. Triniteti nuk “përputhet” me logjikën, dhe prandaj as që mund të kuptohet me anë të logjikës, përveç si përjetim shpirtëror.
Po ashtu, e qartë se “përjetimi shpirtëror” s’ka si ndryshe por totalisht diç si “përvojë subjektive”. Shpirtrat, ashtu në natyrën e vet të pafajësisë, mbase mjaft “kureshtarë”, mund t’kapën për akëcilën teori kashtologjike. Secili shpirt e ndjek “teorinë” e vet, sipas ndjenjës dhe përvojes së vet. Dhe bota kurrë s’ka qenë më e mbushur me shpirtra e frymorë, e di Zoti si “qeverisen” botët… s’jemi duke iu përzier ama… hm! Dikur vetem 2 shpirtra, sot panumër shpirtra…
Nëse thuhet se Zoti është 1 + 1 + 1 = 1, ekuacioni na kalamendet dhe e qartë se alogjik. Mirëpo duke patur besimin ja që mund t’ketë dhe “logjikë shpirtërore”. Logjika e arsyes jo, por ama ajo shpirtërorja mund të ushqehet me besimin se Zoti është njëkohësisht 3 = 1. Është sepse thjesht mund t’jetë, sepse është i pakufizuar dhe omnipotent, sepse trinitaristët besojnë se është, sepse ashtu-kështu mister i pakapërthyeshëm, sepse Zoti s’është “njerëzor” por hyjnor, sepse madhështia e Zotit është trans-universale (s’është vetëm gjoja “universalitet tokësor”), sepse Zoti është pafundësisht… gjithçka, sepse, sepse, panumër sepse.
Njëkohësisht 3 dhe 1 – ky pohim si “direktivë” doktrinare, si zgjidhje e enigmës “alogjike” është pakashumë thelbi i Trinitetit, është diç si shpëtim, në fakt.
E qartë se njeriu e ka “gjuhën” të vogël (rishtas e qartë – për arsyet që i janë të njohura perëndisë), njeriu s’ka ndonjë “gjuhë” tjetër më të aftë për ta përshkruar një diç si koncept që s’kapërthehet. Por njeriu ka nevojën shpirtërore, arsyen filozofike për ta kuptuar veten, un-in e vet, shpirtin e vet… në relacion me madhështinë hyjnore.
Andaj nëse “ekuacioni alogjik” 1 + 1 + 1 = 1, nëse paqartësia e mistershme” e Trinitetit na qenka mjaftueshëm satisfaksionale, atëherë s’kanë pse “skuqen” as për mosmarrëveshjet. Sa çarjet, sa degët e nëndegët na i krijoi “besimi”, sa rrembat e sa gjembat i njohi e kaluara yyyyyyy… dhe vetëm Lisi i “fraksioneve” të Amerikës si shembull, ashtu si një rrap disa-shekullor me kurorën madhështore, do na trulloste me marramendjen.
Triniteti mbase është po aq dhe njëfarëlloj “qetësie e arsyes”, jo vetëm qetësi satisfaksionale e shpirtërores. Për sa kohë e vërteta e natyrës hyjnore ngelet e panjohur, përtej njeriut (dmth. prore andej, diku në anën tjetër të “misteriozitetit”). Të këndejmën e misterit të krishterët e besojnë siç ata besojnë se duhet ta besojnë; herë me trinitarizmat e herë me anti-t, herë me unitarizmat, herë me modalizmat, binitarizmat, triteizmat, parcializmat, monarkionizmat, adoptionizmat, arianizmat…
Padyshim, të gjitha pikëpamjet dhe teoritë e besimtarëve justifikohen nga vërtetësia (qëkur Zoti mund të “shihet” vetëm me përvojën shpirtërore, qëkur përvoja shpirtërore ashtu-kështu subjektive, qëkur besimi ashtu-kështu e justifikon veten. Andaj dhe na ndodhin “fraksionet”, mospajtimet, degët etj. – Zoti thjesht vazhdon i mistershëm, ishte dhe akoma ngeli ai fantomiku i mistershëm, një mister i “madh”.

Please follow and like us: