Albspirit

Media/News/Publishing

Matteo Mandalà: Nderimi i një përvjetori të gjuhës shqipe

Duke Ju kërkuar leje për të falënderuar përzemërsisht organizatorët e kësaj konference për ftesën, dua të shpreh mirënjohjen time dhe të komunitetit arbëresh, veçanërisht të atij akademiko-universitar, për këtë nismë falë së cilës sot nderohet 50-vjetori i gjuhës letrare shqipe, një arritje që është fryt i përpjekjeve të brezave të ndryshëm të intelektualëve shqiptarë dhe arbëreshë përgjatë shekujve.
Çështja e gjuhës letrare në mjedisin arbëresh u shtrua qysh nga gjysma e parë e shek. XVIII, kur me nismën e At Gjergj Guxetës u hodhën themelet e procesit të gjatë të ndërtimit të identitetit që veç të tjerash kërkonte njohjen e të drejtave themelore të popullit shqiptar, si të drejtën për t’u afirmuar si komb më vete, dhe në këtë kuadër të drejtën për të ruajtur dhe zhvilluar tiparet e veçanta kombëtare duke i përçuar ato pikërisht përmes gjuhës shqipe.
Përpjekja më e arrirë në këtë periudhë qe ajo e Nikollë Ketës, i cili në veprat e tij letrare, gjuhësore, leksikografike u mundua të krijonte një gjuhë shqipe të njëjsuar mbi bazë ndërdialektore. Më vonë qe Zef Crispi ai që në vitin 1827 sanksionoi parimin romantik sipas të cilit «gjuha e Kombit është mjeti me anë të të cilin ruhen doket dhe zakonet; dhe nuk ka dyshim se Kombet ruhen ose shuhen në atë masë që ruhet ose shuhet gjuha e tyre».
Të vetëdijshëm për këtë imperativ kategorik që romantizmi bëri të vetin, intelektualë të kalibrit të Dhimitër Kamardës, Jeronim De Radës, Francesk Santorit dhe Zef Skiroit do t’ia hyjnë një diskutimi të gjatë e të lodhshëm rreth çështjes se mbi cilin variant dialektor duhej të bazohej një gjuhë letrare kombëtare, e njësuar, e vlefshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Ballkanit.
Po ky diskutim do të vijonte edhe gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX, tashmë midis intelektualëve të shtetit të ri shqiptar. Sikurse e dimë, me gjithë këto përpjekje, nuk u arrit një rezultat i pranuar nga të gjithë dhe vetëm me ardhjen në fuqi të regjimit totalitar, 50 vjet më parë u vendos zyrtarisht gjuha shqipe letrare që sot po kremtojmë.
Nuk është ky vendi për të diskutuar nëse ishte zgjedhja e duhur apo nëse kishte alternativa më të mira, e as nëse është cenuar raporti mes gjuhës letrare dhe të folmeve popullore lokale apo nëse sot mund të ndërhyjmë apo jo për ta përmirësuar atë. Çka duhet nënvizuar është se Shteti Shqiptar dhe shtyllat e tij, duke filluar nga shtetasit që janë shpërndarë anë e mbanë botës, sot kanë në dorë një mjet komunikimi modern, efikas dhe të domosdoshëm për sistemin e ndërlikuar të ndërveprimeve shoqërore, kulturore dhe politike.
Një komunitet pa një gjuhë të vetën nuk mund t’i përballojë nevojat e komunikimit jo vetëm në marrëdhëniet me jashtë, por sidomos mes vetes, pasi mungesa e një gjuhe të përbashkët do të theksonte dallimet lokale duke minuar kështu në themele jo vetëm kohezionin social, por edhe konsistencën e vetë identitetit kombëtar. Këtë sot më mirë se kushdo e kanë të qartë arbëreshët e Italisë, të cilët janë shpërndarë në një territor të gjerë, pa një organizim të përbashkët institucional, dhe në pamundësi për të zhvilluar një identiteti gjuhësor të përbashkët për shkak të përçarjes hapësinore dhe të fragmentarizimit gjeografik. Dihet se jo të gjitha minoritetet pranojnë të përdorin gjuhën letrare të shtetit të origjinës, pra atë që quhet gjuha-çati.
Nuk e pranojnë, për shembull, kroatët e Molises dhe pakicat sllovene në Itali, që jetojnë në kushtet e margjinalizimit gradual thuajse në kufijtë e zhdukjes; ndërkohë që e pranojnë gjermanishtfolësit e Alto Adige-s, të cilët përdorin gjermanishten standarde si gjuhë ndërkomunitare. Për arbëreshët shqipja letrare përfaqëson të vetmen zgjidhje të vlefshme për kapërcimin e përçarjes territoriale dhe për krijimin e një baze të qëndrueshme komunikimi mes realiteteve të ndryshme shqipfolëse. Nuk ka zgjidhje tjetër përballë rrezikut të zhdukjes së trashëgimisë gjuhësore arbëreshe, përveçse të përshtatim dhe të bëjmë tonën pa rezerva shqipen letrare si gjuhë-çati, sikurse ka propozuar me largpamësi prof. Francesco Altimari.
Duke lënë mënjanë këtu diatribat tona lokaliste dhe folklorizimet shterpe, por duke përqafuar me kurajë dhe me vetëdije profesionale zgjedhjet e duhura në lartësinë e barrës dhe të momentit historik që po jetojmë, është detyra jonë morale dhe shkencore t’i përçojmë gjithë komunitetit shqipfolës, shqiptar dhe arbëresh, një mesazh optimizmi dhe solidariteti komunitar.
Sa kemi jetë, kemi gjithashtu shpresën se do të shërohemi nga çdo sëmundje, reale a imagjinare qoftë. Po të vdesë Doruntina, vështirë se mund të shpresojmë që Kostandini të ringjallet. Për këtë arsye i uroj gjuhës letrare shqipe jetë të gjatë, shëndet dhe mbrothësi.
Please follow and like us: