Albspirit

Media/News/Publishing

GAZMEND LEKA: “DHE YJET RRINË E VËSHTROJNË”

Inagurimi: dt. 16 nëntor 2022, ora 19.00
Kohëzgjatja. 16 nëntor / 07 dhjetor 2022
Oraret 10.00 / 13.00 dhe 17.00 / 21.00
Galeria FAB / Universiteti i Arteve,
Rruga Ibrahim Rrugova, 22 / Tiranë
Kuruar nga Ermir Hoxha
Dhe yjet rrinë e vështrojnë / Teksti kuratorial
Ata janë kudo. Në cepe pallatesh, trotuaresh, apo kazanë plerash.
Janë gjithnjë aty. Dhe kur bëjmë sikur nuk i shikojmë, apo kthjemë kokën vërtik, sepse as erën sduam t’ia ndjejmë.
Në mendjen tonë i kemi ndarë dhe në kategori:
Lypsa rebel, që bërtasin përçart, hakërryer ndaj gjithkujt e gjithçkaje.
Lypsa të zvetnuar që flasin me vete, nënzë.
Lypsa të pazëshëm mbërthyer në vetminë e tyre, pa trazuar askënd.
Lypsa që me petkun e tyre me vetëdije janë kthyer në personazh.
Lypsa mëtonjës që kërkojnë gjithnjë diçka, një monedhë, një cigare, a një copë bukë.
Herë të tjera ato kanë fituar dhe vëmendjen tonë. Ka ndodhur kështu në netët e acarta kur ndonjë zemërbardhë ju ka zgjatur një batanije, apo në ditët festive, kur përveç ca plaçkave kanë fituar edhe një racion gjelle më shumë. Në raste të tjera i kemi evokuar si stereotipe në kërkim kontrastesh për ndonjë varg kënge, poezi, a tabllo. Si të tillë ata janë gjithnjë me ne, gjithnjë afër, por gjithnjë larg, si një cen që e di që e ke, por nuk do ta kujtosh.
Në ciklin e fundit të piktorit Gazmend Leka, lypsit, endacakët, a të braktisurit, zunë vend gati në mënyrë të natyrshme. Si të gjithë ne, edhe atë, ata e shoqëronin çdo ditë, në rrugën nga shtëpia në studio, apo nga shtëpia në shkollë. Edhe ai, si ne, i vështronte përvjedhurazi, i ofronte gjithnjë sa të kishte të shkoqura, apo i shmangej kur gati përplasej në ecejakjen e përditshme. Në biseda prej kohësh i kish rezervuar një cikël piktorik, thënë e rithënë, se si duhet të ishin, në sfonde të paqta, skenike dhe një dritë hyjnore mbi krye. Mendonte ti nxirrte nga skajet e turmës, ashtu siç ishin të pisët për ti dhënë të paktën njëherë qendrën e “skenës”. Duke bërë këtë ndoshta po zhbënte një padrejtësi të madhe, që zë fill që nga gjeneza e kohës deri në kronikat e së përditshmes.
Kështu natyrshëm filloi. Edhe pse fillimisht dyshues, shpejt kuptova që nuk kish si të ndodhte ndryshe. Për Gazin ciklet e fundit piktorike i ishin dedikuar gjithnjë e më shumë dimensionit më të thellë të njeriut: prej piktorit e mikut tek “Taso”, krijuesit tek “Lutja”, katarsisit tek “Dhoma e hapave të humbur”, përmbytjes pandemike tek “Noe” dhe feminilitetit të vërtetë tek “Kaloi një grua”. Cikli i rradhës do ti dedikoj atij, (tjetrit). Atij me zhele të shqyera e të mykta, përmjerë në skajet e qytetërimit që me përkëdheli nisi ti quante: “I dashur vëlla”. Me nisjen e ciklit paksa ndryshoi, duke nisur nga elementët shoqërues të personazheve, tek titulli “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, huazuar nga novela e shkrimtarit skocez Arçibald Kronin. I dashur për të që në rininë e hershme, ai ilustronte në mënyrën e duhur ironinë e komedisë njerëzore, me gjithë pshërëtimat e veta që ngjiten lutëse drejt yjeve.
Që në tablotë e para, personazhet nisën të zinin vend si gjithnjë në qendër të tablosë. Gati monumental, me pece të trishta e gjithnjë të përhimta, ato zgjatonin nga mjetet e punës, një shkop a një trastë, ndërsa më të angazhuarit një thes tejmbushur me gjithçka hedhim ne më fatlumët. Me supet e mbledhura, sytë e përhumbura dhe kurrizet e thyera, aty pak elementë i liheshin imagjinatës.
Pothuaj gjithnjë vetëm, shokët e tyre të skajeve më të errta mund të ishin vetëm disa pëllumba. Si dëshmitar që ata ende janë pjesë e librit të jetës, në optikën e piktorit ata u trasformuan edhe më në shenjtërinë e së përditshmes. Por prej trishtimit të skenës ato e humbin atë tisin e tyre të bardhë klasik, për një petk të përhimtë, herë më të qartë e herë më të errët, herë “bisedues” e herë më të heshtur, si gjithnjë pranë heronjve të poemës së mjerimit. Pëllumbat ishin shoqëruesit e parë “natyral” të tyre. Elementi i dytë që u shtua ishin aureolat. Të vendosura mbi kryet e figurave, fillimisht të mjegullta e më pas gjithnjë e më të kthejta, ato u propozuan si materializmi i një gjeagjëze të re universale, ku shenjtorët e traditës humbin arsyen e misionin në zgëqet më të fëlliqta. Etiketuar si Pavli, Pjetri, Magdalena, Llazari, a Nënë Maria, ato sillen mes nesh, në atë vetminë e shurdhët gati të dorëzuar. Për artistin ato janë dëshmia që fryma e shenjtë mund të strehohet paqësisht në cilindo prej nesh, pavarsisht petkut, aq sa dhe një lloj alibie pse ata meritonin të ishin protagonistë të kësaj ekspozite.
I gjithë cikli është një paralelizëm i kthjellët i asaj që po jetojmë. Aty “Vëllai i Dashur” i pashpallur qendërzon i vetëm në trishtimin e vet si simbol i pandemisë së pafund, pasigurisë dhe kërcënimit të një lufte të re.
Ata janë të gjithë ne. Janë dëshmia që ne dështuam dhe pse kemi tik tok, jetojmë në epokën dixhitale dhe tashmë mund të shihemi edhe me satelit.
“Dhe yjet rrinë e vështrojnë” është cikli më i fundëm i piktorit Gazmend Leka. I përpiktiktë si çdo vjeshtë në galerinë FAB, si tashmë prej shtatë vitesh, ai është kthyer në një nga manifestimet më të fuqishme të pikturës vendase. Tek ky cikël i fundit ai “gjeti” subjektin e duhur për të vazhduar natyrshëm edhe kërkimin e tij stilistik, atë plastikën ekspresive e cila mbi sipërfaqen e kanavacës kap frekuenca të një pikture me vlerë mirfilltazi muzeale. E përveç vlerës estetike a njerëzore, ai po ndërton një nga koleksionet më të rëndësishme të pikturës bashkohore. Materializuar në jetën e përditshme ajo është provë që arti i pikturës i takon mbi të gjitha thellësisë së shpirtit të njeriut, në gjithë dimensionet e veta, edhe kur pranë nesh shpejton e përditshmja, apo kur në skutat më të përhimta qetësisht struket virtyti amëshuar.
Ermir Hoxha, Tetor, 2022.
Please follow and like us: