Ardhësit – Këngët e Ali Binakut, poemë e malazezit Radovan Zogoviq
Sadik Bejko
1. Tabu e thyer në Ballkan
Poema e Radovan Zogoviq “Ardhësit – këngët e Ali Binakut” është e botuar tek ne, por pa ndonjë ndikim të shënuar në jetën kulturore. Përkundër nesh, përmbi një gjysmë shekulli në Kosovë kjo poemë është e njohur dhe mund të thuash… ka bërë epokë.
Për herë të parë nga viti 1997 me poemën e R. Zogoviqit më ka njohur Ali Podrimja. Ai ma dha të fotokopjuar.
Kjo poemë ka shënuar një nga ato ngjarje kulturore që nuk mund të imagjinohen në Ballkan. Një autor i komunitetit tjetër, autor i një gjuhe dhe i një kombi kufitar, botohet dhe ribotohet pandërprerë te komuniteti pranë, te kombi dhe gjuha tjetër, te fqinjët e tij.
Ngjarje të tilla pak gjasa ka që të ndodhin në Ballkan.
Por poeti Radovan Zogoviq me poemën e tij “Ardhësit – këngët e Ali Binakut” e ka thyer këtë tabu. Prej më shumë se 70 vjetësh kjo poemë botohet në Kosovë, botohet në Mal të Zi, botohet edhe në Shqipëri. Botohet si libër dy dhe tre gjuhësh, botohet më ilustrimet e piktorëve më të mirë, botohet në formate dhe në cilësinë e atyre librave që quhen botime luksi.
Si dhe pse ka ndodhur kjo mrekulli?
Nuk kam ndërmend ta shpjegoj. Mjaftohem vetëm ta paraqes si fakt, si dukuri.
Është një poemë me pak faqe, një cikël prej 13 këngësh, të thurura mbi një subjekt, mbi dhunën shtetërore ndaj një popullsie tjetër, ndaj një pakice të huaj si gjuhë, si etni.
Poemën mbi kolonizimin e dhunshëm me banorë sllavë të Kosovës nën sundimin e Mbretërisë Sërbe-Kroato-Slovene e ka shkruar më 1936 një 29-vjeçar, një poeti ri, një kolon malazes në Kosovë, Radovan Zogoviqi.
Poema është ndaluar kur u botua së pari më 1937 nën regjimin monarkik, u ndalua edhe kur u botua më 1958 në Beograd, nën regjimin komunist jugosllav.
Vallë tema të jetë arësyeja që kjo poemë sot vazhdon të njohë botime dhe ribotime të herëpashershmë në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi?
Veç temës të bën përshtypje stili i saj. E shkruar me një frymëzim të freskët, në vargje e tablo të gjalla, ajo njëherësh është dhe monologu lirik, vajtimtar, protestues i një personazhi, i Ali Binakut, fshatarit, kosovarit tipik, të pajisur me ndërgjegjen historike të qëndresës kombëtare.
Poema shquhet për të vërteten historike që mbart, por edhe për cilësitë e artit të saj.
Në të mund të gjesh afërsi sado të largët me poezinë e Migjenit, me portretizimin e vuajtjes, të karaktereve dhe të tablove, me zemërimin dhe me protestën sociale.
Poema e Zogoviqit edhe sot të lë mbresa për tejdukshmërinë e njomë të gjuhës dhe të stilit në pikturimin e tablove të dhunës së pashoqe, të rëndë, përballur me përvojën kosovare, me durimin e gjatë shqiptar, me rrënjët e forta të qëndresës së sprovuar ndaj fatit të keq.
Poema ka qenë e pëlqyer, e zgjedhur në repertorin e artistëve deklamues dhe është recituar në shumë takime kulturore në Kosovë.
Kur kam përgëzuar aktorët profesionistë për recitimin, ata më kanë thënë se kjo poemë ka lëndën, ritmin dhe karakterin e fortë të Ali Binakut që japin dorë për një recitim të bukur skenik. Si midis nesh, aktorët më kanë pëshpëritur se kjo poemë është imituar dhe nga ata që shkruajnë poezi në Kosovë.
Këtë nuk mund ta vërtetoj. Mbështes mendimin, se poema e Zogoviqit mund të ketë luajtur edhe rolin e një modeli krijues për disa nga autorët kosovarë që filluan të vjershërojnë në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi.
2. Autori
Radovan Zogoviq (19 gusht 1907, Mashnicë – 4 janar 1986, Beograd) ishte poet, përkthyes, publicist, veprimtar politik dhe akademik malazez.
Lindi në fshatin Mashnicë, Mali i Zi, më 19 gusht të vitit 1907. U shkollua në Pejë, ku gjatë fushatës së kolonizimit të Kosovës me banorë sllavë, u vendos dhe familja e tij. Ndoqi studimet e larta në Beograd. Komunist, pjesëmarrës në Luftën ANÇ, poet e veprimtar kulturor, njëri nga udhëheqësit e lartë në Jugosllavi, por… në vitin 1948, si “informbyroist”, u përjashtua nga Partia, iu hoq e drejta e botimit. U dënua me izolim, bëri shtatëmbëdhjetë vjet burg shtëpiak me roje te dera. U harrua, u braktis dhe nga miqtë. Shkruante, përkthente. Dy poetesha guxonin për atë që nuk e bënin dot burrat. Në fillim Isidora Sekuliq dhe më pas Desanka Maksimoviq e vizitonin në shtëpi poetin. Edhe pse i kërcënonin, i bastistisnin, i përndiqnin agjentët e UDB-së, të policisë sekrete.
Radovan Zogoviq hyn ndër poetët “e mëdhenj”, te poetët më të rëndësishëm të Malit të Zi.
Ka botuar shumë libra.
Libri i parë me poezi “Grushti” u botua në vitin 1936. “Pëllumbat e zjarrtë” (1937) u ndalua dhe u konfiskua nga policia për shkak të poemës “Ardhësit, Këngët e Ali Binakut”, që përfshihej në të.
Vdiq më 4 janar të vitit 1986, në Beograd. Sipas amanetit të tij, u varros në një fshat pranë Deçanit, ku kaloi fëmijërinë dhe djalërinë.
3. Vlerësime të poemës
Në vitet ‘30 i riu Radovan Zogoviq kishte vizituar bardin e poezisë August Cesarecin në Zagreb. Pas bisedës për çfarë po ndodhte në ato vite në Kosovë, Cesareci e nxiti: “në se nuk ke letër, këtë histori duhet ta gdhendësh në gur”.
Poema “Ardhësit- Këngët e Ali Binakut” u shkrua më 1936.
Nga kritika është vlerësuar si zëri i revoltës, i kryengritjes ndaj padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës nën Mbretërinë Sërbe-Kroato-Sllovene, por dhe si zë kundër padrejtësive kudo në botë.
Vetë autori e ka karakterizuar këtë vepër si një “dokument lirik të vuajtjeve të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi” dhe si një “protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe”.
Jevrem Bërkoviqi për Radovan Zogoviqin shkruan: “ Ekzistojnë popuj, shkarjet historike të të cilëve, herëherë edhe faqen e zezë popullore ua shërojnë, ua përmirësojnë dhe ua lajnë vjershëtarët e tyre të mëdhenj”.
Mirash Martinoviqi shkruan: “Radovan Zogoviqi në vitin 1958 bëri një botim privat të librit të vogël, por të madh dhe me shumë efekte “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”. Autori ishte në izolim. Nëpër libraritë e Beogradit e shpërndau poetja Desanka Maksimoviq. Libraritë e kishin marrë librin, por pas disa ditësh libri ishte tërhequr nga shitja. U ndalua shitja e tij. Ky libër i imët ua ka vrarë sytë si regjimit të kaluar mbretëror, po ashtu edhe atij që e zëvëndësoi, regjimit komunist.
Por carët dhe mbretërit vdiqën, poezia e Zogoviqit mbijetoi. Këtë më se miri e dëshmojnë vargjet e kreut të nëntë nga “Ardhësit-Këngë të Ali Binakut”:
Mbi ne dhe mbi mua, në kositjen e një jete,
kanë qenë tre mbretër, që kanë ardhur për të mos shkuar,
që kanë tërhequr topat në shtatë kufij dhe rrugë
dhe na kanë vrarë me zjarr dhe na kanë rrahur për të na ngrirë
dhe shkundur si pemën, dhe qethur si delen,
dhe thurur në trina, hunjtë e së cilës ndahen në pjesë,
tre mbretër që kanë ardhur të shkojnë,
dhe kanë shkuar,
shkatërruar janë si poçat.
Poezia e Radovan Zogoviqit u ka mbijetuar tre carëve, tre mbretëve dhe mbretërive të tyre, duke u shndërruar në një simfoni të madhe, zërat dhe jehonat e së cilës dëgjohen dhe jehojnë, jashta mbretërive kalimtare, duke u bërë mesazh i përhershëm për të gjitha gjeneratat dhe popujt dhe vërejtje për pushtuesit dhe tiranët”.
4. Botimet shqip të poemës
Disa nga këngët e poemës “Këngët e Ali Binakut” u botuan shqip pas Luftës së Dytë Botërore, në revistën letrare të Prishtinës “Jeta e re” (1949), kurse e plotë ajo u botua në vitin 1968, nën përkthimin e Esad Mekulit.
“Ardhësit-Këngët e Ali Binakut” në vitin 2009 është botuar në Prishtinë në tri gjuhë nga Shtëpisë Botuese Publisher-Ars Albanica, edicion e Kepit të shpresës së mirë-Fahredin Gunga. Në gjuhën shqipe e ka përkthyer Esad Mekuli, në gjuhën angleze Avni Spahiu. E ilustruar nga piktori Shyqri Nimani, parathënien e këtij botim e ka shkruar Jevrem Bërkoviqi.
Më 2017, në njëqind vjetorin e poetit Radovan Zogoviq kjo poemë botohet nën përkthimin Anton Nik Berishës, promovohet në Ulqin.
Dimitrov Popoviq, shkrimtar, përkthyes, redaktor për botimet shqipe në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi, poemën “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut” e ka përkthyer dhe botuar te “Antologjia e poezisë malazeze”, Botimet Onufri, Tiranë, 2001, bashkë me 40 autorë të tjerë malazezë. Më 2018 Dimitrovi e botoi në Mal të Zi, respektivisht në të dy gjuhët, me kapak të trashë dhe me format të madh. Ilustrime me piktura prej piktorit akademik Gjelosh Gjokaj, parathënia nga poetë akademikë të Malit të Zi. Për përgatitjen cilësore ky botim fitoi vendin e parë në panairin ndërkombëtar të librit në Podgoricë.
Please follow and like us: