Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË I VDEKUR I GJALLË

Tregim satirik, sipas një ngjarjeje të vërtetë
Gjithmonë Ferizin e shqetësonte caku i fundit i jetesës dhe mundohej të përfytyronte çastet e mbrame se si do i mbaronte fryma. Kishte mbetur i vetëm, para një peme shekullore që me “krahët” e veta mbulonte edhe shtëpinë e tij të vjetër, qyshkur i ati e mbolli vetë. Fillikat, me të ëmën plakë. Mbetur me xhakaventën dalëboje të të atit, me xhepat nga jashtë. Pa para. Dhe i pa martuar kurrë. Aromën e gruas e kënaqësitë që vijnë prej saj, nuk i provoi asnjëherë, i gjori njeri, si i dënuar nga Perëndia. Epshin seksual, si i vinte nganjëherë sa qe më i gjallë, qe i detyruar ta kryente me mastrubim, sa qe gati të pëlliste si gomarët, i ziu njeri, pa grua e pa njeri…
Mirëpo Ferizi nuk qe fare pa njeri. Kishte edhe pesë vëllezër të tjerë. Emigruar nëpër botë. Njeri në Itali, dy në Gjermani dhe dy të tjerë në Angli. Nga kjo shtëpi e vjeter dollën edhe ata, po në këto 30 vite, thuajse e kishin harruar fare nënën plakë, me të vëllan gjallë dhe ajo “lidhja vëllazërore” qe tretur si kripa në ujë. Atij që ishte në Itali, i shkrepi një herë në tru, t’i merrte me vete, po kjo qe një angari e madhe për të dhe thuajse i kishte fshirë fare “nga defteri”, aq më tepër se mund të gjente edhe belanë nga pamja prej torollaku e të vëllait, që dukej sikur qeshte edhe kur i vinte për të qarë! E, që vitin e parë, mblodhën pesë para që të pestë e ia dërguan Ferizit, që ta shtynte jetën si të mundej bashkë me plakën, të mbante edhe shtëpinë, kopshtin me hurma farëzeza, qenin dhe me kotecin e pulave. Se nuk u ecte as atyre, sipas ëndërrimeve që patën, kur morën arratinë… Dhe kështu që e kishin “mbyllur defterin”, duke e hequr merakun për këtë njeri të mbetur pa njeri, përbri asaj selvie që “hapte krahët” gjithmonë e më tepër, sikur donin ta mbulonin edhe atë nga çdo e keqe…
Po, në një mëngjes dimri, nënë Qerimeja nuk u ngirë më nga shtrati. Ajo nuk qe ngritur që të djeshmen po Ferizi pandehu se, e gjora flinte e ai, si njeri i Perëndisë, nuk duhej ta shqetësonte, ngaqë sa i hapte sytë e shkreta, thoshte vetëm fjalë përçart për djemtë e saj nëpër botë, si t’i kishte “marrë i paudhi”! Të parin njeri njoftoi Hozhë Efendiun, që begeniste t’i thoshte “si u gdhive sot?”, i cili erdhi me ato dy këmbët e tij të shpejta, i pa vëngër të vdekurën e të gjallin e pastaj diçka mërmëriti arabisht me të dya duart lart. Dhe doli nga dera, shoqëruar nga lehjet e qenit. Ferit Sahatçiu e humbi fare toruan, ra në mes të odës i zalisur dhe u ngre vetëm kur ndjeu në fytyrën e pararur gjuhën e kujisjen e qenit besnik, që po i vajtonte me mënyrën e vet, të dy robt’ e Zotit. Një javë mbeti kufoma aty, sikur flinte paqësisht dhe Feriti e vështronte i trishtuar, duke shpresuar se mase i hapte sytë përsëri. Në këtë gjendje e gjeti përsëri Hoxhë Sefedini me Musa Qorrin, që kishte mbi supe zyrën e funeraleve, që e kishte vendosur këtë emër edhe ky. Musa Qorri këto gjëra ruante e priste, me një sëri kartelash e dosjesh të njerëzve që ishin shtruar nëpër spitale ose që lëngonin në shtëpitë e tyre, në pritje të largimit nga jeta. Ai e tërhoqi për mënge Ferizin e hutuar, nga tryeza e qoshes, ku hodhi disa kartela të bëra gati dhe filloi të lexojë titujt e disa faturave mbi vizitën e mjekut ligjor për konstatimin e vdekjes, mbi transportimin e së vdekurës në morgun e qytetit, si edhe mbi shpenzimet e funeralit… I ktheu shpinën Hoxhës që vazhdonte të lexonte kuranin mbi kokën e së vdekurës dhe nisi t’i flasë Ferizit, me sy të zgurdulluar, nëse i kishte të gjithë parat e duhura,-që venë një djall e gjysmë, sa do të ngrihen përpjetë edhe qimet që të kanë mbetur,-shto ai, me një ton solemn, që ta varrosni sa më parë të ndjerën, pa ardhur policia ta gjobiste edhe ajo, para se të leqendisesh ekraneve, gjyqeve e burgjeve,vazhdoi ai, me nje ton zëri akoma më të ngritur e alarmonjës, duke shtua nënë zë, se ai mundej ta “ndreqte” vetë këtë punë, duke vendosur një firmë. Vetëm një firmë e të shpëton nga andrallat,-i tha me një qetsi solemne!… Ferizi u drodh e mblodhi supet, si i zënë në çark, e në vendin e të paraqiturit të të vuajturit e të skamurit, në fytyrë u rrëfye i kënaqur e i qeshur.
Musa Qorri nxorri menjëherë nga pirgu i letrave një shkresë të bërë gati dhe i vendosi Ferizit në gishtrinjtë e dorës stilografin. Ja ku do firmosësh, o Feriz e nuk do të të thotë më askush “na u bërre ferr, o Feriz!”. Se unë, që do ta shpie Qerimen,-Zonjë grua Qerimeja!,- në banesën e të gjithëve, zotrote do të të shpie në “shtëpinë e të moshuarve” që të të rrijnë në këmbë ata të qeverisë e të të shërbejnë, si të ishe mbret! Se, tani e tutje, nuk do të strukesh më në këtë bina të vjetër që ka 100 vite ngritur dhe që mund të të zërë nënë vetë e të kesh fatin e Qerimes,-Zonjë grua Qerimeja!,- edhe ti, o kusuremadhi ti, që të bënë m… në kokë vëllezërit e ikën! Këtë vjetërsirë, sapo e ke shitur, me firmën që e vure me vullnetën tënd, për të përballuar gjithë këto shpenzime maramendëse, duke fituar falas edhe një parcelë plus për vete e për vëllezërit e tu, që të braktisën, po të duan të kthehen edhe ata! Dhe po nuk duan të vdesin këtu, aq më mirë për ty, sepse mund ta shesësh parcelën e varrimt sa “frëngu pulën” në këtë kapitalizmin tënë, që paguan edhe për frymën që merr nga ajri! Fytyra e Feriz Sahatçiut morri befas një pamje lumturie e qetësie të pazakontë…
Musa Qorri i bëri të paqta punët e tij dhe, pasi “lau duart” me të vdekurën e futi në xhep aktin e shitjes së shtëpisë së vjetër të Sahatçinjve të vdekur, të mërguar e atij gjysmë të vdekuri Ferziut, e sistemoi të gjorin njeri të mbetur të fisit, brenda ditës, në “Shtëpinë e të moshuarve”, atje lart në kodrinë, jo shumë larg varrezave që kishin pushtuar edhe kodrinën tjetër e luginën mëtëposhtë përrot të Zarajve.
Mirëpo sa iu vu punës që ta shëmbte shtëpinë e Sahatçinjve, nuk e kishte llogaritur qenin e shtëpisë që iu hodhë në fyt e desh e shqeu. I qe shkrepur në tru, që ta bënte aty zyrën e varrimeve, në atë vend të bollshëm e me pemë, ndërkohë që po i shtoheshin klientët për në “botën e përtejme”, edhe pas vendosjes së ligjit 7501, kur njerëzia vritej për pronat e dikurshme, qoftë dhe për shtyrjen e një gardhi! Me shkathtësinë e atij Çiçikovit, që ai diku e kishte lexuar në faqet e një libri dikur, i cili gjurmonte edhe të vdekurit, ky kishte hartuar listat e kandidadatëve të gjallë akoma, që ishin gati për të vdekur dhe qenë gati kartelat e edhe për gjysmë të vdekurit si ky Feriz Vassia aty (e pati edhe kartelën e tij me vete), pa u kujtuar se ky njeri kishte edhe një shok besnik, qenin që desh e shqeu e nuk e la t’i shembnin koliben, as atë të Feritit e as të qënit. E do të habitej, i madh e i vogël në atë qytet trazirash, kur të mësonin se qeni BOBI, si e quante i zoti, me anë të nuhatjes së tij të jashtzakonshme e gjeti “Azilin e Pleqve” e nisi të lehë vajtueshëm nga ana e dritareve, ku e kishin vendosur “të vdekurin e gjallë”, që e pat humbur mendjen po jo edhe trupin. Dhe ulërimat e qënit “çorrën qiellin”, po edhe timbanin e veshit të Feritit të gjorë që doli menjëherë në dritare e pasaj, si u përmend, doli nga dhoma e të gjallëve akoma, zbriti shkallët vetëtimthi, u përplas me rojen që i doli përpara, i dha një të shtyrë e u gjend pranë shokut të tij besnik që tani bëri një rrotullim të çuditshëm, përdrodhi bishtin e iu hodh në gjoks i gëzuar, si të ishte njeri.
Vetëm se, Çiçikovi, që tani mendonte se “kush e kishte rradhën”, në këtë “biznes të jo frrymorëve”, as që e priste t’i delte përpara përsëri ky “i gjallë i vdekur”, jashtë kartelave të tij tashmë, bashkë me qenin nga mbrapa, që vazhdonte të rroullonte bishtin e të rrëfente edhe dhëmbët. Qe një nga ato çaste të pa parashikuara, si ato të fëmijëve njëheri, kur e morën nga mbrapa, trumbë e ia dhanë këngës që sa e kishin mësuar:”Musa Qorri Efendi, mbushi xhepat me flori” dhe që ai s’kishte si t’ia bënte veçse t’ia mbathte. Po tani? Priti sa u qetësua qeni dhe e qërtoi me urtësi Feritin se nuk kishte “ba mirë” që kishte ikur nga “shtëpia e re e tij”, për të cilën kishte paguar edhe goxha pare të tjera, tek “vllaznit e patën lanë për ibret e n’mshirën e fatit”! Feriti u duk sikur buzëqeshi e u kthye nga ana e kafshës besnike, si të donte të thoshe: “Po ktena, e harrove, Zotnija jote!? Se nji ky nuk ban dot pa mue e as una pa të”! Dhe, pas heshtjes që hyri mes tyre, kishte shtuar se “vetëm nji ky m’ka mbetun, vallahi bilahi”! Pronari i “Zyrës së Funeraleve”, nxorri portofolin e tha nëpër dhëmb se s’kishte ç’farë t’i bënte tani, se boll e kishte ndihmuar në atë braktisje që i kishin bërë vëllezërit dhe se veç asaj “parcelës së varrezave” që tashmë qe e tij tanimë, me firmë e me vulë, nuk kishte më asnjë pronësi tjeter, as për vete e as për qenin e tij, por (dhe nxorri disa të holla prej andejë), merri këto pare e bliji dy simite me pogaçe, nji për vete e nji për qenin, sa për sot, kumbisu sonte natën andeje nga Rrapi-Trapi dhe, që nesër të të nis drejt Greqisë, -me të shumtit edhe ti,- e “mos na i çajë bythën tepër, se ke me dekë si jot’amë dhe tash e shehë p…e s’atame”-përfundoi ai ligjëratën e tij të fundme, i turfullosur sa s’ka më, që e bëri të ziun Feriz, rrishtazi, që të vendos në fytyrë, po atë shprehje kënaqësie të pafundme. Fytyra e tij sikur ndriti prej një drite hyjnore…
Një javë më mbrapa, si dha e mori me të, Musa Qorri e përcolli Feritin përtej kufirit, pa asnjë problem. Feriti nuk bëri më zë. Pasi kishte kundërshtuar për qenin që, sipas tij e kishte si shok jete dhe nuk mund ta linte vetëm, sikundër vepruan vëllezërit me të. Por Biznesmeni i të Vdekurve i tha se këtë ka kapitalizmi: secili për vete dhe se, pasuria nuk vjen ndryshe po nuk ja hodhe tjetrit, bile edhe atëhere kur ke “dalur nga e njëjta vërë me ty”. Edhe qenin tat , -shtoi ai, tash po e ndreq veta, ma mirë sa s’ka!
Ferizi nuk u ndje më, iku me të shumtët drejtë Greqisë, gjersa mbërriti mat’anë mbas Athinës, në një fshat të Marathonës së lashtë, nga ishte ai vrapuesi i famshëm që shpuri në Athinë lajmin e fitores së një lufte të hershme dhe pstaj ra i vdekur përdhe! Aty e priste Dania, i vëllai i Musa Qorrit, që i kishte marrë të gjitha porositë, t’i jepte këtij “merhumi” për të ngrën, të paktën edhe një herë, e t’i siguronte ndonjë barangë për t’u kumbisur e pastaj “le të hante veten” e si t’i donte qejfi me ba!… Dania, jo më pak i rafinuar e i “rrahur me vaj e me uthull” i gjeti një kasolle të braktisur, anës fshatit e anës pyllit e nuk i doli më përpara, dy ditë e dy net. I vetmuar përsëri, me xhupin mbërthyer e me një kapele të vjetër, i mbetur të dyja ditët pa ngrën e pa ujë, iu afrua qendrës së fshatit, nga ku e ndillte era e mishit që rrotullohej mbi qymyrin e ndezur. Po askush nuk e përfilli, veç kur erdhi Dania,-sikur ta dinte-që atij i bënin “zorrët demostratë” e i bleu dy sufllaqe menjëherë, që i urituri nuk pa më andej- këndeja… “Ja ç’do të thotë të të braktis njeriu më i afërt,-i tha Dania,-e të të bëhet vëlla e Perëndi im vëlla Musa Qorri, që të bëri edhe pronar të një parcele në varreza, që tani,po vdiqe, duhet të paguash edhe ‘qimet e kokës’ që të mbulohesh me dhe, apo jo zotrote”. “Ç’thua, more?! Vëllezërit e mi le të bëjnë hallë e të varrosen si qentë aty ku kanë vajtur, gjersa nuk i dërguan më asnjë frangë asaj që i polli e jo më Feritit”. Dhe, pasi fshiu buzët i rrëfeu Danes vendin e asaj karte që e kishte qepur e bërë pronar të parcelës së varrimit të tij! Dania shprehu kënaqësinë e tij para këtij pronari të “kohërave moderne” dhe pastaj shtoi qe Ferizi kishte edhe ‘privilegjin’ që vazhdonte të ‘merrte frrymë’ në afërsi të atij fshati ku e kishte vilën edhe njeri nga ish kryeministrat e vendit…
Kishin kaluar tre muajt e parë të mërgimtarit Feriz Sahatçiut, që asnjëherë nuk pati as sahat ne dorën e tij e as që kishte ndonjë mundësi tjetër të maste kohën që kishte mbetur në vend. Frynin erërat nga Egjeu, qielli u nxi e po afronte dimëri. Me shirat e para u lag, jo vetëm xhupi që kishte veshur, po e dhe kashta e shtruar ku flinte. Dania nuk dukej me gjëkundi. U afrua vetëm një qen rruge dhe ai e ndolli në “vilën” e tij. Të paktën do të kishte një frymor afër e, gjatë natës do të ndjente edhe ngrohtësinë e trupit të tij që do t’i kujtonte Bobin e shtëpisë që aq shume e done e nuk e ndante nga vetja. E një ditë shkoi pas qenit andej nga vinte përseri era e mishit të pjekur, ku një vajzë e re e përkëdheli qenin e i hodhi atë pjesë të sufllaqit qe i kishe mbetur, u ul në trotuar e vështronte vajzën që i vinte keq për qenin e uritur. Po ai ishte edhe më i uritur akoma. Donte ta ngrinte dorën, sikundër bënin lypsat e rrugëve, po nuk mundi. Sytë e tij u njomën nga lotët, tek fytyra iu çel prej një kënaqësie të rallë… Në ato çaste, vajza nxitoi për nga pjekësi i sufllaqeve, bleu një tjetër e ia solli këtij të panjohuri që dukej si i zbritur nga “planeti i asgjësë”! Atij i ndriti fytyra si prej një vegimi të shenjtëruar, tek e mbërtheu sufllaqin me të dyja duart që i dridheshin…
Në muajin e katërt Ferit Ziun e mbërtheu një kollë e thatë e dridhej i tëri. U mbulua i gjithi me një batanie që e kishin hedhur te “Kisha e Pendesës”, brenda nje thesi plehrash të zi, së bashku edhe me disa tesha të tjera të vdekurish, anës rrugës së Marathonës, po nuk ndjente më të ngrohtë as nga batania e as nga qeni që nuk u nda më prej tij. Jetë qëni, me qënin! E kështu , të përqafuar me qenin e gjeti edhe Dane Qori një ditë prej dite, me trupin e bërë akull. Doli menjëhere nga kasollja, pa nga deti e nga qielli dhe vrapoi për nga ana e “Kishës së Pendesës”. Vendasit nuk kishin Xhami, po as kisha nuk qe për ata. Ai ju afrua kabinës telefonike të rrugës, përbri kishës, e foli me të vëllan një copë herë dhe pastaj doli prej andej i ngrysur, si të ishte një ditë dimri sterrë sepse ai, i vëllai, nuk e priste që t’i thoshte: “ndreqe vet këtë mesele aty, pa e sjellur këndeja të vdekurin, sepse çmimet janë ngritur në stratosferë, shumë më tepër se ndër të gjallët”!
Priti sa u err mirë, mori karrocën e punës, shtroi disa plasmase mbi të e vajti tek i vdekuri. Qeni hugërriti si ujk, po Dania iu afrua e i ledhatoi kokën. I hodhi edhe copën e sallamit që e kishte marë me vete dhe pasi u sigurua se nuk do të lehte më e ngriti kufomën me dorezat e duarve dhe e hodhi shuk mbi karrocë, si të ishte një thes i rënd çimentoje. Qeni hungëriti përsëri, me vështrimin nga qielli, e nuk iu nda karrocës gjersa mbritën te “Kisha e Pendesës”, pa asnjë “pendesë”, aty, në afërsi të Varrezave të fshatit, ku ndahet jeta me vdekjen e ashtuquajtur “Parajsa”, e anoi karrocën e rënduar dhe kufoma u rrukullis pikërisht te dera e kishës. Qeni u struk pranë trupit të pajetë të mikut të ri, të akulluar nga moti i keq, po nuk e gjente më vështrimine tij të butë e atë ngrohtësi që i kishte trupi në atë pragdimri. Pa e kuptuar as kafsha pse e kishin hedhur aty, pranë një dere me kryq të praruar ari, të asaj ngrehine kulti të heshtur e të mënjanuar nga bota, nga xhami i dritares të kryqëzuar të së cilës, dukeshin edhe qirinjtë e ndezur, me flakën gati në të shuar… Dano Qorri e qëlloi qenin me shkelm për ta larguar dhe pasataj u përkul nga kufoma, i hapi jakën e xhupit, i këputi me thonjë disa fije peri e nxorri prej andejë kartën e “Dëshmisë së Pronësisë” të parcelës së varrimit që ai e ruante me kujdes, pëkërisht për një ditë të tillë, nëse do të vdiste, por që nuk do t’i duhej më. Ndaj edhe e grisi në qindra copa, që i flaku nëpër fushë era e natës, në prani të kufomës së një njeriu të mirë e të një qeni rruge, që megjithatë dukej se qe i vetmi, në përcjellen e tij të trishtuar! Kopja e asaj karte, tashmë i përkiste përsëri Biznesmenit të Varrimeve të qytetit N. pra Musa Qorrit, për qorra të tjerë të kësaj bote, që “rrotullohej krejt ndryshe”, kur edhe vet jeta të lë “Lamtumirën” e të shoqëron për në banesën e fundit, lehja vajtimtare e një qeni, si të ishte ai njeriu i duhur, në përcjelljen e një njeriu të vdekur që kishte vdekur prej kohësh, që në gjallje të tij… Dhe që, këndej e tutje, nuk do t’i gjendej më as varri, ndofta as emri, edhe pse dikur, në një qytet të Shqipërisë, u pajis edhe me kartën e një pronësie të një parcele varrimi…
Athinë, më 25 nëntor 2022.
Please follow and like us: