Kryevepra e Homerit vjen në shqip nga Arqile Garo
ILIADA E HOMERIT
e shqipëruar nga Arqile Garo.
ILIADA, RAPSODIA E PARË.
Gjëmo Hyjneshë tërbimin vrer, të Akilit të Peleut,
që për Akejtë u kthye në tmerr dhe në një mort pa fund,
që shpirtra trimash burrërorë në Hades rrokullisi,
heronjsh, q’ u bënë ushqim për qen dhe korba të përçmuar –
ndërsa kuvendi i Kronosit ishte duke u ndezur,
atje ku fjalë të ashpra shumë këmbyen dhe u bënë hasëm,
Atridi, kryekomandant, dhe famëlari Akil.
Po cila vallë nga Perënditë u shtiu hasmërinë?
Ish Apolloni, që u bë bishë nga Atridi, Agamemnoni,
Dhe hodhi lebrën mbi ushtrinë që korrte turmat mbanë,
pse ky i fundit i përçmoi Krisin, Krye – Tempullarin,
kur tjetri, anijeve plot Akej iu afrua i drithëruar,
me plot dhurata gjithë shkëlqim, për t’ i liruar vajzën.
Në skeptër të artë mbante mbështjellë kurorën e Apollonit,
e ngrinte lart me përgjërim dhe tërë Akejve u lutej:
Por kryesisht Atridëve, prijësve të ushtrisë:
“O ju Akej zemërmëdhenj, o ju mbretër Atridë,
të Olimpit dhënshin Perënditë, qytetin e Priamit,
sa ta pushtoni, triumfatorë të ktheheni në atdhe.
Por kthemëni, ju përgjëroj, vajzën e adhuruar,
pranoni këtë shpërblesë për të, n’ se birin e Zeusit,
shigjetë – argjendin Apollon e çmoni dhe e nderoni”.
Të gjithë Akejtë u bënë një mend, nga Ati i Shenjtë u kthyen,
dhe fort të çmuarën shpërblesë, vendosën ta pranojnë.
Agamemnoni veç iu shmang vendimit të gjithë – zëshëm,
dhe mos më keq, u nis ta zbojë me fjalë të rënda shumë:
“Ta jap or plak përgjigjen unë, këtu ndën k’ to anije,
në daç qëndro atje ngaherë, në daç shko nga ke ardhur,
mos merr guxim nga Perënditë, nga skeptri e nga kurora.
Atë unë kurrë s’ do ta lëshoj. Dhe do ta gjejë pleqëria
në Argos, në pallatin tim, atje, shumë larg vendlindjes,
pranë avlëmendit, duke tjerrë, do ta kem shoqe shtrati.
Mos më xhindos, por hiqmu sysh, nëse të dhimbset koka!”
U tremb i gjori plak, u nis dhe iku me kokë ulur.
Bregut të detit gjëmimtar çapitej i gojëkyçur,
por, sa u gjend në një rrethinë, të birin e Litósë,
atë, të lartin Apollon e luti me flakë zemre:
“Dëgjomë, o mbrojtës hark argjend i Krisës dhe i Killës,
Zot madhështor i Ténedos, i ndrituri i Sminthésë,
nëse të ngrita Tempullin që zemra të të çelet
dhe të blatova, ndonjëherë, qengja të mirë ushqyer,
buaj të majmë, ja, po të lus, këtë dëshirë plotësoma:
Shigjeta drejt Danajve nis, të lotëve merrma hakun!”
U lut dhe porsa e dëgjoi i Ndrituri Apollon,
zbriti nga e Olimpit majë, i nxehur, i ndërkryer,
harkun në sup, kukurën plot shigjeta majëmprehta.
Gjëmuan armët porsa u nis të bënte tatëpjetë
dhe nga inati, natës sterrë i ngjante tek afrohej.
Karshi anijeve zu vend edhe lëshoi shigjetën,
tek një gjëmim jehoi me tmerr nga harku i argjendë.
Dhe pasi vrau qentë më radhë dhe mushkat i kërdisi,
drejt njerëzve me zulmë shumë, shtizë e mbushur me helm,
dhe në vijim. Vdekje dhe zjarr, që tej përtej u shtri.
Heshtat hyjnore për nëntë ditë qëllonin drejt ushtrisë,
të dhjetën ditë thirri kuvend i biri i Peleut,
siç i diktoi Hyjnesha e Lartë, vetë dorëbardha Herë,
që pikëllohej duke parë shfarosjen e Danajve.
Dhe kur u mblodhën në kuvend të gjithë në të njëjtin vend,
u ngrit Akili Këmbëshpejtë dhe nisi të kumtojë:
“Atrid, do detyrohemi, them, së afërmi të ikim
në kthinat tona, duarbosh, nëse të gjithë s’ do vdesim,
tek na dërmon sëmundj’ e zezë, me luftën zënë për dore.
Mbase, të pyesim një falltar, apo ndonjë Orakull,
a, një ëndërr – rrëfenjës, qoftë, nëse vjen nga Zeusi.
Të na e thotë: përse kaq vrer ndaj nesh vjell Apolloni?
Mos një dhuratë vallë i mungoi, kërkon më shumë flijime?!
Ca qengja vallë po ti blatojmë, ca keca fort të zgjedhur,
e bindim dot, të zbojë larg nesh vdekjen e stërmallkuar?”
Foli. Atëherë, u çua vrik vetë Kallha, Thestoridi,
vëzhgues shenjash ndër të parë, të ardhmen mirë e njihte,
të tashmen dhe të shkuarën, që Akejve në Iljón u priu,
me frymën prej orakulli, të falur nga Apolloni.
Dhe ky, gjithë dashamirësi Akilit iu drejtua:
«Pelid, ti, Zeus – Mbrojturi, më fton që të shpjegoj,
se si iu ngjiz ky zemërim, Larg – Gjuajtësit, Apollonit.
Unë do ta them. Por, veçse ti, mendohu dhe premtomë
se do më jesh përherë në krah, me fjalë dhe me veprime.
Pse do t’ i ndez një mllef të madh të parit të Argenjve,
që mbi të gjithë Akejtë sundon dhe ata i janë nënshtruar.
I ulëti mbetet një mjeran, nuk matet dot me mbretin.
Dhe, sikur ky për një moment inatin ta gëlltisë,
thellë, brenda tij ushqen farmak që gjoksin ia shkallmon,
dhe do të vijë një ditë ta derdhë. Mendohu, dot a më mbron?”
Dhe Këmbëshpejti pa ngurrim ngrihet edhe i gjegjet:
“Pa frikë, fisnik, nis na rrëfe ç’ ka fryma jote gjeti.
Se, ja, për atë Apollon që i dëgjon premtimet,
Kallha, shërbimet e Atij, Danajve u ofron,
për sa jam gjallë mbi këtë dhé, sa shoh dritën e Diellit,
dorën e rëndë mbi ti s’ do ngrejë kurrkush, nuk do guxojë,
kushdo të jetë ky ndër Danajtë, as vetë Agamemnoni,
që sot krenohet, se ndër Akejtë na qenka trim i parë.
Edhe fat – thënësi plot guxim foli me zemër hapur:
“Dhuratë atij nuk i mungoi, as nuk do më më flijime,
Ati i Tempullit u bë shkak, që e ofendoi Atridi.
Sepse të bijën s’ ja liroi dhe nuk pranoi shpërblimet,
ndaj Apolloni u mërzit dhe do të marrë shpagimin.
As edhe lebrën nga Danajtë nuk ka për ta dëbuar,
para se sy shkëlqyera bijë të kthehet tek i ati,
pa asnjë këmbim, asnjë shpërblim, asnjë kurban të shenjtë,
në Krisë ta nisim sa më parë. Atëherë, mbase ndrron mendje”.
Këto ai foli dhe u ul. Në këmbë u ngrit heroi,
që popuj shumë kish nën sundim, Atridi, Agamemnoni,
i mbushur vrer. Dhe helm i zi në deje i qarkullonte,
i çante sytë edhe një flakë të errët reflektonte.
Drejtoi vështrimin ogurzi nga Kallha e nis t’ i fliste:
“Kob sjellës je, pse asnjëherë një lajm të mbarë s’ më prure,
dhe mendja jote dëshiron të keqën të kumtojë.
Një fjalë të mirë kurrë nuk e the, asgjë të saktë nuk bëre.
Tani para Danajve ti, profetizon dhe thua,
se për këto fatkeqësi që po na sjell Shituesi,
jam unë fajtor, pse s’ desha kurrë Kriseidën ta këmbeja.
Po, dua unë, që atë vajzë, ta mbaj, ta kem për vetë.
E preferoj edhe më shumë se bashkëshorten time,
se Klitemnistrën; dhe ju them se ajo më lart qëndron,
në klas, në shtat dhe në mendim po kështu dhe në veprime.
Por nëse kjo na intereson, jam gati ta kthej mbrapsht.
Të mirën e atdheut çmoj, shkatërrimin nuk ja dua.
Ama, gatitni shpejt e shpejt dhe një dhuratë për mua
se s’ mund të mbetem vetë pa gjë, i vetmi mes Argenjve,
pse siç e shihni, unë, atë, të tjerëve ua dhuroj”.
Hidhet Akili dhe i kthen përgjigjen flakë për flakë:
“Ç’ thua o i lavdishmi Atrid, në pasuri i pangopur?
Akejtë shpirtgjerë ku vallë ta gjejnë dhuratën të ta japin?
Mos vallë diku kemi trofe të lëna e të pandara?
Nga vendet e pushtuara, ç’ ka morëm, drejt i ndamë,
dhe që t’ i mbledhim prapë në tog, mendoj nuk është e udhës.
Lëshoji vajzën Perëndisë tani, sa nuk është vonë,
dhe do shpërblehesh katërfish nëse e dhëntë Zeusi,
që ne, Akejtë, të triumfojmë mbi Trojën mur qarkuar”.
Përgjigje dhe atij i kthen i madhi Agamemnon:
“Ta njoh trimërinë, por mos kërko mua të më mashtrosh,
Pelid i mençur, s’ është kollaj mendjen të ma ndryshosh.
Pse ti dhuratën ta gëzosh dhe unë mos ta kem timen?
Ti po më cyt, që ta kthej mbrapsht vajzën që më takon.
Po, nëse marr unë për këmbim dhuratë të barasvlershme,
nga Akejtë trima, më mjafton, por nëse nuk ma japin,
do nisem vetë dhe do të marr, ose dhuratën tënde,
a të Aiantit në m’ u tek, apo të Odhiseut.
Atij, ama, që do t’ ja marr shpresoj që t’ ja nxij jetën.
Për këtë më vonë do të mendojmë, do ta gjykojmë së toku.
Tani mbi këtë det hyjnor të stisim një anije,
zgjidhni vozitësit më të mirë, ngarkoni hekatombën,
nisuni, hipni pa vonesë vajzën e mirë, Kriseidën,
dhe komandant i përfaqësisë do të jetë vetëm njëri,
Aianti, Idomeneu qoftë, a Odhiseu i shquar,
ose dhe ti Pelid burrnor, i tmerrshëm dhe vetëm,
t’ i lutesh Zotit atje lart që të na falë mëkatet”.
Egër atëherë e vështroi dhe iu përgjigj Pelidi:
“Ο i gjori ti, mjeran i shkretë, paturpësinë ke veshje,
kush nga Akejtë do gjegjet vallë, nëse ti do thërrasësh,
kushtrim për udhëtim të gjatë, a bririt të betejës?
Këtu, nuk erdha unë për shkak të ushtave Trojane,
për t’ i luftuar, se aspak ata nuk ma kanë fajin.
As qetë, as kuajt kryelartë nuk erdhën të m’ i marrin,
dhe as të madhërishmen, Fthian, që vetëm burra rrit,
as më dëmtuan tokë e pemë, sepse mes nesh u ndodhën,
male të rrepta, hijerëndë dhe dete dallgë – shkumuar.
Për Menelaun u nisa unë, por dhe për ty i pa cipë,
ne, për hakmarrje erdhëm këtu, se na e kanë borxh Trojanët,
por ti, tashmë, or turiqen, të gjitha i ke harruar.
Dhe pa dëgjo, më kërcënon, dhuratën të më marrësh,
që është shpërblimi i mundit tim dhe vetë Akejtë ma dhanë.
Baras me ti, unë, asnjëherë dhurata nuk kam marrë,
kur rendim tutje, në betejë, fortesave Trojane.
Porse në luftë, barrën e rendë veç unë e mbaj mbi supe,
dhe kur rastis të ndajmë trofe, ti merr hisenë e majme,
kur, unë, me një të vogëlth pjesë, me një dhuratë të çmuar,
shtrihem në kiç, nga rraskapitja e ashpër e luftimit.
Për Fthia po nisem që tani. Më është më mirë të shkoj,
në vendin tim një orë më parë, pse hiç nuk kam dëshirë,
i pa nderuar këtu të rri dhe ty të të shtoj gjënë”.
Kthehet i madhi Agamemnon edhe i kthen përgjigjen:
“Nisu, po deshe, ngrehu ik, në qoftë se rri për mua,
unë nuk të lus. Pse kam të tjerë trima këtu rreth meje,
që të më veshin me lavdi, me ndihmën e Kronidit.
Edhe ndër mbretërit Zeusianë, ty, të urrej më shumë.
I etur për përçarje je, në luftë dhe në beteja.
Dhe nëse zotëron fuqi, e ke dhuratë nga Zoti.
Me shokët dhe anijet bashkë, ik, nisu për shtëpi
ndër Mirmidonë ti mbretëro. Pse unë s’ të kam në mendje,
tërbimi yt, hiç s’ më mërzit. Dëgjo pra ç’ kam menduar:
Përderisa mua ma privon Kriseidën, Apolloni –
edhe ajo, do niset sot, nën përkujdesjen time,
vendos: – që unë, në vend të saj, atë të Brisit bijë,
në çadrën time të ta marr, që të të mbushet mendja,
se jam eprori yt i lartë që tmerrin do t’ i kall,
kujtdo, që tash e tutje i shkrep, me mua të krahasohet”.
Fjalët, si gur i rëndë i ranë Akilit në stomak,
dhe dy mendime zënë luftojnë në gjoksin trimëror.
Ose të zhveshë nga mylli i zi atë, shpatën e mprehtë,
të turret mbi të gjithë përreth edhe të therë Atridin,
ose të heshtë dhe ta gëlltisë inatin thellë në shpirt.
Por, ndërsa gjendej në dilemë, tek dorën çoi nga shpata,
dhe bëhej gati për ta nxjerrë, lart që nga qiejt zbriti,
hyjnesha Athina, e shtyrë nga Hera dorëbardhë,
që për të dy kish dobësi, dhe që të dy i çmonte.
Qëndroi pas tij dhe dorën shtriu përmbi krelat e verdha,
pse e dallonte veç ai, të tjerët nuk e shihnin.
Gjithë krenari u kthye ky dhe përnjëherë e njohu,
hyjneshën që kish në vështrim ndriçimin vezullor.
Dhe Perëndeshës zë i flet me zë të flakëruar:
“Erdhe dhe ti, e zgjedhur bijë, e Zeusit kanakare,
që të shikosh padrejtësinë e Atrid Agamemnonit?
Por, po ta them dhe më beso. Kështu siç e ka nisur,
me arrogancën që sundon, shumë shpejt do ta hajë kokën.”
Edhe sy – qiellta Perëndeshë i kthen atij përgjigjen:
“Zbrita nga qiejt veç për ty, që të të zbus inatin,
Veç më dëgjo! Hera më çon, hyjnesha, dorëbardha,
sepse ju do edhe ju çmon të dyve po njëlloj.
Eja, dhe mos e nis këtë luftë, as shpatën mos e hiq,
vetëm me fjalë rrëfeja ti se ç’ poshtërim e pret.
Dhe sidoqoftë ke për ta parë, këtë që po të them.
Shpërblim trefish do kesh një ditë, për fyerjet që dëgjove
padrejtësisht. Porse tani, përmbahu dhe dëgjona.”
Dhe Këmbëflatri trim, Pelid, u kthye dhe iu përgjigj:
“Duhet, Hyjneshë, të dyjave t’ jua respektoj dëshirën
dhe le të jetë tërbimi im i drejtë. Derisa thuhet,
se nëse Perënditë dëgjon, ata s’ të lenë në baltë”.
Foli, dorezën e argjendë me dorë të rëndë e shtyu,
në myll e fshehu të famshmen shpatë, i bindur nga Hyjnesha.
Dhe kjo për në Olimp u nis, tek kthinat kish Zeusi.
Me fjalë të ashpra foli prapë i biri i Peleut,
që drejt Atridit derdheshin mbushur me helm e vrer:
“Or pijanik, or ti zuzar, frikash e zemërlepur!
që asnjëherë në ballë t’ ushtrisë nuk dole në betejë,
por as në pritë i zoti s’ je të çosh komandot trima.
S’ guxove kurrë. Se të tmerron hija vrastare e vdekjes.
Por të pëlqen, në mes të ushtrisë së Akejve kush guxon
të të kthejë fjalën, ta sulmosh, t’ i marrësh mbrapsht dhuratat.
Në të vërtetë, tash, komandon një turmë me fundërrina.
Përndryshe, kjo padrejtësi kish për të qenë e fundmja.
Porse një fjalë do të ta them, dhe ta premtoj me be.
Për këtë skeptër ku një degë a gjethe nuk çel dot,
pse trungun tutje ja kanë lënë, në malet ku është prerë,
të jeshilojë nuk mundet më, se sythe dhe lëvozhgë,
metali ja ka prerë përreth; dhe që e mbajnë në dorë,
Akejtë drejt dhënës dhe të urtë, ligjet për të nderuar,
siç vetë Zeusi na i ka dhënë, po bëj betim madhor.
Do vijë një ditë, kur gjithë Akejtë do ta kërkojnë Pelidin,
dhe ti, i zhgalur në mjerim, takat nuk do kesh më,
t’ u dalësh zot, kur shumë ndër ta do t’ i ketë korrur shpata
e Hektorit, Jetë – Shfarosësit, dhe dhimbja do ngrejë krye,
pse Ti përçmove, ndër Akejtë, të parin, Kryetrimin!”
Foli edhe lëshoi përdhe skeptrin ar zbukuruar,
dhe prapë u ul. Andej, përballë, e që matanë
gjaku i Atridit vlonte, zjarr. Atëherë u ngrit Nestori,
zë ëmbël, me ton melodioz i Pilios orator,
kur niste e fliste, porsi mjaltë ndër buzë i rridhte fjala.
Dy breza njerëzish vdekatarë prej kohësh ishin shuar,
bashkëmoshatarë dhe shokë të tij atje përtej, në Pilios,
tani në këtë brez të tretë vetë plaku mbretëronte.
Dhe ky, gjakftohtë dhe pajtimtar, atyre iu drejtua:
“Mjerë ne! Në tokën e Akejve sot, mjerim i madh na mbiu,
Priami, fort do të gëzojë, me djemtë e tij të shumtë,
dhe tok me ta dhe populli me gjithë ushtrinë e Trojës,
po ta mësojnë, që grindeni, juve të dy që jeni,
dy majat e Danajve sot, në mençuri dhe armë.
Pa vini veshin, pse nga unë, shumë më të rinj ju jeni,
burra të mirë kam parë në jetë dhe më të lartë se ju,
dikur, në kohë të largëta dhe ata fjalën, s’ ma përçmonin.
Burra të tillë më, nuk shikoj dhe as kam për të njohur,
Perithoon, Driantin biond, prijës popujsh të shquar,
Kenéan me Eksadiónin tok, hyjnorin Polifem,
por dhe Tezeun e Hégjeos, baras me Perënditë,
burra si ata triumfatorë nuk lindën as po lindin,
trima të çartur, luftëtarë që mateshin me trima,
me bisha të egra maleve, dhe për çudi, i shfarosën.
Bashkohesha shpesh dhe unë me ta i ardhur tej, nga Pilios,
ndër troje fort të largëta, edhe më hapnin vend,
pa bëra emër në betejë, porse që sot askush
nga këta që toka po ushqen, me ata nuk mund të matet.
Porse, ata me gjithë dëshirë këshillat m’ i dëgjonin.
Ndaj më dëgjoni edhe ju, veç për të mirën tuaj.
Ti o Agamemnon shpirtmadh, vajzën s’ duhet t’ ja marrësh,
se ja dhuruan me shpirt Akejtë, por edhe ti Pelid,
mos kundërshto të madhin Mbret sa herë të lind dëshira,
pse kush mban skeptër dhe kurorë disi më lart nderohet,
atë e përzgjodhi Zeusi vetë, që atij t’ ja shtojë lavdinë.
Je i fuqishëm; dhe hyjneshë ish nëna që të lindi,
porse eprori është ai, që i komandon të gjithë.
Dhe ti zemërimin ta qetosh, Atrid, në gjunjë të bie!
Pelidit mos i mbaj mëri, se është mburojë për tërë
Akejtë, përherë në vijë të parë, të kësaj lufte gjakësore”.
I kthehet dhe përgjigje i jep madhori Agamemnon:
“I the të tëra o plak i urtë dhe i the drejtë e saktë.
Por veç ai do të dalë mbi, të jetë kudo i pari,
të tërë t’ i binden veç atij, të mbretërojë ngado,
të urdhërojë. Edhe këtë nuk ka njeri që ta pranojë, besoj.
Dhe nëse të pavdekshmet Perëndi e lindën luftëtar,
mos vallë kujton, se tok me këtë, e bënë dhe pehlivan?”
Këtu fjalën ja preu në mes baras – hyjniu, Pelid:
“Vërtetë, shpirtndyrë dhe pehlivan do kisha për të qenë,
nëse ç’ do fjalë që ti shqipton do rendja ta lëvdoja.
Këto i thuaj ku të shkojnë, për sa më përket mua
as mos guxo të më urdhërosh, se ty, më, nuk të bindem.
Dhe diçka tjetër po të them, veç ngule mirë në tru.
Me ty, a me tjetër këdo, nuk do nis luftë për vajzën,
nuk kam dëshirë, pse ju ma dhatë, ju prapë vini e ma merrni.
Por, nga të tjerat që zotëroj në atë të mavi anije,
një fije floku, mos e prek po nuk dhashë unë pëlqimin,
në s’ do ta shohësh gjakun tënd në teh të shpatës sime.”
Pasi këmbyen këto fjalë, u ngritën për të ikur,
edhe kuvendi u shkërmoq në anijet e Akejve.
Në skaf të tij pranë çadrave u kthye Akil Pelidi,
i ndjekur nga shokët e tij, me Menitiadhin pranë.
Ndërkaq Atridi hodhi në det anijen më të shpejtë,
njëzet rremtarë vuri mbi të, bashkë me një hekatombë,
që Perëndisë ja dedikoi, pa hipi dhe Kriseidën.
Dhe në timon, i maturi, i mençuri, Odhiseu.
E për sa këta, në det të qetë e të hapur po lundronin,
Atridi, shpalli urdhërin që të fillojë pastrimi.
Ata zunë të pastroheshin dhe ndërsa mbetjet hidhnin
në det, bregu u mbush me zjarre e me kope
buajsh, kecash e qengjash plot, flijim për Apollonin,
dhe ngjiteshin drejt qiejve fjolla tymi erëmira.
Këto po ndodhnin në ushtri, dhe Atridi i palëkundur,
në atë kërcënim kobzi që i bëri Akil Pelidit,
thirri Talthibion dhe i tha që tok me Evrivatin,
këta ishin tellallë të tij, pasonjës, ordinanca:
“Në çadër të Pelidit, tash, nxitoni për të shkuar,
edhe për dore bjermani të bukurën Briseidë,
dhe po s’ ja u dha do të vij vetë me plot ushtarë t’ ja marr.
Kjo do ti dhëmbë edhe më shumë, shpirtin do t’ ja tronditë”.
U tha dhe i nisi, duke i sharë dhe duke i kërcënuar.
Ata, pa dashur, morën rrugë anash, bregut të detit,
në anijet Mirmidonase, pranë kampit ndalën këmbët.
Të ulur tek çadra e vet që ngrihej pranë anijes,
e gjetën edhe sa i pa, hiç s’ u gëzua Pelidi.
Të turpëruar dhe plot frikë, atje, përpara mbretit,
u iku zëri dhe askush nuk mundej dot të pyeste.
I ndjeu, “ngjatjeta, o kasnecë!” u foli, i përshëndeti:
“ju lajmëtarë të Zeusit dhe t’ vdekatarëve njerëz!
Ejani këtu, ju s’ keni faj, faj ka Agamemnoni,
që juve zgjodhi t’ ju dërgojë të merrni vashën time.
Patrokël Zeus – linduri, shko merre vajzën, sille,
dhe jepua, kanë për ta marrë. Por mbetshin dëshmitarë,
tek Perënditë, tek njerëzit dhe para mbretit vetë,
se tij shpirtligut, nëse vjen një ditë dhe lind nevoja,
nga ai zuzar shkatërrimtar, unë do shpëtoj të tjerët.
Ai beson edhe feston me tru të çoroditur,
por nuk ia pret që të shikojë të shkuarën dhe të ardhmen.
Si t’ i qëndrojnë besnikë Akejtë, tok me anijet pranë”.
Atëherë nga çadra Patrokli vajzën e brishtë Briseidën,
përcolli dhe ua dorëzoi në duar dy tellallëve,
dhe ata u kthyen me nxitim në anijet e Akejve,
pas tyre me sytë mbushur lot, çapitej vajza e bukur.
Ndërsa Pelidi po vajton vetëm në breg të detit,
tej, nëpër dallgët e pa fund, tret një vështrim të humbur,
nënës i çon lutje të ngrohtë duke i hapur krahët.
“Gjersa më linde Nënë e mirë ditë – pak dhe jetëshkurtër,
duhej që Zeusi Gjëmimtar, mua të më kish falur
ndere, po ai përkundrazi aspak s’ më ka nderuar.
Dhe shih, medet, si më çnderoi i larti Agamemnon,
që vajzën time ma rrëmbeu dhe tash po e gëzon.”
U shkreh në lot dhe e dëgjoi nënë e shumë përgjëruar,
nga thellësitë ku i rrinte pranë babait plak, të thinjur,
dhe porsi mjegullnajë u shfaq përmes të bardhës dallgë.
U ul pranë të përloturit hyjnesha e adhuruar,
e ledhatoi, në emër i flet me zë të lartë dhe pyeti:
“Pse qan, o bir, në zemër ti ç’ vaj t’ u rrënjos? Ma thuaj
drejt, e mos ma mbaj të fshehtë, se unë duhet ta di”.
Psherëtiu Akili me ngashërim dhe i tha: “Po ti i di,
të tëra nënë, unë ç’ mundem të të them? Tébian,
atë qytet të shenjtë, ku mbretëronte Ietióni,
e shkelëm edhe prumë këtu trofetë që patëm marrë.
Dhe siç e drejta e kërkon, Akejtë i ndanë të gjitha,
dhe për Atridin si dhuratë i zgjodhën Kriseidën.
Por Ati i Shenjtë, i mbrojturi i hyjnorit Apollon,
Krisi, nxitoi dhe mbërriti shpejt në anijet e Akejve,
me plot dhurata për shpërblesë që vajzën t’ ja lironin,
të Apollonit ngrinte lart skeptrin edhe kurorën,
dhe me ato në duar ra në gjunjë edhe u lutej,
të gjithë Akejve, por më shumë të dy Atridëve mbretër.
Atëhere, tërë Akejtë i thanë plakut të Hyjnizuar,
se respektojnë kushtet e tij dhe e pranojnë shpërblimin.
Porse Atridi Agamemnon, këtë, nuk e gëlltiti
edhe e zboi si mos më keq, me sharje e kërcënime.
Shkoi plaku i mbytur në mërzi, por lutjet, Shigjetari
ja dëgjoi, sepse e donte shumë edhe e respektonte.
Shitoi Argenjtë me një shigjetë të keqe edhe binin,
në togje turmat, në ç’ do anë ku shigjetonte hyjnia,
në kampin e Akejve; – edhe Orakulli, atëherë,
si njohës, u ngrit edhe rrëfeu se ç’ i kumtoi Apolloni.
T’ i bëjmë dëshirën Perëndisë, i pari unë këshillova.
Por me këtë, veç, u xhindos Atridi dhe i ndërkryer
më tha të tmerrshmen, fjalë të rëndë, që kurrë s’ do t’ ja harroj.
Atëherë Akejtë përcollën shpejt vajzën e marrë robinjë,
anijen mbushën plot përplot me oferta për Hyjnitë,
por pak më parë, dërgoi kasnecë që morën Briseidën,
vajzën, që vetë ma kishin dhënë, dhuratë që e meritoja.
Dhe po më deshe nënë e mirë, më mbro ashtu siç dua.
Ngjitu tani lart në Olimp dhe Zeusit në gjunjë lutju,
nëse dikur i bëre nder me fjalë apo me vepër.
Në kthinën atërore, shpesh, unë, mburrjet t’ i dëgjoja,
se si Re – Errëtin Kronid, dikur, krejt e vetmuar
mes vdekatarëve të tjerë rende dhe e shpëtove,
kur të Olimpit perëndi donin t’ hidhnin prangat,
Hera së toku me Athinanë, por edhe Poseidoni,
dhe ti Hyjneshë, i dhe lirinë se përnjëherësh thirre,
kuçedrën, njëqind – duarshe, në majat e Olimpit.
Nga zotat ai Briar me nam, të Egjeut vdekatarë,
thuhet, se në fuqi ja shkon dhe atij vetë, të atit.
Me krenari vajti u ul Briari pranë Kronidit
edhe nga tmerri, Perënditë, i hodhën tej zinxhirët.
Ashtu pra nënë, bjeri në gjunjë edhe këtë kujtoja,
dhe ndoshta të dëgjon ai edhe ndihmon Trojanët,
Akejtë të struken në një rrip të bregut ndën anije,
të masakrohen, që ta gëzojnë mbretin që kanë mbi krye.
Ta marrë vesh edhe ai, i forti Agamemnon,
sa keq veproi kur ofendoi të parin mes Akejve”.
Dhe duke i rrjedhur lotët çurg i kthen përgjigjën Tetis:
“O bir, të solla në këtë jetë me hidhërim të linda?
Që pa mërzi edhe pa lot anijeve t’ u prije,
edhe përderisa fati yt nuk do të jesh ditëgjatë.
Por je jetëshkurtër dhe me shpirt të mbushur me farmak,
si asnjë tjetër. E pa fat qeshë ditën që të lindja.
Por fjalën tënde do t’ ja çoj Zeusit Rrufe – Gjëmues,
atje do nisem dhe do shkoj në Olimpin borë mbuluar.
Por ti ndërkaq luftës iu shmang në kiç rri rehatohu,
qetësisht rrëfeje ndër Akej, pezmin, mbushur me dhimbje.
Zeusi zbriti në Oqean, sepse hyjnitë e ftuan
të Etiopisë dhe tok me të gjithë Perënditë kanë shkuar.
Edhe do kthehet në Olimp, ditën e dymbëdhjetë,
atëherë do nisem unë të shkel, sallonet bakër – shtruar,
dhe do t’ i lutem përulësisht, me shpresë të më dëgjojë”.
Foli edhe e la atje me shpirtin të vrerosur,
sepse atë, belhollën vajzë ja morën porsi cubat.
Ndërkaq, dhe mjeshtri Odhiseu, në Krisë kishte mbërritur,
me hekatombën mbi kuvertë, kurban ndaj Perëndive.
Dhe porsa hyri në liman të thellë anija e shquar,
i mblodhën velat dhe i lanë në shesh ashtu kujdesshëm,
zgjidhën litarët, në këllëf direkun e mbështollën,
edhe vozitësit e prunë në dallgë të qetë anijen,
lidhën zinxhirë të fortë në kiç, hodhën edhe spirancën,
dhe tutje bënë për në stere por morën nga hambarët,
flijimet që ia kishin prurë shituesit, Apollonit,
dhe më së fundi mbi kuvertë doli e bijë e Krisit.
Të hijshmen vajzë e shoqëroi i mençuri, Odhiseu,
përmbi altar edhe babait ja dha duke i thënë ca fjalë:
“O Kris, mua më delegoi Atridi Agamemnon,
që të të sjell vajzën e brishtë me hekatombë hyjnore,
që Apolonit t’ ja blatojmë dhe të na falë mëkatet,
pse dert edhe mjerim të zi përmbi Argenjtë shpërndau”.
Këto i tha dhe ja dorëzoi bijën e shtrenjtë Heroi.
Pranoi ai gjithë ngazëllim. Dhe hekatombën shpejt,
përmbi altarin madhështor e shtrinë gjithë përkujdesje,
pasi lanë duart gjithë merak edhe tërshërën morën,
Krisi i ngriti krahët lart edhe iu lut me zemër:
“Dëgjomë, o mbrojtës Hark – Argjendë i Krisës dhe i Killës,
ti Perëndi Krye – Strateg, i Ténedos arkond,
siç më dëgjove me kujdes lutjet që të drejtova,
edhe Akejtë i ujdise mirë dhe mua më nderove,
këtë dëshirë, po të kërkoj, dëgjoma! – dhe largoje,
vdekjen virane nga Danajtë, çliroji ng’ ajo skëterrë!”
Foli, Apolloni e dëgjoi dhe ja pranoi dëshirën.
Atëherë u falën dhe ata edhe shpërndanë tërshërën,
qafën i drodhën bagëtisë, i therën dhe i rropën,
llokmat i prenë edhe mbi to shtuan një sitë të trashë,
e paskëtaj mbi prush i vunë të prera copa – copa,
me verë erëmirë spërkateshin, tek plaku përkujdesej,
ndërsa djelmosha mbanin pranë, hejet pesëfish të mprehur.
Pasi u dogj pjesa e majmë, shijuan të përbrendshmet,
prenë pjesën tjetër dhe në hej me mjeshtëri i shkuan,
edhe i poqën gjithë merak, pastaj nga flaka i hoqën,
të lodhur nga gjithë ky mundim, zunë edhe shtruan drekën,
dhe hanin, pinin pa dallim, mësallën paqësore.
Dhe pasi hëngrën dhe bënë qejf siç shpirti ua kërkonte,
mbushën amforat buzë më buzë, djelmoshat, verë të ëmbël.
Nisën u ndanë kupat përplot të ftuarve të zgjedhur,
edhe lëvdonin Perënditë me këngë e gaz, tërë ditën,
me himne lufte, që Akejtë kaq bukur i këndonin,
dëgjonte andej Shituesi dhe zemra i regëtinte.
Dhe sapo dielli u ul dhe erdhi errësira
u shtrinë dhe fjetën në kuvertë njëri me tjetrin pranë.
Sapo agimi çeli synë, i lanë shëndenë limanit,
në të Akejve kamp pa anë u nisen për t’ u kthyer.
Dhe përmbi dallgë, erën e mbarë u fryu Shigjetari.
Atëhere hapën mbi direk komplet velat e bardha,
që i gufonte erë e fortë, dhe siç pluskonte anija,
përreth karinës dallgë e zezë vërtitej dhe jehonte,
edhe anija gjithë nxitim, mbi valët vallëzonte.
Sapo arritën tek Akejtë, në kampin e pa fund,
tërhoqën, nxorën në stere anijen sterrë të zezë,
ca lart mbi rërë dhe pasi i vunë mbështetëse rreth e qark,
drejt çadrave shkuan disa, të tjerë nëpër kuverta.
Ndërkaq tërbohej dhe më shumë anijet tek kundronte,
Këmbëflatri, Zeuslinduri, i biri i Peleut.
Nëpër kuvende s’ merrte pjesë, ku thureshin lëvdata,
por as në luftë; – dhe për këtë i copëtohej zemra,
pse kish llahtarë për ato flakë, buçimën e betejës.
U gdhi mëngjesi i dymbëdhjetë, po kthehen Perënditë
në Olimp dhe u printe si përherë Kronidi, madhërishëm,
por edhe Tetis nuk harroi ç’ ka i kish thënë i biri,
ndaj rrugën çau nëpër dallgë, doli përmbi syprinë,
dhe morri rrugën që n’ agim drejt qiejve të Olimpit.
E gjeti Zë – Ushtuesin, Kronidin, të mbështetur
vetëm, në bregun tej skajor të Olimpit majë – shumë,
përpara tij hyjnesha u ul dhe me dorën e majtë
i preku gjunjët e ndërsa, me dorën tjetër mjekrën,
dhe i nisi lutjen plot maraz Kronidit madhështor:
“Zeus, o At, nëse dikur me fjalë apo me vepra,
të kam ndihmuar, ki mirësinë, dua të më dëgjosh.
Tim bir jetëshkurtër dhe ditë – pak, ah! Ma ndero të lutem!
Pa shih, i madhi Agamemnon erzin atij i mori,
dhuratën vajti e ja rrëmbeu edhe e mban për vete.
Jepi të drejtë të paktën ti, o i gjithë – dituri Zeus,
bëj që Trojanët të fitojnë, derisa djalit tim,
t’ i japin hakun gjithë Akejtë edhe ta stërlevdojnë”.
Ra në siklet, nuk iu përgjigj Re – Lodërtari Zeus,
heshtje u bë për kohë të gjatë. Dhe Tetisi e mbante,
prej gjunjësh siç që kur kish hyrë dhe përsëri pyeti:
“Ma jep premtimin me një shenjë edhe të jetë i besës,
ose mohoje. Pse ke frikë? Vetëm këtë të dija,
nëse jam e përqeshura në mes të gjithë hyjnive”.
Po me siklet përgjigje i jep Zë – Bubulluesi Zeus:
“Oh! gjëmë e zezë! ti po më vë, me Herën prapë të zihem,
sepse me sharje mbushur vrer ka për të më qëndisur.
Pse, pa arsye, herë pas herë ankohet dhe u thotë,
gjithë Perëndive, se unë ndihmoj Trojanët në beteja,
ti ik tani dhe mos e vra mendjen se ç’ do bëjë Hera
dhe ma lër mua këtë hall pse kam për ta mbaruar.
Edhe vështro; – që të të bind, tani kokën do ul.
Pse kjo është shenja që u çoj gjithë vdekatarëve mbanë,
se nuk mashtroj, fjalën s’ e kthej, ç’ ka për t’ u bërë të bëhet”.
Kështu tha; uli vetullat Zeusi Rrufe – Gjëmues,
mbi kryet që s’ kanë vdekje kurrë si rrallë u kreshpëruan,
flokët hyjnore dhe gjiganti Olimp gjëmoi, u drithërua.
Këto veç thanë edhe u ndanë në Olimpin diell – larë,
ajo u krodh në thellësitë e detit të pafund,
dhe Zeusi në selinë e tij. Atje para të atit,
u ngritën Perënditë në këmbë. Ai vazhdoi të ecte,
e mirëpritën që të gjithë me një të lehtë përkulje.
Në fron të vet u ul ai. Por se më parë, ish Tetis,
vajza këmbë – artë që kish baba plakun e sertë të detit,
që kish me të një kuvendim, Herës s’ i kish shpëtuar,
edhe filloj që ta gërgasë atij duke iu drejtuar:
“Cila hyjneshë, or burrë i mefshtë, me ty po bisedonte?
Se të pëlqen përherë, e di, larg meje të gjykosh,
dhe të vendosesh fshehtazi. Po si nuk të thotë zemra
gjërat që rri edhe mendon të m’ i rrëfesh dhe mua?”
Asaj iu kthye edhe ju gjegj i ati i Perëndive:
“Hera, askurrë shpresë mos ushqe të më zbulosh mendimet,
se nuk e ke të lehtë ti gjesh, qofsh dhe bashkëshortja ime,
porse ato që duhen thënë dije, s’ ka për t’ i njohur,
as perëndi dhe as njeri, ti, do ta dish e para.
Por se çfarë kam në mendje unë mes Zotave të Olimpit,
për ta menduar, hiç mos pyet dhe hiq dorë nga dyshimet”.
Por dhe syçelëtës hyjneshë s’ iu ndenj pa dhënë përgjigje:
“Janë këto arsyet që ofron, i ashpëri Kronid?
Pse unë kam kohë që nuk pyes dhe as interesohem,
për gjërat që ti vetë gjykon me trurin tënd t’ i bluash.
Por druaj tani, se mos ajo bij’ e plakut të detit,
t’ i mori mendtë, pse që n’ agim e pashë që u afrua
atje pranë teje dhe në gjunjë këmbët të përqafonte,
se nëse re dakord me të që të nderosh Akilin
dhe të shfarosësh plot Akej tutje n’ ato anije”.
Dhe iu përgjigj Re – Mbledhësi, Zeusi madhështor:
“As një moment s’ më lë të qetë, mbete duke përgjuar.
Por nuk do nxjerrësh gjë në pah, do më bëhesh e urryer
dhe do mërzitesh dhe më shumë. Dhe në është kështu
siç thua ti, do thotë, përveç të tjerave, se mua më pëlqen.
Ndaj rri aty edhe mos fol, bindju dëshirës sime,
se s’ të shpëtojnë, besoje këtë, tërë zotat e Olimpit,
nëse këto duar, unë vendos, t’ shtrij edhe mbi ty”.
Iu gjegj edhe sy – ëmbla Herë u drodh dhe e trishtuar,
zemrën shtrëngoi edhe u ul gojëkyçur, e shushatur.
Dhe u mërzitën Perënditë në odën e Kronidit.
Atëherë në krah të së ëmblës nënë, Herës me synë e bukur,
Hefesti, kryemjeshtëri, të gjithëve iu drejtua:
“E keqe e madhe do na gjejë n’ se ju të dy vërtetë,
grindeni për ca vdekatarë; këtu, në mes Perëndive,
bëni kaq sherr e shamata. Edhe kësaj mësalle
i humb lezeti, pse fitojnë biseda pa vlerë fare,
dhe do t’ i them nënës së mirë, atë, që ajo e di,
të jetë e ëmbël me babanë se mos prapë na mërzitet,
edhe mësallën na e prish, na i bën të tëra çorbë.
Se po të dojë, të gjithëve na rrokullis nga froni,
fuqia e Bubulluesit është ku e ku me tonën.
Por nëse ti e qetëson me fjalë dhe ledhatime,
dhe Gjëmimtari këndshëm shumë, besoj, do jetë me ne.
Foli edhe me shkathtësi vuri kupën e madhe,
në dorën e fort – dashurës, nënës edhe i tha:
“Nënë bëj durim, mbaju e fortë qofsh dhe e dëshpëruar,
pse nëse ndodh dorën të ngrejë këtu përpara meje,
nuk do mund dot, i gjori unë, të të ndihmoj, oj nënë!
Pse Gjëmimtarin, nuk ka burrë, as Zot që ta përballë.
Desha njëherë ta kundërshtoj, porse ai nga këmbët
më kapi edhe më lëshoi nga pragu i Olimpit.
Tërë ditën rrotullohesha, dielli kish perënduar,
kur rashë diku afër Limnosit thashë së më doli shpirti.
Dhe aty, në Sindjes, njerëzit për mua u përkujdesën”.
Buzëqeshi Hera Dorëbardhë, Hyjnesha e adhuruar,
dhe kapi gotën mbushur plot nga dora e të birit,
nektar të ëmbël duke marrë nga amfora ky i fundit,
djathtas qeraste me plot qejf tërë Zotat e pavdekshëm.
Atëherë qeshen dhe Perënditë gazmorë dhe të kënaqur
tek shihnin se me sa dëshirë shërbente aty Hefesti.
Dhe hanin, pinin me plot qejf gjersa mbërriti darka,
me zemra të gëzuara n’ atë mësallë hyjnore,
duke shijuar atë lirë të ndritur të Apollonit,
me zënë brilant të Muzave, që mrekullisht këndonin.
Kur dielli dritën e shoi u ngritën dhe secili,
në kthinë të tij u nis e shkoi, që mjeshtri i shumë – dëgjuar,
ia u kishte stisur gjithë lezet, Hefesti mendjendritur.
U nis dhe Bubulluesi i Olimpit që të ngjitet,
në atë shtratin madhështor që vente e rehatohej,
sa herë i vinte i ëmbli gjumë. Atje mbështeti kokën,
edhe fron – arta Perëndeshë, Hera u shtri pranë tij.
Janninë, nëntor 2022.
Please follow and like us: