Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Basha: Dy kozmopolitë të izoluar, romani i fatit si faj tragjik

Romani “Zemra është një vend i vetmuar”—roman i rënies në terr politik dhe i jetës në grackën e tij—është me gjasë romani më i mirë i Rudolf Markut dhe hyn padyshim ndër romanet më të mirë të krejt letërsisë shqipe jo vetëm në tre dekadat e saj të fundit. Në qendër të tij është një vajzë gjermane, Fräulein R.H, një bionde e bukur, e cila pas njohjes në Dubrovnik dhe vendimit për t’u martuar me shqiptartin e hijshëm Martin, mbeti peng në Shqipërinë komuniste për shkak të pafajsisë së saj. Përmes fatit të karaktereve të veta, autori ofron vështrimes kaleidoskopike dhe imagjinative në Shqipërinë e tre kohëve; Luftës së Dytë Botërore, diktaturës komuniste dhe tranzicionit.

Ky roman elaboron temën e madhe të egzistencës pa pretenduar modelin egzistencialist, ngaqë “krimin” këtu e kryen fati jo karakteri—refuzimi i dashurisë së një violinisti glamorous për hir të një qasjeje më të thjeshtë, por që doli shumë më e ndërlikuar. Me një prozë poetike plot preçizion, ky roman fatidik eksploron pasojat që shkaktojnë tek individi kthesat e papritura të fatit, traumat e mbijetesës nën peshën e poshtërimit, rrëzimet e befta dhe përpjekjet e mundimshme për ta ruajtur integritetin personal si esencë humane, jashtë ethosit politik të ditës.

Bota e romanit zbulohet përmes syrit të një rrëfimtari i cili, ngaqë flet në vetën e parë, nuk heziton t’i adaptojë teknikat e ekauntit personal, jofiksional në emër të besueshmërisë apo nevojës për të marrë, në momente të caktuara, pozitën e dëshmitarit. Kjo lloj përfshirjeje e drejtpërdrejt e rrëfimtarit lehtëson jo vetëm raportin e tij me heroinën e romanit, jo vetëm raportimin e tij nga një botë absurde dhe e transfiguruar, por edhe koloninë kryesore të strukturës narrative— vizionin e autorit mbi totalitarizmin.

Tek Rudolf Marku, totalitarizmi paraqitet si një rrezik i errët, universal e prapë i personalizuar, por gjithsesi mbetet vetëm sfond ngaqë më shumë se sa për politikën, autori ka interesim për etikën dhe estetikën. Dy personazhet e tij fokale, Roza dhe Martini, modelohen në një prej rrethanave më absurde që mund të mendohet, janë dy kozmopolitë në një vend të izoluar dhe për këtë paguajnë tagër të rëndë.

Zemra është një vend i vetmuar, me lehtësinë e matur e prapë thuajse pindarike të bredhjes me lehtësi në hapësira jo shqiptare, ka brilancën e Dr. Gjilpërës të Faik Konicës dhe ri me dinjitet estetik në shoqëninë e tij ngaqë konstruktohet si një eksplorim elegant i mardhënieve të pashpjegueshme të dashurisë dhe fatit, domosdoshmerisë dhe rastësisë, debulesës dhe vdekjes, tëhuajzimit, shpresës dhe solidaritet njerëzor.

Please follow and like us: