Mihal Gjergji: MËSUESIT, SIMBOLI I LARTËSISË SË NJË KOMBI
(Një çast heshtjeje dhe nderimi)
“Sa herë na mbledh zilja në rresht/ Çdo një shtator, çdo mot/ Oh, lermëni një çast të hesht/ Për ty që nuk vjen dot”! Një jetë njerëzore u pre në mes. Poeti ndjeu dhimbje, e dhimbjen e bëri të këndojë. Para shumë vitesh, një mësues vritet pabesisht në veriun e Shqipërisë, në afërsi të Oroshit. U lënduan bashkëmoshatarët, edhe fëmijët, edhe nënat, për 20 vjeçarin e ardhur nga trevat jugëlindore, e që përhapte dritën e diturisë mes atyre vogëlushëve, të cilët jetonin nën hijen e maleve dhe peshën e Kanunit të Lek Dukagjinit. Mësuesit i vret padituria e turmave, indinferenca e shtetit dhe mosmirënjohja qytetare. Vazhdojmë të jemi në kohën e kaçakëve, me atë sjellje, duke kërkuar sigurinë te grupimet dhe forca e armëve. Fatkeqësisht! Në pragun e këtij viti shkollor, isha në vendlindje. Mjerimin e pashë dhe e preka. Atje s’mund të bëhet fjalë për arsimin, madje po të guxosh, të quajnë të marrë. Mirëpo ajo është gërmadha ime, edhe juaja. Shkretimi mund të kishte çdo emër, por jo atë të Kurveleshit. S’janë rrënuar vetëm muret e shkollave, ato bëhen përsëri. Janë shembur edhe muret e kujtesës. Pikërisht për të shpëtuar këtë të fundit nga vdekja, ju drejtohem juve, jo për të më ngushulluar, po për të qëndruar të heshtur disa çaste, në nderim të atyre misionarëve që mungojnë, për të kujtuar edhe ata që enden të pashpresë, dikush pensionist e dikush i braktisur (s’guxoj t’i quaj të vdekur e të pakallur!). Ata janë shumë, por do ndalem te disa prej tyre. Ju e njihni shumë pak Bilal Rukinë, i shkolluar në Janinë dhe Stamboll. Një atdhetar mëndjendritur. E gjejmë në Kongresin e Manastirit, e shikojmë krah Çerçiz Topullit, mban gjallë lidhjet me shqiptarët e Bukureshtit, të cilët dërgojnë abetaret, ushqen idenë e hapjes së shkollave mes kryengritësve të krahinës, dhe e realizon atë. Emëri i tij s’është shkruar në asnjë hyrje shkolle, rruge apo muzeumi. Askund. E dini! Në nëntorin e vitit 1912, e vranë me plumba dhe gjakosën me thika andartët grekë, bandat e Spiro Milos. E hodhën atje, në fushën e Vanovës, në Pilur. Vrasësit fërkonin duart nga gëzimi. Mundën të shuanin një pishtar që ndriçonte terrin e natës. Mungon Magrip Bana, i cili s’kurseu as dijen, as pronën për fëmijët e Gusmarit. Edhe Çobo Mërkuri, mësuesi i rreshtave partizane, dëshmori i luftës. Emëri i tij ka mbetur i varur sipër një porte të ngrënë te shkolla e fshatit, si të tregonte hyrjen e një bujtine për kalimtarët. Klasat dhe koridoret e rrënuara i ka marrë malli të dëgjojnë hapat e drojtur të vogëlushëve. Dhe të mësuesve. Ato mungojnë. Shuko Dalipi, është emëri që mban shkolla e Nivicës. Nëse nxënësit e braktisin këtë tempull, të njëjtin fat do ketë edhe ai. Kjo heshtje është uniformiteti që i vishet edhe Asim Zenelit në Progonat apo Sinan Tare Kërpit në Lekdush, i cili hapi shkollën shqipe në këtë fshat në vitin 1917 (Muharrem Mullai në vitin 1907 hapi në fshatin e tij-Lekdush, një shkollë, edhe pse në gjuhën turke). Në qëndër të Tepelenës, në ngjitje apo në zbritje të lartësive të Kurveleshit, shtatorja e Sali Nivicës të detyron të ndalesh. Ai sikur të thotë: Unë kam qënë këtu, dhe po këtu do të jem. Ndërsa ju largoheni nga ky vend, si nga një epidemi, ikni për tu kthyer sërish në kohën e moskurrit. Saliu, “ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujte me e bremun kërkund”. Ja, kështu e cilëson Gjergj Fishta këtë kurveleshas të mendimit dhe veprimit atdhetar. Tashmë, edhe strategjitë e luftës ndaj kombeve kanë ndryshuar. Nëse një komb goditet pikërisht te simbolet, e kryesisht te sistemi arsimor, nëse i venitet ai deri në zhbërje, kombi është i destinuar të vdesë.(Sa lumenj gjaku janë derdhur për këto shkolla dhe sa florinj janë paguar për fermanët e sulltanëve!). Asgjë s’kemi të ndarë, as fatet. Kurveleshasit gjëndeshin në mbrojtje të shqiptarëve në Plavë e Guci, në Manastir e Janinë, në barikadat e Vlorës dhe në qëndresën e Çamërisë. Por, le të afrohemi në kohë. Bashkëmoshatarët e mi, pavarësisht se u kanë dhënë mësim apo jo, kujtojnë me nderim Hulusi Runën, Iljaz Xhebron, Zaçe Veshin, e të tjerë që mungojnë. E kam të vështirë të kujtoj emërat e disa mësuesve të Gusmarit. Edhe dy që më vjinë në mendje (Banush Bana dhe Perikli Gjergji) do përfundonin si viktima të pozitës gjeografike. Kjo është shprehja e njërit prej tyre dhe ka patur të drejtë. Të tjerët, jo rrallë ishin me kombësi greke dhe vinin nga Dropulli. E pikërisht ata jepnin gjuhën shqipe(!). Më vonë, ata, të cilët kanë ndihmuar fëmijët tanë për arsimimin e tyre janë niviciotët. Çuditem se përse ka ndodhur kështu, sikur Gusmarit t’i kishin mbaruar djemtë apo vajzat! Shumë të vërteta i kanë marrë me vete ata që kanë ikur. Në këto çaste meditimi kërkoja të ndalesha diku. Në një sprovë timen për mësuesit e kësaj krahine, po veçoj disa rreshta për njërin prej tyre, një model edukatori. Titullin e lartë “Mësues” s’mund t’ia heqë askush atij që e ka merituar. Zgjedhja ime është edhe juaja, dua ta besoj këtë. Eshtë Halo Malaj. Do dëshiroja që ky mbiemër të ishte yni, brenda Qafës së Kalibaqit, por, ne kemi tonin mbiemërin “Fusha”, jo pse na mungojnë lartësitë. Unë e njoh më shumë si poet popullor dhe e vlerësoj për krijimtarinë, të tjerë si mësues matematike, valltarët e njohin si autorin e teksteve të valleve e këngëve, që interpretoheshin në skenat e festivalit në Gjirokastër. Të tjerë e njohin si prind, më vone edhe unë. Dhe pasqyra e vlerave të familjes janë fëmijët. Fisnikëria e nënës flet tek edukata, karakteri i babait manifesteohet te sjellja, inteligjenca trashëgohet gjenetikisht. Një familje model mund ta ndërtojnë vetëm dy prindër të tillë. Ai e ka realizuar atë. Dhe cili ka qënë çelësi i suksesit? Vetëm dashuria. Poetët s’dinë të urrejnë. Dashuria e kthen kundërshtarin në mikun tënd, ndërsa mikun e bën vëlla. Te dashuria e prindit fëmija shikon dorën dhe praninë e Perëndësë, dhe i jep adhurimin. Sepse edhe Zoti, fjalët nuk ua dëgjon nëse vetë ai s’i shqipton ato përmes buzëve tuaja. Halua dhe Merushja, të dy mësues. Nëna dhe mësuesi, simbolet e lartësisë së një kombi janë bashkuar. Pastaj tre fëmijët e tyre, si të krijojnë trinitetin: Stili, Najada dhe Olti. Stiliani (te kumbimi i emërit është edhe Noli me shqiptarizmën e tij) me një ambicje morale për të ecur përpara dhe formim të plotë qytetar. Herë gjëndet na krah të biznesmenëve të suksesshem shqiptarë të Kosovës, herë në krah të kongresmenëve që lobojnë për vendin tonë, e pastaj krah miseve amerikane. Edhe ashpërsia shqiptare ka bukurinë e saj. Dhe bukuria qëndron krah bukurisë. Ndërsa inxhinjerja e talentuar e elektronikës, Najada, ka mundur të ngjit lartësitë, falë shëndetit kulturor dhe profesionalizmit. Pastaj Olti. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në shkencat ekonomike. Shikoja fotografinë e tij me atë kapelen e zezë (standartet ceremoniale) dhe mendova “Divanet” shqiptare ku mblidhen gjyqtarë e prokurorë dhe bëhet drejtësi. U shkunda nga dremitja kur kujtova që jeton në vendin e lirive, në qëndër të metropolit amerikan. Atë që komunizmi ia mohoi gjyshit të tyre, Bexhetit (i shkolluar në Austri për shkencat juridike dhe i punësuar në Amerikë, por kthehet me kurveleshas të tjerë për të mbrojtur trojet nga pushtuesit), Zoti ua ktheu nipërve dhe mbesave. Sepse Zoti mban shënim, besomëni mua. Një urim të veçantë për këta qytetarë të nderuar. Një urim të zgjedhur për gjithë mësuesit tanë. Shumë suksese për fëmijët që mbushin klasat dhe auditorët!