Ina Kosturi promovoi librin ’31 Capriccio artistike”
Në mjediset e Universitetit te Arteve, Salla “Cesk Zadeja”, mes miqsh, pegagogë dhe studentë, u promovua sot libri i Ina Kosturit i titulluar ’31 capriccio artistike”, një përmbledhje artikujsh të shkruar ndër vite. Autoja tha se midis violinës dhe letërsisë, pervec te vecantave, ka një lidhje të brendshme. Pavarësisht se e para operon me tinguj dhe e dyta me fjalën, të dyja kanë magjinë e tyre që të ballafaqojnë me publikun brenda dhe jashtë auditoreve. Më poshtë gjeni parathënien e librit të violinistes Ina Kosturi.
Ina Kosturi: 31 capriccio artistike
Irenës që më bekon nga lart
Ideja e botimit të një libri të ri kish shtresuar prej muajsh në mendje… Të renditur ashtu njeri pas tjetrit, botuar kohë më parë e të sapo shkruar, artikuj shfaqin përmbledhjen e asaj që shpesh themi se mungon. Kritika muzikore e përtej asaj artistike, ardhur me personazhe shqiptare e botërore, portrete artistësh, individësh e aktivitete të suksesshme, probleme të artit e politikave kulturore e deri në mbresa ekspozitash pikture që ngatërrohen bashkë, shëtit si paradë.
Në ecjen e saj si personazh kryesor, muzika përqafohet herë me letërsinë e herë me pikturën, si dëshmitare e këtij gërshetimi artesh, me ngjashmëritë e të veçantat, në panoramën tërësisht artistike.
Kësaj tabloje të shkrimeve, në paradën e artit i bashkohen edhe dy elementë. Është drita, ajo pasuri kombëtare që shoqëron jetën shqiptare, “dielli i krijuar”, rëndësinë e të cilit e ndjejmë si asnjëherë në kohë të vështira krizash.
Bashkë me dritën shqiptare vjen edhe gjuha, në një histori të vjetër, ky thesar që na identifikon si komb. Zbulimi i afishes së koncertit të parë recital violinistik, harruar për dekada përbën një tjetër moment reflektimi për të shkuarën dhe të sotmen.
Papritmas, ashtu të renditura në vazhdimësinë e numrave, shkrimet më ngjajnë me partet e capriccio-ve për violinë, me pentagramet plot nota në çelësin e solit, zbukuruar me lloj-lloj trillesh, ornamentesh, akordesh, në tingëllime që i bëjnë unike këto krijime. Ngjasojnë për faktin e të quajturit solo, se zëri i violinës edhe pse bashkuar me zëra të tjerë përftuar nga teknika e lartë, vjen nga një violinë e vetme. Moria e personazheve në shkrime, emrat e artistëve, ngjarjet, datat, veprat ngjasojnë me notat e pafund të capriccio-ve, ndërsa vështirësia e shkrimit në një mjedis muzikor shqiptar, i bën kaq të afërt e kaq të ngjashëm me vështirësitë e interpretimit të tyre, me pasazhet, teknikën, linjat muzikore, akordet.
Teksa gërmon të zbulosh të përbashkëtat midis shkrimeve dhe caprioccio-ve, në këtë krahasim ardhur natyrshëm, titulli i libri tashmë është vendosur.
Vështirësia tejet e lartë e caprioccio-ve është motivuese për ta bërë violinistin të ndjehet krenar, i suksesshëm dhe njëkohësisht para sfidës së interpretimit. Artikujt të shfaqin në një tjetër skenë, tejet të madhe, që shtrihet përtej teatrove, në një skenë pa kuinta, drita, me spektatorë të paduksëhm që diuartrokasin veçmas e jehona e duartrokitjeve të vjen nga shumë larg, në gjuhë universale e të dashur të shkrimit.
Fjala i bën shkrimet kritike të kuptueshme gjithsesi, ndërsa ideja se ashtu si capriccio-ve që u rikthehesh vazhdimisht për t’i studiuar, shpreson që shkrimet ta humbasin rëndësinë e kohë kur janë shkruar e të ruajnë vlerën e dukurive, debateve, risive, e sigurisht të personazheve. Midis capriccio-ve muzikore ka plot pasazhe të vështira, që duhet t’i studiosh gjatë, e ndoshta do doje mos ishin kaq të komplikuara. Në shkrime ka plot të tilla, personazhe, individë, institucione e ngjarje reale që gjenden në partin e capriccio-ve letrare pa dëshirën tënde, pa dashur të jenë pjesë e librit. Janë pjesë e realitetit që profesionalizmi kërkon të jenë aty. Kur i bindesh profesionalizmit, vetëm atëhere ke mundur t’i interpretosh mirë capriccio-t letrare. E nëse notat, pasazhet studiohen, ndonëse të vështira, në capriccio-t artistike ky numër personazhesh është pjesa më delikate, po dhe rruga më e drejtë për të treguar se shkrimet janë përtej ndjesive, dëshirave, interesave.
Vjeshta tashmë ka pushtuar Tiranën me ngjyrat e saj, nga kujtesa një stinë e largët risjell artikullin e parë, atë mëngjes të fiksuar si të veçantë, kur zëri i spikerit kish lexuar mes titujve të faqeve të para shkrimin tënd, derisa ky ritual do përsëritej ndër vite…
Atë mëngjes të largët kuptoje magjinë e fjalës, fuqinë e jashtëzakonshme, mënyrën si shpërndahej anembanë gjeografikisht. Ish vështirë të shkruaje fort për gjithçka ndodh në art e të nesërmen të ngjiteshe në skenë, aty ku profesioni i ëmbël i violinistes kontraston me forcën e shkrimeve. Diku një zë do thoshte fort se askush nuk shkruan kritikë muzikore… Ti ke partin e gjithë capriccio-ve artistike, të vështira për t’u shkruar e interpretuar në klimën e komunitetit muzikor, si pjesa më e komplikuar e artistëve shqiptarë.
Tiranë, 1 tetor 2022.