Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Kadare rrëfen misterin e letërsisë

Takimet me Ismailin kanë qenë përgjithësisht të gëzuara… pasi në bisedat me të shpalosej një humor fin, inteligjent, plot detaje, thashetheme dhe trille djallëzore. Takimet me Ismailin më kanë mësuar ta shikoj jetën si një trill.

Ishte një mesditë nëntori. Kadareja i kthyer përfundimisht nga Parisi, muajve të dimrit  jetonte në Tiranë dhe muajve të verës, në vilën e tij buzë detit, në Qerret, Golem…

U takuam së fundi në bar-restorant “Juvenilja”. Përshtypja e parë, m’u duk i lodhur, i ngathët dhe indiferent, po të marrim një shembull heroi, si Odisea i kthyer në Itakë, pas 20 vjetë luftra dhe udhëtime të gjata, plot peripeci. I shkëlqyen sytë poshtë syzeve kur më pa.

Pas shtrëngimit të duarve nxorra nga xhepi i xhaketës dhe i dhurova librin tim të fundit “Fshehtësitë”. Nisi ta vërejë me kureshtje duke më falënderuar përzemërsisht. Ismaili është nga të rrallët që, e vlerëson librin si një dhuratë të çmuar duke e shfletuar qysh në çastin e parë.

Siç ndodh në raste të tilla, të një mungese të gjatë midis miqsh, nisa të risjell në mend një histori gazmore, të cilën pasi e dëgjoi me vëmendje sikur ta dëgjonte për herë të parë dhe në fund qeshi nën buzë. Dikur e lozte  bukur me harresën. por, në atë çast mendova që harresa kishte nisur të lozte me të.

I futur brenda  xhakoventës kaki,  me shallin ngjeshur për gryke dukej si ai ushtari plak i kthyer nga betejat e mëdha, sikur shikonte dhe dëgjonte nga një distancë kohore e largët.

Por të ndryshuar bisedë e pyeta nëse  e kishte marrë vesh që Nashua kishte vdekur. Nasho Jorgaqi ka qenë një mik i veçantë i kohës së rinisë, në rini. Sipas Nashos ai kishte jetuar dy vjet në banesën e tij. E dija dhe që me Jorgaqin kishte pasur një përplasje në largësi, pas botimit të romanit “Mjegullat e Tiranës”.

-E di, tha pa u interesuar për më shumë rreth vdekjes së tij, e cila kishte nisur dy-tre vjet më parë për shkak të humbjes progresive të kujtesës.

-Po për Agim Shehun?

-Jo tha. Pse? Ka vdekur?

Poeti Agim Shehu ka qenë miku i tij i hershëm. Në ato çaste mendova se njerëzit e lodhur nga jeta, i presin vdekjet qetësisht, madje dhe vdekjen e vet.

Botuesi i tij, Bujar Hudhri i ndodhur në çdo kohë krah tij, ndërroi bisedë duke na kujtuar një mikun tonë i cili kohët e fundit kishte lënë mjekër.

-Po ti, Ismail, ndërhyra unë, – si shkrimtar i madh që je, pse nuk lë mjekër?…

Qeshi përzemërsisht.

-Dritëroi, ndërhyri miku i tij i përhershëm, Çerçiz Loloçi… i mbante flokët e gjata…

Nisi një bisedë me shëmbuj personazh të njohur si, Marksi, Hygoi, Tolstoi, Çehovi, etj, që mbanin mjekër.

Bisedat tona nuk zgjatën shumë, papritur na u shfaq pas shpine një grumbuj nxënësish të shkolllës private “Turgut Ozal”. shoqëruar nga mësuesja e tyre e letërsisë. Djem dhe vajza të edukuar, u sistemuan në formë gjysmw rrethore, përballë shkrimtarit dhe me atë kureshtjen rinore, të ndrojtur dhe zë ulët nisën t’i bënin pyetjet e përgatitura në konsulencë me mësuesen e letërsisë e cila u ul pranë meje.

Pyetjes së pare “Si keni nisur të shkruani”, një pyetje stereotipe që u bëhet shpesh shkrimtarëve në takime të tilla, Ismaili u përgjigj zëulët dhe shkurt.

Libri im i parë, ka qenë kopjimi me dorë në një fletore i tragjedisë ‘Hamlet’ të Shekspirit. E kam thënë dhe herë të tjera, Shekspiri më ka çuditur me personazhet e tij. Në kohën tonë, nuk kishin televizorë, e kompjutera, madje nuk kishim as radio, as libra, Ky libër “Hamleti”,  i lexuar në moshën që jeni ju ndezi fantazinë time.

Një vajzë e imët e pyeti jo pa ndrojtje nëse një shkrimtar i mirë duhet të jetë dhe  një njohës i mirë i jetës?

-Njohja e jetës, ashtu si e mendoni ju është një ngatërresë e madhe për shkrimtarin, – tha ai… Kjo pyetje nisi ta gjallërojë.

– Shkrimtarit nuk i duhet njohja e jetës. Shkrimtari e ka në kokë atë që do të shkruaj. Letërsia është një enigmë e madhe…- Këtu e zgjati zërin sikur të ishte fjala për të treguar një përrallë të madhe. – Nuk di si mund  t’jua shpjegoj më thjesht këtë gjë… Ju them vetëm kaq: krijimi është një mister. Një mister i madh… Ndërsa shkrimtari… çfarë është një shkrimtar do të pyes ndonjëri  nga ju. Shkrimtari…  u mendua pak. -Shkrimtari është një njeri djallëzor.

Vura re që nga kjo përgjigje të rinjtë nuk kuptuan asgjë, për më tepër u hutuan paksa. Në fakt në atë çast ai po thoshte një kuintesencë të nxjerrë nga eksperienca e vet. Letërsia është vertet një mister i madh. Ndërsa përcaktimi tjetër, i shkrimtarit si një njeri “djallëzor”, mund të mirrej si një shaka Ismailjane.

Çfarë ndjen një shkrimtar kur shkruan?

-Këtë pyetje nuk e kuptoj, tha ai. Ju kujtua koha kur ishte student në Moskë. – -Kam pasur një kohë që  unë nuk doja të isha poet. Isha mërzitur nga emërtimi që më behej si i tillë… Dhe kjo më erdhi kur shihja rreth meje disa poetë të cilët shkruanin poezi dashurie për t’u pëlqyer femrave të bukura moskovite…

-Para se të vinim tek ju, ishim te shtpia studio ‘Kadare’, tha një nxënëse… Atje na thanë që ju shkruani gjithmonë mëngjeseve. Pse ndodh kjo?

Kjo pyetje u shoqërua me një buzeqeshje.

¬Ia ka futur kot, iu përgjigj prerazi.

Unë qëdroja në krah të tij, duke medituar. Pranë meje kisha një Ismail aristokrat, që fliste pak, shkurt dhe prerë… Nxënësit e shikomin me admirim, disa prej tyre mbanin shënime. Përballë tyre kishin shkrimtarin e dhjetra romaneve, tregimeve, poezive dhe studimeve publicistike.

Në fund të pyetjeve drejtori i shkollës “Turgut Ozal” i afroi një dhuratë modeste të cilën e hapi me kujdes. Ishte një pjatancë porcelani, brenda të cilës ishte  shkruar me gërma dore emri “Ismail Kadare”, rrethuar me hieroglife arabe.

Takimi u mbyll me ritualin e zakonshëm: përjetimin në në celuloidën e celularëve të atij takimi i cili do t’u mbetej gjatë në kujtesë… Ata kishin parë shkrimtarin e madh. M’u kujtuan ditët tona, kur kështu të mbledhur dilnim në fotografi, pranë lapidarëve. U ndamë me dëshirën për t’u takuar përsëri duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë.

Pas atij takimi të shkurtër, e vetmja gjë që më mbeti në mend, ishte  përgjigja që dha për njohjen e jetës e cila kishte lidhje me kujtimet tona.

Atëherë çfarë ishte gjithë ai tension i shtetit që kaloi dhe gjithë ai preokupim për të njohur jetën, kur jeta mund të fantazahet? Ku shkuan vitet më të bukura në qytetin e Beratit, ku shkuan udhëtimet, bisedat, ngjarjet e personat që kemi njohur e çnjohur në këtë jetë?  Në fakt si kujtimet tona ashtu dhe fantazia jonë përputhen në një pike, ato janë pjesë e një laboratori të çuditshëm i cili gjendet brenda nesh.

Ndodh që personazhet letrarë të jenë me të gjallë dhe më të besueshëm se ata që kemi ndeshur në jetë. Kush e ka njohur Plakën Nicë, personazh i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

Nicën e njohim nga romani i Kadaresë… Po Akilin, Helenën e bukur, Odisenë, Penelopën… kush i ka njohur? A ishte ‘Hamleti’ i Shekspirit, ai i cili qysh në fëmini i ndezi fantazinë Kadaresë?

Please follow and like us: