Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: AMERIKANI

Fragment romani
Berberi i burgut ia qethi kokën zero. Gardiani e urdhëroi të hiqte xhaketën e re, stof me kuadrate dhe në vend të saj i hodhi krahëve një kapotë të vjetër ushtarake në ngjyrë të papërcaktuar, zhgun, zhul e vjetrim.
E nxorën jashtë në shesh ku ishin të rreshtuar të burgosurit e tjerë. Pas pak ra njē çangë shurdhuese dhe pas saj fërshëlleu një bilbil shefi. Tē burgosurit u nisën në punë.
Vargan.
Ecnin njeri pas tjetrit.
Kokulur.
Në të dyja anët, para e mbrapa shoqëronin policët kujdestarë me automatikët në krahë. Vendmbërritja ishte një orë larg. Ecnin në tokë të nginjur me serë, vajra, naftë e ujëra të qelbura që e kishin ngjyer keqas sipërfaqen duke zhuritur barin e bimësinë.
Diku-diku, shfaqeshin gropëza, diku syprina të tokës që bënte guf-guf. Andej dilnin gazra të zeza, zjarr dhe derdhej lëng i tejnxehur.
Pjesa më e vështirë ishte ngjitja përpjetë në kodër. Vendi ishte mbushur me atë gurin gri në të kaftë, gjithë të çara e vrima përsipër, vende-vende i thërrmuar sikur të qenkësh spërkatur me gaz. Në rrëpira të thella, si të ndukura e të shqyera nga shakullimat dhe erërat, kishin mbirë ca pemë të ngjeshura maresh të kuqe që i jepnin tablosë ngjyrat e thella të përgjakjes. Era e rëndë që nuk linte të rritej as idhnakun, atë bimë të trishtuar rrafsh me tokën, nuk ia kishte dalë të frenonte rritjen e bimësisë tjetër, gjembaçe të gomarit, xana, shkurrishte, ferrat gjithfarëlloj, driza e gorrica të egra, të shkurtra e shtrembaluqe për dreq, që kishin mbushur kodrat e ulëta të vendosura si në rresht njëra pas tjetrës.
Ja, mu aty do të mbërrinin. Do të pastronin e bënin dyst të gjithë sipërfaqen e kodrës, si koka e qethur zero e të burgosurit të ri…
Please follow and like us: