Albspirit

Media/News/Publishing

Për kinse mbarëkombëtarët, ndërkombëtarët, planetarët

Çerçiz Loloçi 

 

Në vitet nëntëdhjetë, krahas shumë dukurive, spikaste edhe një mani e disa profesorëve që shpalleshin ndër 100 më të shquarit e shekullit të njëzet, ndër 80-ët më të mirë të Europës, ndër të pesëdhjetët e Euroazisë, ndër të 40-t e kontinentit amerikan, etj.

Certifikatmbajtësit nuk ngurronin që këto trofe t’i përfshinin në CV-të e tyre, t’i përmendnin në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare, t’i vendosnin në kornizë në sallone shtëpish e korridore, madje disa edhe t’i mbanin si medalione poshtë pardesyve apo veshjeve të dimrit.

Një hulumtim i shpejtë mediatik nxorri në pah se pjesa më e madhe e përfituesve kishte paguar një shumë të caktuar dollarësh dhe kishte bërë për vete certifikatën; pas kësaj sikur ra disi vrulli i marrjeve dhe i reklamimit vend e pavend.

Natyrisht edhe Shqipëria nën diktaturë kishte shkencëtarët e vet po për shkak të kufizimeve dhe sidomos të mosballafaqimit me shkencën rajonale, europiane dhe më gjerë e kishin të pamundur të kalonin në filtrin e redaksive apo të revistave prestigjioze dhe akoma më të pamundur renditjen e tyre.

Por mania nuk ishte vetëm e “profesorëve’, ajo kapi të gjitha shtresat e shoqërisë të dalë nga një izolim i gjatë. Shpejt ia buisën shoqatat mbarëkombëtare, me mashtrues të gjithfarllojshëm që tejkalonin edhe lajthitjet e konspiracionistëve: shoqata e kooperativistëve, e qymyrxhinjve, e poetëve, e hidraulikëve, e piktorëve, e aktorëve, e ushtarakëve, e femrave me të njëjtin burrë dhe të njëjtat organizime (pa asnjë anëtar dhe pa asnjë impakt) me të njëjtët kryetarë u shndërruan në ndërkombëtare.

Kohë më parë ishte disi e vështirë për të mësuar mashtrimin, ndërsa në kohët e sotme, falë teknologjisë gjithë botën e ke si në pëllëmbë të dorës, mjafton një kërkim i shpejtë dhe e kupton fare lehtë.

Kështu e zbulova shoqatën e poetëve botërorë, krijuar nga një mashtrues në një fshat rumun (shpresoj që nuk do jetë me origjinë shqiptare), i cili shpërndante mijëra certifikata, përfshi edhe vargëzuesve të viseve tona. Po kjo nuk është e vetmja, të tjera shoqata nga skuta akoma më të largëta bëjnë të njëjtën gjë, pa harruar dhe letrorët tanë.

Në letërsi ka një kryeçmim si ai i Nobelit, që jepet çdo vit (përjashto kur plasin skandalet në Akademinë e Suedisë), ka një çmim tjetër Servantes, Princi Asturias, Çmimi Bokaçio, Çmimi Herder, Çmimi Ovidi, Çmimi Man Booker, Çmimi Jeruzalem, Çmimi Park Kyong-ni, Çmimi Neustadt dhe disa të tjerë që njihen gjerësisht, kanë periodicitetin e tyre dhe synojnë të vlerësojnë shkrimtarët që bëjnë diferencën.

Po kështu edhe në muzikë, artistët më të spikatur kanë kalendarin e tyre publik, të reklamuar nga institucione prestigjioze dhe nga vetë protagonistët; njëjtë edhe në fushën e pikturës, të teatrit e kinematografisë.

Edhe në fushën e shkencës, të rinj dhe të reja shqiptare janë sot në universitete dhe institucione të njohura botërisht, çka lë mënjanë pretenduesit  dhe zhurmuesit e tjerë që, për fat të keq, janë ende të pranishëm në mjediset tona.

 

Please follow and like us: