Albspirit

Media/News/Publishing

Një shkrim i rrallë i Bedri Dedjes për historikun e Liceut Artistik “Jordan Misja“

Një shkrim i rrallë për historikun e Liceut Artistik “Jordan Misja“
“KUJTIME, PËRSHTYPJE, BISEDA
PËR LICEUN ARTISTIK “JORDAN MISJA“
shkruar nga BEDRI DEDJA në vitin 1960, me rastin e 15-vjetorit të themelimit të tij.
(me një intervistë të Ludovik Naraçit, Abdurrahim Buzës, Sadik Kacelit )
Unë po i nis këto shënime me një përshtypje timen, duke thënë disa fjalë për artdashësin kryeqytetas. Mendoj se nuk ka rëndësi të them doemos se cili është ky artdashës. Le të jetë kushdo, qoftë edhe i panjohur për mua…
Ky mik i panjohur kryeqytetas, për të cilin unë u kujtova kur nisa të shkruaj këto rradhë, është ulur në një poltronë të Teatrit të Operas dhe Baletit, ose në sallën e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve; ndoshta mund të jetë duke ndjekur një shfaqje në Teatrin Popullor apo në Estradën e Shtetit. Unë mendoj për mikun e panjohur artdashës, i cili i ka ngulitur sytë në skenë dhe po dëgjon ekzekutimin muzikor apo interpretimin teatral me një vëmëndje aq të madhe, sa të krijohet përshtypja se përveç vështrimit dhe dëgjimit, trupit të tij nuk i ka mbetur asgjë që lëviz dhe se vëmëndja e ka ngurosur në vend. Mendoj në këto çaste edhe për artistin e skenës, i cili vështirë të jetë Rihteri, Ojstrahu, Kliberni apo Tarle , të cilët të magjepsin kaq shumë me artin e tyre…
Fantazia më çoi shumë larg… Në skenë, një fëmijë dhjetë vjeçar ekzekuton në violinë një pjesë nga Janshinovi . Interpretimi dhe aftësitë e tij muzikore nuk mund të them se janë gjeniale, por as edhe të zakonshme. Tek ky fëmijë nuk shoh vetëm shkathtësi dhe shprehi të përdorimit të instrumentit, të cilat ai i ka fituar nën presionin “e rreptë“ të dëshirës së prindërve të tij dhe mundësive që i kanë krijuar “për ta bërë patjetër muzikant“. Jo, shoh aftësi të vërteta, themelet e talentit të ardhshëm. Ky fëmijë të emocionon me lojën e vet në violinë, me sigurinë dhe gjakftohtësinë naive, me guximin jo të vogël, po të marrim parasysh se ekzekuton para qindra spektatorëve, që kanë përvojë të madhe sensi kritik.
Kjo, por edhe diçka tjetër përveç kësaj, janë arsyet që e deyrojnë mikun tim artdashës ta dëgjojë artistin e vogël si i ngurosur në vend.
E kush është ky fëmijë? Një gjysmë jetim. I biri i ndonjë fshatari apo punëtori, i cili gjer gjashtëmbëdhjetë vjet më parë nuk e ka njohur as emrin e instrumentit të tij. E vërteta është se në familjen e tij, jo vetëm ka ndodhur një revolucion në miniature, por është rrëzuar edhe ligji i fatalitetit të trashëgimisë.
Ja pse artisti i vogël i skenës, sot nuk e kërrus kurrizin nën peshën e një barre të rëndë, si dikur babai i tij, por mëson violinë në një nga shkollat më të mira të kryeqytetit, në Liceun Artistik “Jordan Misja“.
Jeta e nxënësve të këtij liceu, si ajo e nxënësve të tjerë të çdo shkolle, është shumë e ngjashme me një libër të madh, me plot faqe të tilla biografike, të cilat është e pamundur t’i lexosh pa emocion.
Drejtori tregon
Në Liceun artistik bisedova në fillim me drejtorin, Rexhep Kadzadej. Ai punon në këtë detyrë që në vitin 1953. Është një njeri me shumë vullnet, i papërtuar dhe pedagog dhe drejtues me takt. Shkolla që drejton ai është shumë e rrallë përsa i përket natyrës dhe brëndësisë, jo vetëm tek ne, por edhe në vënde të tjera. Liceu artistik, po të shpreheshim me saktësi, është një grupim shkollash artistike të profileve të ndryshme.
E sigurisht, puna e drejtimit të kësaj shkolle është shumë e vështirë. Jo më kot, në lice dëgjohen tek-tuk zëra të arsyeshëm dhe jo indiferentë, të cilët thonë se drejtorit nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të sjellë edhe krevatin e vet në shkollë… Dhe me të vërtetë, shkolla kërkon shumë punë. Për këtë flasin faktet. Kur drejtori i tregon këto fakte dhe ti i dëgjon, bindesh lehtë, se ato nuk kanë më pak bukuri e ëmbëlsi, se sa vetë tingujt muzikorë…
Liceu Artistik “Jordan Misja“ u hap në dhjetorin e vitit 1946. Ky qe i pari institucion pedagogjik artistik në vendin tonë, me degë të kulturës së përgjithshme, të muzikës, të arteve figurative dhe artit dramatik. Në fillim shkolla kishte vetëm 28 nxënës. Në vitin 1956, numri i nxënësve u shtua në më shumë se dhjetë herë dhe arriti në 300. Tashmë, ky numër është gati tetëmbëdhjetë herë më i madh se më 1946 dhe gati dy herë më i madh se më 1956. Krahas profileve të lartpërmendura, është i katërti vit që funksionon edhe dega e kulturës me nxënës të ardhur nga fshati, e cila përgatit drejtues për shtëpi kulture, kuadro që po e çojnë dhe do ta çojnë pishtarin e dritës edhe në skutat më të largëta të atdheut.
Liceu Artistik “Jordan Misja“ ka 90 pedagogë, nga të cilët, një pjesë udhëtojnë në formë komisionesh nëpër rrugët më të largëta të vendit, nga Saranda e gjer në Tropojë, për t’i kërkuar me kujdes talentet e popullit që në burim, atje ku ujët është i pastër e i kulluar. Nga duart e këtyre pedagogëve kanë dalë shumë nxënës, të cilët kanë filluar të krijojnë emër në kulturën dhe artin tonë, si p.sh. Pjetër Gaci, Vilson Kilica, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Jorgjia Velo, Zihni Berati, Rifat Teqja, Ismail Hoxha, Kristaq Dhamo, Genc Bogdo e shumë të tjerë.
Sot, liceu artistik nuk është më e vetmja shkollë e këtij tipi. Sot është hapur një faqe e re në historinë e artit tonë dhe në historinë e shkollës së lartë: një faqe e tillë, të cilën nuk mundi ta parashikojë, jo vetëm imagjinata e rilindasve tanë, por edhe ajo e artëdashësve tanë që jetuan deri në vitin 1944. Sot kemi Institutin e Lartë teatral “A. Moisiu“, Institutin e Lartë të Arteve Figurative dhe një shkollë gjysmë të lartë për kanto, solfezh etj. pranë Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në Liceun Artistik “Jordan Misja“, ashtu si edhe në shkollat e tjera të këtij tipi, pedagogët punojnë me pasion dhe kanë një dëshirë: që nxënësit e tyre të dalin sa më të mirë, sa më të denjë, sa më të përgatitur nga ana profesionale, sa më të thjeshtë e të sjellshëm, që të kënaqin spektatorin e tyre nëpër skena, shtëpi kulture, në fshat e në qytet.
Nuk është çudi, që 15-vjetorin e themelimit të tij, liceu ta festojë në ndërtesën e re, të bukur dhe moderne, e cila do të ndërtohet në një nga rrugët më poetike të Tiranës, në rrugën e Elbasanit. Për këtë ndërtesë, shteti ka investuar rreth tridhjetë milionë lekë.
Talenti dhe arsyetimet rreth tij
Mbi këtë temë është diskutuar dhe mund të diskutohet shumë. E ky diskutim, pa dyshim, shpesh herë e ka preokupuar dhe e preokupon ende kolektivin e kësaj shkolle. Liceu artistik është një farkëtar talentesh të dala nga gjiri i popullit, prandaj për ta kryer me sukses misionin e tij bën shumë përpjekje.
Vizitori i jashtëm që vjen në liceun artistik, gëzohet kur sheh në praktikë se si janë thyer konceptet mbi talentin. Fëmijë që vinë nga familje të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, fëmijë nga qyteti, nga fshati, nxënës të disiplinuar, me violina apo violonçelë në duar, pianistë dhe flautistë, me kocka ende të njoma, tregojnë dhe vërtetojnë me punën e tyre zbatimin në jetë të idesë gjeniale, se populli është një burim i pashtershëm talentesh.
Pedagogët e Liceut Artistik “Jordan Misja“, një pjesë e madhe e të cilëve ka ardhur nga shkolla dhe akademi të ndryshme, të mbaruara në perëndim përpara çlirimit, kanë kuptuar tashmë se vështrimi i drejtuar në masën e popullit zbulon margaritarë të tillë talentesh në masë, të cilët dikur mund të kenë humbur, pasi muzika ishte monopol vetëm i fëmijëve të familjeve të pasura të qytetit.
“Talenti është i lindur!“ – dëgjojmë në më të shumtën e rasteve. Dhe ne i përgjigjemi, se ai nuk lind as në fshat dhe as në qytet, sepse nuk është si veshi apo hunda, të cilat fëmija i sjell me vete, sapo përshëndet botën me të qara, kur del nga barku i nënës. Talenti krijohet dhe edukohet në jetë në bazë të dispozitave, të cilat nuk ka mjek që t’mund t’i përcaktojë apo t’i kuptojë me një ose dy prova, qoftë edhe me ndihmën e aparateve, megjithëse dihet se aparate të tilla nuk ekzistojnë. Ja përse themi që zbulimi i dispozitave dhe aftësive, që janë bazë për zhvillimin e talentit në jetë, kërkon një punë të madhe, do durim, këmbëngulje dhe humanizëm.
Është e vërtetë se dikur, një fëmijë që vinte nga një familje e pasur dhe kishte instrument në shtëpi, mund të jepte më shpejt përshtypjen e një njeriu me aftësi, duke patur shprehi e shkathtësi të përdorimit të instrumentit, të cilin e kishte vazhdimisht pranë. Po shkathtësitë dhe shprehitë nuk janë talenti. Ato janë të domosdoshme për talentin, janë stofi i tij i bukur, shkëlqimi i tij i jashtëm, hijeshia e tij.
Duke u nisur nga këto arsyetime, unë do të dëshiroja t’u jepja kurajo kolegëve pedagogë të liceut artistik, të cilët japin vendimin e gjykatësit, kur pranojnë nxënësit e rinj, e veçanërisht nga rrethet e nga fshati. Ashtu siç kanë vepruar edhe më parë, të mos tremben asnjëherë e të mos hezitojnë kur talenti në embrion, i ardhur nga fshati, nuk e ka “kostumin“ e bukur, shkëlqimin dhe hijeshinë e jashtme, d.m.th. kur nuk ka shprehitë dhe shkathtësitë. Në fshatin e Tropojës apo Mallakastrës nuk ka ende piano, me të cilën mund të ushtroheshin shprehitë apo shkathtësitë.
Rreziku për të gabuar në këtë rast është plotësisht i mundshëm. Dhe kanë gabuar kështu edhe pedagogë të shquar. Shëmbull le të vlejë përpjekja e parë e piktorit të shquar Surikov për të hyrë në akademinë e arteve të bukura. Megjithëse aftësitë dhe talenti i Surikovit u shfaqën shpejt, atij i mungonin shkathtësitë dhe shprehitë e vizatimit. Pedagogët e akademisë nuk e kuptuan Surikovin. Inspektori i akademisë, pasi vështroi vizatimet e paraqitura prej tij, i tha: “Për këto vizatime, juve duhet t’u ndalojmë, madje edhe të kaloni pranë akademisë!“ Gabimi i këtyre pedagogëve u duk qartë më vonë; ata nuk ditën të dallojnë mungesën e shprehive dhe shkathtësive nga mungesa e talentit. Surikovit iu deshën tre muaj për t’i përvetësuar këto shprehi. Pas tre muajsh, po të njëjtët pedagogë u detyruan ta pranonin më në fund në akademi. Një histori e tillë mund të tregohet edhe për Xhiuzepe Verdin, të cilin nuk e pranuan në konservatorin e muzikës në Milano, që sot mban emrin e tij. E tillë ishte edhe historia e Arturo Toskaninit, njërit prej dirigjentëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, të cilit iu mbyllën dyert e teatrit La Scala, tek i cili u kthye që në moshën 31 vjeçare, si dirigjenti kryesor i orkestrës së tij.
Një koncept i tillë, ka filluar të rrënjoset prej kohësh tek pedagogët e liceut artistik. Dhe atje ka shëmbuj të mirë në këtë drejtim. Në këtë shkollë ka pedagogë vërtet të talentuar e me përvojë, si Karmen Nako, Ludovik Naraçi, Kristina Hoshi, Abdurrahim Buza, Sofokli Paparisto, Ramadan Sokoli, Ymer Skënderi, Sadik Kaceli, etj., të cilët punojnë me shumë durim me nxënësit e tyre, me zemër të hapur, pa kursyer njohuritë dhe përvojën, duke u krijuar me këmbëngulje fëmijëve shprehitë dhe shkathtësitë dhe duke i veshur talentet dhe aftësitë e tyre me “stofin e bukur“.
“Me ç’përshtypje jetoni këto ditë?“
Me këtë pyetje iu drejtova disa pedagogëve të vjetër të liceut artistik. Midis tyre ishte edhe pedagogu i vjetër dhe shumë i nderuar, LUDOVIK NARAÇI, i cili megjithëse po i afrohet të 60-tave e me një stazh prej tridhjetë vjet pune, vazhdon të punojë me pasion me nëntë nxënës të klasës së violinës. Ja disa shënime të bisedës sonë:
– Si e ndjeni veten fizikisht, profesor?
– Jo mirë.
– Mendoni të dilni në pension?
– Jo. Do të vazhdoj deri sa të jem në gjëndje… Sot nuk mund të rrish i qetë, kur sheh që i madh e i vogël i janë përveshur punës… Prandaj një gjë e tillë nuk më ka shkuar në mendje. Për mua do të ishte dhimbje e madhe të largohesha nga puna. Një njeri që është i lidhur sinqerisht me artin, ndjen po atë emocion e kënaqësi, sikur ekzekuton vetë para publikut të elektrizuar; ashtu edhe kur përgatit vetë artistë, të cilët në skenë realizojnë një ëndërr, si ajo ëndrra e parealizuar e mësuesit…Prandaj dhe jam i gëzuar që sot, tre nga ishnxënësit e mi i kam ndër konservatore: njërin në Pragë dhe dy në Azerbaixhan. Jam i lumtur që këta nxënës, siç më shkruajnë, janë pritur mirë nga pedagogët e atjeshëm.
– Kur i mbaruat studimet, profesor? Si rodhi jeta juaj më pas? Ç’ëndërr kishit në rini?
– Studimet i mbarova në vitin 1930. Qeshë nxënës i violinistit dhe virtuozit të shkëlqyer Jerosllav Kocjan dhe pedagogut të dëgjuar Otakar Shevçik . Veprat e këtij të fundit ribotohen vazhdimisht. Në Shqipëri u ktheva në vitin 1931. Ëndrra ime ishte të jepja koncerte. Kërkova, por kërkesa nuk m’u pranua. Kaloi një kohë e gjatë dhe dëshira shkoi… Kuptohet, se në ekzekutim nuk mund të lësh boshllëk, qoftë edhe për dy javë. Hyra mësues në gjimnaz më 1935… Pas çlirimit e kuptova nevojën e shtetit për të përgatitur kuadro. Pushtetit të sotëm i jam mirënjohës se më respektoi shumë, duke më thirrur menjëherë në punë. Madje shpesh është treguar i gatshëm për të më ardhur në ndihmë… Një diçka nuk do të më shkulet kurrë nga mendja: për mua nuk ka qënë një kënaqësi e madhe që ky pushtet, me gjithë hallet e mëdha që kishte në ditët e para plot erë baruti, fill pas çlirimit, mua më thirri për punë arti… Atëhere, në prill 1945, unë përgatita me dia element një koncert për delegatët e kongresit të dytë të rinisë. Koncerti u prit shumë mirë nga partizanët e posa-ardhur dhe tani çuditem: ç’kohë të vështira ishin e ç’mirëkuptim kishim ne, njerëzit e artit, me rininë…
– Cila është përshtypja juaj kryesore për liceun dhe nxënësit e sotëm?
– Në gjimnaz, para çlirimit, mundohesha shumë për t’u mbushur mëndjen nxënësve që të vinin në kursin e violinës, po… (rezultati i përpjekjes atëhere i përngjiste më shumë këtyre tri pikave që vinë pas “po-s“). Në lice, sot ka përparim të dukshëm në përgatitjen e nxënësve. Kur u themelua shkolla më 1946, mundoheshim ne t’u mbushnim mëndjen nxënësve për të hyrë në lice; tani mundohen ata të hyjnë dhe në një numër aq të madh, sa ne nuk i përballojmë dot…
Profesori dhe piktori 55-vjeçar ABDURRAHIM BUZA ka 27 vjet stazh në arsim. Në Liceun Artistik “Jordan Misja“ punon nga viti 1947. Unë e pyeta atë në fillim, se cili është kujtimi më interesant nga jeta e tij personale pas çlirimit. M’u përgjigj kështu:
– Në festën e 25-vjetorit të gjimnazit të Tiranës, ku isha ftuar si ishpedagog, u habita shumë kur takova gjithë ata nxënës që kisha patur, nga të cilët edhe kuadro të lartë të shtetit në Shqipërinë e re. Është e qartë se profesori, tashmë i thinjur, ka me se të krenohet. Kjo është një lumturi e madhe!
– Mund të më flisni për ndonjë përshtypje të ditëve të fundit, profesor!
Ai më tregoi dy letra. Në gushtin e këtij viti, profesor Buza, së bashku me një koleg tjetër, ka qënë pesëmbëdhjetë ditë në Divjakë. Atje kreu disa punime dhe një ditë pazari ato u ekspozuan. Kjo është një ngjarje e bukur për jetën e fshatit dhe të piktorit. Fshatarët i pritën mirë punimet e mysafirëve piktorë.
Le t’ua lëmë tani fjalën fragmenteve nga dy letrat që më lexoi profesor Buza:
“I dashur shoku kryetar!
Kam nderin t’ju falenderoj nga zemra për mikpritjen që treguat gjatë qëndrimit tonë në kooperativën tuaj të bukur, ku ishim dërguar nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për punë kulturore.
Dashuria juaj dhe e gjithë kooperativistëve për njerëzit e artit na entuziazmoi shumë dhe na nxiti të punojmë pa u lodhur, për të vënë në dukje me vizatime e piktura punën tuaj të palodhur, vullnetin tuaj të hekurt për ndërtimin e vëndit.
Ju lutem, u jepni falenderimet dhe nderimet e mija shokëve Vangjel Veliu, Ristan Marku… si dhe gjithë miqve që na ndihmuan në punën tonë atje.
Me nderime, Abdurrahim Buza“
“I dashur profesor Buza!
Është kënaqësi për mua dhe për antarët e kooperativës bujqësore të bashkuar të Divjakës, të kujtojmë ato pak ditë që kaluat midis nesh dhe punën tuaj të mrekullueshme.
…Ju në fshatin tonë nuk keni patur mundësi të shikoni të kaluarën, po arritët të shihni vetëm disa gjurmë të saj, të cilat u ndihmuan në punën tuaj artistike. Do të vijë një ditë dhe kjo nuk është e largët, kur pranë shtëpijave të reja me tulla nuk do të ndodhen më kolibet e nxira. Sa keq! Në fshatin tonë nuk ka muze dhe fëmijët nuk do të jenë në gjëndje të shohin direkt jetën e gjyshërve të tyre, por s’ka gjë për këtë… Pikturat tuaja në mënyrë të qartë dhe të bukur kanë pasqyruar gjithshka… Ne do të ushqejmë gjithnjë për ju respektin më të madh.
Me nderime, Dhimo Liko, kryetar i kooperativës“
Edhe profesor SADIK KACELI punon në lice që nga dita e themelimit të tij. Ai është një nga pedagogët më të dashur, jo vetëm për nxënësit, po edhe për kolektivin pedagogjik. Të le përshtypjen e një natyre të sinqertë, të një shpirti të hapur dhe shumë komunikues. Profesor Kacelin unë e pyeta mbi përshtypjet që ka për nxënësit e tij, që nga viti 1941, kur filloi punën e pedagogut, meqë atë kohë, si i dipllomuar i akademisë së Parisit, ai nuk pa ndonjë perspektivë për punën e tij si piktor i ri.
Në gjimnazin e paraçlirimit, megjithëse u mundua shumë t’u edukojë nxënësve dashurinë për pikturën, përpjekjet e tij gjetën jehonë në pak zemra nxënësish. Ai kujton midis tyre arkitektin Besim Daja, i cili interesohej dhe punonte me kujdes. Sot, Sadik Kaceli e kujton me kënaqësi këshillën që i pat’ dhënë nxënësit të tij për t’u marrë me arkitekturë. Besoj se me kënaqësi dhe respekt ende më të madh e kujton këtë këshillë edhe ishnxënësi. Nga nxënësit e tij të pasçlirimit, ai kujton piktorin Dhimitër Kokoshi, i cili talentin e tij e ka treguar edhe me ekspozita personale; Vilson Kilicën, po ashtu piktor me talent dhe vullnet, me perspektivën e një artisti me cilësi të larta. Nga nxënësit e tanishëm, ai ushqen shumë shpresa për karrierën e ardhshme të Çlirim Cekës, Panajot Vasilit etj.
Përveç punës pedagogjike, Sadik Kaceli i kushton një vëmëndje të madhe krijimtarisë së vet. Ai është një ndër piktorët e shumtë që iu përgjigj thirrjes së Lidhjes sonë për të vajtur në fshat, për punë kulturore. Përshtypjet e freskëta të jetës së gjallë i kanë frymëzuar dy portrete, mbi të cilat po punon tani.
“Dy javët, – tregon Kaceli, – i kaluam bashkë me Kel Kodhelin në kooperativën e Buzujt të Shkodrës dhe kooperativën e Koplikut. Kur nisëm nga puna me skicat, mua në fillim nuk më ecte dora fare… gati sa s’plasa. Brigadierja që po pozonte, qëndronte me durim. E prap se prapë, me vështirësi vazhdova. Bëra disa portrete, të cilat do t’i paraqes në ekspozitë, së bashku me F.Stamon, A.Buzën, N.Zajmin, Q.Grezdën, Q.Prizrenin, Dh.Kokoshin. Kjo qe hera e parë që ne vajtëm në fshat në mënyrë të organizuar. Inisiativën e quaj shumë të mirë!“
– Dhe unë u uroj sukses në ekspozitë, Sadik Kaceli!
Intervistë e violinistes së ardhshme
Nxënësja e Liceut Artistik Vasilika Cavali mëson për violinë. Unë e njoh atë prej kohësh dhe kam lexuar në shtyp për të fjalë të mira. Ajo shkon shumë mirë me mësime, prandaj vendosa ta thërras; i dhashë një copë letër dhe i thashë me shaka që të më shkruajë një “hartim“. Në letër kisha shënuar temën: katër pyetje.
Ja teksti i hartimit – intervistë me violinisten e ardhshme:
“1. Sa vjeç ishe kur erdhe në Liceun Artistik?
– Erdha në vitin 1949. Atëhere isha tetë vjeçe dhe mësimet e violinës i nisa nga klasa e parë fillore.
2. Ç’mban mend nga ditët e para të jetës në lice? A të merrte malli për prindërit?
– Kur erdha në lice isha fëmijë. Në fillim u mallëngjeva shumë, sepse u largova nga prindërit. Për herë të parë atë vit, liceu artistik pranonte fëmijë të vegjël. Unë erdha që ditën e parë të shkollës. Nxënësit e mëdhenj na pritën si vëllezër dhe motra dhe na shëtitën nëpër të gjithë shkollën. Ditën e dytë na mori profesori në klasë. Si tani më përfytyrohen gishtat e tij të shkathët që lëviznin mbi tastierë. Ai i binte instrumentit me pasion që të na zgjonte dashuri për muzikën. Nuk i harroj kurrë ata tinguj magjepës…
3. Si e imagjinon veten pas dhjetë vjetësh?
– Sigurisht në skenë… si soliste, duke dhënë koncert… dhe duke vështruar vjedhurazi fytyrat e spektatorëve, po jo fytyra të zymta dhe qortuese…
4. Dëshiron t’i drejtohesh ndokujt, me këtë rast?
– Po, dua t’i shpreh mirënjohjen shtetit për shkollën, për të ardhmen, për jetën time. Ai m’i krijoi të gjitha mundësitë që të arrij këto ditë të lumtura. Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen edhe profesorit tim, Sofokli Paparistos, i cili më ka mësuar me shpirt e ndërgjegje dhe që nuk është kursyer për mua dhe bashkënxënësit e mi. Të gjitha këto unë do t’i shpërblej me të ardhme time“.
………..
Ky është Liceu Artistik “Jordan Misja“, institucioni i parë artistik i vendit, në 15 vjetorin e ditës së tij të lindjes.
1960.
Please follow and like us: