Albspirit

Media/News/Publishing

Man Booker 2005 përballë Nobelit në Letërsi 2022, fjalët përshëndetëse

Fituesi i parë i çmimit Man Booker International në 2005 ishte Ismail Kadare. Ai u pasua nga shkrimtari nigerian Chinua Achebe në 2007, nga shkrimtarja kanadeze Alice Munro në 2009, nga shkrimtari amerikan Philip Roth në 2011, etj. Kadare konkuroi me 18 finalistë, mes të cilëve dhe katër fitues të Nobelit në Letërsi si Saul Bellow, Gunter Grass, Gabriel Garcia Markes dhe Kenzaburo Oe.

 

Ismail Kadare: Kështjella e Makbethit, streha që ndezi letërsinë time

 

Falemnderit, po, falemnderit ngrohtësisht për këtë nderim të lartë që marr sot dhe për fjalët miqësore që po dëgjoj. Nëse do duhej ta filloja këtë fjalim me një himn letërsisë, duke treguar besimin tim tek ajo, më saktë, duke shprehur idenë se është letërsia ajo që më ka bërë njeri të lirë, rreziku do të ishte i madh, mos një deklaratë e tillë do të dukej pak e thjeshtë dhe banale nga goja e një shkrimtari që sapo ka bërë dy mijë kilometra për të ardhur tek ju. Në të vërtetë, distanca ndërmjet Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, dhe Edinburgut, kryeqytetit të Skocisë, është pikërisht kaq. Ajo nuk pengon jo vetëm për të insistuar në këtë deklaratë, por do të shtoja, edhe pse kjo mund të dukej e çuditshme, që në raportet ndërmjet letërsisë, lirisë dhe atij që po ju flet, Skocia ka luajtur një rol nxitës. Lejomëni të përsëris këtu në formë të përmbledhur atë çfarë kam shkruar 40 vjet më parë në një nga rrëfimet e mia të para, “Kronikë në gur”, që Z. Carey me të drejtë e citoi para pak minutash, me mprehtësi.

Jam lindur dhe rritur në një qytet të thjeshtë mesjetar të Shqipërisë, në qendër të të cilit ngrihej një kështjellë me një dukje madhështore aq sa dhe kërcënuese. Në të gjitha regjimet, përfshi dhe atë komunist, ajo fshihte një burg. Dhe siç mund të shihej nga të gjitha lagjet e qytetit, kjo kështjellë që ngrihej mbi kullën-burg u rrezatonte forcë dhe kërcënim katër pikave të horizontit. Që fëmijë qeshë rritur në hijen e saj. Por, në moshën 11-12-vjeçare, në kohën e leximeve të para serioze, papritur një tjetër kështjellë pushtoi trurin dhe imagjinatën time. Një kështjellë skoceze e ngritur pikërisht këtu, jo larg Edinburgut: kështjella e Makbethit. Magjepsja ime pas saj ishte e tillë që kështjella e largët skoceze e zbehu atë të vërtetën e qytetit tim. U zmbrapsën burgu i saj, rojet dhe kërcënimi i saj. Ngjau kështu diçka e pazakonte: një adoleshent shqiptar, në fund të këtij vendi të shtypur nga zgjedha komuniste, u gjend i joshur falë Shekspirit, nga mjegullirat e një Skocie përtej imagjinatës. Duke iu shfaqur një bote tjetër, ajo e letërsisë, ky adoleshent i kishte besuar tashmë jo vetëm imagjinatën e tij, por edhe vetëdijen e tij morale kësaj bote tjetër. Ligjet e saj u bënë për të ligje të para, mbi gjithë të tjerët. Udhëheqësit e saj Homeri, Shekspiri, Dante, Kafka – u bënë padronët e saj të vërtetë.

Iu dhashë kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. A nuk na kanë pyetur kaq herë, ne shkrimtarëve të ish-perandorisë komuniste: “Si e shpjegoni që ju paskeshi mundur të bëni letërsi të mirëfilltë në këtë vend dhe në atë periudhë ku kjo dukej e paarritshme”? Për këtë pyetje, përgjigjja ime në përgjithësi është kjo: “Ne kemi besuar tek letërsia. Dhe ajo, në këmbim të besnikërisë dhe të besës sonë, na dhuroi bekimin dhe mbrojtjen e saj”. Të besosh tek letërsia, do të thotë të besosh në një realitet të epërm; të besosh tek letërsia do të thotë që regjimi i tmerrshëm të cilit iu nënshtrua vendi im ishte më i dobët se madhështia e pikëlluar e letërsisë. Të besosh tek ky art, kjo do të thotë që të jesh i bindur se ai regjim të cilit ju nënshtruat, se policia që ju përgjonte, se udhëheqësit e lartë, funksionarët, gjithë ngrehina e tiranisë nuk është veçse një makth kalimtar, në krahasim me Urdhrin suprem për të cilin ju ishit bërë dishepull. Për t’i rënë shkurt, lejomëni të rikujtoj këtu një episod nga “Komedia Hyjnore”. Kur, duke udhëtuar në Ferr, Dante Aligieri i trembet idesë se një stuhi e tmerrshme po afrohet, mësuesi i tij Virgjili i thotë: “Mos kini frikë, është stuhi e vdekur”! Këto fjalë e sqarojnë mirë atë që thashë pak më parë. Nëse ti ia del mbanë ta bësh vetveten që të shohë motin e ashpër të diktaturës si një “stuhi të vdekur”, atëhere do të keni në dorë çelësin e enigmës. Dhe vetëm letërsia mund t’ia japë shkrimtarit atë çelës.

Nuk është e lehtë, për atë që shkruan, të ndihet i gjallë në mes të një regjimi të vdekur. Nën regjimet totalitare, letërsia dhe artet e tjera janë përballur me një provë mizore që s’është parë kurrë në historinë e botës. Në të gjitha kohërat njihen ndëshkimet e shkrimtarëve, censurat, dënimet, internimet, dëbimet. Por ajo për të cilën po flas nuk e përmban ndalimin e qarkullimit të veprave më të famshme, të atyre që i quajmë “katedrale” të krijimit artistik. Jo, ai u përpoq të mohojë përgjithmonë madje edhe mundësinë për të ngritur monumente të tilla. E thënë ndryshe, ai u mundua të shkatërrojë edhe lëndën me të cilën ndërtohen këto katedrale. Ai është shtrënguar të krijojë një racë të re shkrimtarësh që me duart dhe zellin e tyre, u punësuan për të shkatërruar letërsinë. Në një farë mënyre, stalinizmi ia doli mbanë. Radhët e shkrimtarëve që do të dezertonin Tempullin do të argumentonin ditë pas dite, megjithëse të tjerët, besnikët do të shihnin ditë pas dite se si radhët e tyre pakësoheshin. Ne s’ishim veçse një pakicë në një shkretëtirë pa kufij dhe pa shpresë e cila quhej Realizëm Socialist. Ne ngushëllonim njeri-tjetrin, ndërsa përpiqeshim të bënim letërsi sikur ai regjim të mos ekzistonte. Ia kemi dalë aty-këtu. Disa herë, jo. Ideja se ne do mundnim të përgatisnim ndonjë copëz ushqimi shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na ka mbushur me gëzim. Lejomëni të insistoj: po, ky ushqim shpirtëror modest ka qenë një lloj racioni mbijetese për popullin tonë në atë vend-burg.

Dhe papritur, një ditë, duke kapërcyer natën e diktaturës, kjo bukë burgu për çudi arriti deri tek duart tuaja. Në qytetet tuaja të lira: në Paris, Londër, Nju Jork, Madrid, Vjenë, Romë, ju keni marrë në duart tuaja këtë bukë burgu dhe e keni parë me kuriozitet. Më pas e keni shijuar, e keni vlerësuar, e keni respektuar se kjo bukë ishte po aq e ngrënshme për ju, njerëzit e lirë të një bote të lirë. Një shkrimtar shqiptar nuk mund të priste vlerësim më lavdërues. Për të, ishte një mrekulli si ato që rrëfehen në shkrimet e shenjta. Shqipëria e vogël e harruar, e ndarë nga bota, thuajse e fshehur, kishte dhënë pra një shenjë se ishte ende gjallë? Ajo kishte bërë të ditur se, megjithëse diktatura e pat mbajtur këmbë e duar lidhur, ajo ende nuk e kishte skllavëruar shpirtin e saj. Është pikërisht kjo shenjë adresuar nëpërmjet letërsisë dhe e kapur në mënyrë kaq fisnike prej jush, miqtë e mi të shtrenjtë, që bëri të mundur të papërfytyrueshmen. Është kjo shenjë që bëri të mundur këtë çmim që ju më jepni sot. Është ajo që bëri të mundur ardhjen time deri tek ju, deri në tokat e Skocisë. Dhe është përsëri ajo, më në fund, që bëri të mundur vizitën që do të bëj, nesër, për herë të parë, e strukur në imagjinatën time, një strehë e cila më shumë se çdo ngrehinë tjetër, ndezi pasionin tim për letërsine: kështjella e Makbethit.

(Fjala e Ismail Kadaresë me marrjen e çmimit “Man Booker International”).

Annie Ernaux: Do të shkruaj për të marrë hak për racën time

 

Ku të filloj? Këtë pyetje ia kam bërë vetes dhjetëra herë, duke vështruar ngultas një faqe të zbrazët. Sikur të më duhej të gjeja fjalinë e vetme, të vetmen që do të më jepte hyrjen në shkrimin e librit dhe do të më largonte sakaq të gjitha dyshimet aty për aty – një lloj çelësi. Sot, teksa përballem me një situatë, e cila, pasi ka kaluar hutimi fillestar – “a po më ndodh përnjëmend mua e gjitha kjo”? – imagjinata ime vepron në një mënyrë që e shton tmerrin pak e nga pak, kësisoj përballem me të njëjtën domosdoshmëri, gjetjen e fjalisë që do të më japë lirinë dhe vendosmërinë për të folur pa u dridhur në këtë vend ku më keni ftuar këtë mbrëmje.

Për ta gjetur atë fjali, nuk më duhet të kërkoj shumë larg. Shfaqet në çast. Me gjithë qartësinë dhe dhunën e saj. E skalitur mirë. E pakundërshtueshme. Është shkruar në ditarin tim gjashtëdhjetë vjet më parë. “Do të shkruaj për të marrë hak për racën time, j’écrirai pour venger ma race”. I bënte jehonë thirrjes së Rimbaud: “Unë jam nga një racë inferiore për gjithë përjetësinë”. Isha njëzet e dy vjeçe, duke studiuar letërsi në një fakultet provincial me vajzat dhe djemtë e borgjezisë vendase, në pjesën më të madhe. Me krenari dhe naivitet besoja se të shkruarit e librave, duke u bërë shkrimtare, si e fundit në radhën e punëtorëve pa tokë, punëtorëve të fabrikave dhe shitësve, njerëzve të përbuzur për sjelljet, theksin, mungesën e edukimit, do të mjaftonte për të ndrequr padrejtësinë sociale, lidhur me klasën shoqërore në lindje. Që një fitore individuale mund të fshinte shekujt e sundimit dhe varfërisë, një iluzion që shkolla e kishte ushqyer tashmë tek unë për shkak të suksesit tim akademik. Si mund të kishin shlyer arritjet e mia personale ndonjë nga poshtërimet dhe fyerjet e bëra? Kjo nuk është një pyetje që ia kam bërë ndonjëherë vetes. Kisha gjetur disa shfajësime.

Që nga koha kur mund të lexoja, librat ishin shoqëruesit e mi dhe leximi ishte puna ime e natyrshme jashtë shkollës. Ky oreks ushqehej nga një nënë, e cila mes klientëve, në dyqanin e saj, lexonte shumë romane dhe parapëlqente që unë të lexoja më shumë se sa të qepja dhe thurja me shtiza. Çmimi i lartë i librave, dyshimi me të cilin shiheshin në shkollën time fetare, i bënte edhe më të dëshirueshëm. Don Kishoti, Udhëtimet e Guliverit, Jane Eyre, përrallat e vëllezërve Grim dhe të Andersenit, David Koperfild, “Bashkë me erën” dhe më vonë “Të mjerët”, “Vilet e zemërimit”, “Neveria”, “I huaji”, leximet e rastësishme, më shumë se recetat e shkollës, përcaktuan atë që unë lexova.

Duke zgjedhur studimet letrare, zgjodha të qëndroja brenda letërsisë, e cila ishte bërë gjëja me vlerën më të madhe, madje një mënyrë jetese që më bëri të projektoja veten në romanet e Floberit ose të Virxhinia Vulfit dhe t’i përjetoj në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Letërsia ishte një lloj kontinenti të cilin në mënyrë të pandërgjegjshme ia kundërvura mjedisit tim shoqëror. Dhe e konceptova shkrimin si asgjë më pak se mundësia e shpërndërrimit të realitetit.

Nuk ishte refuzimi i romanit tim të parë nga dy ose tre botues – një roman merita e vetme e të cilit ishte përpjekja për të gjetur një formë të re – ajo që ndrydhte gjakimin për të shkruar dhe lëndonte krenarinë time. Ishin situata të jetës në të cilat pesha e dallimit midis ekzistencës së një gruaje dhe asaj të një burri ndihej fort në një shoqëri ku rolet përcaktoheshin sipas gjinisë, ku parandalimi i shtatzënisë ishte i ndaluar dhe ndërprerja e saj një krim. E martuar me dy fëmijë, me pozitën e mësueses dhe përgjegjësisë e plotë për punët e shtëpisë, çdo ditë i largohesha gjithnjë e më shumë shkrimit dhe premtimit tim për t’u hakmarrë për njerëzit e mi. Nuk mund ta lexoja parabolën “Para ligjit” nga “Gjyqi” i Kafkës pa parë formën e fatit tim: të vdisja pa hyrë kurrë në portën e bërë vetëm për mua, pa librin që vetëm unë mund ta shkruaja.

Por kjo është gjendja pa marrë parasysh rrethanat private dhe historike. Vdekja e tim ati i cili ndërroi jetë tre ditë pasi mbërrita në shtëpi me pushime, një punë ku u jepja mësim studentëve me prejardhje nga klasa punëtore e ngjashme me timen, lëvizje proteste kudo në botë: të gjithë këta faktorë më kthyen, nëpërmjet shtigjesh të paparashikuara afër botës së origjinës sime, të “njerëzit” e mi dhe më ngjallën dëshirën për të shkruar me një ndjesi të fshehtë dhe ngulmim absolut. Hoqa dorë nga “të shkruarit” e gënjeshtër “për asgjë” që bëja kur kisha mbushur të njëzetat, tani ishte çështja për të depërtuar në të papërshkrueshmen tek kujtesa e shtypur dhe për të nxjerrë në dritë mënyrën se si jetonin njerëzit e mi. Të shkruaja për të kuptuar arsyet, brenda dhe jashtë vetes sime, që më kishin bërë të krijoja largësi me origjinën time.

Tek të shkruarit, asnjë zgjedhje nuk është e vetëkuptueshme. Por ata që, si emigrantë, nuk flasin më gjuhën e prindërve të tyre dhe ata që, si të braktisur nga klasa shoqërore që i përkasin, nuk kanë më të njëjtën gjuhë, mendojnë dhe shprehen me fjalë të tjera, përballen me pengesa të tjera shtesë. Një mëdyshje. Ata vërtet e ndiejnë vështirësinë, madje edhe pamundësinë për të shkruar në gjuhën e përvetësuar, mbizotëruese, të cilën e kanë zotëruar dhe e admirojnë në veprat letrare, çdo gjë që lidhet me botën e tyre të origjinës, më të parën botë të formësuar prej ndjesish dhe fjalësh që përshkruajnë jetën e përditshme, punën, vendin e njeriut në shoqëri.

Nga njëra anë është gjuha me të cilën ata mësuan t’u vënë emër gjërave, me vrazhdësinë dhe heshtjet e saj, për shembull ajo e shkëmbimit intim midis një nëne dhe një djali në tekstin shumë të bukur të Albert Kamys, “Mes po-së dhe jo-së”. Nga ana tjetër janë modelet e veprave të çmuara, të brendësuara që e bënë më të parën botë të hapur dhe ndaj të cilave ata ndihen borxhli për lartësimin që kanë përjetuar prej tyre; të cilin ndonjëherë e shihnin edhe si atdheun e tyre të vërtetë. E imja përfshinte Floberin, Prustin, Virxhinia Vulfin. Asnjëri prej tyre, kur iu ktheva shkrimit, nuk më ndihmoi. M’u desh të shkëputesha nga fjalitë e “shkruara mirë” dhe të bukura – pikërisht prej atyre që u mësoja të shkruanin studentëve të mi – për të çrrënjosur, shpërfaqur dhe kuptuar plagomën që më kishte ndodhur mua. Ajo që më erdhi vetvetiu ishte klithma e një gjuhe që përcillte zemërim dhe tallje, madje edhe vrazhdësi; një gjuhë e teprisë, kryengritëse, e përdorur shpesh nga të poshtëruarit dhe të fyerit si reagimi i tyre i vetëm ndaj kujtimit të përbuzjes së të tjerëve, turpit dhe turpit që ndjen turp.

Po kështu, shumë shpejt, u duk e vetëkuptueshme – deri në pikë sa nuk mund ta imagjinoja ndonjë mënyrë tjetër për të filluar – të ngërthej historinë e plagomës së qenies time shoqërore në situatën që kisha qenë e imja si studente, një situatë revoltuese në të cilën shteti francez ende i dënonte gratë, nevojën për të kërkuar mënyra klandestine duke përfunduar në duart e abortuesve të rrugës. Dhe unë doja të përshkruaja gjithçka që kishte ndodhur me trupin time prej vajze; zbulimin e kënaqësisë, periodat. Dhe kështu, pa qenë e vetëdijshme për këtë asokohe, ai libër i parë, i botuar në vitin 1974, përcaktoi sferën në të cilën unë do ta vendosja të shkruarit, një sferë sociale dhe feministe. Shpagimi për njerëzit e mi dhe shpagimi për gjininë time, do të ishin, që nga ajo kohë, e njëjta gjë.

Si mund të reflektohet për jetën pa reflektuar edhe për të shkruarin? Pa e pyetur veten nëse shkrimi përforcon apo prish paraqitjet e pranuara, të brendësuara të qenieve dhe sendeve? Me dhunën dhe talljen e tij, a nuk pasqyronte shkrimi rebelues qëndrimin e të sunduarve? Kur lexuesi ishte i privilegjuar në aspektin kulturor, ai mbante të njëjtin këndvështrim detyrues dhe nënçmues për personazhin e një libri ashtu si do të bënte në jetën reale. Prandaj, fillimisht, uhej shmangur ky lloj shikimi, i cili, kur i drejtohe babait tim, historinë e të cilit do të tregoja, do të ishte e padurueshme dhe, e ndjeva sikur po bëja një tradhti, prandaj duke filluar me librin tim të katërt, përvetësova të shkruarit asnjanës, objektiv, “të rrafshtë” në kuptimin që nuk përmbante as metafora dhe as shenja emocioni. Dhuna nuk shfaqej më; dilte nga vetë faktet dhe jo nga shkrimi. Gjetja e fjalëve që përmbajnë realitetin dhe ndjesinë që jep realiteti do të bëhej dhe do të mbetej edhe sot e kësaj dite, shqetësimi im i vazhdueshëm gjatë shkrimit, ciladoqoftë nga tema.

Ishte e nevojshme që të vazhdoja të thoja “unë”. Në përdorimin letrar, rrëfimi në vetën e parë – asaj përmes të cilës ekzistojmë, në shumicën e gjuhëve, që nga çasti kur dimë të flasim deri në vdekje – shpesh shihet si veprim vetëdashës kur nënkupton autorin dhe jo një “unë” të trilluar. Ia vlen të kujtohet se “unë”, deri atëherë privilegji i fisnikëve që tregonin bëmat e armëve në kujtimet e tyre, ishte në Francë një pushtim demokratik i shekullit të tetëmbëdhjetë, pranimi i barazisë së individëve dhe i së drejtës për të qenë tema e historisë së tyre, siç mëtohet nga Zhan Zhak Ruso në këtë hyrje të parë të “Rrëfimeve”: “Dhe askush të mos kundërshtojë se, ngaqë jam njëri prej njerëzve të zakonshëm, nuk kam për të thënë asgjë që meriton vëmendjen e lexuesve. […] Pavarësisht se sa e rëndomtë mund të ketë qenë jeta ime, nëse kam menduar më shumë dhe më mirë se mbretërit, historia e shpirtit tim është më tërheqëse se e tyrja”.

Nuk ishte kjo krenaria plebejane që më ka motivuar (edhe pse, e kam thënë tashmë…) por dëshira për të përdorur vetën e parë “unë” – një formë sa mashkullore dhe femërore – si një mjet hulumtues që përkap ndjesitë: ato që kujtesa i ka varrosur, ato që bota rreth nesh vazhdon të japë, kudo dhe gjatë gjithë kohës. Parakushti i ndjeshmërisë për mua është bërë edhe udhërrëfyesi dhe garancia e vërtetësisë së kërkimit tim. Por për çfarë qëllimi? Jo për të treguar historinë e jetës sime dhe as për të çliruar veten nga të fshehtat e saj, por për të deshifruar një situatë të jetuar, një ngjarje, një marrëdhënie romantike dhe në këtë mënyrë të zbuloj diçka që vetëm shkrimi mund të sjellë në jetë dhe ndoshta t’ia kalojë ndërgjegjes dhe kujtimeve të të tjerëve. Kush mund të thotë se dashuria, dhimbja dhe zia, turpi, nuk janë universale? Viktor Hygo ka shkruar: “Asnjëri prej nesh nuk ka nderin të jetojë një jetë që është vetëm e tij”. Por ndërsa të gjitha gjërat jetohen pashmangshëm në mënyrë individuale – “a po më ndodh përnjëmend mua e gjitha kjo?” – mund të lexohet vetëm në të njëjtën mënyrë nëse “unë” e rrëfimit të librit bëhet i tejdukshëm, në njëfarë kuptimi, dhe “unë” i lexuesit arrin ta bëj të vetin. Nëse ky “unë”, për ta thënë ndryshe, bëhet ndërnjerëzor.

Kështu e konceptova përkushtimin tim ndaj të shkruarit, i cili nuk ka të bëje më të shkruarit ”për” një kategori lexuesish, por me të shkruarit që merr jetë nga “përvoja ime si grua dhe emigrante e brendshme; dhe nga kujtesa ime gjithnjë e më e pamatë e viteve që kam jetuar, dhe nga e tashmja, që më ushqen pareshtur me imazhe dhe fjalë të të tjerëve. Ky përkushtim me anë të të cilit shkruaj mbështetet te besimi, i cili është bërë i palëkundur, se një libër mund të kontribuojë në ndryshimin e jetës vetjake, të ndihmojë në shkërmoqjen e vetmisë së përvojave të mbajtura dhe të dnrydhura brenda vetes dhe t’u mundësojë qenieve të riimagjinojnë veten. Kur e pathëna del në dritë, ajo është politike.

E shohim sot në revoltën e grave që kanë gjetur fjalët për t’i dhënë fund pushtetit mashkullor dhe që janë ngritur, si në Iran, kundër formës së tij më arkaike. Megjithatë, duke shkruar në një vend demokratik, vazhdoj të pyes veten për vendin që zë gruaja në fushën e letrave. Ata nuk kanë fituar ende legjitimitet si krijuese të veprave të shkruara. Ka burra në botë, duke përfshirë edhe sferat intelektuale perëndimore, për të cilët librat e shkruar nga gratë thjesht nuk ekzistojnë; ata kurrë nuk i citojnë ato. Njohja e punës sime nga Akademia Suedeze është një shenjë shprese për të gjitha shkrimtaret femra.

Në nxjerrjen në dritë të së pathënshmes sociale, të atyre marrëdhënieve të brendshme të pushtetit të lidhura me klasën shoqëroee dhe/ose racën, dhe gjithashtu me gjininë, të ndjera vetëm nga njerëzit që përjetojnë drejtpërdrejt ndikimin e tyre, shfaqet mundësia e emancipimit individual por edhe kolektiv. Të deshifrosh botën reale duke e zhveshur nga vizionet dhe vlerat që u jep gjuha, e gjithë gjuha, mbart brenda saj, do të thotë të përmbysësh rendin e vendosur, të prishësh hierarkitë e saj.

Por unë nuk e ngatërroj veprimin politik të shkrimit letrar, në varësi të pritjes së tij nga lexuesi, me qëndrimet që ndihem e detyruar të mbaj në lidhje me ngjarjet, konfliktet dhe idetë. Unë u rrita si pjesë e brezit të pasluftës, pas Luftës së Dytë Botërore, kur shkrimtarët dhe intelektualët u pozicionuan në lidhje me politikën franceze dhe u përfshinë në betejat sociale si një gjë e natyrshme. Sot është e pamundur të thuhet nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe nëse ata nuk do të kishin folur dhe nuk do të ishin angazhuar. Në botën e sotme, ku shumëllojshmëria e burimeve të informacionit dhe shpejtësia me të cilën përcillen imazhet kushtëzojnë një formë mënjanësie, përqendrimi në artin e dikujt është një ngasje. Por, ndërkohë, në Evropë, është në rritje një ideologji tërheqjeje dhe mbylljeje, ende e fshehur nga dhuna e një lufte imperialiste të zhvilluar nga diktatori në krye të Rusisë, dhe që fiton vazhdimisht terren në vendet e deritanishme demokratike. E mbështetur në përjashtimin e të huajve dhe emigrantëve, braktisjen e të dobëtve ekonomikisht, mbikqyrjen e trupave të grave, kjo ideologji kërkon një detyrë për t’u treguar tejet syhapur, si unë ashtu edhe të gjithë ata për të cilët vlera e një qenieje njerëzore është gjithmonë dhe kudo e njëjtë.

Duke më dhënë vlerësimin më të madh letrar të mundshëm, një dritë e shndritshme po ndriçon mbi veprën që përbëhet nga të shkruarit dhe kërkimi personal i kryer në vetmi dhe me një ndjenjë dyshimi. Kjo dritë nuk më verbon. Nuk e shoh si fitore individuale çmimin Nobel që më është blatuar. Nuk ka të bëjë as me krenarinë dhe as me modestinë fakti që unë e shoh, në një farë kuptimi, si një fitore kolektive. Unë ndiej të njëtën krenari që ndiejnë ata të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, shpresojnë për më shumë liri, barazi dhe dinjitet për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga seksi apo gjinia, ngjyra e lëkurës dhe kultura e tyre; dhe me ata që mendojnë për brezat e ardhshëm, për të mbrojtur një Tokë ku pak njerëz të etur për fitime e bëjnë jetën gjithnjë e më të pajetueshme për të gjitha popullsitë.

Nëse e kthej kokën pas tek premtimi i bërë kur ish në të njëzetat për të marrë shpagim për njerëzit e mi, nuk mund të them nëse e kam përmbushur. Pikërisht nga ky premtim dhe nga paraardhësit e mi, burra e gra punëtorë që bënin punë që ishin shkaku pse ata vdisnin herët, gjeta forcën dhe zemërimin e mjaftueshëm për të pasur dëshirën dhe ambicjen për t’u dhënë atyre një vend në letërsi, mes këtij kori zërash që më shoqëruan qysh në fillim, duke më bërë të mundur të hyjë në botë të tjera dhe mënyra të tjera të qenies, që përfshijnë edhe atë të rebelimit, edhe dëshirën për ta ndryshuar, në mënyrë që të gdhend zërin tim si një grua dhe një dezertore shoqërore që hidhet në krahun e kundërt, në atë që ende paraqitet si një hapësirë emancipimi, letërsia.

LIGJËRATA E NOBELIT PËR LETËRSINË, 7 dhjetor 2022.

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela.

 

Please follow and like us: