Albspirit

Media/News/Publishing

GANI HALOÇI, USHTARAKU, ATDHETARI, NJERËZORI

(Në përkujtim të luftëtarit dhe patëriotit atdhetar, simbolit të urtësisë dhe dashurisë njerëzore, komisarit të formacionit partizan të parë, të çetës “Çerçiz Topulli”, birit të Prongjisë, të krahinës së Kardhiqit, të Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë, ish-oficerit shembullor të strukturave të mbrojtjes e sigurisë Nënkolonel Gani Haloçi. Biri i fshatit Prongji Gani Haloçi (6.12.1909-2.12.1982), ka qenë partizan i orëve të para, komisar i parë i çetës së krahinës së Kardhiqit, nënkomandant i kësaj çete, Komandant i vendit për Gjirokastrën, komisar i komandës së qarkut në Fushëbardhë, anëtar i këshillit nacionalçlirimtar të krahinës, dhe pas luftës në detyra e funksione me shumë përgjegjësi si ushtarak madhor në MB, në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë. Përgatitur në kuadër të 80 vjetorit të krijimit të çetës partizane  “Çerçiz Topulli” 12.12.1942-12.12.2022).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gani Haloçi ishte lindur në Prongji të krahinës së Kardhiqit të trevës së Labërisë më 6 dhjetor 1909. Ai erdhi në jetë në një kohë pushtimi, ndërkohë që fshati dhe treva e tij ishin shquar për atdhetari dhe kundërshtim të të gjithë pushtuesve. Babai i tij Hyseni dhe nëna Bejushja trashëgonin vetitë më të mira të urtësisë dhe mençurisë, që kishin përcjellë brez pas brezi historinë e fisit dhe mbarë trevës labe, bëmat nëpër luftra, këngët dhe rrëfimet e trimërive. Në këtë ambjent familjar u rrit dhe u burrërua njeriu që mbarë krahina ja dëgjoi bëmat e tij kur të gjithë e thërrisnin me pseudonimin e LANÇ-it, “Ustai”. Ai ishte dhe ngeli usta i halleve të popullit, u trupëzua njësh me popullin dhe në momentet historike kur në vatrat shqiptare kishte pllakosur zija e pushtimit ai u bë misionar i lirisë dhe çlirimit. Në mars 1927 Ganiu kreu detyrën si ushtar në kohën e Republikës së parë shqiptare në Durrës. Ushtrinë e filloi me Gani Dita dhe bashkëfshatarin Stefan Gogo si dhe Hetem Arapin nga Kardhiqi. Nga Durrësi shkon me shërbim në Shkodër, ku në Lezhë takon dhe Iliaz Mehmetin e Medi Pogaçe nga Plesati, Novruz Bello nga Fushëbardha. Në çdo fshat të trevës labe gjen trashëgimi të fuqishme brezash, mençuri natyrale, që mëkohet që në djep, ashtu sikurse u mëkua Gani Haloçi, i cili u kalit në kudhrën e jetës. Pushtimi fashist i 7.4.1939 ngjalli revoltë dhe kundërshtim të hapur në të gjithë Shqipërinë, edhe në Prongji, krahinën e Kardhiqit dhe mbarë Labërinë. Ideali i lirisë, i mbrojtjes së gjuhës, identitetit dhe pavarsia ishin ngulitur thellë në zemrën e Gani Haloçit. Në momentet më deçizive të vendit në vitin 1942 kur flaka e shpërthimit kundër pushtuesve po rritej asnjë shqiptar i ndershëm nuk mund të rrinte duarkryq. Ishte dëshmimtar kur Muzafer Asqeriu, Kapo Boço, Bajram Sinojmeri mbritën në Prongji dhe ndezën zjarrin kryengritës kundër pushtuesve themeluan Këshillin antifashist të Prongjisë me në krye Hamza Makashi. Këshilli nacionalçlirimtar i Prongjisë ishte i dyti pas atij të Mashkullorës të ngritur në krahinë. Gani Haloçi ishte luftëtar i orëve të para të krahinës së Kardhiqit, njerëzor dhe me vlera të spikatura atdhetare, një bilbil që shumë shpejt do ta gjente veten në radhët e çetës Partizane të krahinës bashkë me Dilaver Habil Poçin, Mitat Kondin e shumë të tjerë. Ai ishte burrë me ndërgjegje të rrallë atdhetarie, një gjurmë e rëndë dhe e spikatur, një rrënjë e thellë e trevës labe, një degë e mbushur me visare, me muzë poetike, një rapsod e këngëtar, një njeri që sado vite të shkojnë shquhet që larg si majat e maleve të trevës së Labërisë. Jeta plot dinjitet e krenari e Gani Haloçit bëri që të shkruante një histori suksesi në jetë, që shprehte plotësisht identitetin, krenarinë, trimërinë e mençurinë e një krahine vitale dhe me emër në Shqipëri. Ai diti ti kthehet vrullshëm ringritjes së jetës, nga lufta në punë duke bërë një jetë plot dinjitet. Ai e jetoi jetën si idealist atdhetar. Me urtësi e mençuri që e karakterizonte spikati si intelektual në messhekullin e XX-të. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosi në provë shqiptarët dhe në fakt brezit që i takoi të bënte luftën, nuk mori meritat, por një përgjegjësi të madhe përpara kombit dhe historisë.

Prongjia e Bajram Ligut, streha e Çerçiz Topullit

Bajram Ligu/Prongjia dhe Hito Labi/Lekdushi i dhanë emër historik jo vetëm Prongjisë e Lekdushit, por gjithë Labërisë e më gjerë. Prongjia e Gani Haloçit i kishte të gjallë kujtimet e trimërisë së bashkëfshatërëve të tyre por dhe plagët, ato plagë që sikurse thoshte Bajram Ligu, “Shenja e plagës së hasmit nuk fshihet”. Ndërkohë që Prongjia ishte strehëza e trimit të rrallë Çerçiz Topullit si dhe e çetës së tij ku bënin pjesë edhe bijtë e Prongjisë Bajram Ligu dhe Lame Skreli etj., por dhe mbështetës të shumtë si Hysen Haloçi, Riza Ligu, Malo e Harziko Maliqi, Begë Haxhiu etj. Ishin ata që e strehuan çetën e Çerçizit dhe të Muharrem Rushitit. Edhe sot këndohet kënga në mbarë Labërinë: “Hito labi me Bajramë,/Gjirokastër bënë hatanë, Mu te furra në të dalë/Me binbashin ballë për ballë, dy rovole bashkë ja dhanë”. Prongjia e Gani Haloçit kishte përjetuar tmerret e 14-tës kur, “Gratë e Kurveleshit/Labërisë,/Shkojnë për në Vlorë,/Me djepe ngarkuar,/Me foshnja në dorë…”, e më tej më qershor 1914 në fushën e Drashovicës dhe në vitin 2016 rikthimi në shtëpitë e tyre, ndërkohë që në gjithë Krahinën e Kardhiqit ishin djegur më shumë se 540 shtëpi nga dora gjakatare greke andarte. Bijtë e Prongjisë si Ganiu që e pasuan Bajram Ligun e mbajtën lartë flamurin e atdhetarisë e çlirimit si dhe mirësisë njerëzore.

Çeta “Çerçiz Topulli”, emërndritur në historinë e LANÇ-it

Kundërshtimi i pushtimit ishte një revoltë e brendshme e popullit. Gani Haloçi ishte ndër të parët në Prongji dhe krahinë që filloi punën e organizuar për ngritjen e popullit në Luftën antifashiste, që në mars 1942, kur me vendim të komitetit qarkor të Gjirokastrës Dilaver Poçi transferohet nga Saranda në Krahinëne Kardhiqit si organizator kryesor. Rrugët e atdhetarëve të flaktë bashkoheshin në ideale të mëdha antifashiste. Ndërkohë që lëvizja nacionalçlirimtare mori hov dhe luftëtarët e parë binin në beteja, sikurse ishte dhe vrasja e Muzafer Asqeriut në korrik 1942, zemërimi popullor erdhi në ngritje. Lufta e pabarabartë e shqiptarëve me pushtuesit kishte filluar. Tashmë ishte lëshuar kushtrimi i lirisë: “Të bashkohemi”, “Të lëmë mënjanë mëritë, grindjet, t’i japim dorën njeri tjetrit”, “Të armatosemi”, “Ta kundërshtojmë energjikisht armikun”, “Asnjë taksë, asnjë ushtar, asnjë milic për fashizmin, të rrëzojmë pushtetin e vjetër të kryepleqësive, të komunave e xhandarmërinë, të ngremë pushtetin e popullit” etj. Këto ishin thirrjet e një populli të tërë të shtypur në mbarë krahinën e Kardhiqit, në Prongji, Kardhiq, Fushëbardhë, Zhulat, Mashkullorë, Plesat e Humelicë. Një ditë para krijimit të çetës më 11.12.1942 disa aktivistë si Islam Poçi, Hariz Shalari, Nimet Veliu, Neshat Kondi, etj., organizuan fushëbardhasit që të prisnin luftëtarët e parë të krahinës. Dilaver Poçi mblodhi në Zhulat djemurinë antifashiste bashkë me Ago Topullin, nipin e Çerçiz Topullit dhe prej andej u nisën për në Fushëbardhë. Një grup tjetër që drejtoheshin nga Gani Haloçi ishin gati që më datën 7 dhjetor 1942 bashkë me Neshat Kaca, Hajro e Mehmet Skreli, Demir Kadëna, Thoma Pano, Sadik Xharro, Hamza Makashi, Rait Bala. Por të gjithë fshatrat e krahinës së Kardhiqit ishin gjithë sy e veshë nga fshati Fushëbardhë. Grumbullimi i çetës fillimisht u bë në Rrapin e Fushëbardhës ku komandant u caktua Dilaver Poçi, Komisar Gani Haloçi dhe intendent Mitat Kondi. Në çetë merrnin pjesë djem nga fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Prongji dhe nga të gjitha fshatrat e krahinës. Formacioni partizan i çetës piu unë në çezmën e Ferrëzës dhe mori udhë drejt Lëmëdhit e bregut të Erëzës. Nga 27 luftëtarë çeta shpejt u rrit në 36 partizanë e më tej e kaloi numrin 70-80 luftëtarë nga të cilët përmendim Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi, Nimet Veliu, Neshat Kondi, Hariz Shalari, ….Neshat Kasi, Hajro Skreli,… Në çetë kishin ardhur më vonë edhe nga Rrëzoma e Delvinës. Çeta partizane e krahinës së Kardhiqit që në ditën e parë të krijimit shkoi në Senicë dhe çarmatosi postën e Senicës dhe më tej vijoi në Fushëvërri, Vergo, Kopaçez, Palavli, Lefterhor, Varfaj, Kakodhiq, Bajkaj, Ura e Shijanit. Çeta u shtua dhe u forcua. Ajo vetëm në një javë aktivitet ngriti njësitet guerrile dhe këshillat nacionalçlirimtare në çdo fshat, hapën depot e kazermave dhe shpërndanë drithin për të shuar urinë e zisë së popullsisë së kësaj treve patriote, prenë telat telefonike e telegrafike në disa pika në Stjar në afërsi të Delvinës dhe Sarandës. Bujq e blegtorë u bënë bashkë dhe panë me sytë e tyre se çfarë ishte formacioni partizan i çetës që punonte për popullin. Kthimi në bazë në Fushëbardhë dhe në fshatrat e tjera të krahinës solli dritë e shpresë në të gjithë krahinën. Nga xhandarmëria filluan dezertimet. Çeta raportonte në bazë për sukseset e saj dhe për ndjenjën e dashurinë masive popullore ndaj saj. Figura të rëndësishme të si Mustafa Matohiti, Haki Toska, Sai Tare nga Nivica, Selman Lame nga Kuçi, Zini Sako, etj., vlerësuan punën e drejtuesve të çetës dhe mbarë çetës të “Çakallit” (Dilaver Poçit) dhe “Ustait” (Gani Haloçit). Çeta labe e krahinës së Kardhiqit ishte gjithmonë në veprim dhe në aksione të pandërprera, ndërkohë që rritej dhe forcohej. Viti 1943 filloi me një aktivitet edhe më të dendur të çetës në luftë kundër fashizmit në Urën e Kardhiqit, në kodrat e Humelicës, në rrugën automobilistike Viroi- Shkalla e Zezë; më 9 janar 1943 kapi dhe çarmatosi një patrullë milicie në fushën e Mashkullorës. Një grup i çetës u dërgua për të marrë pjesë në luftimet e Gjormit në Vlorë, që filluan në ditët e para të janarit 1943 nga populli e çetat e Mesaplikut. Çeta në mesjanari 1943 veproi energjikisht në zonën e Delvinës dhe Konispolit; ngriti këshillat nacionalçlirimtare në Rusan, Krane, Finiq, Stjar, Durmish, etj.; kontrollonte rrugën Delvinë-Konispol; kaloi Bistricën dhe sulmoi postën e xhandarmërisë në Aliko, duke i shpartalluar ata, goditi një autokolonë armike, ju rrëmbeu karvanët hajdutëve dhe kthyen rreth 50 kafshë të ngarkuara “gjoja për partizanët”, ku u gjykuan para popullit 7 veta nga gjyqi i çetës partizane. Ndërkohë si rrezultat i veprimeve të çetës posta e Sopikut u detyrua të dorzohej çetës partizane. Ura e Bistricë dhe pothuaj postat kufitare ishin të gjitha në zotërim të çetës partizane të krahinës së Kardhiqit. Është për tu shënuar një aksion shumë i sukseshëm i Zminecit, që ishte tipik partizan me sulm të befasishëm, ku u çarmatosën 28 ushtarë kufitarë, ndërkohë që në luftimet e 17-18 shkurtit 1943 në brezin kufitar Karoq-Leshnicë e sipërme pati të vrarë, 34 robër, 37 pushtë, 2 mitraloza të lehtë “Breda”, një mitraloz i rëndë “Fiat”, 5 revolvera, mbi 6000 fishekë, 80 bomba, 45 komplete e mjaft materiale. Çeta u shkndrua në një uragan dhe u bë mëse e njohur për ndihmesën që i dha popullsisë edhe në Finiq, e cila i hapi dyert dhe zemrat partizanëve. Tre ikursionet në zonën e Delvinës, Sarandës e Konispolit shkruan histori suksesi të luftës. Edhe fshatrat përreth në Rumanxa, Senicë, Leshnicë, Dushnik, Pandalejmon, Kulluricë shpërndanë kudo drith dhe shpresë. Pagëzimi i çetës u bë pasi kaloi provën e zjarrit. Më 27 Mars 1943 çeta morin emrin e patriotit dhe luftëtarit të rilindjes kombëtare “Çerçiz Topulli”, një emër i merituar plotësisht. Emrin e ri të çetës e prezantoi i deleguari i Komistetit të Partisë të Qarkut të Gjirokastrës Shefqet Peçi, por çeta e rritur më rreth 80 partizanë kishte mbritur në fshatin Prongji. Pas dy ditësh më 29 Mars 1943 çeta u mblodh sërish në Fushëbardhë dhe prej andej përreth tre javë shkoi në fshatrat e Vurgut, në Shalës, Dishat, Markat, Sopik, Vagalat, Hadër-Aga si dhe në zonën e Konispolit ku bashkëpunoi me çetën “Çamëria”. Ndërkohë në çetë kishin shkuar dhe Adil Çarçani, Demo Fejzo, Sejdi Hoxhalli, Haxhi Doraci e dhjetra të tjerë. Aksionet pas Rrëzomës, Vurgut e Konispolit vijuan në krahinën e Kardhiqit, Koronë, Kolonjë, Golem, fusha e Kardhiqit, qafa e Taroninës, Zhulat, Kapariel, ndërkohë që mbledhja e Rehovës më 28 prill 1943 e ndau “shapin nga sheqeri” ndërmjet organizatave që ishin hedhur në frontin e luftës por me ide dhe konceptim krejt të kundërt për mënyrën e luftimit të pushtuesve. Përballë Ali Bej Këlcyrës, Dervish Rexhepit, Ismail Golemi, Xhevat Kallanxhi, Qemal Shtino u vendosën Subi Bakiri, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, Siri Çarçani, Sheri Baboçi, Haxhi Progonati, Demo Fejzo, Bajram Sinoimeri. Akitiviteti i çetës vijoi edhe përgjatë Drinos, Labovë e Kryqit, Palokastër, Labovë, Suhë, Hormovë, Gërhot, Çepunë, Subash etj. Misioni i Çetës partizane “Çerçiz Topulli”,  mbeti emblemë heroizmi dhe besnikërie të idealeve të lirisë prandaj mbeti edhe emërndritur në historinë e LANÇ-it, pasi ajo në ditën e krijimit të batalionit partizan “Asim Zeneli” më 7 gusht 1943 tek rrepekt e Kardhiqit u bë një ndër formacionet që i dhanë jetë veprimntarisë së batalionit të lavdishëm partizan që mbante emrin e heroit dhe dëshmorit “Asim Zeneli”. Gani Haloçi ishte tashmë më i rritur dhe me eksperiencë në luftime, ndaj edhe kënga e tij gjëmoi në të dy brigjet e lumit Belica të krahinës së Kardhiqit: “O Cepo, moj ballëlartë,/Të mbiu lufta në prag,/Luftë ditë e luftë natë”.

Burri që rrezatonte urtësi, mirësi dhe besim

Gani Haloçin e njohin dhe gurët e rrugës për urtësinë, mirësinë njerëzore dhe besimin në idealet patriotike e atdhetare. Ai punoi dhe jetoi plot nder dhe dinjitet. Shërbeu me vetmohim në detyra rëndësi pas luftës antifashiste dhe çlirimit, atje ku kishte nevojë atdhe. Bazë e jetës së tij ishte “nderi-detyra-atdheu”, ndërkohë që ishte një familjar shembullor, i admiruar në jetën shoqërore si qytetar dhe ushtarak shembullor. Kushdo që merr penën për të shkruar për Gani Haloçin e ka të lehtë sepse ai e vetshkroi jetën e tij dhe la një libër-vlerë “Jeta ime”, që është publikuar në vitin 2009, “me rastin e njëqindvjetorit të lindjes”, por nga ana tjetër e ka edhe të vështirë sepse duhet të matë fjalët për saktësinë dhe kronologjinë e ngjarjeve, sepse është e pamundur të anashkalosh dhe as të “dalësh nga shinat”, sepse jeta e tij është e mbushur plot me vlera të spikatura të luftës, të punës dhe të jetës qytetare e familjare. Ai nuk ka pasur nevojë të hulumtojë thellë në arkiva sepse me kompetencën e një historiani dëshmimtar në jetë e në luftë, në punë e forume ka sjellë vetë dimensionin e një njeriu të thjeshtë e punëtor, dimensionin e një shembullori që nuk ka nevojë për asnjë dafinë për jetën e tij reale dhe të mbushur plot jetë e aktivitet. Në rreshtat ku thotë “gjurmët e jetës time..”, ka eliminuar fjalën “unë” me fjalën “neve”, dhe këtë e ka dokumentuar me firmën e tij, sepse ai përgjatë gjithë jetës luftoi dhe punoi me miq dhe me shokë. Ai nuk shkroi thjeshtë një libër, por ngriti një memorial që e përjetësoi jetën e gjithë Prongjisë, të Krahinës së Kardhiqit, ai përjetësoi të vërtetat e mëdha të çetës “Çerçiz Topulli”, të vend themelimit në Fushëbardhë dhe të vendit ku ju dha emri kësaj çete në Prongji. Ai flet me data dhe është i prerë dhe fjalën e ka të larë me dritën e diellit që nuk lë shtigje për shtrëmbërime e rregullime, sepse ai ishte vetë arkivi dhe ditarshkruesi i veprimtarisë së çetës së parë partizane të Krahinës së Kardhiqit, por dhe i formacioneve të tjera partizane të ngritura në këtë krahinë si: 12.12.1942 krijohet në Fushëbardhë çeta partizane “Çerçiz Topulli”; më 7.8.1943 krijohet tek rrepet e Kardhiqit e Prongjisë batalioni partizan “Asim Zeneli”; 12.12.1943 krijohet në Fushëbardhë batalioni “Abaz Shehu”; në dhjetor 1943 krijohet në Fushëbardhë batalioni i rinisë i krahinës së Kardhiqit; në Janar 1944 krijohet në Fushëbardhë  Grupi i Parë partizan me dy batalione; në prill-tetor 1944 në Fushëbardhë ka vepruar Komanda partizane e vendit. Në çdo fshat të krahinës së Kardhiqit kishte çeta territoriale, depo armësh, depo ushqimi, furrë buke spital partizan, ndërlidhje telefonike me Cepon, Senicën, Shtabin e Zonës së Parë Operative Poliçan. Ndërkohë që në tetor 1944 populli i krahinës së Kardhiqit i mbledhur në Fushëbardhë i dërgon një telegram përshëndetjeje qeverisë demontartike të Beratit. Në vitin 1942 në fshatrat e krahinës së Kardhiqit janë pritur çetat partizane si më poshtë: çeta “Çerçiz Topulli”, çeta “Hajredin Tremishti”, çeta “Avni Rustemi”, çeta “Koto Hoxhi”, çeta “e Bregut”, çeta e Çamërisë; në vitet 1943-1944 batalioni partizan “Asim Zeneli”, batalioni “Abaz Shehu”, Grupi i Kurveleshit; Grupi “Çamëria”; ndërsa nga Brigadat partizane në krahinë e Kardhiqit janë mirëpritur formacionet partizane të: Br1S; Br.IIIS; Br.VS; BrVIS; Br.VIIS, BrXIVS. Lapidari i 540 partizanëve të batalionit Asim Zeneli flet qartë edhe për gjakun e 104 dëshmorëve të kësaj krahine lavdiplotë, që përfaqësonin pushkët e luftëtarëve të gjithë krahinës së Kardhiqit që i bën nder Labërisë, Gjirokastrës dhe mbarë truallit shqiptar. Të gjitha këto të dhëna vijnë përmes shënimesh të luftëtarit, partizanit dhe kuadrit të lartë ushtarak Gani Haloçi, që në fakt i bën nder historiografisë shqiptare dhe veçanërisht asaj ushtarake. Ai nuk mbahej kurrë “në të madh e të rëndë”, sepse pikëpamja e tij ishte më se njerëzore: “Madhështinë e njeriut nuk e bëjnë postet e larta që arrin në jetyë, por virtytet, karakteri i tij, ideali atdhetar, familja, të cilave u përkushtohesh”. Ai gjatë karrierës ushtarake është vlerësuar me tetë dekorata të të gjithë niveleve, përfshi dhe vlerësimet me dekorata si medalja e kujtimit, e trimërisë Urdhërin e Skënderbeut, vlerësime nga Këshilli i komunës, si “krenari e Komunës së Cepos” me vendim nr.31 datë 22.05.2003, “si atdhetar, patriot dhe pjesëmarrës aktiv i lëvizjes nacionalçlirimtare”. SHKA “Labëria” ka vendosur të nderojë me “Mirënjohje të Labërisë”, këtë figurë madhore të Labërisë, që ju priu formacioneve partizane, por dhe të ushtarakut madhor që ka shkëlqyer denjësisht në karrierë në shërbim të Atdheut. Gani Haloçi është vlerë shembullore luftës, e punës dhe e jetës, por dhe veprimtarisë qytetare shoqërore e familjare, për të gjithë etapat e jetës së tij ndriçon fort ndershmëria e përkushtimi ndaj vendit. Për këtë arsye meriton të nderohet thellësisht për dimensionin vital dhe rezatimin që bëri në veprimtariinë e tij në emër të misionit si luftëtar dhe si ushtarak i denjë, si patëriot dhe intelektual. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës njeri i drejtë, me kulurë të gjerë, i butë, i arsyeshëm e tolerant, që rriti bashkë me bashkëshorten e Ganiut, Qeribanë shtëtë fëmijë, në një fole të ngrohtë mirësie e dashurie njerëzore, që vijuan bindshëm rrugën e prindërve të tyre të mirë. Mirënjohje, homazh dhe përjetësi për burrat që shkruan histori dhe vunë gjithçka në dispozicion të vendit dhe krejt shqiptarizmës. Mirënjohje dhe homazh për ish-Nënkolonel Gani Haloçi që nuk vrapoi kurrë pas lavdisë, por eci thjesht dhe me guxim në jetë, duke rezatuar urtësi, mençuri, përkushtim ndaj familjes, shoqërisë, atdheut.

 

 

Please follow and like us: