Albspirit

Media/News/Publishing

Edison Ypi: Biçim romani i Verem Kuçit

Nis e lexon biçim romanin e Verem Kuçit. Që në faqet e para ndjehesh i rrethuar me duna rëre mes një Sahare të vakët, as të ngrohtë as të ftohtë, pa diell, pa hënë, ku mund të udhëtosh gjithë jetën pa parë asnjë beduin, asnjë deve, asnjë oaz, por rërë dhe vetëm rërë ngado që të hedhësh sytë.
Biçim romani i Verem Kuçit, si gjithë biçim romanet, nuk të lodh, nuk të shplodh, nuk të mahnit, nuk të magjeps, nuk të bën të ëndërrosh, nuk të qartëson, nuk të turbullon, nuk të çon kurrkund, nuk të sjell prej askund, nuk të ankthëson, nuk të relakson, nuk të thur, nuk të çthur, nuk të sëmur, nuk të shëron, nuk të bën të qash, nuk të bën të qeshësh, nuk të bën të kujtosh, nuk të bën të harrosh, nuk të mbron, nuk të sulmon, nuk të entuziazmon, nuk të zemëron, nuk të shtyn, nuk të tërheq, edhe nëse e lexon edhe nëse nuk e lexon, edhe nëse ekziston, edhe nëse nuk ekziston.
Biçim romani i Verem Kuçit nuk të bën asgjë sepse biçim romani i Verem Kuçit nuk është shkruar për t’u lexuar. Biçim romani i Verem Kuçit është shkruar vetëm për t’u promuovuar, vetëm për t’u llafosur si sukses letrar, si vepër me vlerë, si kryevepër e pashoqe.
E lexon biçim romanin e Verem Kuçit, dhe, ngaqë nuk të besohet se kotnia e kotnisë ekziston, pyet veten për biçim romanin; Morpo çfarë është ky që kam përpara: kullorëse makaronash, xhezve, qëruese patatesh, thikë, pirun, tenxhere me presion?
Meqënse nuk mund të ketë roman ku asgjë nuk ndodh, vazhdon lexon biçim romanin e Verem Kuçit me shpresë se pas pak diçka do ndodhi. Gabohesh. Përveç episodeve banale me përplasje gotash dhe batuta pijanecësh që ndodhin mijëra herë çdo ditë nëpër kafenera, në biçim romanin e Verem Kuçit nuk ndodh asgjë tjetër. Në biçim romanin e Verem Kuçit diçkaja që pritet të ndodhi, bësh shumë kujdes të mos çfaqet duke ndërruar vazhdimisht skutën ku është fshehur.
Në Shqipëri ka male me qeleshe bore, lugina marramendëse, përrenj dhe ujvara gurgulluese, banorë lokalë që të rrëfejnë dromca mahnitëse nga jetët e tyre në dialekte muzikore me të ikë menia e kres, e të tjera e të tjera.
Në biçim romanin e Verem Kuçit nuk ka të tilla.
Në biçim romanin e Verem Kuçit mund të gjesh, e shumta, rreziqe të hamendësuara se po vajte diku mund të çpohet goma, apo ndoshta ta prishin qefin disa ngatrresaxhinj dhe të tjera të papritura të pakëndëshme krejt të parëndësishme.
Biçim romani i Verem Kuçit, gjatë leximit të jep ndjesinë sikur po kafshon llastik, po gëlltit zaje lumi, po pi uthull, po ha lëvozhga arre, po përtyp zhavorr.
Biçim romani i Verem Kuçit, nuk ka asgjë të butë, asgjë të ngrohtë, asgjë njerëzore, nuk ka jetë, nuk ka ndjeshmëri, nuk ka magji, nuk ka energji, frymëzim, fluturim, dritë, diell, qiell.
Biçim romani i Verem Kuçit ka vetëm gjëra të thata, të shkreta, të ftohta, nga ato me të cilat është marrë Sigurimi i Shtetit; Pasaporta, viza, vula, aeroporte, hotele, recepsione, kafe, konjak, whiskey, biseda gjoja të thella pa pik yndyre brenda.
Biçim romani i Verem Kuçit është një kazan plehrash plot me kotnira dhe budallallëqe.
Në faqen 47 njëri i thotë tjetrit të ulet “në të vetmin kolltuk që të zinte syri në atë dhomë”. A thua se në atë dhomë kishte edhe kolltuqe të tjerë që syri nuk i zinte, por tjetri mund të ulej.
Në faqen 90, mysafiri “u lëshua mbi kolltukun e parë që i doli para”. Që i bie se mysafiri mund të ishte lëshuar edhe në të dytin apo të tretin kolltuk që do ti dilte para, megjithse fjala është për të njëjtën dhomë dhe “të vetmin kolltuk që të zinte syri në atë dhomë”, ekuacion ky që, veç Verem Kuçit, s’ka kolltukollog as kolltukofag që e zgjidh.
Në faqen 72 kapitulli fillon me: “Bari ishte…”. Të shkojnë mornica nëpër trup. Të duket se më në fund diçka e vërtetë, diçka e gjallë e me jetë, bari i një lëndine, qoftë edhe 1 fije e vetme, më së fundi u çfaq në horizont. Gabohesh. Nuk është fjala për bar lëndine apo pllaje, apo kullote, por për Barin e Hotelit ku pihet kafe dhe bëhen dallavere.
Në faqen 79, “vuri buzën në gaz pa të keq”. Pra për Verem Kuçin e biçim romanit normalisht “buza në gaz” vihet gjithmonë “me të keq” dhe vetëm në raste të rralla si ky i biçim romanit buza në gaz vihet për të mirë. Ç’makabritet.
Kur ke lexuar mbi 150 nga 200 e ca faqet e biçim romanit të Verem Kuçit dhe bindesh se ajo çka po bën nuk është asgjë tjetër përpos një masturbim gjatë të cilit hallatin e tund ti qefin e bën Veremi, vjen në vete dhe kupton se je duke bërë gjënë më të pakuptimtë që mund të bëjë një banor i rruzullit. Ndodhesh mu aty ku takohen kotnitë e botës. Në antipodin e qëndrës së gravitetit të universit; Qëndrën e papeshës. Do kishte qënë më mirë të ishe dënuar me 25 vjet në Spaç për të shtyrë vagona brenda galerive. Të kap paniku. Ke bërë gabim fatal. Ke filluar diçka që nuk mund ta mbarosh as me durimin e derrit, budallallëkun e gomarit, ngadalësinë e breshkës, shpejtësinë e dritës. Ndjen se po fundosesh në një gropë balte rrëshqitëse me mure vertikale nga e cila nuk del dot sado të kacavirresh. Bërtit sa të duash për ndihmë. Nuk të dëgjon kush. Brenda gropës së baltës së biçim romanit të Verem Kuçit ke mbetur përgjithmonë. Aty e lë leximin. Flak biçim romanin. Ja fut gjumit.
I ke mbaruar të gjitha punët. I ke zgjidhur të gjitha hallet. I ke hequr të gjitha meraqet. I ke bërë të gjitha qefet. Ke dalë në pension. Është koha më e mirë të nisësh të lexosh biçim romanin e Verem Kuçit. Që është po aq roman sa Lana është Nil. Dhe vetë Verem Kuçi po aq shkrimtar sa sigurimsi që shet gazeta te qoshja e rrugës.
Please follow and like us: