Brunilda Spiro: T’i zbresim “heronjtë” nga skena
Ne njerëzit jemi qenie të dobëta dhe të pambrojtura, me sistemin imunitar delikat ndaj sfidave qe e përballim veten, kështu që lehtësisht na ngjiten ‘viruset’ që qarkullojnë mes nesh. ‘Virusi’ më i fundit që na është futur gati të gjithëve në trup, në mendje dhe gjak, siç bëjnë të gjithë viruset dhe nuk zhduken kurrë është dëshira e të gjithëve për të bërë një ‘selfie’, siç e emërtojnë shpesh me të tallur.
Këtë virus askush nuk përpiqet që ta luftojë, përkundrazi ka pasur raste që humbin edhe jetën, për të bërë një selfie të veçantë dhe të impresionojnë miqtë e facebook, ‘fajtorit’ kryesor të lindjes së viruseve të tilla.
Edhe mua më ngjiten shpejt viruset, sidomos kur janë kaq të lezeçëm dhe në modë. Kam bërë shumë selfie dhe i kam hedhur në facebook për t’i ndarë me miqtë, duke u kujdesur që të jem në vende të veçanta dhe tërheqëse. Kështu një ditë te pranverës që shkoi u ngjita sa më afër burimit të Valbonës. Ata që e kanë vizituar e dinë se ku ndodhet dhe pasi u afrova sa më afër majës të një shkëmbi të vogël i hapa mirë këmbët, sa kemi gjerësinë e shpatullave, ngrita kokën lart dhe nisa të thërras:
-Mujo, Mujo, Halil, Mujoooooooooo, dilni nga shpella, mjaft pritët! Erdhi dita që duhet të dilni!
Prisja që bashkudhëtaret e mia të qeshnin, por që të thërrisnin edhe ato, me zë koke, të njëjtën thirrje, të them të drejtën u befasova.
Thërrisja dhe shihja rreth e qark, sikur vërtet prisja të dilnin, ata heronjtë mitologjike me opingat dhe mustaqet e mëdha, të krijuar nga populli në periudha të vështira, me përmasa mitike.
Të gjithë popujt kanë krijuar heronj mitikë dhe legjendarë, si një kërkesë ekzistenciale kur ju kërcënohej ekzistenca në trojet e tyre autentike. Por nuk mund të mos vesh re një dukuri të çuditshme: ”Ne kemi krijuar heronj legjendarë, njësoj si popujt e tjerë të Europës dhe Ballkanit, veçse heronjtë tanë nuk janë të përmasave madhështore si të fqinjëve tanë”.
Ja të marrim fqinjët tanë më të afërt, megjithë me një bashkëekzistencë të gjatë shekujsh me ne, ata kanë krijuar heronj të pavdekshëm dhe gjysmë perëndi. Akili, i biri i Tetidës, bijës së Posedonit, mbretit të deteve ishte sa tokësor, aq edhe qiellor. Pas vdekjes së tij, populli krijoi Herkulin, birin e Zeusit, mbretit të zotave. Përse grekët kanë krijuar heronj me përmasa kaq të mëdha, bij të hyjnive dhe zotave?
Pyetjet përshakllëzohen…
Përse këtij populli i duheshin heronjtë kaq të pathyeshëm? Po ne, ne, përse nuk guxuam kurrë të krijonim heronj kaq mitikë, të mëdhenj e gjysmëhyjnorë?
Për t’u bërë të fuqishëm heronjtë tanë mitologjikë pijnë rastësisht qumështin e zanave, qënie mistike, me fuqi përtej të zakonshmes. Çuditërisht këto qënie me fuqi të mbinatyrshme askund nuk dalin si hyjni apo gjysmëhyjni dhe akoma më çudi më vjen se populli në mënyrë të pakuptimshme i bën ato të marrin tiparet e malësorëve e të mbajnë fjalën e dhënë duke të luftuar si të barabartë me ta.
Si ta mendojmë këtë zgjedhje, modesti të të parëve tanë apo kundërshtim ndaj krenarisë së tepruar të fqinjëve?
Vetëm në një rast, vëllai i vogël i Mujit, Halili ngjason në veprim me Parid hyjnorin, kur rrëmben vashën e Krajlit, duke e marrë për nuse, por përsëri krejt ndryshe nga fqinjët tanë, të cilët luftojnë me vite për të kthyer pas gruan e rrëmbyer të vëllait të vogël të Agamemnonit, Menelaut trim dhe të egër. Gjithashtu grekët e lashtë rrobinjat e fituara si plaçkë lufte, nuk i bëjnë kurrë nuse të tyre, siç bëjnë heronjtë tanë. Më kujtohet që në në një udhëtim tjetër drejt Kroacisë, duke admiruar gjithë atë vijë të mrekullueshme bregdetare më shoqëronte një trishtim të cilin pa dashje ua kalova dhe nxënësve të mi, dhimbjen e humbjes së këtyre brigjeve kaq të bukura. Mbaj mend që edhe atëherë nuk më linte rehat të kënaqesha plotësisht me pamjen, një pyetje e dhimbshme: “Pse të parët tanë ju lanë sllavëve detet dhe mbrojtën malet”?
Pyetjet përshkallëzohen:
Përse Bajlozi i zi, apo armiku vinte gjithmone nga deti dhe trimat tanë mbronin malet? Ku shkoi shpirti detar i pasardhësve të Teutës? Pse ju lamë detet dhe mbrojtëm malet?
Këto pyetje nuk kanë marrë akoma përgjigje të plotë as nga gjuhëtarët, të cilët nuk e shpjegojnë dot faktin, përse sot ne trashëgojme çuditërisht një leksik detar të varfër dhe të huazuar nga të tjerët, kur paraardhësit tanë, Ilirët kanë pasur flotat më të mëdha në dete dhe mbretëronin në një vijë të gjerë bregdetare. Unë mendoj se heronjtë legjendarë janë aq të mëdhenj, hyjnorë dhe të pathyeshëm, sa i madh, hyjnor dhe i pathyeshëm do të ndjehet një popull. Ne fatkeqësisht nuk kërkojmë madhështi, as të jemi hyjnorë e të pathyeshëm, pasi edhe sot dhe në çdo çast të historisë kemi pritur dhe presim që gjithçka të na imponohet nga jashtë dhe të na zgjidhet nga të tjerët. Duke bërë viktimën e një populli dhe vendi të vogël, pa krijuar brenda vetes sonë madhështinë dhe krenarinë për ata që jemi, ne do jemi gjithmonë humbësit më të mëdhenj të historisë.
Gjëja më e veçantë, të cilën nuk e ka krijuar asnjë epos, asnjë popull është shpresa që jeton në shpella, aty ku heronjtë tanë, Muji dhe Halili presin ditën që te dalin e të luftojnë për ne.
Një vetëdije e veçantë kjo e popullit tonë apo një vetënjohje në shkallë kaq sipërore e vetvetes?
I ngujuam në shpellë që t’i nxjerrim tashmë kur na duhen më shumë, në një kohë kur edhe bota përjeton një kaos, si kaosi i Titanëve.
Të bashkuara rastësisht në atë shkëmb të vogël, ne thërritëm më shumë se 5 minuta të njëjtën thirrje:
-Mujo, Halil, Mujoooooooooo, dilni nga shpella, mjaft pritët! Erdhi dita që duhet të dilni!
Pa kaluar në patetizëm, megjithëse në kohë të vështira nuk mund të thuash që është jo i vlefshëm, mendoj që duhet t’i risjellim e ringjallim brenda vetes sonë për të krijuar forcën, kurajon që na duhet sot që të luftojmë për të hequr nga shpirti bujarinë, tolerancën dhe modestinë. Dhe diçka që duhet ta mendojmë mirë, përse po përpiqen kaq shumë, ata, aktorët politikë të na bëjnë të dukemi edhe më tolerantë. Ju intereson shumë duket vazhdimësia e përulësisë që na imponoi sistemi komunist, që na bëri të butë e të qulltë, gjë që po e paguajmë akoma. Nëse do bëhemi akoma më shumë të qulltë, do e pagujnë edhe brezat pas nesh. Në pamje të parë këto tipare, duken sikur janë virtyte, por përballë kaosit që përjetojmë sot, të tërhequr në pozicionin vetëm të spektatorit, ne po humbim veten dhe dëshirën për të qënë këta që jemi. Duam të ikin të gjithë nga sytë këmbët, jo vetëm ata që jetojnë në kufijtë e varfërisë, por edhe ata që kanë të ardhura materiale të mira.
Ose ikim të gjithë dhe lemë vetëm ata, aktorët që luajnë teatër me role të pështira ose ndërrojmë vendet dhe t’i qërojmë nga skena. U lodhëm duke dëgjuar akuza dhe duke parë skena të turpshme dhe të frikshme njëkohësisht. Mjaft folëm me njëri-tjetrin: “Na lodhën, na çmendën, nuk i dëgjojme dot më”, etj si këto. Mbetëm vetëm duke folur, kur fqinjët tanë ngrihen dhe ndërrojnë qeveritë, ne tolerantët presim të ikin vetë nga majat ku i kemi vendosur.
Ju kemi dhënë përmasa mitike dhe po i bëjmë heronj të tragjedisë sonë.
Mos kemi ngatërruar heronjtë e vërtetë?
12 dhjetor 2015.