Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: RRITEN VAZHDIMISHT GJYSLYKËT E TUA!

 

Tregim

 

Ke vdekur plak? Atëherë, ku djallin je? Ku je futur që nuk të shoh e nuk të gjej dot? Asgjë prej gjëje nuk më kujtohet qartë. E vetmja gjë që më bën të trembem natën janë syzet e tua që rriten e zmadhohen vazhdimisht, duke u shtrënguar fort me llastik pas qafës së asaj fytyre tërë rrudha e gunga, si shkëmb dhe duke lënë një rreth mavi rreth kokës tullace. Ato rriten, rriten aq sa ma bëjnë veten të vogël sa një buburrec.

I gjori Borjan! O plaku im pa fat!

Nuk më vjen ndërmend se ç’thoja gjatë përhedhjeve që më bëje në ajër, por di se në ato çaste isha më pranë Perëndisë dhe atje më dërgoje ti. Ëndërroja mbretin e qiejve i cili do të më falte një kalë të bardhë që dinte rrugën tek princesha Flakëza. Atëherë i kisha besuar vërtet kushërirat e mia që përrallonin realisht princin e tyre imagjinar.

Ku të kam parë për herë të parë? Ku të harrova takimin e fundit, o plaku im i ngratë?

Në shtëpinë tonë nuk qemë mësuar ende me ardhjet e tua. Madje, as që u mësuam kurrë. Ne fëmijët, e rrethonim duke qeshur “atë farë burri”, i cili përpiqej të na bënte për vete duke ulërirë si ujk dhe duke qeshur kur ne ia mbathnim nga frika. Lodrat e tij ishin përherë të vrullshme brenda një qetësie që më vonë do e shihja në dasmat e fisit ku gjyshi kërkonte përherë vend për të kërcyer vallen e Osman Takës. Gjyshja ime nuk e kishte dashur dhe nuk e kishte honepsur kurrë Borjanin. I qe dukur gjithmonë barkpangopur, i limaksur dhe tërë harbutëri. Por gjyshi thoshte se ishte zotni burrë dhe se i ishte gjendur shumë kur ishin ngulur këtyre anëve, sidomos kur xhaxha Skënderi u “mor mësysh” nga një plakë sykeqe që e bëri të jetonte gjithë jetën e burrit me mendjen dhe shpirtin e fëmijës katër vjeçar. Plaka kish vdekur qëkur, por syri i saj i mallkuar kishte mbetur brenda xhaxha Skënderit.

Borjani ato kohëra kishte bërë hi gjithçka që xhaxhai im të shërohej, por nuk kishte qenë e thënë. Unë nuk i kuptoja gjer vonë, përse ata donin e përpiqeshin ta nxirrnin nga fëmijëria xhaxha Skënderin,pasi vetë do të kisha dashur të mbetesha pêr gjithmonë fëmijë. Më vonë kisha takuar plot burra që duan të kthehen në fëmijë, pasi nuk e mbanin dot peshën e rëndë të burrit. Kam njohur edhe fëmijë që veshin këpucët e baballarëve. Por këto vite janë tretur e janë degdisur larg. Po aq sa jam dhe unë larg vendit dhe njerëzve të mi.

Përse mu kujtove sot Borjan? Sa herë që udhët e mia të jetës ngushtohen, mendja më shkon tek ti. Kemi fat të përbashkët, në dy jetë. Por unë e kam zgjedhur zanatin e endacakut edhe për tu zbavitur pakëz me këtë jetë. Jam mirë, o zot, sa jam gjallë. Njeriu gjen ngushëllim kur sheh fat të përbashkët, për mirë a për keq, edhe tek të tjerët. Por fati im është shkruar me një gluhë tjetër, të ëmbël e të bardhë si klumështi që më vinte përpara plaku Borjan kur i shkoja për vizitë në Shkodër.

Ai kishte qenë në të gjitha ngjarjet e mia,ndërsa unë nuk kisha qenë kurrë në të tijat. Në asnjërën. Në asnjërën prej tyre. Ndoshta nuk kishte qenë nevoja e kësaj,pasi ishte shpallur marrëdhënia mes nesh:- ai do të ishte përherë veriu, ndërsa unë përherë akrepi i busullës.

Më kujtohet koha kur isha ushtar. Më thanë se më kërkonin tek porta. Vetë engjëlli, mu duk sikur më thanë, pasi prej pesë muajsh, askush, veç tim eti, nuk kishte shkelur në atë repart të largët. Nga larg pashë një gërrmuq që priste jashtë hekurave. Gjysh Sulejmani ishte aq plak sa nuk mund të besoja se kishte marrë gjithë atë rrugë për të ardhur e për të më parë. “Kush do të jetë vallë”- mendova. Ku nuk më shkoi mendja,por për Borjanin nuk u kujtova dot. Ishte pikërisht ai,plaku Borjan.

-Plaku është me ty,biri im,- foli ai përmes ngashërimeve. Kam udhëtuar tetë orë- më tha.

E mora ndër krahë plakun që po më ikte nga duart, po fironte ngadalë.

– Si erdhe gjer këtu,or plak?- e pyeta.

– Duke pyetur,- u përgjigj shkurt ai.

– Erdhe mirë?

– Duke u ngatërruar. Jam bërë plak matuf dhe të gjitha rrugët më duken njëlloj.

Mezi rrinte në këmbë. Ishte i dobët e i drobitur sa më dukej se nga çasti në çast, mund të më ikte, të fluturonte. E mbulova me kapotën time.

– Në fillim gabova dhe rashë në një stan dhe desh më shqyen qentë. Pastaj kur e gjeta udhën, desh më vranë ushtarët, pasi tani as nuk shoh më si dikur. Vetëm rrugën e varrit, atë nuk e ngatërroj dhe e shquaj mes mijëra të tjerave- tha ai.

Kur iku mendova se nuk do e shihja më,ndaj dhe i putha sytë gati të verbër. Ky ishte fat.

 

Të gjithë thoshin se unë kisha lindur për t’u çmendur ngaqë lexoja gjithë ditën e ditës libra. Por kjo nuk ishte fare e vërtetë. Nëse do çmendesha një ditë, siç më qe premtuar prej njerëzve të mi,kjo do të ndodhte vetëm ngaqë përherë harroja pikërisht, njerëzit që më kishin dhënë shpirt e mes tyre edhe Borjanin.

– Ai qau ditën që do ikje ti- më tha njëherë im atë. Kishte tri ditë që të priste dhe kur ti nuk ndenje me të aq kohë sa ai kishte shpresuar, filloi të qajë. Ndoshta ai mendon se je i tij. Të ka krijuar. Që nga fëmijëria kur të merrte në krahë e të shëtiste nëpër qiell, kur i mbulonte klithmat e tua të frikësuara me të qeshurën e vet të bujshme. Vetëm librin e tij më duket se ke nxënë, nga të gjithë librat që ke lexuar- më tha babai.

 

Ku je Borjan? Në atë azilin e shkallmuar në Shkodër? Në Parajsë? Më dërgo një fjalë,aq sa për ti pranuar dhuratat e mia prej fjalësh.

Paqja qoftë me ty, në jetë të jetëve, o plak!

Fjalët e tua mos u tretshin kurrë!

Kujtomë dhe mos më shih më me ato gjyslykët e tua që vazhdojnë të rriten. Të rriten vazhdimisht, për të më shndërruar në hiç, në asgjë, në buburrec.

Kam ende rrugë, or plak!

Please follow and like us: