Tonine Hido: Dashuri, nderim e përshpëritje plot pendesë…
Vlerësim rreth librit “Mukajt dhe Papavangjelajt” me autor Vasil Muka
Si lexuese me “syze të forta” pleqërie,them në këndvështrimin tim modest që libri i nxënësit, mësuesit, kolegut tim Vasil Muka më kënaqi së tepërmi për vlerat e shumta që përcjell, sidomos për mesazhet e vlerave njerëzore, për të cilat kemi shumë nevojë gjithë kohën, sidomos tani.
Libri më ktheu dhe mua, si fëmijë që regjistron çdo kujtim, çdo relike, çdo shenjë të hapave në jetën tonë dhe m’u duk që Vasili (Cilja- i riu) kishte varur në të dy veshët degën dyshe të qershive në stinën e tyre, për të shijuar sa më gjatë “në dy veshët” zërat e hershëm dhe gjer tek të rinjtë, me qëllimin e mirë, të pafajshëm që të gostisë edhe lexuesit e të këndojmë secili për jetët tona si dikur: Dy qershi lidhur në degë/ shije mollë, shije shegë/ janë fruta nazelie/ për gliko nikoqirie/…
Qesha me vete, se përfytyrojnë çdo rresht tëkujtimeve të autorit plot vlera njerëzore, përjetimet e brishta, çiltërsinë e moshës që nuk di të gënjejë. Çmoj e mat pulsin e një fisnikërie si ADN-ja e rrënjës familjare të tij, me drejtpeshimin e nevojshëm këto raste, pa mburrje dhe “dëngla”, por vetëm fakte, sepse e “vërteta” thuhet, s’ka nevojë për alternativa…
Pjesa e parë e Mukajve
Kështu pas vizitës në pavionin e shtëpisë-muze të Mukajve në “Pazarin e Vjetër” të qytetit muze të Gjirokastrës, ndenja me fëmijërinë e autorit në “dhogën” pranë dritares, vendosur enkas për ta, që të çmallesha përtej dëshirës së “ndaluar” me dritën e “perdes” që e shqeu koha; të shoh dritën e Papavangjelajve-Priftajve, rrënjët e shëndetshme të nënës së dashur Eftalisë, Talos…
Si lexuese, libri i dytë, lidhur me degën e të parit, sipas meje, provokon kujtime të secilit për njëkohë të errët, të cilën e kanë jetuar të gjithë- si viktima apo inkuizitorë, aspak të penduar; mjerisht, këta turfullojnë dhe sot që “kanë bërë detyrën”, që s’përgjigjen për “çfarë mdodhte” në bazë, ata zbatonin urdhërat nga lart… nga lart fare.
Nuk mund “të prish” aspak skenën e krimit ndaj Papavangjelajve, sepse duke qenë dikur banore e hershme e Varoshit, me lidhje miqësie, krushqie të nderuar nga njerëzit e burrit tim, Miltos, me Zhapajt, Mekshajt, Priftajt e Labovës; me Koto Hoxhin dhe Zografajt e Qestoratit, i përfytyroj të gjallë vuajtjet e kalvarin e njerëzve të kësaj sëre në Gjirokastër e kudo, por dhe shumë në Shkodrën time; mirëkuptues për situata të ngashme goditjeje, aty gjetën strehë të ngrohtë familje të shumta nga Gjirokastra (Karagjozi, Lito, Angoni, Zverku, etj.)
Libri është “arkivë” e çmuar e makutërisë së shtetëzimeve me vulën “Vdekje fashizmit-Liri popullit” duke dëshmuar, sipas meje për një “fashizëm” të ri, por të zhgarravitur me emrin “komunizëm”.
Ka vlerë, dokumentimi në detaje, duke treguar se në Gjirokastër, si në gjithë Shqipërinë, “aktet e pronësisë” janë ruajtur, veç atyre në familjet që zotëronin këtë për vetë kulturën e çdo titulli, por edhe për devotshmërinë e nëpunësve që nuk lejuan t’i grisnin ato.
Qesh “gjëmthi” me faktet që shumë sende me vlerë të vjedhura nga regjistruesit e “shtetit”, pronarët i gjenin në shtëpitë e kusarëve, të cilët, kurrsesi muk mund t’u afroheshin vlerave morale qytetare të mbajtësve realë të këtyre…
Qesh “gjëmthi”, se mu kujtua që një mbajtëse prej argjendi të gotave të vogla të familjes Hido, grabitësi i zyrës së “pasurisë shtetërore” e kishte përshtatur për kornizë të “udhëheqësit të madh”, krah veprave me kapakë të kuq, të cilët duhej të qenë në çdo familje (na i jepnin me detyrim ditën e rrogave) dhe në krah, patjetër duhej të qe portreti i të madhit. Syri i mprehtë i çdo vizitori, në vizitat kolektive për festat kombëtar, kontrollonte “së pari” këtë fakt.
U zgjata me ndërhyrje, nga paralelet që provokon libri-dëshmi i diktaturës, të cilat i kemi përjetuar në familjen e tim shoqi po në Varosh, ndonëse të qënit fisnikë të rënë nga vakti, mbanin emrin e gjyshit Vasil Hido, kryesues i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për zonën e Gjirokastrës (dekoruar me Urdhërin e Trimërisë 1978) dhe nipit të tij Lame Hido- dëshmor, rënë (piketuar) për t’u vrarë gjatë kthimit nga internimi 5-vjeçar në ishullin Ventottene të Italisë, që sot prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por asnjë rrugë në Gjirokastër nuk mban emrin e tij.
Sa paralele thërret libri juaj, Vasil!…
Prekem thellë me të kërkuarit ndjesë mamasë suaj, që nuk e kuptuat dhimbjen e saj. Shpirti i saj e di çfarë ka kaluar në kalvarin e mëdyshjes, midis gjakut që rridhte pastër, rrëmbyeshëm, akuzues për “harresën” e njerëzve më të dashur, shpërndarë si “zogjtë e korbit” nga frika e “çlirimtarëve”. Më dhemb shpirti si nënë që mëdyshjen e frenonte nga dashuria për Ju dhe familjen Muka, që kuptonin, ndjenin, ndanin heshtur vuajtjen e nuses së fisme që kishte ndritur shtëpinë me zgjuarësinë, nikoqirinë, durimin dhe përshtatjen –simbol të qëndresës, me situatat që kalonte ajo vetë, familja prindërore, pa dashur të rëndonte të dashurit e familjes ku erdhi nuse e rrallë, trajtuar si bijë e madhe plot vlera njerëzre, që pasuruan këdo brenda e jashtë shtëpisë.
Dalin bukur, natyrshëm, në një rrrjedhë realizimi të lakmuar ato që thashë më lart. Dalin përmes respektit ndërsjelltas që tregon autori në marrëdhëniet dhe jetën familjare, por edhe shoqërore.
Kjo shton vlerën e mesazhit që njeriu në jetë përshtatet me rrethanat e krijuara, pa tjetërsuar thelbin e vlerave të karakterit; përshatet duke dhënë më të mirën që iu duhet fëmijëve dhe familjes, por edhe shoqërisë, ndershmërinë, shërbimin plot përkushtim, sakrificën e dinjitetit për më të mirën e të gjithëve. Zonja Talo Muka sjell makinën personale të trikotazhit, pjesë e pajës së saj, në repartin e posakrijuar në qytet, duke dhënë ndihmesën si pioniere e parë e një zeje të re, që u bë ndër më të lakmuarat në qytet e më gjerë.
Zonja Talo, mamaja e mençur së cilës i kërkoni ndjesë, ju ruajti gjithë jetën si zogjtë në një fole të ngrohtë. Ju mëkoi vlerat se njeriu në jetë plotëson shumë mangësi materiale, por edhe shpirtërore (deri në një farë mase) përmes punës së ndershme, dashurisë për njerëzit dhe mjedisin. Këto vlera jua mëkoi mamaja, së cilës i kërkoni ndjesë, me “regjistrin” e fshehur në shpirtin e mendimet e saj për emrat, origjinën, pa kaluar në ndrydhje të kujtimeve të bukura, të cilat sipas librit, vijnë natyrshëm për emra dhe ndodhi, herë komike, më shumë dramatike të personazheve që na bëhen të dashur, të nderuar, të fiksuar në telajon e një kohe “pakthim”, “dëbuar” nga jeta e brezave tuaj e gjithmonë.
Me finesën e stilit të jetës familjare të trungut që i përket, autori me ngjarje, rrethana të jetuara, plot vërtetësi, përcjell edhe qëndrime që s’i pëlqejnë natyrës së tij të çiltër, mirëkuptuese, shërbyese dhe prirje për të bërë mirë dhe kur këto raste u përkasin njerëzve më të dashur të rrethit të familjes. Qëndrimin kritik për plogështi dhe mospëlqim të punës prej “disave”, Vasili nuk mungon ta mbështesë me burimin e apatisë. Tangent u kalon rasteve konkrete, pa dashur t’i fyejë njerëzit që do shumë, por që duhen të thuhen edhe të vërtetat.
Regjistri interesant (datëlindje- datëlargim nga jeta), shumë prej tyre të cilëve nuk mundët t’i njihnit dhe të ndienit s’afërmi blerimin e pemës së Papavangjelajve, ju i thërrisni shpirtrat e tyre në “trapezën” e nderuar të të vdekurve për së gjalli, u kërkoni ndjesë përulësisht me qirinj të shumtë pendese për çfarë nuk u dhatë dhe çfarë s’morët drejtpërsëdrejti moralisht prej tyre. Të jeni mëse i sigurt, i dashur Vasil, që i keni qëndisur bukur vlerat e secilit prej tyre, një për një, pa harruar asnjërin, përmes portretizimit mbresëlënës që bëni për secilin: nga të dhënat familjare, tërthoraz nga kërkimet tuaja përme të afërmve dhe miqësive etj, etj. Shkurt një biografi ku duhet të jenë të gjithë në apelin e librit që i përmbledh në një festë, shumë më të gjallë se dita e dhënies së titullit “Mirënjohja e Qytetit” dhe emërtimit të rrugës, ku jetuan të gjallët-e vdekur, duke folur përditë pikërisht nga mungesa e tyre; pa fjalë, kalimi juaj para shtëpisë me nënën përdore, ka qenë pikërisht akuza më e rëndë për ata, që ju morën pasurinë, shtëpinë, gjithçka materiale, ngaqë nuk mund të “shpronësonin” emrin, dinjitetin familjar të sprovuar krah qytetit të Gjirokastrës, por edhe në Vlorë, Labovë, Qestorat, Tiranë, Greqi, Amerikë dhe n’amshim.
Duke ecur me dhimbjen e nderimin e kujtimeve të autorit në libër – testament, çmoj, veç të tjerave realizmin, natyrshmërinë, thjeshtësinë, bukurinë e rrallë të së folmes së Gjirokastrës, spërkatur me fjalë e shprehje frazeologjike tipike pafund, vlerësoj qëndrimin e njeriut të ndershëm për t’i parë e çmuar sitiuatat, njerëzit, edhe të afërmit në procesin e vetë ndryshimeve të jetës, që s’përjashtojnë kurrëkënd.
Sa prekës takimi me Tezen që vinte nga Greqia së pari, pas një “jetë- ndarjeje”, pritjeje (me entusiazmin përkatës), kosi që “s’e hante”. Ajo vajtje para jush e Mama Talos në Greqi, pritja e përcjellja këndej e andej me dhurata panumër për të gjithë, plot sqimë e finesë të familjes Muka–Papavangjeli-Zografi, por edhe krenarisë gjirokastrite për t’u treguar të tjerëve se “çoç dimë dhe bëjmë ne këndej, mos na dini të humbur e të vuvosur nga diktatura…”. Ha, ha, ha … qesh sa të duash.
Diferencax e pritjes së tezes nga të dajkos në Amerikë, etj, i ka lënë autorit shijen e hidhur se largësia i ftoh njerëzit… (mesazh për të sotmit e ikur “kuturu”). Me paralele të ngjashme çdo vizitor “përtej” kufirit, ndjen dhimbje, kur shikon se ca andej (ndoshta edhe këndej) të shohin me mëshirë ndaj të “varfërve” kur është e kundërta për nga vlerat që vë në peshore secila palë realisht…
Rendja me “kaçkavallin”, “verën” e dhuratat e punuara me dashuri për të dashurit e “përtejmë” gërvishin plagë të vjetra që shkaktuan ndarjet e gjata, duke dënuar “Diktaturën e proletariatit” njerëzit e një gjaku, të një rrënje…
Me realizëm, vërtetësi, jashtë politikave të ditës, kuptohet qëndrimi i “të larguarve”, marrëdhëniet me ambasadorët e Shqipërisë andej, etj, kur dhe krijohej një lidhje e mençur “përfaqësi diplomatike në diasporë”; prej kësaj veç mirësi ka vetë shteti, njeriu në veçanti, e ardhmja.
Bazë e çdo progresi – thotë me rrëfimin e sinqertë autori është puna e ndershme, qëndrimi dinjitoz i njeriut, kudo që shkon, pasi modelon rrënjët, identietin personal, familjar, kombëtar.
Takimi me mjekët e spitalit në Patra të Greqisë e vërteton “çmimin” e secilit… nga që elitat e çdo kombësie çmojnë dhe ndihmojnë këdo, sipas kodit të pashkruar të vlerave të vërteta.
Po takimi me dajkon e Amerikës- kapitull model për lidhjet familjare, një leksion për “ata” që ikin, marrin udhët pa kthim nga e keqja, duke fluturuar se çdo gjë, është e lehtë, jeta si në ekranet e filmave, si në premtimet e miqve “të vërtetë” që gjenden kollaj, sa të dalësh tej vatrës familjare, që të ruan e të mbron, të ndihmon me gjakun e zemrës çdo moment.
Pija birrën e ngelur të klientëve – tregon Dajkua, pa fshehur punën e rëndë, kursimet, durimin për të vënë pak para, për jetën familjare, tutje ndershmërisht për t’u ndihmuar edhe njerëzve të shpirtit këndej, pa kursim. Këto dalin si “përfitim” për lexuesit nga thjeshtësia, çiltërsia, vërtetësia e rrëfimit të autorit, në libër me nota besimi të plotë.
Përmes ngjarjeve tej shekullit ndoshta, në rrjedhën e jetës së dy familjeve fisnike, më në zë të Gjirokastrës, lexuesit që s’i ka njohur as dëgjuar kurrë, i vjen në thirrjen e kohës, tani. Për polin e elitave të qytetit, shoqërisë, që janë modelet, promotorët e zhvillimit, kapitalistët e parë me fabrikën e lëkurë–këpucëve në Gjirokastër, Vlorë, dyqane në Tiranë, Mukajve me rostiçerinë e rrallë, etj. Prej tyre veç fitim ka çdo njeri, shoqëria vetë. Ato janë shkollë e madhe patriotizmi, pune, djerse, marrëdhëniesh familjare, shoqërore që duhen njohur, ndjekur, pasuruar në rrugë e sipër në kohët e reja.
Autori me finesë dhe etikën gjenetike nuk thotë hapur, por vetë libri mbetet bindshëm “katedër dinjitoze” e vlerave, nuhatjes, së zhvillimeve të pritshme, marrëdhënieve njerëzore jo vetëm në planin social, por atë ekonomik, të tregut të hapur, të politikave me migracionin, sa që çiltër them: Do t’i bënin shumë më mirë punët e sotme disa nga personazhet e librit që lexoj e do ta ristudioj; nga ç’e bëjnë shumë zyrtarë sot.
Me gjithë gjuhën e librit, plot ngyra të Gjirokastrës, unë pohoj, pa thënë Lamtumirë: Tek ka rrjedhur do pikojë, duke ju vënë në krye të trashëgimisë së vyer të famijeve dhe shoqërisë të qytetit e më gjerë. Urime!
26 nëntor 2022.