Albspirit

Media/News/Publishing

Panairi kombëtar i librit në Fier/”Libri poetik më i mirë” për Skënder Buçpapaj!

FREDERIK RRESHPJES

Plak i lindur

I tëri prej shirash nga ata që shohin ëndërr fëmijët e Shkodrës dhe të qyteteve ku nuk bie borë,

Plak shirash nga ata që vapa nuk i avullon, acari nuk i akullon.

Ai linte Fredin e thinjur në ndonjë raft të vjetër nëpër sendet e dikurshme të gjyshëve,

S’donte t’ia dinte për gjoksin e dalë si kurriz, as për kurrizin si gjoksin të dërrasët.

Luante me fshehje prapa shirave, askush nuk fshihej dot më bukur se ai prapa shirave-

Herë prapa shirave të nesërm, herë prapa shirave të dikurshëm, asnjëherë prapa të të njëjtave shira, ku fshiheshin moshatarët e tij qyteteve të botës pa borë por me shira.

 

Për poetin liqeni ishte pemë shirash pa stinë të vjelash

Për t’ia shkundur në qytet degë më degë, për ta vjelë kokërr për kokërr

Të gjitha hënat e lidhura nëpër tentakulat e shirave trokitëse mbi çatitë-

Që, sa herë, poeti ua dridh, bashkë me rrënjët e shirave,

Edhe trungun e shirave.

 

Pikëpyetje që iu prin të gjitha fjalive në këtë qytet, të cilat i mbyll të gjitha Tefa me pikëpyetje.

 

Pse më mungoi fëmijëria, nuk resht kurrë me pyetjen e paduhur poeti, kurrë pyetjen e duhur nuk e çon asnjëherë në mendje: pse, vallë, më mungoi ardhja në jetë.

Vetëm pse të mungon ardhja në jetë, Fred, medoemos të mungon rrugëdalja nga jeta.

Një i mosardhshëm në jetë, Fred, medoemos një i moslargueshëm është nga jeta.

 

Nuk lije oborr në Shkodër pa burra shiu, latuar pikël për pikël, pa kurrfarë instrument latimi, krejt si në fletoret e vizatimeve të para, të metaforave të para,

Fëmijë i vetëm i Rozafës, oraret e tua të marrjes së gjirit pa i harruar kurrë,

Fëmija më i hershëm i të hershmëve, fëmija më i moçëm, më i zëshëm, fëmija legjendë i nuses më legjendë,

I vetmi që Rozafa ia la amanet Shkodrës, qytetit që nusja e legjendës e ka bir qumështi.

 

Iu ikje fëmijëve të tjerë, iu ikje gjithmonë fëmijëve të tjerë

Jo pse ata të njihnin ty nga e qara e parë te loti i fundit,

Po se fëmijët ishin të vetmit që mund t’i lexonin ty mendimet

Dhe pastaj ç’iu duhej shkolla, ç’iu duheshin lodrat.

 

Pse pa zë zogjtë e tu si të ishin trëndafilë kopshti, kush ua mori emrat?

 

Mos e pyetni Fredin. Pyeteni shiun që ia mbylli zërin në fyt ajrit; me shira në fyt mund të këndojnë lulet, por kurrë zogjtë.

 

Pse pa zë kamxhikët e pajtonxhijve, pse pa zë troku i kuajve që çojnë në shtëpi pijetarët e fundit.

Pa zë avullimi i dridhshëm i kalldrëmeve

Që i kalb dimri

Dhe i kall vera.

 

Shkodra të dha djepin, ninullat, lodra, shokët e lodrave.

Ti iu dhe poetëve një emër vajze, Lora:

Shkruani të gjithë për vajzën që pata dashuruar.

Dashuria, veç kur është e pamundur, është dashuri.

 

Mal i maleve je, se mal qyteti.

 

Struku aty ku je Fred, mos të të gjejnë fëmijët e tjerë.

Thuaji vetes: Mos ia përmend shiut erën. Dikur nuk ishin dy. Ishin vetëm një.

Ishin prindër bijsh. U bënë bij prindërish.

 

Fëmija i vetëm i Rozafës, moshatari më i hershëm i Shkodrës. Kur do t’iu kthehesh lodrave tona.

 

Plak buzëqumësht. Jetë e pajetuar.

 

VRÂNT E KTHJELLT

Martin Camajt

 

Kalërova me mend viseve tona anembanë

Që dikur i shkele ti e mandej i shkela unë,

Më thuaj si me ua heqë sysh maleve lëpenë e mjegullës,

Ato veten me e pa në lumin plisbardhë

Me re të zeza nën krye?

F’tyrtoke, si me e nda agun prej muzgut, dritën prej territ, aromën prej ftonit, jehonën e lugjeve prej kangës së bilbilit, kërcimin e trentë mbi vana si me e nda prej drenit, faqedheu?

Si me e nda vrântin prej kthjelltit, f’tyrtoke faqedheu?

Trishtimin e angrrave të mia prej brendie të eshtnave të ftohta të shkambit, më thuaj, ftyrtoke faqedheu, si me i nda? Vrânt a kthjellt me i nda?

Malet ne i kemi prej shkëmbinjsh, eshtëramëdhenj i kemi, eshtëranë i kemi, si malësorët-

Me i pasë malet pa shkëmbinj si me pasë njerëzit pa shtyllë kurrizi, si me i pasë njerëzit tulanë.

Penda e shpendit kobtar nxin vrânt vështrimin e kthjellt të vashës në dritare, Vrantin pa kthjelltin, kthjelltin pa vrântin ku t’i çoj?

Të gjithë po e shikojë vetminë e vashës që pret të dashurin të vijë kaluar, askush s’po e shikon kalorësin që vjen, askush nuk po e dëgjon trokun e kalit që largohet, në vend që të afrohet.

Askush s’po e shikon turfullimën e kalit, ngritur si mur që veç zgjanet, mes trokut të kalit që largohet dhe kalorësit që vjen.

F’tyrtoke, si me e nda vetminë nga pritja, si me e nda vashën nga vetmia dhe pritja, si me e nda trokun nga kali, rrugën nga kalorësi, faqedheu?

Vrântin me kthjelltin, kthjelltin me vrântin si me i lanë, f’tyrtoke faqedheu?

 

Rrugët tona qëkur s’na kanë

Janë gjarpërinj të pashkelshëm.

 

Ne nëpër botë me këmishat e tyre të falura,

Ata nëpër kurrkund me këmishat tona të falura.

Parmendarë shtigjesh,

Brazdues farëtarë thellë

Kaltërsive të epra

Jemi.

Vrânt e kthjellt. Si me qenë prapë kthjellt e vrant?

 

Në vjeshta dasmash

Nuset tona sapo vënë këmbë në shtëpinë e burrit,

Prekin me duar dy anët dhe sipër derës së madhe,

Si bëjnë bijtë e bijat në anët tona të maleve duke prekur ballin dhe dy anët e gjoksit

Sa herë që hyjnë brenda vetes

Gjithkënd aty me gjetë.

 

Kthjellt e vrânt. F’tyrtoke kthjellt e vrânt faqedheu.

Në dimra

Doherë me mure e tavane, orendi e gjind të tymuar,

Se era ia zinte frymën oxhakut

Dhe ai mbi ne villte tymin

Dikush, më i vogli nesh

Ëndërronte mos me i nga qetë arave dhe rraheve

Por me i nga fluturakët e metaltë sa më skaj perëndive.

 

Krojet në Veri

Edhe kur janë ditë të tëra me këmbë larg njëri-tjetrit

Këndojnë me një zë

Dhe Jugut ia trândin dallgët e detit.

 

Kthjellt e vrânt.

 

Rrugët tona qëkur s’na kanë

Janë gjarpërinj të pashkelshëm.

 

Ne nëpër botë me këmishat e tyre të falura,

Ata nëpër kurrkund me këmishat tona të falura.

Parmendarë shtigjesh,

Brazdues farëtarë thellë

Kaltërsive të epra

Jemi.

Vrânt e kthjellt. Si me qenë prapë kthjellt e vrant?

Please follow and like us: