Albspirit

Media/News/Publishing

Medlir Mema: Vendimi për të drejtën e votës së emigrantëve, fitore për shqiptarët jashtë dhe brenda vendit

Një anëtar i Bordit Ekzekutiv të Diasporës për Shqipërinë e Lirë, thotë se përfundimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e emigrantëve për të votuar, është një fitore për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë por edhe për ata që jetojnë brenda vendit.

Prof. Medlir Mema i referohet përcaktimit të Gjykatës se e drejta e emigrantëve për të votuar u shkel në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 dhe se politika duhet të garantojë ndryshimet ligjore për ta bërë këtë gjë të mundur brenda një viti. Vendimi ishte në përgjigje të një kërkesë të organizatës Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

“Do të ketë një ndikim le të themi politik, shoqëror, ekonomik mbi ofertat që partitë politike i bëjnë popullit shqiptar, elektoratit shqiptar. Kështuqë për ne sigurisht është kurorëzimi i një lufte që kemi bërë, është vetëm një etapë më shumë, por ky nuk është as fillimi dhe as fundi i përpjekjeve tona”, thotë Prof. Mema për Zërin e Amerikës.

Ai shton se reagimi i klasës politike ndaj kësaj çështjeje ka qenë problematik.

“Në fund të fundit bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ka shumë të cilëve nuk u intereson përmirësimi le të themi, i këtyre ofertave politike, që partitë politike detyrimisht duhet të fillojnë të ndryshojnë tani ndaj elektoratit shqiptar”, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin Brigham Young.

Prof. Mema thotë se mungesa e vullnetit politik për të mbështetur këtë çështje, tregon se partitë politike në Shqipëri i druhen votës së lirë.

Ai bie dakord me pohimin e Kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se duhet një vullnet politike për këtë çështje dhe shton se do një nxitje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Megjithatë…

“Janë gjëra që zyra e zotit Celibashi është duke i bërë dhe duhet t’i bëjë, pavarësisht se çfarë bëjnë partitë politike”, thotë ai.

Sipas zotit Mema, pas vendimit të Gjykatës, parlamenti I vendit duhet të veprojë, pasi kjo çështje shkon përtej partive.

“Parlamenti shqiptar si institucion shtetëror, duhet të manifestojë këtë vullnet për të realizuar brenda një periudhe 1 vjeçare (ndryshimet ligjore të nevojshme për votën e emigrantëve) sipas vendimit të Gjykatës. Ka një përgjegjësi për parlamentin shqiptar në veçanti për të kryer këtë përgjegjësi të tijën”, thotë Prof. Mema.

Please follow and like us: