Ismail Kadare: Dimri i fundit i vrasësit
Synopsis për një motërzim të ri të dramës së Makbethit
Nuk është e vërtetë se unë e vrava Dunkanin për t’i rrëmbyer fronin mbretëror. Vrasja që kreva unë është nga ato që ligji i quan vetëmbrojtje.
Për fat të keq, njerëzit e dinë fare të përçudur këtë histori. Nuk e fsheh që e dinë të shtrembëruar ata që ende besojnë që Dunkani u vra prej rojave të veta (në qoftë se ka ende të tillë), por aq më tepër ata që janë të bindur se unë e vrava mbretin i shtyrë nga xanxa për pushtet.
Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet qysh atëherë. Thashethemja për vrasjen e tij u rrit nga viti në vit, gjersa këtë dimër u kthye në flamë të përgjithshme.
Shkaktar për ngatërresën u bëra ndoshta unë vetë. Do të ishte më mirë, ndoshta, që qysh në fillim ta shpjegoja saktësisht si ndodhi gjithçka dhe jo të gënjehesha nga mendimi se mund të fshihja gjysmën e së vërtetës. Shkurt, do të ishte më mirë që të shpallja qysh atëherë se Dunkani ia kishte hapur gropën vetvetes (gjë jo fort e rrallë kjo për tiranët) dhe unë nuk bëra gjë tjetër, veçse e shtyva në të.
Në të vërtetë, qysh në krye, duke e ditur gjithë prapaskenën e kësaj shëmtie, isha i bindur se nuk gënjeja aspak kur shpalla se Dunkani u vra prej vetvetes, domethënë, prej njerëzve të tij.
Por, me sa dukej, kjo bindje e brendshme nuk ishte e mjaftueshme për të më shfajësuar. Kështu që nuk mund t’i bësh fajtorë pëshpëritësit e rrugëve e të bujtinave dhe as atë aktorin e paaftë, Uill Hampstonin, i cili, i bazuar në këto pëshpërima dhe për të zezën e vet, shkroi një dramë, dorëshkrimin e së cilës ia kapi policia ime e fshehtë.
Fajtorët, pra, s’ishin as fjalamanët e rrugëve e, aq më pak, fatkeqi Uill Hampston, por tjetërkush dhe ky tjetërkush, sado e çuditshme të duket, ishte, siç e thashë më lart, vetë mbreti Dunkan.
Ja se si ndodhi gjithçka:
Prej kohësh ai më shikonte gjithë helm. Kishte lindur dyshimi në kokën e tij, si pasojë e sëmundjes që kanë përgjithësisht sovranët për të dyshuar për këdo, nga ndonjë shpifje djallëzore apo thjesht ngaqë atij vetë i pëlqente të nxiste dyshimin, për të përligjur në fillim urrejtjen e pastaj veprimet kundër meje. Prej kohësh dihet se shpeshherë njerëzit e fshehin arsyen e vërtetë përse urrejnë tjetrin, kështu që shpikin shkaqe të tjera, ngaqë shkaku i vërtetë është aq i turpshëm, saqë ata ia mbulojnë edhe ndërgjegjes së tyre.
Qyshkur e kisha vënë re se Dunkani më kishte smirë. Në të vërtetë, ishte gruaja ime që e kishte pikasur e para këtë. Dhe jo tek ai, por në fillim te gruaja e tij. Shoh diçka të keqe në sytë e saj, më thoshte vazhdimisht, sidomos kur ktheheshim nga ndonjë pritje e oborrit. Unë e kundërshtoja. Nuk më duket e tillë, thosha, sillet aq e përzemërt me ne të dy.
Por ajo ngulte këmbë gjersa më bindi disi. Por kjo nuk ma lëkundi, megjithatë, mendimin tim për Dunkanin. Punë e madhe se gruaja është e tillë, i thashë. Në fund të fundit, ka rëndësi ç’mendon ai.
Por gruaja ime, lady im e bukur dhe e mençur, më dëgjonte gjithë trishtim. Nuk ka smirë që të mos kalojë nga gruaja te burri, thoshte. Herët a vonë, kjo do të ndodhë.
Dhe kështu ndodhi vërtet. Në sytë e Dunkanit, gjithmonë e më shpesh nisi të krijohej një zonë e ftohtë. Dalëngadalë, ajo nisi të pikasej edhe prej të tjerëve. Për mua dhe gruan time filluan ditët e ankthit. I shtyrë pikërisht prej tij, u përpoqa të blija ndokënd nga rrethi i tij i ngushtë, për të mos u gjetur në befasi.
Kur ai shpalli se do të vinte tri ditë bujtës në kështjellën time, shumica e atyre që e kishin nuhatur, ndërkaq, ftohjen midis nesh, kujtuan se kjo bujtje shpallte mbarimin e saj. Kuptohet që armiqtë e mi u hidhëruan, kurse miqtë, përkundrazi, ishin gjithë hare.
Ç’e keni këtë fytyrë të ngrysur? na thoshin ata. A nuk gëzoheni që e gjithë kjo mërzi po merr fund?
Ne, sikur të përmendeshim nga këto fjalë, çeleshim në fytyrë, po zemrën e kishim sterrë. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ne dinim, ndërkaq, atë që nuk e dinte njeri: Dunkani vinte jo për t’i dhënë fund ftohjes, por për shkatërrimin tim.
Plani i tij (që unë e mora vesh nga spiuni im) ishte sa djallëzor, aq edhe i thjeshtë: natën e tretë të bujtjes, te dera e dhomës së tij të fjetjes do të shkaktohej një trazirë, zhurma e së cilës do ta zgjonte atë nga gjumi. Pas kësaj, bashkë me shpurën, ai do të largohej me ngut nga kështjella ime dhe, merrej me mend që, pa gdhirë mirë, anekënd do të hapej fjala se Makbethi deshi ta vriste në gjumë bujtësin mbret.
Gjithë ato ditë e net përpara ardhjes së tij, ne të dy, unë dhe gruaja ime, jetuam në një ankth të vërtetë. Me qindra herë përsëritnim me vete e me njëri-tjetrin: ç’është kjo gjëmë që na gjeti? Pastaj vinin me radhë pyetjet e tjera: nëse Dunkani kishte vendosur të më rroposte, përse kishte zgjedhur një mënyrë të tillë? etj., etj., gjer te pyetja e fundit: ç’të bënim?
Arsyen e zgjedhjes prej tij të një mënyre kaq të pabesë nuk e patëm vështirë ta zbulonim: unë kisha shumë ndikim te kryezotët e provincave, sidomos atyre kufitare, kështu që një sulm i tij drejtpërdrejt, pa parapërgatitje, do të ishte i rrezikshëm për të, aq më tepër që kohët e fundit ai nuk ndihej i sigurt. Ndaj i dukej më e arsyeshme (dhe, për fat të keq, kështu ishte e vërteta) që, përpara se të më godiste, të më njolloste. Nuk ishte hera e parë që vepronte kështu. Me Thanin e Kodrit, e pastaj me atë të Glamsit, kishte bërë të njëjtën gjë. Ndryshonte vetëm forma.
Po ndërsa e gjithë kjo ishte për ne një hamendje torturuese, pyetja tjetër: “ç’të bënim?”, ishte, në të vërtetë, edhe më e tmerrshmja. Ishte një pyetje që kërkonte ngut, të cilën orët dhe minutat që kalonin e bënin më të padurueshme. Ç’të bënim përpara zezonës që po na avitej? Të ulnim kokën, duke iu nën-shtruar fatit? Të shpresonim se, ndoshta, tiranit do t’i kthehej mendja? Të arratiseshim?
Orët kalonin dhe ne s’ishim të aftë të bënim asgjë. Në tremen veriore, atë që vështronte nga rruga e madhe, disa herë e kisha kapur gruan time duke soditur përhumbshëm. Isha i sigurt se, ashtu si unë, ajo priste që në rrugë të shfaqej kumtari mbretëror, që do të lajmëronte heqjen dorë prej vizitës.
Por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, katër ditë përpara mbërritjes së sovranit erdhi një pjesë e trupës së sigurimit të tij. Ishin, ndoshta, ata që do të sajonin trazirën.
Gruaja ime i kishte vënë re e para dhe më thirri:
– Eja të shikosh. Që nga tremja, ne ndiqnim me sy afrimin e tyre. Ishte ftohtë. Fytyra e sime shoqeje ishte e bardhë si gëlqere. Ngadalshëm, jo sikur të ishin mendime, por kufoma mendimesh, më erdhën për herë të fundit në mendje mëdyshjet: të ulnim kokën përpara fatit, të arratiseshim, të shpresonim mëshirë.
Jo, nuk do të ndodhte asgjë nga këto. Unë do të bëja tjetër gjë dhe pikërisht atë që kishte sajuar mendja e tij e mbrapshtë. Kishte menduar të lozte teatër në kështjellën time? Le të vdiste, pra, si në teatër.
Të ardhurit s’kishin mbërritur ende te porta e parë e kështjellës, kur unë arrita, më në fund, t’ia them asaj vendimin tim.
Ajo nuk tha asgjë, veç u zbardh edhe më shumë në fytyrë. Një gulç i rëndë, çnjerëzor, nisi t’ia dridhte supet. Jam e ligë, përsëriste pa pushim, jam mëkatare.
– Asnjë nga ne s’është vrasës, – i thashë. – Por, në është puna për të qenë i tillë, jam unë ai që e mendova këtë gjë.
– S’është e vërtetë, – tha ajo me zë të fikur. – Unë e kam menduar përpara teje.
E kundërshtova. I thashë se, pavarësisht që ia kisha thënë në atë çast, kishte ditë që e bluaja në kokë, gjë që ishte krejtësisht e vërtetë.
Por ajo, në vend që të qetësohej, nënqeshi me hidhërim.
– Ti ke ditë, kurse unë kam javë, që nga çasti kur…
Atëherë, unë shpejtova ta ndërpres, për t’i thënë se, në të vërtetë, qysh atëherë, madje më përpara, më kishte vetuar nëpër tru vrasja e tiranit.
Por ajo prapë nuk qetësohej dhe ne të dy, si në një garë ogurzezë, po iknim larg e më larg në kohë, duke u përpjekur t’ia kalonim njëri-tjetrit për të siguruar kurorën e vrasësit.
Qysh në banketin e dukeshës K. Qysh në pritjen e ambasadorëve veriorë. Qysh në borën e madhe…
Ne shtyheshim praptazi si të verbër, pa vënë re se po afrohej një afat që s’duhej ta kapërcenim: dita kur unë mora vesh planin e Dunkanit për shkatërrimin tim. Ishim, pra, duke iu afruar asaj dite, atij afati, para të cilit asnjë nga ne s’mund të përligjej për vetëmbrojtje, përkundrazi, duke e kapërcyer atë, vërtetonim se gjithë jetën s’kishim menduar veç për vrasjen e tij, ishim, pra, duke u shtyrë verbtazi prapa, kur, siç duket, ajo u përmend dhe tha:
– Mjaft. Po vazhduam kështu, do të çmendemi.
Lëshova kokën te supi i saj, ndërsa murmurisja:
– Ti ke të drejtë. Ke plotësisht të drejtë… Asnjë nga ne nuk është vrasës… Është ai vetë që e sajoi gjithë këtë tmerr… Lindi në trurin e tij kjo ethe, që na ngjiti që larg… Dhe tani, mjaft me këto, ndryshe, ashtu siç the ti, do të çmendemi vërtet. Le të merremi, më mirë, me përgatitjen e incidentit…
Gjer në fund, madje, edhe pasi u krye, ne vazhduam ta quanim atë “incident” dhe këtë, me sa duket, e bënim për t’i kujtuar ndërgjegjes sonë se ne po kryenim diçka që ishte ngjizur jashtë nesh. Shkurt, ne ishim aktorë, që po loznim në një pjesë të shkruar nga tjetërkush, vetëm se këtu, ndryshe nga teatri, skena do të lyhej me gjak të vërtetë dhe plagët, dhe rënkimi, dhe vdekja do të ishin po ashtu, të vërteta.
Kaq shumë m’u ngjit në kokë një përqasje e tillë, saqë njëmend nisa të dyshoja se një pjesë e shpurës së sigurimit të tij dhe pikërisht ata që ishin caktuar për trazirën te porta e mbretit, nuk ishin roja, por aktorë teatri të marrë me qira për këtë punë. Isha pothuajse i sigurt se kishin bërë prova përpara se të vinin këtu dhe në prova kishte qenë, ndoshta, i pranishëm vetë Dunkani.
Përgatitjet për pritjen e sovranit më lehtësuan ankthin, saqë, kur ai, më në fund, arriti, unë e zotëroja plotësisht veten.
Kishte në fytyrë, si përherë, atë shprehje përvujtnie që, më shumë se ushtria, burgjet, paratë dhe policia e fshehtë, kishte ndihmuar për çoroditjen e armiqve të tij, për përçarjen, mëdyshjet ose squlljen e komplotistëve në çastin fatal. Të godisje një tiran me fytyrë të tillë ishte gjëja më e vështirë në botë.
– A ka fantazma në këtë kështjellë? – pyeti ai, duke qeshur, në kohën që po ngjiteshim për në sallën e pritjes.
Për fat, gruaja ime, që diç po i tregonte mbretëreshës, nuk e dëgjoi pyetjen dhe kur, pas të qeshurave të përgjithshme, ajo pyeti: “çfarë tha sovrani?” dhe dikush iu përgjigj: mbreti pyeti: “a ka fantazma në këtë kështjellë?”, kuptohej që, falë kësaj rruge të tërthortë, mbresa e fjalëve të tij arriti e zbutur gjer tek ajo. Unë, gjithashtu, nuk e pata vështirë të bashkohesha me të qeshurën e përgjithshme, por ajo, ndërkaq, s’më pengonte të pyesja me vete se ç’ishin ato fjalë: një frazë e përgatitur qysh më parë, gjë e njohur në kësi rastesh për sunduesit që u pëlqente të bënin përshtypje përpara turmës, pjellë e beftë e ndërgjegjes së papastër apo një kuptim misterioz, nga ata që qielli ia dërgon njeriut dhe që ky i fundit, në shumicën e rasteve, nuk di t’i shkoqitë.
– Ç’ishin ato fjalë për fantazmat? – më pyeti gruaja, natën vonë, në shtrat.
– Marrëzira, – i thashë.
– Kurse mua ku s’më shkoi mendja.
– Fli tani.
Kështu i thashë asaj, por për vete as që mund ta mendoja se mund të më zinte gjumi. Në kokë bluaja hollësitë e planit që kisha përgatitur. Isha ende në mëdyshje për dy-tri pika. Ndër to, kryesorja qe zgjedhja e çastit të goditjes: t’i përmbahesha skenarit të Dunkanit, domethënë, të prisja natën e tretë, apo, për t’iu shmangur çdo të papriture, të veproja i pari, pa i lënë kohë atij të bënte ndonjë ndryshim, që do të ishte fatal për mua?
Ndërkohë, mendja ime sillej e shkonte te plani i tij. Disa pika të tij ishin për mua të errëta: për shembull, çështja e mbretvrasësve të gënjeshtërt. E dinin qysh tani rolin e tyre apo do të shtyheshin në kurth në çastin e fundit, të detyruar me forcë, me dredhi apo të nxitur nga pija? Veç kësaj, dhe kjo ishte kryesorja, ç’do të bëhej më pas me ta? Do të flijoheshin, duke u vrarë mu te porta, apo do të kurseheshin për t’u nxjerrë më vonë në gjyq që të dëshmonin kundër meje?
Dunkani, me siguri, para se të vendoste e kishte vrarë mendjen për punën e tyre njëlloj si unë tani. Unë, gjithashtu, isha në mëdyshje si të veproja me ta. T’i asgjësoja në vend, domethënë mu te porta e bujtësit, si provë e pakundërshtueshme e fajit, apo t’i kurseja për t’i detyruar të dëshmonin në gjyq?
Ç’nuk do të jepja për të ditur zgjedhjen përfundimtare të Dunkanit. E ndieja se isha rob i planit të tij dhe, po ta kisha në dorë atë plan, nuk do t’i lëvizja asnjë presje. Madje, ashtu siç ndodh shpesh që midis një ankthi të madh njeriut ia përshkojnë trurin shestimet më të marra, mendoja se ç’do të ndodhte sikur të ngrihesha natën e t’i trokisja te dera për t’i thënë: madhëri, ma jepni, më në fund, skenarin tuaj dhe do ta shihni po nuk e kreva pikë për pikë… me të vetmin ndryshim se ju do të goditeni vërtet…
Gdhiu, më në fund, mëngjesi dhe pastaj kaloi edhe dita e dytë. Po afrohej nata. Koka po më çahej nga mëdyshjet. E para dhe kryesorja mbetej mëdyshja e vjetër: ta bëja që sonte, apo të prisja natën e tretë? Me siguri, Dunkani e kishte edhe ai një tundim për të ndërruar planin. Hamendjet e tjera nuk ishin më pak torturuese: ç’kishte pasur ndër mend të bënte më pas me provokatorët? Po unë, ç’do të bëja unë me ta? Po prit, duhej të mendoja gjithashtu ç’do të bëja me njerëzit e mi që do të më shërbenin. T’i shpërbleja ashtu siç u kisha premtuar, t’i ruaja për ndonjë gjyq, t’i zhdukja menjëherë?
Dunkani, me siguri, kishte parapëlqyer këtë të fundit për të tijtë. (S’kishte ndodhur ndonjëherë që vrasësit të mos flisnin më vonë.) Pra, s’kishte pse të ngulmoja për të qenë origjinal. Le që, edhe po të doja, s’bëhesha dot i tillë. E ndieja që kisha rënë kokë e këmbë në rrjetën e tij. Madje, nganjëherë më dukej që ishte truri i tij që më urdhëronte, ashtu siç më kishte urdhëruar gjithë jetën.
Gjatë darkës (ishte gjithmonë nata e dytë), ai më bëri ftesën që unë, gjithashtu, të shkoja bujtës në kështjellën e tij, pas dy muajsh. Kjo ftesë më çoroditi krejt. Ç’të ishte vallë? Një tërheqje, kushedi pse, nga plani i parë, duke menduar ndoshta se ishte më lehtë për të të më therte si një berr në kështjellën e tij? Apo thjesht një mënyrë e zakonshme për të më vënë në gjumë?
Për trurin tim, kjo ishte një ngarkesë me të vërtetë e tepërt. Ndonëse nuk doja kurrsesi, s’isha në gjendje të pengoja dyndjen e hamendjeve të reja të shkaktuara prej ftesës. Unë, natën në kështjellën e Dunkanëve në rolin e bujtësit. Dunkani, në rolin tim. Ç’do të bënte me vrasësit: t’i ruante për gjyq, t’i zhdukte në çast?
– Mos vallë ka hequr dorë nga e liga? – më tha gruaja, kur pas darkës ramë për të fjetur.
– Vetëm atë mos e beso, – iu përgjigja.
Ajo psherëtiu.
– Atëherë… në qoftë se ke për ta bërë, bëje sonte, – tha.
– Ma thotë zemra se nesër do të jetë vonë.
Dhe ashtu u bë. Më dy pas mesnate. Sipas shestimit që kishim bërë të dy, unë dhe ai vetë. Me të vetmin ndryshim që, në çastin e fundit, kur e pashë trupin e tij të mbytur në gjak (kurrë s’e kisha menduar se trupi i një plaku do të kishte aq shumë gjak), i trullosur, pa e ditur as vetë pse, i thashë njërit prej njerëzve të mi ta nxirrte nga kështjella kufomën.
– Ku ta çoj? – më pyeti ai.
M’u kujtua një kanal ujitës, dy milje larg kështjellës, plot ujë dhe llum… Ndaj të gdhirë, mendimi që kufoma nuk ishte në kështjellë dhe që, veç kësaj, uji e kishte shpëlarë e zbardhur, më jepte njëfarë qetësie. Pastaj ndodhën pak a shumë ato që u pëshpëritën bujtinave dhe që ai karafili Uilli Hampston i kishte shkruar në dramën e tij. Në mëngjes, ndonëse kufoma mungonte, vrasja u mor vesh prej të gjithëve. (Ishte vërtet për t’u çuditur që mungesa e kufomës nuk ngjalli shpresë tek askush se mbreti mund të ishte ende gjallë dhe diku zvarritej.) Të lemerisur, njerëzit vërtiteshin rrotull napave të përgjakura. Duke hetuar tmerrin që shkaktonte pamja e tyre, po mendoja se një kufomë që mungon qenkësh më ngjethëse se trupi i masakruar…
Gjetja e trupit në kanal aty nga pasditja nuk ndryshoi asgjë. Kurse unë kisha vënë aq shumë shpresë në atë zhvendosje të kufomës. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet që nga ajo ditë, por të gjitha orët, për të mos thënë minutat e saj, i kam të renditura në kujtesë: mbërritja e qerres me kufomën e mbretit, që kullonte ujë dhe llum, ulërimat e rojave të tij të vëna në torturë, shandanët e natës, që sajonin hije nëpër mure.
I ngrysur, unë rrija mënjanë, duke kafshuar gishtat. Sa mirë që e çova kufomën larg, thosha me vete. Madje, më larg ta kisha çuar. Njëqind, një mijë, dy mijë milje… Po ku t’i gjeja ato? Skocia, dreqi e marrtë atë, s’ka shkretëtira.
Atëherë ende besonim, unë dhe lady im, se zhvendosja e kufomës gjatë natës do të ndihmonte për mbulimin e së vërtetës. Por s’qe e thënë të ndodhte ashtu.
Të gjitha këto i kujtonim kaq herë bashkë me ladyn tim në pasditet e ftohta të dimrit, te vatra, që na ngrohte gjithmonë e më pak. Tani që ajo ka vdekur, i përsëris me veten time, pa u kujdesur aspak se mos më dëgjojnë shërbëtorët.
Qysh se lady më la, më ka munduar vetmia, por veçanërisht vitin e fundit ajo m’u bë e padurueshme. Lady im e bukur, e mençur, ajo që, fare pa të drejtë, në dramën e atij aventurierit Uill Hampstonit, dilte si nxitësja kryesore e vrasjes. O Perëndi, ç’gënjeshtra mund të sajojë pena e një kinse dramaturgu.
Megjithatë, tani më vjen keq që, në tërbim e sipër, e grisa dorëshkrimin e dramës. Do të doja ta lexoja edhe një herë, sidomos për ca vende mjaft të çuditshme… Së paku, të mos e kisha mbytur autorin. Po ta kisha në burg, do të zbrisja ndonjë natë në qeli dhe do t’i thosha: pa shkruaje edhe një herë atë paçavuren tënde.
Ca vende në dramë ishin vërtet të çuditshme, por mua më kujtohen fare turbull. E para, se ka kaluar mjaft kohë qëkurse dorëshkrimi u kap; e dyta, ngaqë e lexova pothuajse me një frymë, me sy të zbardhur nga tërbimi. Kështu që e tillë më vjen ndër mend, si në mjegull.
Më kujtohet se në të flitej për fantazmën e Dunkanit që më shfaqej mua. Është e vërtetë se në dy-tri gosti qeveritare kam pasur vegime, por këto nuk ia kam treguar askujt, madje, as ladyt tim. Atëherë, si ishte e mundur që ai sharlatani Uilli Hampston të merrte vesh atë që unë gati ia kisha fshehur edhe vetes?
– S’duhet ta shash ashtu, – më thoshte nganjëherë ajo. Fisnikja, zemërarta, lady im, ajo që duhej të urrente tërbueshëm njeriun që, pa të drejtë, e kishte nxirë emrin e saj. S’duhet ta shash më thoshte, sepse, në fund të fundit, në dramën e tij, nga kreu në fund, pohonte një keqardhje për ty.
– A thua?
– Jam fare e sigurt. Madje, kjo ishte dhe arsyeja kryesore që të thashë të mos e grisje dorëshkrimin e aq më pak t’i prisje kokën autorit. Por ti aq shumë ishe ndërsyer prej leximit, saqë ishte e pamundur të të flitej.
– Kjo është e vërtetë.
Kështu bisedonim pasditeve të gjata të vjeshtës. Gjithmonë e më shpesh na kujtoheshin (asaj më shumë, sesa mua) copa të dramës së asgjësuar. Një nga skenat që na kishte habitur gjithmonë ishte ajo e magjistricave. Uilli Hampston duhej të ishte vetë i sëmurë nga nervat, që të përfytyronte pamje të tilla. Në asnjë nga dramat e luajtura në teatër nuk ishte parë kurrë një gjë kaq e frikshme. Si i kishte shkrepur vallë në kokë dhe ç’kuptim kishte gjithë ai makth? Më ndërmendeshin njëra pas tjetrës dhe nuk isha në gjendje të gjykoja nëse më lehtësonte disi apo më rëndonte më shumë ndërgjegjen ajo parathënie e tyre ogurzezë.
Ishim duke folur një ditë pikërisht për këtë, kur unë, befas, i rashë ballit me dorë:
– Po prit, – thirra. – O Perëndi, ne po vrasim mendjen për një gjë kaq të thjeshtë. Magjistricat… e veshura me lecka… po ishte Xhon Tendleri, spiuni im në rrethin e Dunkanit, që dy-tri herë e dërgoi tek unë ndërlidhësin e veshur si grua lypsare.
– Vërtet? S’ma ke thënë ndonjëherë këtë…
– Ishte një hollësi e parëndësishme… Pastaj, kaq shumë më tronditnin lajmet që më sillte, saqë çdo gjë tjetër më fshihej nga kujtesa.
Ndërsa unë flisja, ajo nuk m’i ndante sytë e vëmendshëm, si njeriu që është i sigurt se tjetri ka ende për të thënë.
– Ndërlidhësi i Xhon Tendlerit, – vazhdoja unë. – …I veshur si lypsare rreckamane… Madje, e mbaj mend fare mirë edhe vendin ku u takuam… Është një yrt i shkretë përtej famullisë së vjetër… Atje e dëgjova për herë të parë gjëmën që donte të më punonte Dunkani… E gjithë kjo është fare e qartë… Por ajo që s’arrij ta kuptoj kurrsesi është se si ai Uilli Hampston e ka marrë vesh një gjë të tillë… Unë e kam mbajtur të fshehtën… ti vetë je dëshmitare… apo jo?
– Ndoshta Xhon Tendleri ose vetë ndërlidhësi ka folur…
– A thua?
– S’ka si të jetë ndryshe. Dikush nga ata të dy…
– Ka mundësi. Unë vetë nuk e kam çarë kokën për të mbikqyrur më pas heshtjen e tyre. Në fund të fundit, ishte një e fshehtë që, sa ishte gjallë Dunkani, i përkiste, në radhë të parë, atij ta ruante… Kurse tani… hm, sikur Xhon Tendleri të ishte gjallë, tani as që do ta çaja kokën në qoftë se ai llapte andej-këndej, apo jo. Madje, po ta shikosh punën hollë-hollë, tani do të më voliste që ai t’i nxirrte ato që dinte… Po ç’e do që s’është më në këtë botë.
– Po, ndoshta, është gjallë ndërlidhësi.
– Ndërlidhësi? I veshur si grua lypsare? Po kush e di cili ishte ai? Vetëm Xhon Tendleri e dinte… Unë, edhe po të më dalë përpara, nuk e njoh dot, kaq në mënyrë të neveritshme e kishte maskuar fytyrën.
– Ah, po…
Pas kësaj, kisha vënë re se çdo herë që hapej biseda për magjistricat, në sytë e saj ndehej një tis pikëllimi. Një ditë, me zë të ulët, gati përkëdhelës, më pyeti:
– Majkëll, je i sigurt se tek ai yrti i shkretë të erdhi vërtet ndërlidhësi i Xhon Tendlerit…
– Si?
Ajo më ledhatoi dorën para se të vazhdonte.
– Është e vërtetë apo ndoshta e gjithë kjo t’u përhi?…
Unë (siç ma tregoi vetë më pas) u zverdha në fytyrë dhe me zë të ftohtë mezi shqiptova midis dhëmbëve:
– Është krejtësisht e vërtetë. Dhe, në qoftë se ti, zonja mbretëreshë, nuk e beson, eja të shkojmë qysh tani tek yrti.
– Jo, unë të besoj plotësisht.
– Të nisemi menjëherë pa humbur asnjë çast.
– Majkëll, të lutem!
– Të vish ti, të vijnë edhe gjithë ata që dyshojnë, more vesh? Të shkulen të gjithë, me roja, me oborrtarë, me priftërinj.
– Mos ulëri. Po na dëgjojnë shërbëtorët.
– Le të dëgjojnë. Le ta marrë vesh gjithë bota që Makbethin s’e beson më as gruaja e vet.
Ajo nisi të qante heshturazi. Edhe tani, pas kaq vjetësh, më pikon në zemër kur kujtoj dënesën e asaj dite. Nuk e di pse, po pas vdekjes së saj, nga të gjitha bisedat me të, ajo e magjistricave më vinte ndër mend më shpesh.
Një ditë (ishte një ditë e ftohtë, e zhveshur, ja, si sot) i hipa kalit dhe u nisa drejt e atje tek yrti. Kur iu afrova vendit, u thashë rojave të mos më shoqëronin më tutje. Djerrina, ku e kisha takuar dikur të dërguarin gjithë lecka të Xhon Tendlerit, ngjante më e shkretuar se atëherë. Shkurret e ulëta dhe guriçkat lageshin nga një shi i imët, i pashpresë. Për një kohë të gjatë i mbajta sytë nga ai drejtim ku më qe shfaqur gruaja e rreckosur. Një si pritje e turbullt më bënte të mos i hiqja sytë që andej. Madje, një herë m’u duk se ia dëgjova pas shpine hapat dhe vrulltazi u ktheva. Por ishte, me sa dukej, zhurma e një dege të rrëzuar nga ndonjë zog.
Ndërsa rrija ashtu krejt i mpirë në shi, m’u kujtuan prapë fjalët e së ndjerës ladyt tim: “mos e gjithë kjo t’u përhi?” dhe për herë të parë dyshova nëse e kisha takuar vërtet te ky yrt i shkretë të dërguarin e Xhon Tendlerit, apo e gjithë kjo s’kishte qenë veçse pjellë e trurit tim.
O Perëndi, thashë me vete, m’i hiq këto dyshime të marra… Ja ku ishin shkurret, dy të ngjitura me njëra-tjetrën dhe e treta pak mënjanë. Ja edhe guri i thyer, si i ngulur pjerrtazi në tokë, dhe nga e djathta druri gjysmë i tharë. E mbaja mend fare mirë gjithçka.
Kështu rrija të qetësoja veten, por një zë brenda meje më thoshte: që ke qenë këtu, kjo është e vërtetë, madje, jo një herë, por disa herë rresht, por kjo s’është kryesorja. Kryesorja është nëse i dërguari i Xhon Tendlerit të erdhi vërtet në takim te kjo humbëtirë dhe, nëse të erdhi, t’i tha vërtet ato fjalë apo…
Të ishte gjallë Xhon Tendleri, do të rendja drejt e tek ai për të dëgjuar edhe një herë të gjitha provat e pabesisë së Dunkanit. Për fat të keq, më duhej ta bluaja gjithçka në kokën time të lodhur.
Ndërsa kthehesha, u përpoqa të risjell ndër mend bisedat e mia me Xhon Tendlerin ose, më saktë, të vetmen bisedë që pata me të, ngaqë më pas, për arsye sigurimi, ai iu shmang takimeve të drejtpërdrejta. (Dunkani nuk të do, kjo është fare e qartë. Arsyeja? Oh, po kjo merret lehtë me mend. Si për çdo tiran, arsyeja e parë është smira. Dyshimi vjen më pas, për të përligjur krimin. Ç’duhet të bësh? Të hapësh sytë, imzot. Kjo është tani për tani këshilla e vetme që mund të të jap. Për çdo gjë tjetër do të dërgoj lajme. Njeriu im mund të vijë i veshur si lypëse plakë, që murmurit fjalë ose vjersha përçart).
Në prag të bujtjes së Dunkanit, Xhon Tendleri arriti të më dërgonte një pusullë: “Kujdes nga bujtësi, imzot. Gjithsesi, do të çoj lajme prapë”.
Ditë të tëra prita me ankth mbërritjen e ndërlidhësit, veshur si rreckamane. Digjesha nga padurimi të merrja vesh se ç’kishte ndër mend të bënte Dunkani gjatë bujtjes. Hamendje nga më të frikshmet më vërtiteshin në kokë. Për dreq, ndërlidhësi nuk po dukej. Ime shoqe ishte në ankth po aq sa unë, në mos më tepër. Për të mos i shtuar ankthin, nuk ia tregova fare kur nisa të shkoja vetë te famullia e vjetër, atje ku të dielave mblidheshin zhulsit dhe lypsarët… Ishin disa që flisnin vërtet përçart… Unë vetë s’ndihesha mirë… Me njërën prej tyre, megjithatë, më duket se fola… Përpiqesha të mos më shpëtonte asnjë nga fjalët e saj… por ato ishin të turbullta… krejt përçartje, siç më kishte paralajmëruar Xhon Tendleri… Veç kësaj, unë vetë e kisha kokën të turbullt nga tronditja e pagjumësia… Arrita ta tërheq mënjanë dhe dy herë i thashë: tani jemi vetëm, fol qartë… Por ajo vazhdonte të fliste tymthi… siç duket, kështu e kishte porosinë… Fliste për një kazan të zi që ziente… S’merrej vesh mirë ç’donte të thoshte, megjithatë, unë e kapa thelbin: diçka e keqe përgatitej, kurth vrasjeje në gjumë, pabesi e zezë… Me shpresë se do të më fliste më qartë, i thashë se do ta prisja pas dy ditësh te djerrina prapa famullisë… Atje e prita vërtet, ja, në një ditë të tillë… me orë të tëra… ndërsa kokën vazhdoja ta kisha të turbullt, të turbullt…
Mjaft, thirra me zë, për habi të rojave, dhe vura kalin në trokth. Nuk do t’i kujtoja më këto. Në djall të venin hijet e së shkuarës. Unë vetë po i afrohesha zonës së hijes dhe s’kisha pse të trembesha prej tyre. Isha unë ai që do të trembja pas pak të tjerët, jo thjesht si mbret, por edhe si fantazmë. Kjo ide, për çudi, më lehtësoi. S’kisha pse të vrisja mendjen për hollësitë e asaj që kishte ndodhur pesëmbëdhjetë vjet më parë. Kryesorja ishte që Dunkani deshi të më bënte të zezën dhe unë arrita t’ia punoja i pari atë që donte të më punonte mua ai. Ky ishte thelbi i çështjes. Të tjerat s’ishin veçse vogëlsira.
I gjallëruar, u ula në treme dhe, sipas zakonit, nisa të shfletoja kumtesën për ngjarjet kryesore të ditës. Pastaj raportin e policisë së fshehtë për pëshpërimat në popull. Ky i fundit më kishte tërhequr gjithmonë, por qysh nga rigjallërimi i pëshpërimave për vrasjen e D., ai raport më qe bërë kureshtja kryesore e ditës. Shefi i policisë, duke e ditur këtë, sa vinte e pasuronte edhe më tepër, duke futur në të kuvendime të përgjuara nga spiunët e tij andejkëndej, letra të kapura, pohime nga të burgosurit, kallëzime padórase etj., etj.
E çuditshme qe se ndonjë nga pëshpërimat përkonte me ato që kishte shkruar Uill Hampstoni në dramën e tij. Kështu, për shembull, veç fantazmës së Dunkanit, që nuk mungonte në asnjë nga thashethemet, duke nisur nga ato të dukeshës së Jorkut e gjer te llomotitjet e pijanecit Dan Çiver te Taverna e Urës, flitej herë pas here për njollat e gjakut, që e ndjera ime shoqe gjoja i shihte mbi duar. Më kujtohet se kjo ishte në dramën e Hampstonit, madje mbaj mend edhe vargjet: “Unë: Çojeni kufomën te kanali i Zhytrave. Ajo: E lan dot vallë gjakun ai kana”l? Kurse në një skenë më pas (më kujtohet se kjo ishte një nga skenat më të zymta dhe e shkreta lady im, sado që u përpoq të mbante veten, në mbarim të leximit të saj qe zbardhur si pëlhurë në fytyrë), pra, në një skenë tjetër, ime shoqe dilte duke bërë sikur lante duart, ngaqë i dukej se në to i kishte ende ato njollat e mallkuara.
Thashethemet pohonin pak a shumë të njëjtën gjë: që ladyt tim, befas, gjatë drekës, në vallëzim a në kohën që bënte dantellë, i mbusheshin duart me njolla gjaku, të tilla që nuk ia lante dot asnjë sapun.
Hm… sa larg mund të shkojë fantazia e sëmurë njerëzore. Në të vërtetë, një vit para vdekjes asaj iu shfaq në duar një sëmundje lëkure, që mjeku i saj u përpoq më kot t’ia shëronte me gjithfarë mënyrash. Mua më pikonte në zemër, kur ia shihja duart e saj të bukura të lyera me balsam ose të mbështjella me fasha. Gjatë një pritjeje, ajo shtriga, dukesha e Jorkut, nuk ia hiqte sytë dhe një çast gjeti rastin për ta pyetur: si i keni tani duart, madhëri? Dëgjova se ju kanë dalë disa njolla…
Mbaj mend se ladyt tim iu zmadhuan bebëzat e syve. Ishte po atë natë ose ndoshta më vonë që, duke dashur ta ngushëlloja për bezdinë që i shkaktonte kjo, ia putha fashat dhe bëra një si lëvizje për t’i mënjanuar pak, me qëllim që t’ia shihja mishin. Por ajo i largoi ato me rrëmbim dhe me një zë të shurdhët, me një zë të ndryshuar, që nuk ia kisha dëgjuar ndonjëherë, më tha: edhe ti dyshon se në to është gjaku i Dunkanit?
E shkreta lady im! Me sa duket, qysh atëherë ishte pëshpë-ritur për kinse njollat e gjakut të mbretit… Ndoshta, ajo vetë ia ka pohuar trazimet e ndërgjegjes së saj ndonjë mikeshe, që e ka kujtuar besnike, duke u bërë kështu vetë burimi i së keqes.
Kaq herë kam vrarë mendjen, por gjithsesi nuk e kam gjetur dot nëse pëshpërimat kanë ekzistuar qysh atëherë dhe Uill Hampstoni, duke u treguar më i zoti se policia ime e fshehtë, kishte arritur t’i mblidhte e t’i fuste ato në dramën e vet, apo ishte drama e tij që, pasi ishte thërrmuar vetë, qe shpërndarë në mijëra pëshpërima.
I bindur se kopje të asaj drame të mallkuar gjendeshin ende diku, bëra çmos për t’i gjetur, por më kot. Spiunët e mi s’lanë brimë pa trazuar, skutë të fshehtë pa hapur, qilar e famulli të largët pa hulumtuar, po atë s’e gjetën dot. Ç’nuk zbuluan gjatë këtyre zhbirimeve: dorëshkrime nga më të pabesueshmet, përshkrime orgjish të turpshme, letra të fëlliqura, lidhje e vese të neveritshme, marrëzi të tjera, që s’i kap lapsi. Nga dramat e gjetura, një pjesë ishin qesharake, të tjerat, të mërzitshme, por asnjë nuk i afrohej sadopak asaj të Uill Hampstonit.
E megjithatë, dyshimi se ajo është strukur diku dhe pret një kohë më të përshtatshme për të dalë nuk më hiqet. Në mos ajo, një tjetër pjellë e saj ose pjellë e kësaj pëshpërime të mallkuar të pafund. Në këtë rast, duhet të jem fare idiot që të mos e kuptoj se kjo është mbi fuqitë e mia për ta ndaluar. Në qoftë se murmurima njerëzore ngul këmbë që duhet të ketë një dramë për mua, asnjë forcë e, aq më pak, unë, nuk do të jetë në gjendje ta pengojë. E vetmja gjë që mund të bëj, është që të kërkoj që, kur ajo dramë të bëhet gati për t’u shfaqur, në afishet e saj, në vend të emrit të autorit, cilido qoftë ai, të shkruhet emri i mbretit Dunkan, shestuesit të vërtetë të saj.
(Pjesë e shkëputur nga “Koncert në fund të stinës”, 1981; exlibris, 24 dhjetor 2022).