Kostandin Mosko: Udhëtim në shpirtin lunxhiot
Ju njoftoj me gëzim se doli nga shtypi dhe është hedhur në qarkullim në Tiranë, libri im, “Udhëtim në shpirtin Lunxhiot”, punë këmbëngulëse dhe përzgjedhëse e disa viteve.
Gjatë gjithë jetës sime, që kur përfundova arsimin e lartë, vazhdimisht kam shkruar e publikuar artikuj problematikë e teknikë për bujqësinë, botuar në mediat lokale, por edhe ato qendrore. Me shpërnguljen time familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2002, nisa të shkruaj edhe kujtime, rrëfenja, skica, përshkrime e vëzhgime historike, fillimisht të publikuara në blogun tim, “Bota Bujqësore” (deri tani janë bërë mijëra faqe), por edhe të botuara në gazetat e diasporës, shtypin në Shqipëri dhe në të gjitha mediat elektronike.
Lexuesit e mi që më mbështesin e më ndjekin, përgjithësisht kanë shfaqur interes e pëlqim për temat që kam kapur. Miqtë e mi të letrave, sidomos gazetarë e shkrimtarë të njohur, më kanë inkurajuar e nxitur vazhdimisht, duke më këshilluar t’i përmblidhja të gjitha këto në libra të veçantë dhe t’i botoja për lexuesin e gjerë. Erdhi dita dhe u krijuan kushte e rrethana të atilla që unë, më parë skicova një libër në mendjen time, pastaj e hodha në kompjuter e ia dërgova për botim një shtëpie botuese në Tiranë.
Duhej që librit t’i vendosja një titull dhe ky më erdhi natyrshëm, pa u sforcuar fare: “Udhëtim në Shpirtin Lunxhiot:” Duke qenë vetë lunxhiot, kush më mirë se unë e njihte fisnikërinë, bukurinë e thellësinë e shpirtit të krahinës sime? Desha t’i shijoja të shkruara këto bukuri, por edhe t’ua bëja të ditur të tjerëve e t’ua lija trashëgim. U konsultova me miqtë e mi dhe u rrëfeva idenë; atyre u pelqeu titulli, por shprehën edhe një farë rezerve: A do të isha i aftë vallë që ta bëja këtë udhëtim!? Edhe vetë isha i dyzuar, ndieja pasiguri, por kisha edhe bindjen e vullnetin se do t’ia dilja kësaj pune fisnike në krye.
Lunxhiotët ose krahina e Lunxherisë, sipas shumë historianëve shqiptarë e të huaj, rrjedhin nga thellësia e lashtësive. Ata në shekuj shquhen për një civilizim të hershëm. Siç është shprehur prof. dr. Zija Shkodra (1925 -2002): lunxhiotët janë aty që në agim të historisë. Trashëgimia kulturore e shpirtërore e tyre është një thesar i paçmuar; veprat e kultit, traditat, zakonet, folklori, kostumet popullore, këngët e vallet e mrekullueshme të tyre, janë thesare unike e autoktone të kulturës mbarë shqiptare.
Në këtë libër, një vend të veçantë zënë edhe veprimtaria patriotike te vëllezërve martirë të Rilindjes sonë Kombetare, Pandeli e Koço Sotiri. Me një studim timin mbi 10-vjeçar, u hoqa atyre ndryshkun e pluhurin e viteve, harresën dhe mjegullnajat dashakeqe e keqinformuese për jetën e tyre. Në dritën e këtij botimi, ata tani shkëlqejnënë e ndritin si një gur xhevahiri. Gjithë jetën e tyre, deri në frymën e fundit, punuan për shkrimin, shkollat shqipe dhe iluminimin e shqiptarëve, në një periudhë shumë të vështirë e të errët për Kombin tonë. Vëllezërit Sotiri mbetën burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e mëvonshëm. Unë i shkrova me pasion ato që kisha gërmuar, hulumtuar e studjuar për jetën dhe veprimatrinë e tyre, por mendoj se ende ka nevojë për studime edhe më të thelluara. Radhën tani e kanë organizmat shtetërore, sepse ata punuan për t’i vënë themele kulturës së kombit tonë të dashur dhe e meritojnë vëmendjen e institucioneve dhe të shtetit shqiptar.
Përfundimisht, me këtë udhëtim kulturor, veç atyre që dija, kam mësuar shumë nga historia, tradita dhe shpirti lunxhiot. Besoj se në një fare mase ia kam arritur qëllimit. Më vonë do t’ju vë në dijeni se ku mund ta gjeni këtë libër. Sigurisht në libraritë në Gjirokastër, Tiranë, Vlorë, por edhe në qytete të tjera.