Fritz Radovani: KUSH NUK DON ME STUDJUE AT GJERGJ FISHTEN AI NUK ASHT SHQIPTAR!
At GJERGJ FISHTA O.F.M. (1871 – 1940)
GJUHA SHQYPE
Kjo kangë, nji nder ma të bukrat poezi lirike të Fishtës, kje botue në rasen e pesëdhetëvjetorit të themelimit të shkollës françeskane, e kje vu si parathanje melodramit “Shqyptari i Qytetnuem”. Kundra asaj propagande së huej e rrymave shkollore, qi poshtnonte gjuhen shqipe por si nji gjuhë e mangët, të padhenun e barbare. Fishta këndon bukurinë, fuqinë e saj, tue shquem sidomos nder të rij dashtninë per té. (At Viktor Volaj 1941).
Porsi kanga e zogut t’ verës,
Qi vallzon n’ blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’ e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’ detit,
Porsi gjama e rrfés zgjetare,
Porsi ushtima e njij termetit,
Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! Po; a’ e ambel fjala e sajë,
Porsi gjumi m’ nji kerthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtri;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubinit,
Ka’ i bjen qiellvet tue flutrue
N’ t’ zjarrtat valle t’ amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ i a len ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n’ gjuhë t’ huej, kur s’ asht nevoja,
Flet e t’ veten len mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat t’ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do t’a dona:
Njatë, qi jeten na ka dhanun;
Edhe shqyp na thanë se Zoti
Per Shqyptarë Shqypnin e fali,
Se sa t’ enden stina e moti,
Do t’ a gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vetë, po pik’ ma para,
N’ agim t’ jetës kur kemi shkue
Tue ndjekë flutra neper ara,
Shqyp ma s’ pari kemi kndue:
Kemi kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n’ dorë t’ Shqyptarvet,
Kah kanë dekë per besë jetike,
Kah kanë dekë kta per dhé t’ t’ Parvet.
Në ketë gjuhë edhe njai Leka,
Qi ‘i rruzllim mbretnin s’ i a xuni,
Qi kah bijtè ai, shkelte deka,
Shekllit mbarë ligjë t’ randë i vuni;
Në ketë gjuhë edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t’ ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimnive.
Pra, Shqyptarë, çdo fés qi t’ jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhen t’ uej kurr mos t’ a lini,
Mos t’ a lini sa t’ jetë jeta,
Por per té gjithmonë punoni;
Pse, sa t’ mbani gjuhen t’ uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet t’ huej.
Nper gjuhë shqype bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’ fis ju kini,
Ka me u njohtë ju per Shqyptarë:
Trima n’ za sikurse jini.
Prandej, pra, n’ e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sot t’ brohrisin:
Me gjuhë t’ veten rrnoftë Shqypnija!
Shenim F.R.:
Drejtuesit e një shteti që kerkojnë me fshi nga historia, shkollat e letersia Poetin Kombtar të vetin, si në Shqipni, ashtusi veprohet nga viti 1945 me At Gjergj Fishten dhe shkrimtarët e Veriut, ata kerkojnë me çdo kusht që Populli Shqiptar të perbuzin gjuhen e vet dhe, t’i nenshkruejnë sot
Vetes dënimin komunist që, pranon gjykimin me u shue dhe me u zhdukë edhe nga harta e Europës.
Pasuesit e Gjergj Kastriotit nuk i harrojnë kurr këta vargje:
Trima n’ za sikurse jini.
Prandej, pra, n’ e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sot t’ brohrisin:
Me gjuhë t’ veten rrnoftë Shqypnija!
Melbourne, 9 Janar 2023