Mosekzistenca e individit përballë partisë shtet është gjendje e makthshme njerëzore
Ndue Ukaj
Mosekzistenca e individit përballë partisë shtet është gjendje e makthshme njerëzore.
Ja si e përshkruan këtë makth shkrimtari George Orwell te romani profetik “1984”:
“Ekziston Vëllau i Madh?
Patjetër. Ai dhe partia. Ai është personifikim i Partisë.
Ekziston ashtu siç ekzistoj unë?
Ti nuk ekziston,- tha O’Brajeni.
Uinstonit iu prenë sërish fuqitë. I dinte, ose mund t’ i merrte me mend, argumentet që vërtetonin mosekzistencën e tij, por ato ishin absurditete, veç lojë fjalësh.”
Këtë të vërtetë të mosekzistencës së tij, Uinstoni, personazhi i këtij romani emblematik e kupton pas serisë së madhe të torturave që përjeton.
Çka mëson ky fragment?
Se partitë që barasvlerësohen me qeveri janë të makthshme.
Se qeveri të këqija janë ato qeveri që abortojnë ndjenjat njerëzore dhe gjithçka e matin me kuti ideologjik.
Se ky kut kur bëhet dogmë e normë politike – betonon marrëzinë politike dhe bëhet i tmerrshëm për popullin – godet pamëshirshëm dhe nuk e lë kënd të çojë kryet përpjetë.
Se gjithmonë, pushtet që thirren epshëm në emër të popullit bëhen pushtetet më të këqija për popullin. E godasin pamëshirshëm.
Fundja, siç kanë dëftuar të diturit: qeveria më e mirë nuk ekziston.
Kurse një qeveri që shenjtëron veten, fal mëkatarët e mëdhenj, kriminelët, një qeveri që tregon me epsh sa të këqij janë të tjerët, një qeveri që nuk thotë kurrë “për fajin im”, që nuk njeh e pranon kritikën, që nuk korrektohet – një qeveri e tillë në kuptimin e pastër të fjalës është qeveri e keqe dhe përditë qytetarit i demonstron me arrogancë: ti nuk ekziston, ekziston vetëm partia.
Please follow and like us: