Vepra akademike e prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha – Mësues i Popullit
Ramiz Lushaj
Vepra akademike “Qëmtime për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës” e prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha – Mësues i Popullit
Përplot 40 vite ma herët, pikërisht në të 49-tën datëlindje të tij, përgjatë krejt prillit 1983, Shefqet Qamil Hoxha i Lumës, ku Shtjefën Gjeçov i ri, me statusin e bashkëpunëtorit shkencor kohëplotë dekador në detyrë funksionare tek Instituti i Kulturës Popullore me drejtues akademikun dashamirës Alfred Uçi, ndërmori me vullnet të mirë, dashuri të madhe e përgjegjësi të lartë një ekspeditë mujore etnografike në Malësinë e Gjakovës. Kjo ekspeditë u krye në një rreth (sot bashki e Tropojës) me pasuri të madhe të trashëgimisë popullore shqiptare dhe me kontribute të larta e të veçanta historike kombëtare, me hap e penë shefqetjane prej nga Qafa e Prushit dhe e Morinës deri në Qafë të Agrit, nga tedel alpesh Valbona, përgjatë viseve Mbi Dri, në gjithsej 16 fshatra: Shipshan, Viçidol, Myhejan, Kerrnajë, Valbonë, Dragobi, Shoshan, Koçanaj, Margegaj, Markaj, Dojan, Bujan, Zogaj, Pac, Lekbibaj e Salcë, ku i nektaroi me anketa, intervistime e dorëshkruajtje edhe 24 burra të njohur të Malësisë së Gjakovës, mbi 60-vjeçarë, me dituri e kujtesë popullore të madhe.
Vepra e re e Plakut të Bardhë të Shkencës, e Shefqet Hoxhës, me titullimin përcaktor e saktësor: “Qëmtime për të drejtën dokësore në Malësinë e Gjakovës” në 236 faqet e formatit të tij akademik, një thesar etnografik i shmëllojshëm e shumëkohshëm, i ka mbi 3.000 nene/pika kanunore, sulle (vendime të kuvendeve), praktika kanunore, sentenca kanunore (e të tjera/ të ndryshme) nga të gjitha malet e bajrakët e dikurshëm, nga të gjitha fiset e Malësisë së Gjakovës si Krasniqe, Gash, Nikaj e Mertur, Bytyç, Shipshan, Berisha e Tropojës (Alshiqe).
Tek renditorja “Sullet në Malësi të Gjakovës”, që siç e thonë prej kaherit në Malësi “Vendi mbahet me Kanun e Sulle”, se Sulli nuk e rrëzon Kanunin dhe Kanuni nuk e përjashton Sullin, autori qëmtues dalzotas, Shefqet Hoxha, sjell e përcjell vetëm nga fisi im i Shipshanit 19 Sulle me nja 83 nene/pika, si Sulli: 1.- i vrasjes në besë të fisit. 2.- i jetimit. 3.- i Drumit (Udha e Madhe, e Karvaneve). 4.- i Bjeshkës. 5.- i Poterës (alarmit). 6.- Gjaku në poterë. 7.- i Tellave (tubë stanesh). 8.- i Bjeshkës (daljes në bjeshkë). 9.- i Livadheve. 10.- i Udhëve. 11.- i Urës e Vigut. 12.- I Pritës. 13.- i Malit (pyllit). 14.- i Merasë 15.- i Martesës. 16.- i Vrasjes nga Gjaja (bagëtia). 17.- i Vrasjes Pahiri (padashje). 18.- Sulli i Kuvendit (përveçësitë fisnore). 19.- Sulli i Mullinit (ky sull vetëm i 70 përdoruesve të Mullinit të Shipshanit).
Në këtë vepër të Shefqet Hoxhës–“Mësues i Popullit” e “Mjeshtër i Madh”, për fiset/krahinën e Nikaj-Mërturit, vetëm në Kreun “Ndamja e Shtëpisë” kemi në kanu/sulle gjithsej 22 paragrafë e 88 nene/pika, si përcaktimet: 1.- Toka. 2.- Shtëpia. 3.-Gjaja e gjallë. 4.- Drithi. 5.- Bletët. 6.- Enët e shtëpisë. 7.- Almiset (veglat) bujqësore. 8.- Pulat. 9.-Maca. 10.- Plaku e Plaka e Shtëpisë. 11.- Vllau a motra (e pamartuem). 12.- Meraja. 13.- Mullini. 14.- Rendi i Ujit. 15.- Gjaku. 16.- Fitimet. 17. Detyrimet. 18.- Miqtë. 19.- Arka e Nanës. 20.- Fëmija (djali) që e ka pru nana me veti. 22. Mënyra e Ndamjes. I përveçova këto dy raste për të dëshmue se sa pasuri të jashtëzakonshme ka E Drejta Dokësore në Malësinë e Gjakovës, se sa punë të madhe kërkimore shkencore ka krye “Dekani i Lumës”, “Qytetari i Nderit” të Kukësit e miku i mirë i Tropojës, Shefqet Hoxha ynë; për të ftue edhe Legjislativin Shqiptar, ligjbërësit parlamentarë, që të marrin disa mësime e shembuj edhe nga Kanunet Shqiptare, nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” e “Kanuni i Skënderbeut” dhe deri tek “Kanuni i Lumës” i Shefqet Hoxhës, edhe tek kjo vepër e tij e çmuar për Malësinë e Gjakovës, nga kodifikimet e përcaktimet nenore në të gjithë elementët e detajet, sepse shpesh herë ka nene të ligjeve shqiptare që bëhen shkak/krijojnë mundësi për korrupsion të shumëllojshëm.
Profesor i asocuar doktor Shefqet Hoxha punën kërkimore e shkencore me kanunet e ka pasion dhe mision të jetës e veprës së tij madhore akademike, çka shihet dhe në faqet e kësaj vepre lartnore për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës, kur në 50 faqe na i sjellë 106 praktika kanunore nga të gjitha fiset e Malësisë, në vrri e në bjeshkë (materiale); kur sjellë 198 sentenca kanunore e shprehje; teksa e përmbyll veprën me një Fjalorth me 89 shpjegime kuptimore për emër/timet tekstuale; i tregon disa pleqni të burrave të Malësisë si Binak Alia i Krasniqes, i cili ishte një “Akademi e Pleqnive”, po edhe pleqnarë si Tunxh Miftari i Mërturit, e shumë e shumë të tjerë. Meritë e veçantë e djaloshit 89 vjeçar të shkencës, professor Shefqet Hoxhës, në veprën e tij për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës, botim i SHB “Geer”-Tiranë, 2022, përbën edhe fakti se në një kapitull të veçantë vë në dukje disa afri dhe ndryshime të saj krahasimuar me Kanunin e Lekë Dukagjinit të hartuar nga Gjeçovi, si veçoritë krahinore të Malësisë së Gjakovës:
1.- Djegia e Pleqnisë. 2.-Lëçitja për gjak. 3.- Nipi e daja. 4.- Gjaku i burrit dhe i grues. 5.- Betarë për gjak burri e grueje. 6.-Burrë e grue në mëkatë. 7.- Hjekësi i grues–hjekësi i gjakut. 8.- Vrasja me pushkë të huej. 9.- Besa në Kuvend. 10.- Shpërblimi i Bajraktarit. 11.- Sa lëqitet fajtori. 12.-Si merren vendimet. 13.- Llojet e Kuvendeve. 14.-E Pamja për Dekë – një motmot. 15.- Aga në Malësi. 16.- Betimi mbi gurë. Përveç këtyre, prof. Shefqet Hoxha, i thekson edhe disa veçanti e dallime që ekzistojnë midis të drejtave dokësore ndër dhe mes fiseve të Malësisë së Gjakovës, si Krasniqe, Gash, Bytyç, Shipshan, Nikaj, Mërtur, Berishë e Tropojës, të cilat iu përkasin kryesisht terminologjisë dhe nuk përbëjnë ndryshime thelbësore.
Vepra e “babait të Kanuneve” për/në/të Qarkut të Kukësit me rrethina, si “E Drejta Dokësore në Lumë. (Kanuni i Lumës), me 713 faqe e rreth 1.000 nene, botuar në vitin 2013, dy veprat e kohëve të fundit (2022): “Qëmtime për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës” dhe “Qëmtime për të Drejtën Dokësore në Has, Lurë e Reç të Dibres” do të mjaftonin që të vlerësohej me titullin Akademik i Akademive të Shkencave në Tiranë apo Prishtinë, që ti jepej titulli i lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenca e Shqipërisë, që një rrugë në Bicaj apo qytetin e Kukësit të mbajnë emrin e të madhit e të shquarit Shefqet Hoxha, që t’i akordohet Pension i Posaçëm Shtetëror i nivelit ma të lartë. Vepra për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës e profesor Shefqet Hoxhës është një shtrat e lartësi e mirë që në të ardhmen e afërt edhe Tropoja, si pjesë e “Kanunit të Maleve”, të hartohet një kod i veçantë, sikurse “Kanuni i Lumës” dhe “Kanuni i Dibrës”, pasi jemi “Malësi e Vogël” me pasuri të mëdha etnografike, në vlera kanunore të larta.
Në përmbyllje due të them se vetëm personalitete të larta, të kalibrit akademik e punës titanike si Shefqet Hoxha i Lumës e Kombit munden që përgjatë një ekspedite njëmujore të kryeme në Tropojë në shekullin e kaluar, të sjellin pas 40 vitesh, në këtë shekull të ri, botimin e kësaj vepre të çmuar “Qëmtime për të Drejtën Dokësore në Malësinë e Gjakovës”, për çka ka meritë që e shkroi, ruajti e botoi për shkencën shqiptare e brezat shqiptarë, sikurse ka kritikë edhe për Shtetin Shqiptar që kjo vepër në këto kohë të globalizmit e digjitalizimit të botohet me 40 vjet vonesë, me lekët e pensionit të autorit 89 vjeçar, të njeriut atdhetar, që me veprat e tij – kryesisht për Lumen e Qarkun e Kukësit, ngrihet si një mal i ri dhe i lartë përballë Gjallicës së moçme e të bukur, mbi Dy Drinat, në kohën e sotme e të nesërme. Edhe Korpusi i veprave të tij etno-historike të trashëgimisë shpirtërore, të botuara nga “Klubi i Poezisë”, me sponsorimin e humanistit Flamur Lutfi Hoxha e botuesve të nderuar Rexhep Shahu e Izet Duraku, pamëdyshje, në imazhin e kontributin e tyre të pazëvendësueshëm e të jashtëzakonshëm, janë si vargmale të reja lumjane, hasjane, tropojane në Qarkun e Kukësit, në fondet e arta të trashëgimisë breznore të Kombit Shqiptar.
Plaku i Bardhë i Shkencës, profesor Shefqet Hoxha, djaloshi ynë shekullor, një Akademi Shqiptare në Lëvizje të Përhershme e të Përjetshme, Biblioteka e madhe Kombëtare “Shefqet Hoxha” me mbi 70 vepra të botuara e shumë të tjera në dorëshkrime e proçese botimi në ardhmëri, paç moshën e veprave të tua kombëtare, o Gjallica Akademike e Kombit!
Tiranë, 28 janar 2023