Ymer Çiraku: Këngë popullore arvanitase
Në një udhëtim para disa vitesh në Athinë, më ra në dorë libri me afër 400 faqe “Antologjia e këngëve arvanitase të Greqisë”, me autor Thanasis Moraitis. Libri, me një cilësi botimi mjaft të mirë, është i pajisur me tekste greqisht e shqip të 140 këngëve arvanitase, si dhe shoqëruar me nota muzikore të melodive, me analiza historike, gjuhësore, prozodike dhe metrike të tyre.
Dihet shtrirja e gjerë e arvanitasve në zona të ndryshme kontinentale dhe ishullore të Greqisë dhe roli i madh që ata kanë luajtur në rrjedhat historike të atij vendi. Prania e tyre shekullore dhe mjaft aktive atje, sigurisht që ka qënë dhe faktor i atyre lidhjeve të ngushta historike mes dy popujve e dy vendeve. Këtu më poshtë, po përcjell dy nga këto këngë lirike të dashurisë, që marrin kuptim edhe për ditën e Shën Valentinit. Brenda dialektit arvanitas, ato gjithsesi, e shfaqin qartësinë për t`u shijuar, me bukurinë e aromave arkaike e pastorale – gjuhësore dhe shpirtërore.
1.Çopanaqi (Çobani)
Çopanaqi çelji zjarmë
për të ndrenjë (ndrequr) strovoradhë (kërrabën)
Strovoradhëza u ça
çopanaqi rri e klja
“Çopanaqë mos më klja”,
vajza vate edhe i tha
“Priri dhentë pre vorenë
mirr kamban dh`ea të fljemë
Eja të të puth një çikë
Ljej t`i haj uljku dhitë”
2.Çë më ipi me(j)timi
Çë më ipi metimi moj nënë
se dua të mejtonem
se jam çup` e vogëlj(ë)
moj dua të martonem
Kur vete për kishë
moj daljin zënë shkallënë
njëri trëndafilje
moj tjatri më falj ballën
Kur vete në çesme
moj daljin zënë udhënë
njëri borziljok
moj tjatri më fal buzjën
Please follow and like us: