Skënder Sherifi: In memoriam Pierre Klossowski, shkrimtar dhe piktor!
Pierre Klossowski, disa aventura ekstravagante me këtë mjeshtër erotoman, Balthus – vëllai i tij piktor madhor ndërkombëtar… të dy «borderline» gjer në pikën e fundit, por të admiruar
Më vjen për të qeshur dhe më përzihen me dhjetra imazhe personale private, kur i mendoj sot këta dy vëllezër ultra specialë dhe komplet jashtë normave, piktorë, autorë, intelektualë të rafinuar, njerëz të admiruar dhe nganjëherë kult, për disa rrethe kulturore franceze… Personalitete, komplet «borderline», të cilët, kur e imagjinoj psikologjinë aktuale mjaft restriktive dhe regresive, në aspektin moral, si do ishin kuptuar dhe perceptuar me kriteret e sotit, post Weinstein dhe Epstein, sidomos me të gjitha lëvizjet feministe (çka është plotësisht e drejtë dhe legjitime sipas meje, ngaqë ka pasur tepër abuzime të pa justifikueshme… mirëpo, nuk duhet për t’ia tepruar dhe me kaluar tani në ekstremin tjetër, duke ndaluar gjithëçka dhe duke na i kufizuar të gjitha liritë elementare, në emrin e një pseudo morali publik… kur dihet mirë, që ata që e predikojnë, janë të parët që e shkelin, sipas thënes popullore: “Bën çka të them unë, por mos vepron, siç veproj unë”! Se tek e fundit: Kush e gëzon atë autoritet dhe kredibilitet për të na diktuar të gjithëve, pra mbarë shoqërisë, se çka është morale dhe çka nuk është dhe sesi mund të veprojmë brenda shoqërisë)? Kam qenë gjithmonë për nga natyra apo intuicioni im, alergjik kundër kufizimeve, restriksioneve, moralizimeve të tepruara, ndalesave, censurimeve, sepse e kam kuptuar që të çojnë herët apo vonë, pa a diktuar, drejt një sistemi totalitar.
Jam gati i sigurt, që në vitin 2022, si Pierre Klossowksi, si Balthusi, do kishin llogari për të dhënun nëpër gjykatat përendimore, por sot, fatkeqësisht, nuk e kemi as Sartrin, as Kamynë, as Michel Foucault, as Raymond Aron, as Jean Cocteau-në, as Umberto Eccon, për t’i mbrojtur me disa argumente intelektuale dhe filozofike, kështu që do isha detyruar për t’i vizituar nëpër burgje, në emrin e një besnikërie në miqësi, me nga një kile mandarina. Kurse, sot, nuk ta mban fjalën askush dhe të tradhton kushdo, pa asnjë problem, si të ishte diçka e rëndomtë normale. Po, o miq dhe mikesha të nderuar, dikur ndryshojnë stilet, modat, epokat, kriteret dhe raportet njerëzore!
Pra, ajo ‘Lolita’ e Nabokovit, e cila të ka pas thënë: “I dashur Mixha Balthus, të dua shumë dhe do bëj çka të kesh dëshirë, për t’i plotësuar fantazitë e tua… tani vjen e të thotë: – More pervers i poshtër, ke abuzuar me mua dhe do të padis si dhunues dhe uzurpator në filan gjykate»! Mbaroi muhabeti dhe veprimtaria artistike dhe Lewis Carrolli, David Hamiltoni me aq… madje nuk do merret parasysh, nuk mund të evidentohet, sepse do censurohet automatikisht nga opinioni publik, atmosfera e momentit, nga ajo barriera e moralitetit aktual. Të kanë dënuar mediat dhe populli!
Dhe gjyqi Iks vjen vetëm sa për formë, për ta vulosur dhe legalizuar atë dënim publik. Në një farë mënyre, është një formë moderne e inkuizicionit fetar. Me idenë se “kush nuk beson dhe nuk vepron siç themi ne, do shpallet heretik, falltar, djallëzor, anëtar sektesh të rrezikshme, e çka të doni… dhe do digjet në publik, por në emrin e Zotit, të Biblës, të Jezus Krishtit… e jo, siç është realiteti, në emrin dhe për qejfin e totalitarizmit psikologjik dhe psikopatik të filan personi, i cili e përfaqëson këtë lloj pushteti”! Kështu që me qindra miliona njerëz janë vrarë, torturuar, burgosur, dënuar, në emrin e një ideologjie, një besimi fetar apo një norme morale, e pikërisht çka është kulmi i ironisë, nga vetë ata që kanë abuzuar pa asnjë limit me gjithçka. A nuk është gjithë kjo hipokrizi shoqërore, për ta fituar Oskarin amerikan të aktrimit, në Los Angeles?
Pra, le ta provojnë dikush sot për ta vlerësuar haptas në publik ‘Lolitën’ e Nabokovit! Do i ketë të gjitha organizatat feministe dhe moraliste mbi shpinë dhe do marrë fund puna e tij… Po ajo shoqëri elitare kulturore dhe mediatike, që e ka vlerësuar pa limit gjatë disa viteve Nabokovin, Polanskin, Jack Nicholson, Woody Allen, Kevin Spacey, me plot të tjerë, sot ua ka kthyer shpinën dhe i ka shpallur «Persona non Grata» … okay, paskan qenë perversa dhe devijues, dakort… por ku ishin rrethet kulturore dhe mediatike, të cilët i pranuan dhe i lavdëruan ashtu siç ishin gjatë disa dekadave, pa ua bërë asnjë vërejtje mbi jetën e tyre private dhe i trajtuan si yje dhe si ikona artistike publike, përmes mediave? Pra, ku kanë qenë dhe cili ishte moraliteti i tyre… dhe pse nuk e patën etikën intelektuale për ta vendosur së pari vetveten në pyetje? Por, as shoqëria civile nuk i përballi me hipokrizinë dhe kontradiktat e tyre. Okay, paska qenë i poshtër dhe amoral Woody Allen… po tani, a ta pushkatojmë, pasi që e kemi veshur me lavdata dhe mos t’ia shohim fare filmat, se qenka shejtani vetë? Vinin feministet në Paris, për t’i sharë apo ndaluar njerëzit për ta pa filmin e fundit të Roman Polanskit mbi çështjen DREYFUS, nëpër sallat parisiane, jo pse qenka i poshtër dhe amoral si person dhe tani edhe ju që po shkoni për t’ia pa filmin, po e mbështesni dhe jeni tamam sikurse ai. Pra, janë ngatërruar gjërat, normat dhe sistemi i vlerësimit, se është futur tani virtyti moral në mes dhe do na duhet pak kohë, për ta gjetur distancën e duhur, dozashin e saktë, për ta rivendosur çdo gjë në vendin që i takon. Ose, si mund të trajtohet ARTI… ku fillon dhe ku mbaron dhe cilin vend do ta ketë MORALI në këtë ekuacion? Përpara, ishim në lirinë e lirë ektreme dhe me siguri në anti-moral ose në amoralitet komplet, i vlerësonim të gjitha përvojat, eksperiencat dhe devijimet, duke i konsideruar si diçka origjinale dhe interesante në thelb, si përjetim i ri inovues, i cili mund të sjellin apo shkaktojnë diçka tek e fundit, ndonjë shkundje apo revolucion të mbrendshëm dhe nuk kishte aty vend, për norma morale, apo për gjykim publik të veprimeve… fitonte me çdo kusht liria dhe ana inovuese eksperimentale… hajde, e ta provoj këtë, pastaj të tjetrën dhe ta shoh se çka do ndodhi me mua? Kurse të tjerët rreth teje, të thonin “Mirë e ke, bravo të qoftë, vazhdoje eksperiencën miku im dhe na tregon sesi e ke përjetuar dhe çka ke nxerrur ti vetë prej saj”?
Pra, ishte diçka e vlerësuar dhe e pranuar « de fakto » sepse, ishin vitet e lirisë, 1960 dhe 1970, deri nga fundi i viteve 1980, mund të themi, pak para ardhjes të SIDA-s në hapësirën publike, e cila na tingëlloi si një frenim, si një dënim prej Zoti, si një faturë që i duhet shoqërisë për ta paguar, ngaqë ia ka tepruar dhe ka ekzagjeruar në të gjitha pikat. E kështu, kaluam gradualisht nga konservatizmi dhe moralizmi i jetës publike, i marrëdhënieve mes njerëzve dhe i përkufizuam përsëri liritë tona në maksimum. Patën ardhur rocku dhe popi në muzikë, si plasaritje sizmike e fortë, pastaj në maj 68 dhe Woodstocku… ndoshta, nesër apo pasnesër, pas një sensacioni asfiksie të tepruar, do na vijë diçka e tillë? Më kujtohet akoma slogani i 68-tës… “është e ndaluar për të ndaluar… dhe nën betonin, plazhe”! Mua, më pëlqente, sepse ka pasur shpresë, horizont të hapur, humor, provokacion, poezi, utopi dhe liri. Por tani, na u rikthye pas viteve 2000 dhe aq më tepër sot pas vitit 2020… rregulli moral konservator strikt, kufizmi i gjithanshem, i veprimeve tona të përditshme, me denoncime, padi, gjykime, dënime morale, anatemime, sharje publike, burgime, censurime… dhe po na duket pak abuzive dhe e padrejtë, ngaqë, e ekzagjeruar në anën e kundërt, diçka e pamatur dhe e papjekur mirë siç duhet. Pra, le t’i mendojmë dhe pleqërojmë gjithë këto gjëra, në një mënyrë sa më neutrale, klinike, objective dhe t’i vendosim disa kufi normalë, por aty ku duhet dhe ku justifikohet plotësisht, si për shembull pedofilia, dhunimi dhe sforcimi i femrave, aq më tepër, ato që janë minorente nën moshën 16 vjeçare, e kjo varet sipas ligjit të shteteve …
Tani, nga ana tjetër, kur ke qenë i mësuar në një liri komplete të shfrenuar gjatë një gjysmë shekulli dhe të kanë aprovuar, admiruar dhe mbështetur të gjithë, pa asnjë rezervë, ke qenë figurë e njohur mediatike dhe idhull publik, i reklamuar kudo nëpër televizione, festivale, i dekoruar nga Presidenti i një Shteti… duke e ditur shumë mirë se kush je, si jeton dhe qysh vepron? (Roman Polanski, për shembull… Jack Nicholson, Claude François-këngëtari francez, Gabriel Matzneff, Balthusi, fotografi Hamilton, disa figura të modës franceze me Yves Saint-Laurent, e të tjerë… ), e ke pak problem për ta kuptuar që sot, të paraqesin të gjithë, edhe vetë ata që të kanë pas idolatruar me vite, ose heshtin dhe fshihen hipokritisht, si një i poshtër dhe një tip i degjeneruar? Kuptohet, që është diçka e rëndë për ta asimiluar për një kohë rekord. Të shembet gjithë një botë e jotja, për 1 sekondë…
Prandaj, duhet që t’i thrasim pleqët e urtë të Tropojës, Dibrës, Hasit, Pukës, Mirditës, Rugovës, Malësisë së madhe dhe Lumës, për t’u prononcuar siç duhet në lidhje me këtë problem të kohës… qysh me i shpjeguar, kuptuar dhe ekuilibruar sot, të gjitha këto kontradikta dhe eksese?
Unë për shembull në shpirt, kam ngelur po ai anarshisti i post Majit 1968 dhe jam i formuar në atë lloj filozofie kulturore dhe artistike, më duhet ajo lloj liri ekstreme, siç i duhet peshkut ujit për t’u oksigjenuar, edhe pse i respektoj të gjitha lashtësitë antike, traditat gojore, transmetimet shekullore, zakonet fisnore… por mbetem ai që jam në thelb dhe tani nuk mund të ndryshoj sot, në moshën 68 vjeçare, se është pak vonë dhe jashtë logjike për mua, madjee do tingëllonte komplet fals dhe e sforcuar, për t’u rikthyer tani në rigorozitetin ultra konservatorë. Më kujtohet një ndër bisedat që kam pasur në vitet 1990 – 94, me zotin Dritëro Agollin tek kafja «Europa» në Tiranë, por edhe tek apartamenti i tij privat, ku më ka pas ftuar… dhe më pëlqeu ai lloj sinqeriteti i tij në atë moment, çka e bënte për mua simpatik dhe popullor, me diçka humaniste brenda tij në thelb, të veshur natyrisht me disa idiotësi komuniste. Por më tha me shumë transparencë:
-Shiko, zoti Skënder, e di që ti je një anarchist i formuar në lirinë franceze dhe anti komunist në brendësi, aq më tepër kur dihet historia e jote familjare, me babain tuaj të burgosur në Shkodër dhe Porto Palermo. E kuptoj dhe e pranoj, pa problem. Ndërsa, ti e di që unë kam qenë i kuq dhe tani, do përfundoj desha apo nuk desha, i kuq… sepse, është e shkruar ashtu historia ime dhe duhet për ta çuar logjikën gjer në fund, pa hile, pa mashtrime ndaj vetvetes, as ndaj të tjerëve. Është çështje autenticiteti dhe ndershmërie, një lloj besnikërie ndaj asaj çka ke qenë dhe që je… edhe pse sot, mund t’i kam disa kritika dhe rezerva ndaj atij regjimi të mëparshëm. Por, prapë e konsideroj, që rezultati përfundimtar, ka qenë mund të thuash me 50 përqind gjëra të mira dhe pozitive për shtetin dhe për kombin tonë, si shkollimi masiv, emancipimi i femrave, strukturat dhe infrastrukturat e një shteti, industrializmi dhe modernizimi i vendit… dhe natyrisht 50 përqind gjëra banale, absurde, të zeza dhe katastrofike, krejt të padrejta… a je dakort me mua?
Ju përgjigja:
-Po, pjesërisht po, zoti Agolli, porse ja ka mujtur dhe ka fituar ajo pjesa e zezë makiavelike, sepse ajo e ka infektuar dhe intoksikuar tani për minimum 50 vite të tjera, mos më tepër, trurin dhe shpirtin shqiptar dhe nuk do hiqet aq lehtë, sepse ka ngelur e shënuar thellë në koshiencën dhe subkoshiencën tonë njerëzore dhe tani do riprodhojë përsëri devijime dhe absurditete, deshëm apo nuk deshëm, gati jashtë kontrollit tonë. Pra, do na mbetet ai mentalitet komunist ballkanik dhe bizantin për disa kohë… dhe do na dëmtojë të gjithëve! Kështu, që edhe ato pjesët pak më konstruktive të regjimit enverist, do bien poshtë dhe nuk do vlerësohen, edhe pse kanë përbërë objektivisht një progres evident në disa fusha. Por, kur i zbaton të gjitha këto me diktaturë totalitare, me internime, burgime, pushkatime, tortura, devijime, propagandime, pastrime truri dhe spiunime permanente… nuk funksionon asgjë siç duhet, miku im Dritero, sepse, çdo gjë të irriton, të duket e keqe, e bastarduar dhe e infektuar. Edhe një gjë super të mirë, me ta imponuar përditë me dajak dhe poshtërime psikologjike, ty do të duket e keqe. Krijon efektin e kundërt!
– Po të kuptoj, je tepër kritik dhe i pamëshirshëm në analizat e tua. Por po ta them një gjë, ti Sherif… a po më sheh këtu përballë teje, i plakur, i lodhur dhe me flokë të thinjura… Tani, me të thënë ty këtu: Skënder, u bëra democrat me bindje, a më beson?
– Jo, aspak, i dashur zoti Agolli! Se nuk ka kredibilitet ajo punë, nuk besohet.
– Shumë mirë e ke dhe është krejt logjike. Pra, a po ju beson këtyre, ish shokë të mi, të dalur nga e njëjta shkollë, të cilët po i dëgjon sot me gishta të çuar përpjetë, duke bërtitur dhe duke e mashtuar opinionin publik të droguar, kinse jemi ultra demokratë dhe për një pluralizëm politik? Është puna e jote, por dije që të gjithë kanë dalur nga i njëjti kazan bolshevik, miku im Sherif. Kjo është një komedi hipokrite e paparë! Mundesh lirisht për t’iu besuar, por do ta shohish me kohën, ka për t’iu dalur shumë shpejt boja, kanë për të zhgënjyer në maksimum, se do ju bien maskat, të gjithëve herët apo vonë dhe do të rikujtohen dikur fjalët e mia. Unë nuk jam dakort me shumë gjëra që i kemi bërë ne komunistët, por tani nuk mund të ndryshoj në pleqëri dhe për t’u shitur si demokrat, se nuk shkon ajo punë, nuk do e beson askush. Atëherë, më duhet për të vdekur i kuq! Është së paku, një pozicionim më i sinqertë! Është çeshtje principi… ku pat demokratë përendimorë dhe pluralistë të vërtetë në Shqipëri? Bile, po ta them unë: do na duhet së paku një gysmë shekulli për t’i krijuar!
Nuk do mend, që e kishte me plot të drejtë. Prandaj, e kam respektuar atë njeri dhe autor shqiptar dhe i pata thënë që në fillim: “Globalisht, dije që nuk jam aspak fans i letërsisë tënde, e cila më duket tepër e demoduar… porse, i dua shumë disa prej poezive që i ke shkruar, sepse e ke një damar autentik poeti brenda vetes dhe atë romanin, si përjashtim, gati si një mrekulli ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, i cili për mua është në top nivel, jo vetëm shqiptar, por edhe europian… Bravo”!
Tani, le t’i rikthemi në taksi elektrike, zotit Pierre Klossowksi, artist i përkryer, erotoman dhe specialist, me shoqëri me Alain Robbe Grillet, babai i romanit të ri francez, i sado-mazoshismit, nëpër villa luksi private, kështjella antike apo «klube high level», për të abonuarit me vizë pranuese dhe ndonjë kumbarë si Don Korléone, ngaqë vinin figura publike të njohura, artistë dekadentë, gjyqtarë, doktorë, kirurgë, ministra, prokurorë shteti, deputetë dhe senatorë, të cilëve, për kortezi dhe edukatë, nuk mund t’ua citoj natyrisht emrin. Mirëpo, këto lloj lojërash devijuese, u takojnë natyrisht elitave të pasura dhe të konsoliduara, borgjezisë së lartë dhe aristokracisë e jo atij proletari, që punon si kali dhe mezi e mbyll fundin e muajit … Janë sporte erotike cerebrale për njerëz të rafinuar, të kultivuar dhe të ngeshëm, që kanë pak kohë për t’ua kushtuar qejfeve dhe fantazive të tyre… çka nuk mund ta kuptonte, bashkatdhetari im malësor, i rrethuar në shpellën e Dragobisë, zoti Bajram Curri, sepse kishte halle të tjera, pak më prioritare.
Pierre Klossowski, si André Pieyre de Mandiargues ishte një intelektualë super i përgatitur dhe i rafinuar, me një kulturë të paimagjinueshme, autorë, përkthyes, filozof, teolog, piktorë dhe vizatues, mirëpo ishte super cerebral dhe i mjaftonte për t’i përjetuar të gjitha fantazmat e tij, gati si spektatorë, (francezët e përdorin atë shprehjen – «voyeurisme»… ai që kënaqet dhe plotësohet vetëm duke i pa gjërat me sy… mirëpo, ka nevojë për një bashkëpunëtor, si një lloj aktori në shërbimin e tij) dhe pos faktit që kishte simpati për mua dhe i pelqenin deliret e mia poetike, e argëtonin përrallat e vjetra dhe zakonet shqiptare dhe i donte gjithë ato miksime humoristike, kurse vetë ishte super serioz, por e dinte shumë mirë, që edhe unë jam i lindur kurioz gjer në ekstrem dhe asgjë nuk më frikëson dhe jam i gatshëm për ta pa, së paku… pavarërisht, që i kam fiksuar gjithmonë, që në fillim, gjithë kufijtë e mi personal (këtu për këtë eksperiencë, jam dakort… këtu,e refuzoj kategorikisht, se nuk më përgjigjet askund mua në esencën time intime… e këtu, okay, për kuriozitet, po e shoh dhe po e provoj dhe do reagoj direkt më vonë duke t’i shprehur sinqerisht përshtypjet e mia… pra, çdo gjë ka qenë super e qartë dhe nuk kam përjetuar kurrë surpriza të hidhura apo katastrofike, sepse çdo gjë e kam pas vendosur vetë dhe kontrolluar gjer në fund). E kështu, më priste tek banesa e tij, afër sheshit Parisian Place Denfer Rochereau, tek ai Luani i famshëm, në Parisin 14… ose më thirte për ta diskutuar një çështje letrare apo filozofike precize, ngaqë, i interesonte mendimi im pa protokoll (të shofim çka ka për të më thënë, ky malësor primitiv dhe modern i Alpeve, por me një intuicion të rrallë dhe një liri marramëndëse) ose për të provuar diçka, sepse e dinte, që ka shumë shanse, që do i them – « okay, we do it»!
Më pyeste shpeshherë mbi Shqipërine antike zakonore dhe periudhën komuniste, mbi përbërjen e atij populli? Më thoshte: «po ti zoti Sherif, me gjithë këtë shthurje multidimensionale të qëllimshme, a të kupton populli yt… sepse, edhe për ne këtu, je mjaft enigmatik dhe problematik për t’u deshifruar në imtësi»?
Ju përgjigja: «Jo, zoti Pierre, nuk më kupton fare, por nuk është problem, se nuk më ka kuptuar as familja ime, pos nënës Xhevahire, një mistike e lindur… dhe siç duket, vetëm mistikët puro, mund t’i kuptojnë poetët e vërtetë… përmes disa antenave të përbashkëta… se i afron misteri i gjërave, pikëpyetja, enigma dhe sekreti»!
– Ah, po, jam plotësisht dakort me ty, i nderuar mik. E ke shpjeguar mrekullisht bukur, e ke sensin e formulimit… kurse mua, më duhet një javë, për ta shprehur një ide të tillë, aq qartë dhe bindshëm! Po, si të vijnë ty, gjithë këto idé dhe imazhe, apo nuk e di as vetë»?
– Jo, e vërtetë, nuk e di, dhe jam i pari, që befasohemi me vetveten, a më beson zoti Pierre? Më vijnë ashtu nga lart… si me qenë i diktuar nga diçka Iks!
Nganjëherë, i them vetes: a mos jam një kryqëzim memoriesh, shpirtërash, përjetimesh dhe eksperiencash njerëzore mbi këtë tokë… Po kush m’i ka lënë të gjitha këto porosi, transmetime dhe pse? Se është një peshë tepër e rëndë, për ta mbajtur përditë brenda vetes… Nëna ime është memoria e gjallë, apo e vetmja dëshmitare, e të gjithë historisë së familjës së saj prej 10 deri në 20 veta. Përndryshe, mos me qenë ajo: çdo gjë kalon në harresë dhe anonimitet përfundimtar… a po më kuptoni, miku im… e pse i ka ra asaj hise kjo barrë?
Edhe unë, e kam nganjëherë përshtypjen e çuditshme, që më ka rise, ku me e ditur pse, jo vetëm kujtesa antike e gjithë popullit shqiptar, historia e tij shekullore, trashëgimia e brezave… por edhe ajo e mbarë njerëzimit…
A mos kam lind i vjetër, me porosinë tokësore dhe njerëzore në qeliza, me trashëgiminë shqiptare të hënuar nëpër neurone dhe do vdes i ri përballë faqes së bardhë të Mallarmesë dhe Qiellit blu të pafund? Më fal, por tani, jam pak i përmalluar me gjithë këtë ngarkesë… a më lejon me të përqafuar, kundër vullnetit tënd! Më erdhen papritmas ca lotë në sy … tepër i ndieshëm. Orienti thotë që e kemi brenda vetes kujtesën intime dhe kujtesën universale.
Ma ka pas shpjeguar një budist i thelluar, por unë e kam të përjetuar dhe nuk e kam ditur që disa filozofë japonezë, kinezë dhe indianë e kanë pas teorizuar.
– Waouw, zoti Sherif, çfarë historie e mahnitshme, super e pasur… po e bëj me ty, një eksepcion. Duhet me qenë më stoik edhe pse e duam romantizmin.
– Po, e di, por më duhet tani një stazh 6 mujor tek Samurajt japonezë! Me Geisha, do e kam pak më lehtë! Ha… ha… ha…
– A mos e njeh ndonjë këtu në Paris, se m’intereson edhe mua, një ceremony mesjetare me një Geisha të Orientit të lartë, aty ku zgjohet dielli, se tani m’u zgjuan edhe fantazmat. Edhe vëllai im Balthusi është i mahnitur nga ato tip femrash. I do ritualët, inskenimet precize, simbolikën e gjërave…
– Jo, fatkeqësisht Pierre, se do e kisha përjetuar atë seancë me ty, pa problem, por jam specialist i hispanikëve, i latino-amerikanëve, i mesdhetarëve, deri dikund i afrikanëve, që m’i shante babai im dhe m’i përzinte nga shtëpia…
«Hup more hor, se na more fytyrën… çfarë shembulli për zi, po i jep familjes. Këtu mbretëron kanuni dhe bëri eksperiencat e tua jashtë derës së shtëpisë.
Kështu që kam vepruar si skizofren, i dyzuar me një personalitet të dyfishtë. Një ditë, nga mbrëmbja, po e shoh Klossowskin, duke shëtitur me një femër sublime 45 vjeçare, e veshur komplet në lëkurë, super seksi, pak androgjine, me një qafore, rrethuar me ari, argjent dhe diamante, si të ishte qeni i tij dhe po më thotë:
– «Eja me mua, Sherif, për ta luajtur një rol në një film life… e mos e diskuto”!
– Po çfarë roli, me të cilin regjisor dhe sa do paguhet? E çka je duke bërë me këtë femër, Pierre, pse po e trajton ashtu pa lidhje?
– Më tha: “është skllavja e ime dhe është plotësisht dakort, pyete”!
– Kur fola me të, m’u përgjigj me ironi dhe cinizëm: «Po, po, është dëshira ime, jam mazoshiste, e dua dominimim absolut nga një mëshkull sadist, por tepër i rafinuar… është kënaqësia ime dhe çfarë halli ke ti, me atë punë ? Nuk më interesojnë fare leksionet morale, zotëri… mund t’i mbajsh për veten tënde».
E ndoqa mikun tim polako-francez, si të ishte babai apo gjyshi im, për ta përjetuar një sfidë speciale mjedis hekzagonit francez. Më futi në një klub privat parisian, i specializuar në sado-mazoshizëm, ku vinin elita franceze, gjer në kulmin e kulmit, diçka e paimagjinueshme… të gjithë të filtruar në ekstrem, të abonuar apo të rekomanduar nga një lloj kumbari, me një CV tepër të bindshme, ose përndryshe, nuk kishin shanse për të hyrë. Dhe m’u duk, si me u futur në një dekor Opera apo Teatri, diçka super e përgatitur dhe e inskenuar gjer në detaje, në një skenë, ku ishin plot aparatura dhe instrumente, të inspiruara prej nga mesjeta, e gjer në kohërat moderne, të cilat shërbenin për t’i realizuar të gjitha fantazmat sado-mazoshiste. Por tani, një pjesë prej tyre ishin klienta të zakonshëm dhe e njihnin njëri-tjetrin, ndërsa unë, e shoqëroja Pierre Klossowskin, figurë super e njohur dhe e admiruar pikërisht nga kjo elitë, në kryeqytetit francez dhe kur vinin për ta përshëndetur me respekt: – «Po si jeni dhe si dukeni, o Mjeshtër i madh, zoti Klossowski? Respektet tona!
Më prezantonte: “Ky është miku im, poeti i talentuar, zoti Sherifi nga Albania” dhe më prezantonte mua, me ministra, deputetë, bankierë, biznesmenë, profesorë të Sorbonës, bile më kujtohet edhe një i Harvardit, prokurorë, gjyqtarë, aristokratë dhe borgjezë… Ec tani, e mos u befason, kur je një amator komplet dhe një malësor i ardhur nga Valbona, i cila para një jave, ishte në odat e Brukselit duke shërbyer kolonelin tonë zotin Muharrem Bajraktarin, ulur afër Oxhakut dhe duke folur për Isa Boletinin apo Hasan Prishtinën… janë kontraste gjigante, për të luajtur mendsh, nëse nuk e ke një strukturë pak të konsoliduar. Po vazhdon Pierri duke më këshilluar: «Shiko Sherif, çka po sheh këtu, mbaje për vete dhe mos e përmend asnjë emër, a more vesh, sepse të gjithë duan me kaluar ‘incognito’ është jeta e tyre private dhe janë VIP – figura publike të rëndësishme, a më kupton?
– Po, po, Pierre, flej rehat, se nuk do citoj askënd… e respektoj edhe unë intimitetin apo lirinë e çdokujt.
Tani Klossowski, siç ua thashë më parë, vinte aty vetëm si spektator, për t’i kullotur sytë dhe kjo i mjafonte, sepse të tjerat i ndërtonte dhe i përpunonte ai veët si artist dhe si intelektual, përmes fantazisë së tij cerebrale. Kjo kategori njerëzisht janë mund të thuash – erotomanë ultra cerebralë të rafinuar, çka çdo shqiptari, me atë traditën që ka trashëguar, i duket diçka komplet patologjike dhe e pa kuptueshme.
Me folur sinqerisht, kjo botë ishte shumë larg regjistrit tim personal, porse unë e kam atë lloj tolerance të lindur, atë farë lirie ekstreme, të përzier me atë lloj kurioziteti fëminor… kështu që pranoj shumë gjëra, nëse bëhën mes të rriturëve në moshën madhore, brenda një marrëveshje reciproke, me një respekt, pa dhunë dhe pa imponim… tek e fundit, çdokush prej nesh i ka fantazmat e tia personale dhe intime, dhe për mua, nuk më krijon asnjë problem, nëse e ka çfarëdo personi Iks, rastin për t’i përjetuar. Pastaj, askush nuk po shkon për t’i reklamuar apo anoncuar në lajmet e orës 20, në CNN apo BBC… ngaqë është kopshti privat i çdo Njeriu!
Dhe po vjen dikur Pierre Klossowksi dhe po më propozon, për ta rrahur femrën që e shoqëronte me kamxhik, e cila ishte e lidhur, mund të thuash e kryqëzuar mbi një shtyllë mbështetur në mur, me ca konopë të hollë, çelsa dhe pranga policorë…
Sepse, vinte aty qëllimisht për ta realizuar atë fantazëm torture. Ishte tamam si një skenë filmi, ku skenografia ishte e parapërgatitur gjer në milimetër. Dhe e godita me kamxhik, duke e pa që po i pëlqente… por dikur mua, më irritoi sepse nuk përjetoja vetë asgjë erotike, pos që m’u dukte vetja, si të isha duke e luajtur një dramë absurd boshe të Samuel Beckettit, duke e pritur asgjënë, ose humnerën tënde të brendshme. Dhe i thash zotit Pierre – e provova i nderuar, për ta mbaruar ty qejfin, por mua nuk po më kënaq ai delir sado-mazoshist, se nuk jam në atë program mendor, miku im, a e kupton?
M’u përgjigj: «Faleminderit shumë zoti Sherif, që e keni bërë këtë sakrificë për mua, se më keni kënaqur jashtë mase… tani, a pranon për ta pickuar dhe therur pak zonjën me gjilpëra speciale për atë lloj rituali dhe djegur me cigare në disa vende të caktuara të anatomisë»?
– Ah, jo Pierre, më vjen keq, por nuk mundemi, sepse ideja e torturës fizike apo psikike, shkon kundër koncepteve të mia dhe mua nuk ka shanse për të m’i plotësuar dëshirat e mia… Jam pak më bazik sesa ti, në aspektin erotik, miku im. Jam bjeshkatar i Alpeve! Jam më tepër Pasolinian, alla Boccacio… me diçka më tepër tokësore dhe diellore! Por, mund t’i propozoj dikujt që gjendet këtu, për ta kryer ty atë dëshirë dhe do e përjetojmë të dy vizualisht si spektatorë të ulur në rangun e parë… a jeni dakort?
– Bravo, zotëri Sherif, që po më kuptoni… dhe ia gjeta aktorin e duhur për ta vazhduar seancën sado-mazoshiste. Duke i parë me kujdes dhe duke i analizuar hollësisht… i thashë vetës, çka do me thënë kjo lloj fantazme? Çka shprehet këtu saktësisht? Duhet për të hyrë në psikoanalizën e thellë të njeriut. Raporti mes xhelatit dhe viktimës, sindromi i Stokholmit, dëshira e dikujt për të qenë, po, po, skllav, i sunduar, i shtypur, i mohuar, i shkelur, i torturuar… ekziston në realitet dhe e kam pa vetë, por pse dhe nga vjen? Shqiptari i Malësisë kanunore e ka sunduar gruan e tij, apo jo? Çfarë lirie apo të drejte ka pasur për t’i shprehur sinqerisht dëshirat e saj? Po ju pyes ju, si lexues? Po në Sicili, po në botën arabofone, po në Indi, Pakistan, Kinën antike shekullore, po në fiset afrikane?… A është diçka që është pjesë intime apo qenësore e vet natyrës njerëzore, e paraprogramuar në gene, qeliza apo është diçka e ardhur me edukatën, si një gjurmë apo kujtesë e fëmijërisë, apo diçka kulturore dhe zakonore, atavike, që përcillet ashtu brez pas brezi, mekanikisht, pa e analizuar domethënien e atij veprimi imtësisht? Kjo gjë, e donë një studim mjaft të thelluar!
Po pse diktaturat totalitare kanë vepruar ekskluzivisht përmes dhunës dhe torturës? Pra, si kanë pas vepruar Romakët, Vikingët, Kinezët, Japonezët gjatë pushtimeve luftarake, po nazistët gjermanë, po stalinistët rus, boshevikët e Leninit, po turqit ndaj armenianëve, po serbët e bullgarët ndaj shqiptarëve (çka e thojnë gjyshërat tanë)?
Tani, çuditërisht diçka ka kaluar në kujtesë… është shënuar dikund edhe sot, në disa rrethe ultra borgjeze, intelektuale të pasura dhe të konsoliduara, të cilat përbëjnë elitën e një Kombi apo një Shteti, sikurse Franca, apo Anglia, apo Amerika… i kanë transpozuar disa prej këtyre elementëve dhunues, simbolikisht të regjistrit më tepër mesjetar, apo fashist dhe komunist… në lojëra qejfi seksuale dhe erotike, sa për t’i plotësuar fantazitë e tyre. Kur Princi anglez Harry vishet në uniformë naziste gjatë një mbrëmbje festive private dhe kalon ai imazh përmes tabloedëve britanike tek opinioni publik, i cili natyrisht do shokohet… Por nuk shtrohet pyetja, sepse Princi e vesh atë uniformë, pse e zgjedh pikërisht atë të nazizmit, e jo një tjetër dhe tani, në trurin e tij intim, çka do me thënë ai veprim? Ndoshta as ai vet, nuk e di? Nuk jam këtu për të ushtruar diktate morale, por po e shtroj pyetjen lirisht, sepse po më duket mjaft legjitime. Bile nuk jam fare i sigurt që vetë ata që i praktikojnë këto rituale sado-mazoshiste sot nëpër metropolat madhore të botës, e kanë pleqëruar seriozisht këtë problematikë apo origjinën reale të dëshirave të tyre devijuese dhe perverse? Por siç ju thashë: kur janë të rriturit dakort mes veti, aq më tepër kur vijnë nga shtresat e larta të shoqërisë dhe kur mua, nuk ma imponojnë devijimin e tyre margjinal dhe ma respektojnë lirinë time… nuk ka pse të më pengon ajo punë, mua personalisht… se nuk është delikt penal dhe nuk jam prokuror shteti, aq më tepër kur ata vetë vinin në ato klube VIP të Parisit. Pra, pasi që janë të gjithë të rritur, të shkolluar, të vetëdijëshëm dhe dakort mes veti, le ta vazhdojnë programin e tyre. Ndërkohë që për mua ka qenë një eksperiencë interesante, e cila patjetër më ka mësuar diçka të re.
Më kujtohet tani, që shumë njerëz gjigantë të skenës franceze, më kërkonin për t’ua dhënë jo vetëm një mendim mbi punimet e tyre letrare, por nganjëherë edhe për t’ua korrigjuar apo propozuar ndonjë sugjerim timin personal. Ishte diçka e habitshme për mua, ngaqë ishin 10 herë mbi nivelin tim në çdo aspekt. E pse ma kërkonin mua? Ose e donin mendimin tim autentik, mbi një temë, apo një pyetje precize, kishit me thënë, që a mos isha unë specialist i asaj pune? Por më vonë e kam kuptuar sepse. Ngaqë, ata mendonin kështu: “Ky nuk është sikurse ne, i formuar alla parisiane, përmes librave, bibliotekave, institucioneve dhe universitetëve, brenda një metodologjie dhe rigoroziteti puro shkencor, duke iu përmbajtur kodeve dhe kuadrave… jo ky Sherifi, është një natyrë bruto e lindur, një dukuri e pashpjegueshme, por me talent të rrallë, një i egër primitiv por me antena dhe luhatje të papritura dhe prapë i kultivuar me disa referenca të tij, por me një teknikë komplet të lirë, të dekompleksuar, autodidakte dhe të improvizuar. I vetmi tip, që mund të na thotë diçka autentike, jashtë kornizave dhe programeve, por që mund të ketë vlerë… Si me e pyetur Manitas de Plata për muzikën flamenco-spanjolle në vend të një Profesor Doktori të specializuar nga Sevilja apo Granada, ose Django Reinhardt-in, për jazzin në vend të një profesori ultra i specializuar të asaj shkollës së famshme të Bostonit, në Amerikë, prej ku kanë dalë disa muzikantë gjenialë për nga formimi shkollorë. Mirëpo, me rëndësi është që qiftat tonë, do ju thonë atë çka nuk mund t’ua thonë kurrë të tjerët edhe me nga 10 diploma. Bile, e kam konstatuar që mua m’i kanë marrër gjithmonë mendimet dhe përshtypjet me shumë seriozitet dhe më kanë dëgjuar me vëmendje. Po, po, e do thoni, po pse?
Ngaqë, e dinin mirë, që do ju flas pa hile, pa protokolle, me sinqeritet total dhe një liri të plotë, me personalitetin dhe vërtetësinë time autentike, ashtu siç jam unë dhe pikë, pavarësisht a do ju pëlqejë apo jo, a do jenë dakort me mua, apo jo?
Dhe në një moment të caktuar, sado që ishin ikona të kulturës franceze, ju duhej dikush, që mund t’ua thotë atë çka nuk do guxonte askush tjetër për t’ua thënë, pa dalur komplet prej kodeve strikte të komunikimit të filtruar ultra jezuitë dhe borgjez. Kurse, për një Pirat të Poezisë i ardhur nga ILIRIA antike, nuk ishte fare problem! Nuk isha duke e humbur British Muzeumin apo thesarin e Mbretërisë angleze. I thoja vetes, «veç grahja, siç je ti, dhe mos ta ndien për askënd, nisu nga faqja e bardhë dhe propozon diçka tëndën, ose do jesh komplet i dështuar… mos e merr fare për bazë kulturën e tyre gjigante, e kam ditur intuitivisht atë gjë, pa ma thënë askush»!
A mos i kisha në trashëgiminë time intime shpirtërore, 2 mijë vite histori dhe prestigj ndërkombëtarë francez, thesare kulturore të pa imagjinueshme me tonelata… ? Jo! E pse mos me guxuar atëherë? Pse mos me tentuar diçka të re? Po pse mos me e provuar atë çka nuk e njoh? A po më ndalë Sorbona, Akadamia franceze, Luvri? Le të shprehet liria e Valbonës gjer në maksimum dhe le të rrjedh sikurse poezitë e zotit Apoliner, në lumin e Senës… le të dëgjojnë VIPAT francez diçka të jashtëzakonshme, me një ngjyrë pak ndryshe… le ta shijojnë Femrat e Hekzagonit një botë tjetër alla shqiptaro-marsiane dhe le t’ia shtrojnë pastaj vetvetes 100 pyetje enigmatike, të pa përgjigje, kështu që do vijnë detyrimisht për të më rikërkuar!
Më thoshte Klossowksi: «Sherif, më thuaj sinqerisht, çka ta merr mendja ty këtë vizatim timin, po këtë tregim erotik mbi shoqen time, po këtë ese mbi Sadin”?
Ju përgjigja me humor: «Shiko, i dashur Pierre, këtu janë 3 tema që duan 3 seanca pune… ha… ha… ha… pra, 3 ftesa për drekë apo darkë, me ndonjë verë sublime, nëse jeni dakort? S’mund t’ia ofroj ashtu gjithë elitës franceze, idetë e mia krejt falas, se përndryshe do zhvlerësohem komplet dhe do banalizohem, do dal si idioti i katundit, që e përqesh çdokush. Po shitem edhe unë si Van Goghu dhe Modigliani!
Sipas dramaturgit Bernard Marie Koltès, çdo marrëdhënie njerëzore është tregtare–ka vetëm shitës dhe blerës… pra, ka diçka prostitucionale në thelb… kjo është baza tematike e teatrit të tij, i dashuri mik … por ka diçka të përngjajshme edhe me jetën e rëndomtë njerëzore»!
Ah, interesant, zoti Sherifi – «më fol pak mbi veprën e tij, se nuk e njoh! Po Sade, a e ke lexuar, se është një autor kult pasionant… ja kam kushtuar një punim»!
Patjetër, zoti Pierre, por mua, nuk më ka pëlqyer fare, të kërkoj falje nëse do të zhgënjej, por sipas meje është limit i pa lexueshëm dhe unë nuk do kisha mundur për t’ia këshilluar miqësisht askujt leximin e veprës së tij, e aq më pak një studenti të ri, pos me e njohur në detaje, sa për kuriozitet… por jo, sepse është autori më limit dhe radikal që e kam njohur në letërsi dhe e përbën një rrezik në vete, një përplasje me normat e tua jetësore, një eksplodim i të gjitha kodëve, nëse nuk je i përgatitur. Është përgjegjësi e madhe morale, për t’a këshilluar një maturant apo student të Sorbonës të vitit të parë apo të dytë – që ta lexojnë Markezin e Sades! Shikon Pierre, unë ia kam lexuar 3 libra, por e kam pasur distancën humoristike dhe kritike. Mirëpo, kur e kam thelluar pak mendimin tim mbi të, në një mënyrë sa më objektive, kam mbrri në përfundimin që filozofia e veprës së tij, të çon drejt cinizmit dhe nihilizmit absolut, pra, drejt një veprimi totalitar pa asnjë limit, do me thënë shkatërrues dhe auto-shkatërrues, një radikalitet i pamëshirshëm… pra, prej Sadit, arrin pa problem në fashizëm, nazizëm dhe stalinizëm, ku njerëzit nuk kanë më për ty asnjë lloj vlere dhe janë vetëm se objekte të fantazmave dhe të delirëve të tua perverse, pa asnjë limit… Pra, janë viktima të ofruara, qenie të sakrifikuara dhe të flijuara, të dënuara, të destinuara për vdekje, përmes një rituali sakrificial, të justifikuar përmes artit, historisë, letërsisë, filozofisë… çka e bën edhe më të rrezikshëm dhe të pafalshëm. A të kujtohen gjatë historisë njerëzore, tek disa civilizime të arrira në disa fusha, sikurse indianët INKA, MAYA apo AZTEK për shembull, por edhe tek të tjerët… kemi rituale me sakrifica njerëzore, në emrin e filan besimi, apo Zoti, apo kulti … Pra, çdo ekstremitet justifikohet përmes një lloj shpjegimi i natyrës kulturore apo mistike, fetare. Kurse, në realitet është një sjellje puro perverse, kriminale, devijuese, delirante, psikopatike dhe absolutisht e pafalshme, e cila do meritonte vetëm se pushkatim apo dënim të përjetshëm. Dhe Markezi i Sades është pikërisht në ketë lloj regjistri… Ka kaluar përtej humanizmit dhe referencat e tij janë tani anti-humane!
Pse? Sepse, mister Klossowski… pije pak Burgonjë me këtë mish të tharë zviceran… tungjatjeta… kur i tejkalon të gjitha tabutë, limitet, normat… atëherë, nuk ke më asgjë përpara teje që të ndalon diçka, pra, nuk njeh limit edukativ, as moral, as ligjor, sepse i ke shkelur dhe i ke mohuar… Kështu që i thua vetes, çka kam për të bërë tjetër të re, të cilën nuk e kam pas provuar akoma? Ose, ku qëndron etapa vijuese e aventurës time të dëshpëruar dhe devijuese… pasi që nuk kam më asnjë lloj tabuje apo kufiri dhe kam arritur tani në portën e ferrit dhe të krimit?
Vetëm me i vra, me i torturuar të tjerët si eksperiencë sadike, gjer sa të plotësohet ty, ai qejfi yt pervers… duke i veshur gjithë ato veprime me pseudokulturë, si një auto-justifikim ndaj vetvetes, ngaqë je, deshe apo nuk deshe, një person i kultivuar dhe i një rangu shoqëror të lartë… me pak letërsi dhe filozofi, e tani pse jo, me torturuar dynjanë gjer në vdekje, duke e cituar Georges Bataille, Maurice Blanchot, Mandiargues, Leiris, Sade Baudelaire, Cioran, Beckett, Ionesco, Nieçe, etjerë…
Ky është kulmi i perversitetit kriminal në thelb. Mua, më çuditë sinqerisht gjithë ai admirim që keni disa prej jush ndaj veprës të Sades? Sepse, është kulmi i nihilizmit, i antijetës dhe antihumanizmit. Do me thënë, që më lindin disa pikëpyetje edhe ndaj jush pastaj? Çka gjejnë gjithë këta intelektualë francezë sublime tek Sade? Ai me disa të tjerë, e ushqejnë direkt apo indirekt, përmes veprave të tyre, gjithë filozofinë politike ultra totalitare. A të kujtohen nazistët gjerman të Reich-it? Ju e dini Pierre, që elita e tyre ka qenë mjaft e kultivuar, e rafinuar, e ngopur me muzikë klasike, opera, letërsi dhe filozofi gjermane. A je dakort? E si pra, ata njerëz, të atij niveli, kanë kaluar gjer në praktikën delirante të holokaustit, të eksterminimit nëpër kampet e Aushwitz, Treblinka, Dachau, Mathausën, ku janë zhdukur në një mënyrë industriale dhe të tmerrshme, pa pikën e pendimit apo të humanizmit, me miliona njerëz? Edhe ata e kanë pas justitifuar veprimin e tyre me Nieçën, me Heidegger-in me Wagner-in, etjerë. Ja pra, rezultati! Do me thënë që as kultura nuk të mbron nga horrorri absolut! Unë për shembull, e dua shumë regjisorin italian Pier Paolo Pasolini, sidomos në filmat e parë, si Teorema, Oedipi, Ungjilli, dhe ajo trilogjia me Boccacio, Canterburry dhe ‘1001 netët’… mirëpo, kur kalon përmes Markezit të Sades dhe e propozon gati si testament politik dhe artistik përfundimtar, filmin e tij ‘Salo dhe 120 ditët e Sodomit’ të cilin unë, nuk kam mujtur për ta përballuar gjer në fund, për nga ana ekstreme dhe radikale i tij… edhe pse e kuptoj sensin e veprës pasoliniane. Është hera e parë në jetën time, që kam dalur nga salla e kinematekës… dhe mezi e kam përballuar tash vonë për së dyti, para 1 viti, po atë film, me të cilin desha për t’u konfrontuar përsëri, por duke u sforcuar pak, për nga natyra ime. Dhe e kuptova, pse ka përfunduar jeta e Pasolinit me aq… sepse edhe ai sikurse Markezi i Sades, i ka kaluar të gjitha normat, kufijtë dhe tabutë dhe ka mbri gjer në absurditetin dhe humnerën e vdekjes tragjike. Filmin e çon gjer në fund, çdo gjë e ka veshur me art dhe kulturë, por që të zbarkon në torturën, masakrën dhe vdekjen përfundimtare, ngaqe kalon në nihilizmin total, në mohimin e çdo forme humanizmi dhe civilizimi… Kështu, që i shtyrë nga forcat shkatërruese të djallit, çdo gjë na është tani e lejueshme, gjer kur të na vijnë edhe ne, të shtyrë nga pulsi përfundimtar, për ta mbyllur ciklin e horrorit, dëshira për ta vetvrarë vetën, sikurse i kemi vrarë të tjerët, vetem për ta ushëqyer sadizmin dhe perversitetin tonë psikopatik. Pikërisht, atë çka kanë bërë diktatorët e botës, Atila, Cezari, Hitleri, Stalini, Mao Ce Dun, e Pol Poti me plot shokë ndaj popullit të tyre, të cilin e kanë trajtuar si skllav e bagëti. Bile, Pasolini na parlajmëron me filmin e tij… «Ja, çka është duke na pritur, o miq, nëse nuk do jemi të kujdeshëm» dhe fatkeqësisht për të, jeta e tij ka përfunduar në horror, gati si në filmin e tij… si të kishte qenë diçka e shkruar, sepse do ketë qenë vizionar ai Njeri, gjer në flijim dhe sakrifikim. Pas një filmi të tillë ekstrem, kush mund ta imagjinon Pasolinin, duke na propozuar në vijim, një komedi të stilit amerikan alla «Pretty Women, ose alla Monthy Python»? Problemi është kur kultura vjen si alibi për ta justifikuar totalitarizmin! Kështu, që na duhet për të qenë ultra kritik ndaj çdo vepre letrare dhe filozofike, por edhe filmike, dramaturgjike apo muzikore, duke e respektuar parimisht lirinë e saj gjer në fund, sepse, unë jam spontanisht kundër çdo lloj censurimi… mirëpo, paralelisht, duhet me qenë tepër pedagog, objektiv dhe kritik në vlerësimin e tyre, duke e paralajmëruar publikun se çfarë mesazhi apo porosie mund të merren nga këto vepra dhe sidomos me Rininë e gjimnazeve dhe të universiteteve… të cilët nuk i kanë të gjitha informacionet dhe parapërgatitjet e duhura, për t’i shijuar këto lloj veprash? Unë, nuk ndaloj asgjë, por nuk mund t’i them dikujt – lexoje filan vepër të filanit, duke e ditur mirë që është një autor radikal ekstrem, pa asnjë lloj parapërgatitje… sepse, moralisht, do isha fajtor, nëse personi do bierë në depresion dhe do çrregullohet komplet. Është një pa përgjegjësi totale! Mos harroni që jemi edhe prindër, edhe pedagogë… apo jo?
Çka është e çuditshme, është fakti që unë i kam lexuar këto lloj tipash delirantë, që nga adoleshenca dhe më vonë i kam takuar dhe jam përballuar me gjithë këta Nnerëz, pa e përjetuar ndonjë dëmb të madh tragjik. Pse? Mister i madh, por siç thotë nëna ime Xhevahire Sadria – sepse ke qenë i mbrojtur nga lart, por ti nuk e dinë dhe nuk e ke kuptuar!
Pierre Klossowski vinte nga një familje me origjinë të largët polake. Është vëllai i madh i piktorit të famshëm Balthus. Prindërit e tyre kanë qenë intelektualë të ngritur dhe artistë. Babai i tij Erich Klossowski, ishte piktorë dhe historian i artit, ndërsa nëna ishte nxënësja e piktorit të njohur francez Pierre Bonnard (Elizabeth Dorothea Spiro, alias Baladina Klossowki … kurse unë, alias Aleksandri). Pra, të dy vëllezërit janë rritur në meset borgjeze të letërsisë dhe të artëve plastike. Bile, nëna e tyre do dashurohet në poetin romantik gjerman, Rainer Maria Rilke, ndërsa Pierri do jetë 15 vjeçar… dikur, do e takojnë autorin e famshëm André Gide, i cili do i merr të dy djemtë gati përsipëri si tutor simbolik, për t’i orientuar dhe frymëzuar në jetë… mirëpo i ka disa tendenca evidente homoseksuale, të cilat i shprehtë me delikatesë dhe tërthorazi, në veprat e tij, si për shembull ‘Imoralisti’ apo ‘Ushqimet tokësore’. Pierre Klossowksi studion në liceun e famshme parisiane Janson de Sailly. Mund t’i imagjinoj pikëpyetjet dhe dilemet e tij duke qenë në kontakt me një autor të tillë. Sidomos, kur je një adoleshent në kërkim të vetvetes, nuk është fare e lehtë, sepse do përballesh direkt me turbullimet dhe kontradiktat e asaj moshe.
Lind në Paris, me 9 gusht 1905, dhe do vdes në vitin 2001, në moshën 96 vjeçare. Ndërsa unë ëndërroja me qenë një kozmonaut duke shëtitur nëpër kozmos, perms Odisesë Hapësinore të Stanley Kubrickut, duke dëgjuar muzikën e albumit mitik «The Dark Side of të Moon» të grupit Pink Floyd… Kurse, familja ime e nderuar, ishte e abonuar në Qamilin e vogël, një filozof strukturalist, i strukturuar sipas këshillave të Frashërit, në bujqësi dhe bagëti dhe i ardhur papritmas në çifteli! «Hadje, e të lumtë goja, o burrë, se na ke kënaqur sonte»!
Tani, më jipni leje, zotëri dhe më leni të merremi me Fabrikën Pop Art të Andy Warhol-it, me zonjën Niko, të droguar dhe bandin muzikor alternativ ‘The Velvet Underground’… se më duhet sa për rrugë, diçka pak më eksperimentale!
Në vitin 1928, Pierre Klossowski do përkthejë në bashkëpunim me Pierre Jean Jouve, një tjetër poet depresiv kronik, të cilin e kam pas lexuar, veprën e Hölderlin-it, poeti prestigjioz gjerman, me titullin ‘Poezitë e Çmendurisë’. Pas disa kohe të kaluar me rrethet e shoqërisë psikoanalitike franceze, që nga vitet 1935, e boton një tekst analitik mbi Markezin de Sade dhe e takon filozofin dhe autorin Georges Bataille, i cili do jetë mik i tij i përjetshëm. Pastaj takon figurën emblematike të surrealizmit zotin André Breton, bashkëpunon me revistën ‘Acéphale’ dhe me Kolegjin e Sociologjisë (1936 – 1939) të krijuara dhe dirigjuara, pikërisht nga miku i tij Georges Bataille. Do i japin disa konferenca nëpër Paris dhe do afrohen po ashtu me piktorin francez André Masson.
Gjatë okupimit gjerman, Pierre Klossowski studion skolastikën (la scolastique) në Universitetin dominikan Saint-Maximin, çka do të thotë një degë e filozofisë, e cila që nga mesjeta, ka tentuar përmes leksioneve të saj universitare, për ta harmonizuar porosinë e filozofisë greke klasike, me atë të kristianizmit, e bazuar në Biblën dhe ungjillet, po ashtu edhe Teologjinë, duke e thelluar studimin e tij në Lyon dhe pastaj prapë në Paris, tek Instituti Katolik. I kontakton disa anëtarë të Rezistencës franceze dhe pas çlirimit në 1945, do bashkëpunojë me revistën fetare «Zoti i gjallë – ose Dieuvivant». Mirëpo, i rikthehet laicitetit dhe martohet në vitin 1947, me Denise Morin, femrën e një rezistenti martir, të cilin e kanë pushkatuar nazistët gjermanë, ndërsa ajo shpëton fatmirësisht nga kampi i tmerrshëm në Ravensbrück. Do jetë shoqja dhe musa e tij unike dhe modeli i Robertës (Roberta) në fantazitë e tij erotike dhe metafizike. Po atë vit, boton tek Le Seuil, esenë e tij studimore, që ka bërë bujë dhe skandal mbi veprën e Markezit de Sade… (Sade, mon prochain – mund të thuash gati, Sadi, ardhmëria ime, diçka ashtu)… Porse, titulli tingëllon super provokativ, në fakt! Sepse, flitet për Sadin si me qenë duke folur për Zotin, apo për Jezusin, apo ndonjë shenjt, vetëm në titullin e studimit… mund ta imagjinoni ju vetë efektin që ka ajo vepër, sidomos në ato vite, që e mbyllin mezi kapitullin e nazizmit, dhe tani po na reklamohet publikisht, një sadist ekstrem radikal, kur dihet mirë se kush është Sade dhe çka ka shkruar?
Dhe po ua them unë, si anarshist, pa ua bërë asnjë leksion morali dhe duke qenë parimisht kundër çdo lloj forme censure, por vetëm duke ua përshkruar kontekstin e asaj kohe. Me këtë vepër, aspak konsensuale, Klossowski e vendos autorin Sade, si një figurë të rëndësishme në letërsinë aktuale bashkëkohore, pra e popullarizon, e legalizon dhe dikund e institucionalizon, si vlerë madhore. Kështu, që na detyron për ta marrë veprimtarinë e tij para sysh, për ta lexuar dhe për t’u pozicionuar direkt apo indirekt ndaj filozofisë së tij radikale. Dhe shtrohet pyetja mbi ateizmin, normën, perversitetin, komunikimin, besimin, njerëzimin? Bile e riboton po atë vepër, 20 vite më pas, në 1967 me disa modifikime.
Klossowski e boton tek ‘Gallimard’, atë çka e quan romanin e tij të parë në vitin 1950 me titullin «La vocation suspendue” – Prirja apo Thirrja e pezulluar, por në aspektin mistik të besimit «ideja është që na vjen personazhi kryesor në një lloj manastiri fetar, por i cili do përjashtohet shumë shpejt nga fretërit, sepse, do dyshojnë në besimin e tij autentik dhe të sinqertë. Kjo është tema… vepra është natyrisht më tepër filozofike dhe teologjike, sesa një roman i rëndomtë në sensin klasik. E shtron problematikën: a të ka ardhur besimi i vërtetë me një lloj apeli, thirrje, sinjali, shenjë i fuqishëm, apo je duke e luajtur një rol të tillë? Pra, jemi tek diagnoza dhe skanimi i procesusit apo alkimisë të besimit… qysh dhe si besohet, si lind besimi, nga vjen dhe si do zhvillohet tek njeriu që beson, si do e shpreh konkretisht? Kjo vepër do adaptohet në një film të regjisorit francez, me origjinë kiliane, zoti Raul RUIZ, të cilin e kam pas njohur edhe unë në Paris, një njeri super simpatik, multidimensional me një kulturë mjaft impresionante, i talentuar për gjithçka në fakt, por ndoshta tepër cerebral, për artin kinematografik, siç ka qenë edhe ky regjisori anglez, zoti Peter Greenway… por e ka pas adaptuar librin e Klossowskit në vitin 1978, në një film art e ese, me metrazh të gjatë, 90 minuta, të cilin mund ta shikosh vetëm në një kinematekë apo mediatekë ultra të pasur dhe të specializuar… por kurrësesi, në Lushjne as në Lipjan, por as në Prishtinë apo në Tiranë. Hapeni një kinematekë, o vëllezër, se ngelen disa gjenerata pa asnjë lloj kulture bazë dhe të denjë, për në rangun europian aktual! A e kuptoni, që Brukseli, i cili është kryeqyteti i Belgjikës dhe i Europës dhe kryeqendra e disa organizatave ndërkombëtare, që është në realitet një Provincë në krahasim me Parisin, apo Londrën… porse i ka për popullatën e tij, 1 milion banorë aq sa Tirana e sotit: 100 salla filmi (10 prej tyre me art e ese, pra, me filma seriozë autorësh), e ka kinematekën mbretërore, të dytën pas Parisit, për nga pasuria e saj, pra koleksionin e filmave, i ka 60 salla teatri dhe bile 6, me teatër më të profilizuar për eksperimente të ndryshme pak më minoritare, për nga ana e shijes të publikut, porse ekzistojnë. Po aq kemi edhe galeri arti private dhe publike, për artet plastike. Po dua me thënë, që ekziston një ofertë e madhe dhe e gjerë kulturore, për çdo lloj publiku në fakt. Pavarësisht që 80 përqind e ofertës, mund të jetë puro komerciale dhe pa vlerë të madhe artistike apo kulturore… është evidente, sepse edhe këta këtu, e ndjekin logjikën e tregut, të influencuar nga logjika amerikane e biznesit. Ky lloj fenomeni është i globalizuar tani dhe është bërë gati planetarë… Por, prapë ka mes 10 deri në 20 përqind hapësirë për artet dhe kulturat e vërteta, që nuk i bëjnë asnjë koncesion publikut, por as tregut. E këtu, qëndron pikërisht dallimi me nesh! Me çka do ushqehet një student i ri në Tiranë, apo në Prishtinë?
Le ti rikthemi para Karnavalit të RIO de JANEIROS, mikut tim Pierre Klossowski, se pastaj, do na pushtojë Samba, deliri dhe prapanicat e brazilianeve, për minimum 1 javë! I ka pas botuar disa libra si «Le Bain de Diane – Larja e Dianës – 1956 – tek J.J. Pauvert, një botues erotoman, me të cilin i kam ndarë disa birra dhe muhabete. Po pse, pikërisht kur ne vinim, si ata të mjerët, në romanin e Dostojevskit dhe natyrisht, të palarë, si emigrantë politik shqiptarë, të ikur nga komunizmi, me 1 gusht 1956 të atij viti, në Belgjikë, për ta ndërtuar të famshmen “Mërgata e Qyqëve”?
Pak më vonë, në vitin 1963, e boton prapë tek ‘Gallimard’ librin ‘Un funeste désir – një dëshirë e kobshme, ose e mallkuar’. Por, mund të themi, që vepra më emblematike e këtij autori margjinal, do ngelet ajo trilogjia e ligjeve të mikpritjes (Les Lois de l’Hospitalité) libër i botuar tek ‘Gallimard’ në 1965, i ndarë në 3 pjesë: ‘La révocation de l’Édit de Nantes – Roberte ce Soir –et le Souffleur’ – ose ‘Shfuqizimi i Editit të Nantës – Roberta, sonte – dhe Sufleri’, ai që ua murmuron tekstin aktorëve në një teatër)… është një vepër radikale dhe mjaft provokuese, si tek Maurice Blanchot… Sepse, kur të vijnë miqtë në një vizitë, sipas ligjeve klasike të mikëpritjes, duhen bërë disa gjeste dhe rituale të caktuara, apo jo? Por këtu, Klossowski mediton, filozofon me veten së pari, pak edhe me të tjerë, dhe arrin tek konkludimi, që çdo dialogë i thelluar, çdo shkëmbim përmes fjalëve të fjalorit është i pamundur, është iluzor, hipokrit, i sforcuar, fals, irreal dhe absurd. Pse? Sepse, fjala e maskon realitetin e pashprehur, nëntekstin që nuk ka nevojë për fjalë për t’u thënë? Dhe më në fund, e privilegjon heshtjen totale me të ftuarit e tij, shikimin reciprok dhe shkëmbimin duke ua ofruar shoqen e tij, si shenjë respekti dhe mirë ardhje në konak… Prandaj, ua ofron Robertën për t’i realizuar fantazitë e tyre me shoqen e tij. Por të gjitha këto, ndodhin natyrisht në imagjinatën e tij, ngaqë siç ua kam thënë që në fillim, kemi të bëj me një person ultra cerebral, të cilit i mjafton truri, ideja, fantazmi i përjetuar si vizion apo si ëndërr, për t’u kënaqur, mundësisht edhe me i materializuar gjërat përmes syrit, si spektator… për ta ndier vetën të plotësuar dhe të frymëzuar. Duke e kuptuar funksionimin e tij atipik, nuk kishte ndonjë arsye për të qenë shoqja e tij Denisa, xheloze ose për të shpërthyer në kriza nervore, sharje dhe thyerje pjatash. Sepse, nuk i praktikon gjithë ato që i shpreh apo që i imagjinon… vetëm se i ushqen apo i zhvillon si një film në tru. Po ashtu, vepron edhe vëllai i tij Balthusi… i cili nuk është tamam një pedofil klasik, i cili ka dhunuar, pa asnjë pendim, apo problem moral, seksualisht vajza të reja minore nën moshën 18 vjeçare, në praktikën e tij të përditshme… por vetëm i ka admiruar me sy vizualisht dhe i ka pikturuar, vizatuar, fotografuar, sepse i interesonte dhe e tërhiqte ideja apo fantazma e pafajsësisë, pikërisht e misterit të kalimit mes fëmijërisë tek adoleshenca, me ato valët e para emocionale dhe fizike, si puna e lules në minutat e para kur do çelet…
Pra, si lindin ato fenomene, si shprehen tek vajzat e reja 12 deri në 18 vjeçare… si ju vijnë imazhet erotike dhe sensuale, dëshirat intime, si ju shfaqen gjithë ato valë dhe shqetësime në aspektin po themi fizik, emocional, intelektual dhe psikologjik?
Dhe Balthusi, sikurse vëllai i tij Pierre Klossowski janë vetëm spektatorë cerebralë të fantazive dhe dëshirave të tyre intime. Mund të jenë personalitete perverse në botën e tyre, okay, me siguri margjinalë dhe radikalë, në mënyrën sesi na shprehin vizionin e tyre mbi botën dhe marrëdhëniet shoqërore, porse nuk janë njerëz automatikisht të rrezikshëm për të tjerët… nuk jemi me Marc Dutroux-në, djallin e Walonisë. Porse, veprat e tyre letrare, duhet për t’i këshilluar dhe lexuar me pak kujdes, se mund te kenë ndikime negative tek disa persona, që janë të ligj, të pakonsoliduar dhe të pavendosur për nga natyra dhe që mund të luhaten pak shpejt.
Për shembull – Klossowski e ka një ditë vizionin ose tingëllimin e një emri abstract ROBERTA – dhe e merr atë sinjal si diçka me rëndësi, e interpreton dhe e hyjnizon, kështu që e imagjinon gruanë e tij reale, Denisën, me pseudonimin ose brenda personazhit – Roberta… si tek personazhet mashkullore të librave Oktavi, Teodori, etjerë… dihet që janë një version direkt i Pierre Klossowskit, pra ai flet për veten e tij si filozof, si teolog e si njeri. Personazhet janë të gjitha fiktive dhe shërbejnë si pretekst për ta shprehur vetveten në disa dimensione dhe vizione multidimensionale. Prandaj, për një lexues të rëndomtë, imagjinojeni se çka mund të mendojnë?
Vjen Klossowski në libër dhe ju thotë me një përshkrim të detajuar: «Ua ofrova miqve apo mysafirëve të mi, siç bënin dikur eskimezët në iglutë e tyre në Bankizën veriore të Groenlandit apo Antartikut… shoqen time Roberta, për t’i shprehur me të, të gjitha fantazitë e tyre erotike dhe seksuale… ishte gati si gjest mikëpritje dhe respekti! Dhe hajde, tungjatjeta me aq dhe ec e analizoje në aspektin kritik letrar. Mua, më bënte për të qeshur, ngaqë kisha provuar disa eksperienca me të dhe e kuptoja funksionimin e tij realisht… Dhe nuk isha aty për të moralizuar apo për të gjykuar dikënd, që mua më donte dhe më respektonte, pa më imponuar asgjë në fakt. Pse mos të tentoj ta kuptoj botën e tij, kur e kam atë liri dhe atë besim në vetvete dhe kur e di që askush nuk mundet me ndikuar tek unë, pa qenë vet 100 përqind plotësisht i bindur, që e ka me të drejtë. Mos harroni që vij nga shkolla kritike e post Majit 1968, me Bartin, Foucault, Deleuze, Derrida, Lacan, Ferré, Sartre, Camus, Godard, Rimbaud… nuk infektohem aq lehtë nga idiotësitë regresive, mesjetare apo totalitare. Kam debatuar me të mbi rregullat e mikëpritjes në zonat tona të Malësisë së Gjakovës dhe më dëgjonte me vëmendje… e pava që i pëlqenin ato dëshmi.
Më thoshte, ju jeni akoma në botën e kalorësve dinjitozë alla antikë… po, është diçka interesante… por qysh e keni asimiluar pastaj modernitetin dhe si keni kaluar prej lashtësisë kanunore, në shekullin 20, me stilin përafërsisht europian?
Ishte pyetje me të vërtetë serioze, porse donte kohë për ta sqaruar imtësisht. I thashë ironikisht, sa për ta bërë me qeshur: E kemi kaluar atë etapë, në kaos dhe në shpërbërje komplete, duke u dekonstruktuar radikalisht, por pa e pasur fare në mend «planin e rikonstruktimit alla shqiptarë» pastaj, jemi shndërruar në majmuna dhe kopjues të botës, por pa e pasur talentin, as bazën kulturore të aziatikëve, të cilët kopjojnë çdo gjë, gjer në perfeksion, por paralelisht i ruajnë me shumë kujdes antikitetet e tyre. A i kanë prishur kinezët, vietnamezët, kamboxhinanët, laosianët, që kanë qenë të gjithë të zhytur në komunizmin debil dhe absurd, komplet jashtë natyrës së tyre tradicionale të thellë dhe autentike, të gjithë Tempujt e tyre, Pagodat dhe Arkitekturat antike, kostumet, skulpturat, masket, festimet, shprehjet teatrore dhe muzikore të lashta shekullore? Jo! Kurse, ne e kemi kaluar atë etapë, me disa fraktura të thella, sepse, nuk e kemi pleqëruar mirë atë fenomen, nuk e kemi parapërgatitur dhe e kemi përjetuar pulsionalisht dhe emocionalisht, pa asnjë mendim serioz të distancuar, me plot çrregullsi dhe mbi një improvizim amatoresk komplet… Çka natyrisht na ka lanë disa pasoja, të cilat do i vuajmë akoma për një kohë të gjatë. Pra, pse duhet me qenë detyrimisht të tjerët, amerikan, anglez, francez, italian, grek, gjerman, por mundësisht, jo shqiptar? Nga vjen kompleksi dhe frustracioni? Ku qëndron problemi… ta thrasim Freud-in, Jung-un, Sokratin, Platon-in, në pleqëri!
Në vitin 1965, Klossowski e boton pseudo-romanin e tij (Le Baphomet) tek shtëpia Mercure de France, i cili merr çmimin e kritikës. Titulli, simbolizon emrin e një idoli misterioz, që e reklamonin magjistarët okult të shekullit 19, të cilin e kanë pas adhuruar edhe Kalorësit e Rregullit të Tempulit (Les chevaliers de l’ordre du temple), por të cilët i ka dënuar kisha dhe morali publik i asaj kohe. Ky personazh e ka një kokë sqapi me brirë gjigantë dhe një trup femëror me dy gjinj. Eshtë figurë edhe impresionante, por edhe e shëmtuar. Në këtë libër, ka luajtur autori me këtë mit të Tempullarëve, për ta transformuar në një tregim komik dhe barok të stilit oriental, ku je më tepër në botën tjetër paralele, në mbretërinë e mendjes dhe të shpirtërave, sesa në botën reale. Qysh me e shprehur frymën e mendimit me fjalë? Veprat e Pierre Klossowskit kanë mahnitur Maurice Blanchot-në dhe Michel Foucault-në, të cilit ia dedikon këtë roman. Bile, ai e ka shkruar vetë në një artikull “Blanchot –Bataille et Klossowski janë autorët më të rëndësishëm të momentit në Francë”.
Pas vitit 1950, ka zhvilluar edhe një vepër në artet plastike, me piktura dhe vizatime, që vinin për t’i plotësuar, nganjëherë edhe për t’i ilustruar kërkesat e tij në letërsi. Dikur me kohën do i largohet fiksionit, pra romaneve pseudo-narrative, për t’iu kushtuar më tepër filozofisë. E boton rreth vitit 1970, një ese me një parathënie të Michel Foucault-së, me titullin: ‘La Monnaie vivante – Leku i gjallë’, botuar tek Jowlle Losfeld, me 11 vizatime të tij dhe 65 fotografi të mikut të tij Pierre Zucca (fotograf dhe regjisor), ku përmes letërsisë dhe filozofisë, duke i cituar disa autorë, Klossowski na flet për «semiotikën pulsionale» pra, studimi i shenjave të cilët e shprehin pulsin e epshit, ose dëshirën, afektin, trupin si objekt huazimi, dëshire dhe tregëtie, në botën tonë industriale, e cila në emrin e rentabilitetit, i ka uniformizuar, dezhumanizuar dhe mekanizuar të gjitha luhatjet tona shpirtërore, fizike dhe emocionale… dhe dikur mbrri në trekëndëshin: çdo gjë shitet dhe blihet, sepse e ka një vlerë evidente… pra, është VLERA – pastaj, e ke DËSHIREN si fenomen planetar dhe në mes e ke, SHTIRJEN ose aktrimin, komedinë njerëzore.
Pra, ka diçka që i afrohet atij dramaturgut, që ua kam pas përmendur më sipër, zoti Koltès. Po ashtu, Klossowski, ia ka pas kushtuar një vepër interesante edhe filozofit gjigant gjerman Nieçe, me titullin: ‘Nieçe dhe rrethi vicioz’ të cilin Foucault-j, e konsideron si librin më të madh të filozofisë, botuar tek Mercure de France, në vitin 1969, një vit super erotik, sipas këngës të Serge Gainsbourg-it. Tani, punon intensivisht në përkthimin e Nieçes në frëngjisht, me kërkesën e zotit Gilles Deleuze dhe Michel Foucault, të cilët po e përgatisin botimin e veprave komplete të filozofit gjerman. Po ashtu, Pierre Klossowksi e luan një rol aktori në filmin e Robert Bresson – «Au hasard, Balthazar’ – 1966, dhe në filmin e mikut të tij Pierre Zucca – Roberta, në vitin 1978, ku luan edhe shoqja e tij Denisa. Pastaj edhe bashkëpunon në dy filma të Raoul Ruiz-it – ‘L’hypothèse du tableau volé’, 1979 dhe ‘La Vocation suspendue’. Pas viteve 1980, do tërhiqet pak dhe do merret vetëm me artet plastike, sidomos me vizatime dhe inskenime regjisoriale të veprave të tij erotike dhe sado-mazo-filozofike. Roberta (alias Denisa ) është natyrisht muza e tij e përjetshme siç ju kam thënë më parë. E imagjinon në të gjitha situatat erotike më provokuese dhe ekstravagante, mirëpo ajo i merrte ato gjëra me gjërësi dhe me shumë humor, e jo me ia hedhur një sahan me supë mbi kokë, duke bërë një krizë të rastit. Ja kanë ekspozuar disa herë veprat nëpër Francë dhe në shtetet tjera.
Vdes në vitin 2001, në moshën 96 vjeçare, 6 muaj pas vëllait të tij Balthus. Dhe në vitin 1981, kur vjen Mitterrand-i, në pushtet, e merr Çmimin Kombëtarë të Letërsisë, dhuruar një herë në vit nga Ministria e Kulturës, pra, nga shteti francez, një autori i konsideruar si madhor. Tani, për sa i përket veprës së tij… Romane, tregime dhe ese studimorë, i ka botuar 22 libra… Nuk do flas për artikujt që i ka botuar nëpër revistat letrare dhe filozofike franceze, apo për përkthimet madhore që i ka bërë, sidomos me autorët gjermanë (Hölderlin, Heidegger, Nieçe…), por duhet ta dini që janë botuar edhe 16 vepra mbi veprimtarinë e Pierre Klossowskit, çka e konfirmon rëndësinë e tij dhe rolin madhor që e ka luajtur në kulturën franceze. Mund t’i citoj disa prej këtyre autorëve si për shembull: Giulia Agostini – Alain Arnaud – Jean Paul Curnier – Jean Decottignies – Gilles Deleuze – Jacques Henric – Anne Marie Lugan Dardigna – Jean Paul Madou – Michel Surya – Thierry Tremblay – Slaven Waelti – Laurence Sylvain – Patrick Thiérault…
Ka qenë një person me kulturë gjigante universale, i cili vinte nga një familje mjaft e ngritur në aspektin intelektual, kështu, që është rritur në meset artistike dhe të inteligjencës, si person i privilegjuar: ka njohur perfekt letërsinë, filozofinë, artet plastike, teatrin, teologjinë, mistikën, muzikën klasike dhe operën, pos asaj edhe psikologjinë apo gjuhët e huaja… Kur e mendoj sot, me atë distancën e duhur, dhe pa asnjë kompleks natyrisht, më vjen për të qeshur me gaz. I them vetes: «Waouw, por nuk e di akoma se çfarë fati ke pasur, ti djalë… për t’i takuar të gjithë ata njerëz gjigantë, në stilin dhe në mënyrën e tyre, me një veprimtari serioze dhe me ua lënë një përshtypje pozitive më në fund, përmes të cilës e kanë shprehur ata vetë dëshirën për të takuar përsëri»! Duket e lehtë, porse nuk është një fjalë goje… Provojeni!
Sepse nganjëherë habitem dhe i them vetes: «A është e mundur apo jo… duke e njohur veten në detaje, me kualitetet dhe defektet e shumta që kam, mungesat kulturore evidente, po me çka i kam bindur unë të gjithë këto figura, ngaqë mes tyre, objektivisht, i vetmi analfabet real dhe patetik, kam qenë unë»? Dhe, po uashpreh pa asnjë lloj kompleksi, përkundrazi… besoj në atë çka ma ka dhuruar Zoti!
A e kisha unë kapacitetin, për t’iu mësuar diçka të re në fushat letrare, filozofike apo artistike? Absolutisht, Jo! Por me diçka i kam interesuar? Me stilin tim poetik bruto dhe inovues, një miksim alkimik mes disa kulturave dhe huazimeve të ndryshme, plus materia ime jetësore, me anën time shqiptare antike, trashëgiminë e odave malësore, me vizionet, luhatjet analitike, me kritikat spontane shpeshherë të qëlluara, me atë lirinë e lirë pa komplekse, as protokolle. Pra, isha mbreti i university tim të përkufizuar, por siç e kam ndërtuar unë dhe kishin nevojë të gjithë, që dikush i guximshëm, t’i nxerr nga rutina e tyre e përditshme dhe t’i befason me diçka të papritur dhe për atë gjë, isha pikërisht personi i duhur. Sepse, unë e kisha për nga natyra, atë dimension njerëzor të lindur… I thoja vetes: “Okay, je kulturalisht pak i kufizuar, nuk do jesh kurrë Volteri apo Viktor Hugoja, nuk je enciklopedist… dakort. Por tek e fundit, a vijnë specialista me 10 diploma dhe doktorata, për t’i studiuar maskat afrikane, punimet maori, ato të bushmenëve australianë, veprat antike aziatike… pra, krijime bruto primitive të propozuara nga njerëz antik të pa shkollë dhe që jetonin në fise arkaike, por natyrisht punime sublime… e vjen çifti i Fan Nolit për t’i komentuar. Pse? Sepse, janë të mahnitur! A vijnë specialistët e Sorbonës, Harvardit dhe Oksfordit me 100 studime dhe teza mbi Artur Rembonë, që ka shkruar Anijen e dehur 16 vjeçare? E kjo është pra, forca e tyre… para gjithë specialistëve botërorë prestigjiozë ultra të konfirmuar. A vijnë ata për t’i studiuar artistët madhorë, filozofët, urtësitë orientale, besimet dhe ritet antike, apo e kundërta? Dhe kështu isha cool dhe i sigurt para çdokujt me atë çka posedoj unë në brendësinë time”.
Më propozonte Pierre Klossowski për ta shoqëruar në disa vende, për t’i ushtruar disa eksperienca, për t’ia komentuar ndershmërisht disa prej punimëve të tij dhe një herë më tha: “Zoti Sherif, eja të shkojmë te Balthazari”! …
Tani, e bëra me qëllim, kinse nuk e kuptoj dhe me një humor pak provokativ, iu përgjigja:
– Te gomari Balthazar, apo tek njëri prej Mbretërve magjistarë, Melkiori, Gaspari dhe Baltazari, të cilët sipas mitit, e ndjekin Yllin drejtues të çobanit, i cili i lajmëron për lindjen e Jezus Krishtit?
– Ah, nuk merr asgjë seriozisht, çdo gjë e transformon në komedi dhe spektakël. Do i them vëllait tim, që e keni ngatërruar me një gomar ose një magjistar dhe do të dërgojë në flakët e ferrit !
– Mëshirë, miku im… mëshirë, se po shkojmë tek vëllai yt me gjithë qejf! Dhe kam shkuar disa herë, vetëm, apo me Pierre-in, në ateljenë e tij, ‘Cour de Rohan’ në Parisin 6 – për t’ia admiruar veprat pikturale, me atë dimension klasik, por me atë distancë klinike të ftohtë analitike dhe cerebrale… çka na
krijonte një efekt mjaft të çuditshëm. Ka një atmosferë atipike në ato tablo!
Sot, punimet e Balthus-it, janë në të gjitha muzetë e mëdha botërorë dhe shiten në tregjet Drouot, Sothebys and Christies, me miliona dollarë… më kujtohet një vepër që iu ka pas shitur me 19 milionë dollarë. Publiku e ka një imazh pak të reduktuar të tij si piktor, sepse e sheh vetëm atë pjesën e tij pak më perverse dhe provokative, mund të thuash simbolikisht pedofile, me ekspozimin e vajzave minorene. Por me të vertetë, janë vepra, kur i sheh qetësisht me sy dhe me mend, mjaft provokuese, mirëpo, ngelet ai sensacion vetëm në anën cerebrale, ngaqë na i thyen të gjitha tabutë. E kishte pranë tij, mbesën e tij Frederikën, e cila e ka shoqëruar gjatë disa viteve, duke qenë modelja e tij, që nga mosha 10 vjeçare… Balthus-it, si artist, i interesonin vajzat, vetëm mes moshës 12 deri në 18 vjeçare, në maksimum.
Bile, më thoshte nganjëherë: “Pasi që ju albanezët, martoheni të ri, me vajza të reja, sipas traditave orientale… a mundesh zoti Sherif, me ma sjellur ndonjë mes moshës 13 deri në 16 vjeçare»?
Ju përgjigja me politesë: “Më fal, o maestro Balthus, por jo se nuk jam i specializuar në minorente gjimnazi… por mund ta pyesi zotin Gabriel Matzneff, që është mjeshtër i madh për atë kategori femërore dhe i cili, sikurse princat dekadentë të disa oborreve mbretërore, i përshkruan me krenari, të gjitha aventurat e tij, në disa libra, që krejt natyrisht, kanë zgjuar kuriozitetin pervers të lexuesve, por edhe të inteligjencës franceze, që e ka mbështetur!
Tani, mund t’ua them disa fjalë mbi piktorin Balthus, vëllain e Pierre Klossowskit. Ka lindur në vitin 1908 në Paris dhe ka vdekur në shtëpinë që kishte në Zvicër, në Rossinière, në vitin 2001, në moshën 92 vjeçare. Ka punuar në Paris, Japoni, Zvicër dhe Romë, ku i ka pasur ateljetë e ti personale. Emri i tij real është Balthasar, por është si njohur si piktor me rrezatim ndërkombëtar, me emrin Balthus. E kanë origjinën familjare polako-prusiane. Poeti dhe dramaturgu i madh dhe i mallkuar francez, fatziu Antonin Artaud thoshte: “Piktura e Balthusit ka diçka dramatike, e cila nxerr në pah, diçka elektrike dhe të turbullt të kësaj epoke historike, propozon disa ura, ku do shprehën dramat njerëzore”. Kur e ekspozojnë në të famshmën «Tate Gallery» ia kërkojnë organizatorët një biografi dhe ju përgjigjet kështu: “Më mirë do ishte për mua me filluar duke thënë – mbi jetën e Balthusit nuk dimë asgjë dhe ju këshillojmë vetëm për t’i pa veprat e tij me shumë kujdes”!
Pra, ai vetë ka dëshiruar me çdo kusht me ngelur sa më misterioz, enigmatik dhe sekret. Nuk fliste shumë mbi vetën e tij, mbi jetën familjare, pos asaj, shpeshherë me plot qëllim, i mashtronte të tjerët përreth tij, duke qeshur me vetveten, luante me vizitorët, duke iu treguar përralla imagjinare fiktive mbi jetën e tij. Në moshën 27 vjeçare pikturon një autoportret të tij, me titullin ‘Mbreti i macave’. Prandaj, edhe publiku i gjerë e njeh pa e njohur, do me thënë e njeh me sloganin: «Ah, po, ai piktori vicioz dhe pervers, që i pikturon vajzat minorene… ose, ai pedofili që pikturon vajza të reja» dhe mbaron muhabeti me aq. Siç ka vepruar edhe me mua bota shqiptare, d.m.th. mikrokozmi intelektual, mediatik dhe artistik duke ma kolisur një etiketë që ju konvenonte dhe duke më reduktuar në një formulë banale, pa e njohur fare rrugëtimin as veprimtarinë time, të cilën nuk e kanë lexuar, as studiuar fare, ngaqë nuk ju intereson. Por «ky është ky dhe pikë… goodbye»! Bile kur e sheh veprën, çuditesh nga atmosfera e saj, ngaqë këtu jemi në temën e autoportretit. Tani ambienti i tablosë është neutral, asketik, i mbyllur, i rëndë, nëse bazohemi në ngjyra, kishit me thënë që je në një dhomë burgu, diçka me hapësirë minimale. Piktori Balthus duket i madh, ultra serioz dhe statik, gati i zgjatur si tek personazhet e Giacometit, i veshur si dandy borgjez në kostum, me një maçorr, po ashtu bojë gri, që i fërkohet me kënaqësi rreth këmbëve, por ky është duke pozuar në atë dhomë të vogël, me një stol, një pëlhurë tabloje, ku figuron titulli – Mbreti i Macave – dhe një kamxhik, që ta rikujton fantazinë sado-mazoshiste. Tani, të gjitha këto elemente të vendosura ashtu së bashku në një tablo, krijojnë patjetër tek spektatori, një mister, një enigmë, një pikëpyetje, një shqetësim, diçka të turbullt dhe jo të qartë. Dhe në një farë mënyrë, kështu mund të përmbledhet përafërsisht bota artistike e Balthusit. Pos asaj, ju thotë analistëve të arteve plastike – “Shikoni, që në pikënisje, nuk kam lindur si të tjerët, se kam ardhur në jetë më 29 shkurt 1908, çka do të thotë, që e festoj ditëlindjen time, jo sikurse gjithë të tjerët, por për çdo 4 vite, sepse fuqitë kozmike më kanë pas programuar për diçka tjetër”!
E prapë vazhdon enigma ose legjenda e Balthusit… Tani, babai i tij Eriku, një katolik polak, i konvertuar më vonë në protestantizëm, por edhe ashkenaz (komuniteti hebrej, i ardhur nga Europa e lindjes, e quajtur qendrore dhe orientale), por ka qenë një historian i artit, piktor dhe dekorator i teatrit, pra një intelektualë i përkryer. Nëna e tij me origjinë rusofone, Baladina Klossowka, takon gjithë piktorët dhe artistët e asaj periudhe, martohet në Londër me Erikun, në vitin 1904 dhe do i kenë dy fëmijë: Pierre Klossowski i lindur në 1905 dhe pastaj Balthasarin (Balthus) në 1908. Dikur do ndahet me shoqin e saj Erikun dhe Baladina do shkojë me dy fëmijët e saj në Zvicër, në Bernë për t’i takuar arushat dhe pastaj në Gjenevë, lavatriça planetare, ku qarkullon kapitali i oligarkisë botëror dhe ku flen një pjesë e thesarit të hebrejve, i plaçkitur nga nazistët gjermanë, në dekore të pastërta idilike, për karta postale … kishit me thënë, kulmi i idealit dhe i pastërsisë njerëzore!
Nganjëherë, shkojnë Pierri dhe Balthusi tek babai i tyre në Munchen, për ta pa Bayern-in, kundër Barcelonës, ose tek dajat e tyre, në Berlin. Mirëpo, tani nëna Baladina dashurohet me poetin sublim dhe romantik gjerman, Rainer Maria Rilke, që ma ka pas këshilluar me insistim, ish mikesha ime, aktorja franceze Fanny Ardant, në vitin 1989, në një no man’s land të Valonisë (një qytezë-fshat që quhet Verviers), ku xhironte filmin e ish mikut tim, regjisori belg Jean Jacques Andrien (Australia). Por i thashë: “Shumë faleminderit, e dashur, është poet i madh dhe e kam lexuar, po ashtu edhe letrën, të cilën ia ka adresuar një poeti, që është një vepër interesante, porse unë në një ishull të virgjër, do ta marr vetëm Artur Rembonë – i cili më mjafton për ta ushëqyer shpirtin tim”. Kush e njihte Vervienë në Valoni? Absolutisht askush, gjer në vitin 2015, ku kalon në të gjitha lajmet televizive belge, në kryelajm të parë, pasi që policia belge e kishte sulmuar për t’a arrestuar, qelizën e grupit islamist të drejtuar nga Abdelhamid Abaaoudi, ku figuronin disa fundamentalistë të grupit të Molembegut në Bruksel, mes të tyre edhe Salah Abdelslami, që është aktualisht në burg. Rezultati praktik, doli me ngjuajtje kalashnikovi, guerrila dhe 2 të vrarë dhe një person i arrestuar. Kështu është njohur qyteza valone Verviers… sepse aty pat filluar historia e atentateve në Francë dhe Belgjikë, me atë qelizën e parë themeltare, e cila i kishte planifikuar dhe menaxhuar të gjitha sulmet terrorriste që kanë ndodhur me Charlie Hebdo-në, me restorantet franceze dhe Bataklanin në Paris dhe pastaj në Bruksel, me aeroportin e Zaventem-it, dhe me stacionin e Metros në Maelbeeck.
Mirëpo, le t’i rikthemi me surf mbi valët gjigante portugeze të Nazaresë, familjes Klossowksi, e cila e ka akoma dosjen e hapur, tek komisariati gjeneral i çeshtjeve të refugjatëve. Balthusi është në fillim të adoleshencës 11 vjeçare dhe jemi në vitin 1919. Nëna e tij dhe Rilki e enkurajojnë për t’i ndjekur leksionet në skulpturë dhe në gravurë (gdhenje apo skalitje) tek dy profesoret Magrite Bay dhe Dora Timm, gjer në vitin 1923… Por gjatë vitit 1921, imagjinojeni që është një djalosh 13-14 vjeçar do e boton librin e tij të parë me vizatime, titulluar «Mitsou» të shoqëruar me një parathënie të Rainer Maria Rilke. Kurse, në vitin 1922, do tentojë për të hyrë në Akadaminë e Arteve të Bukura në Berlin, por do e refuzojnë. Tani në 1924, vendosin për të shkuar në Paris, ku do banojnë në rrugën Malebranche të Parisit 5… dhe aty, do takojnë autorin Klaus Mann (djali i të famshmit Thomas Mann), André Gide, autori i njohur francez, poeti Pierre Jean Jouve dhe historiani, kritiku, autori dhe themeluesi i Muzeumit të Artit Modern në Paris, zoti Jean Cassou. Në vitin 1925, Balthusi shkon në Itali, për ta studiuar pikturën italiane dhe sidomos periudhën e Rilindjes. Dhe aty do mahnitet nga piktori Pierro de la Francesca, i cili do ketë një influencë në krijimtarinë e tij vijuese. Flet për mënyrën atipike me të cilën e okupon hapësirën, sesi i vendosë diagonalet, si e gjeometrizon trupin dhe figurën? Në vitin 1929 ekspozon në Zurich, pastaj në vitin 1934 rikthehet në Paris, ku e takon Antonin Artaud-në, i cili deklaron – «që Balthusi është dyshi ose alter-egoja im»! I ilustron veprat e Emily Bronté, e ndihmon Artonë, në kostume, dekore dhe skenografi për t’i vendosur veprat e tij dramaturgjike, të frymëzuara nga dramat njerëzore, dhimbja, tortura psikologjike, vuajtja fëminore dhe incesti. Mos harroni që ky autor ka kaluar një pjesë të jetës së tij, nëpër Azile Psikiatrike dhe ju ka dhimb gjithëkujt… nëse ju kujtohet, është marrur dikur me të edhe miku im Jacques Lacan.
Është një personalitet ekstrem dhe radikal, i flijuar, i djegur dhe i sakrifikuar! Që nga viti 1933, e merr një atelje në numrin 4, rue de Furstemberg, në lagjen Saint Germain des Prés dhe pastaj tek Cour de Rohan, ku e kam pas njohur unë, gjatë disa vizitave në solo, ose i shoqëruar me vëllain e tij Pierrin. Aty e takonte shpeshherë piktorin André Derain, një ndër themeluesit e rrymës foviste, e cila e ka për lider simbolik Henri Matisin me tablonë ikonike – Zonja me kapuç – ku shprehet çlirimi komplet i ngjyrave dhe i vizatimit, për me ia dhënë punimit artistik, një gjallëri gati të egër, diçka fovë (si tek tigri, luani, leopardi)… aty figuron edhe piktori Maurice de Vlaminck, Kees van Dongën, që ma përshkruante aktorja Arletty, që kishte pozuar për të në ateljenë e tij, dhe Raoul Dufy, dhe Diego Giacometti, vëllain e të famshmit Alberto, që tani çdokush e njeh me skulpturat e tij origjinale. Ishte ikonë e filmit, ua rikujtoj vetëm «Hôtel du Nord dhe Les Enfants du Paradis», vepra magjike, tani në pleqëri e verbër, me një shërbëtore në Parisin 14, rue de Remusat, ku shkoja disa herë për ta pirë një çaj me një ëmbëlsirë. Më thoshte, «më pëlqen zëri yt, por a më lejon me të prekur me dorë? Mjerim i madh që nuk po të shoh, se ku me e ditur se çka do kishte ndodhur»?
Balthusi i takon surrealistat e André Breton-it, bashkëpunon pak kohë me revistën e tyre «Minautori», por nuk e gjen veten në atë lëvizje artistike dhe e refuzon, si referencë bazike për krijimtarinë, teorinë mbi botën subkoshiente të Freudit. Në vitin 1934, ndërsa lind Xhevahire Sadria, në fshatin Vuthaj, e rrethuar me disa dele dhe qingja, Balthusi ekspozon në Paris, tek Galeria Pierre Loeb, një seri tablosh me vajza të reja pre-adoleshente, në disa poza të turbullta por sugjestive dhe në aspektin e normave morale të asaj kohe, natyrisht krijon një skandal. Dhe pikërisht, aty e gjen famën e tij të ardhshme dhe e krijon atë imazhin, që do e përcjell gjithë jetën e tij. Mirëpo në atë vit, ekspozita e tij është një dështim komplet, sepse nuk do i shitet asnjë tablo. Do e bën një portret të mikut të tij André Derain dhe pastaj të piktorit spanjoll Joan Miro me vajzën e tij Dolorès, të cilët i ke sot, në koleksionet e Muzeut ‘Moma’ të New Yorkut. Në vitin 1937, martohet me zonjën Antoinette de Watteville. Do i shërben për modele në disa vepra. Pastaj në 1938, do ekspozon në New York. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore jeton pak kohë në Savoie, tek bjeshkët franceze, pastaj në Friburg në Zvicër, ku do lindin dy djemtë e tij Thadeus dhe Stanislas dhe më vonë në Cologny, afër Gjenevës. Do eskpozojë atje, në vitin 1943 dhe do e takojë botuesin Albert Skira dhe zotin André Malraux në vitin 1945. Do ndahet me gruan e tij dhe do rikthehet përsëri në Paris. Merret me dekoret dhe kostumet e dramës së Albert Camus – «L’état de siège» dhe më vonë në 1950, me Operën e Mozartit – «Cosi fan tutte» në Festivalin e Aix en Provence. E sharmon vajzën e Georges Bataille dhe Sylvia Bataille, që tani jeton me Jacques Lacanin, Missis Laurence (shyqyr që nuk e ka ditur Shpend Sherifi nga Tropoja, se do ishte ndarë keq) dhe në vitin 1952, do ekspozon në Londër në Galerinë Lefèbvre.
Gjatë vitit 1953, largohet nga Parisi, duke e ruajtur ateljenë e tij natyrisht, por vendos për të jetuar në qetësi, bashkë me mesën e tij Frederique Tison, gjer nga viti 1961, në Kështjellën e Chassy, në regjionin e Nievrës, në Bourgogne, të cilën e njeh perfekt pëllëmbë mbi pëllëmbë, Presidenti francez François Mitterrand. Aty i bën disa piktura emblematike me mesën e tij, me vajzat e disa katundarëve dhe shërbëtorëve përreth, me peizhazhet e vendit. Disa prej tyre, do ngelen si referencë. ‘Dhoma – Vajza në dritare’ dhe do sillet atje, tamam si një aristokrat feudal.
Ia propozova një takim me djalin e Zogut, që pretendonte për ta çliruar Shqipërinë etnike, por nuk ju mbush mendja. Ha… ha… ha… Na duhet pak humor në këtë jetë.
Në vitin 1956 i hapet një ekspozitë madhore tek Moma e New Yorkut dhe i vjen për vizitë në kështjellën e tij, në Chassy, Alberto dhe Anetta Giacometti, po ashtu edhe Pierre Matissi, një galerist shumë i njohur i New Yorkut.
I thashë papritmas: «Balthus, a do me ta sjellë bijën e Sadri Rexhepit nga Vuthaj, për model»?
– M’u përgjigj «Faleminderit, por pas moshës 16 vjeç, nuk m’intereson, se ka mbaruar historia e tyre si femra!
– Ah, të marroftë Zoti!
Në vitin 1961, do e emërojnë autorin e famshëm dhe Ministri kult, i Kulturës franceze, i qeverisë të Charles de Gaulle – zoti André Malraux, si drejtorë i Akademisë të Francës, pranë Institutit VILLA MEDICIS, në Romë, ku do rrijë 16 vite, duke e lënë një gjurmë madhore. Do dashurohet me një studente frankofone, Setsuko Ideta, e lindur në vitin 1943, të cilën e ka pas takuar në Tokyo në vitin 1962 dhe e lutur që të vijnë pranë tij në Romë. Natyrisht, do i shërbejë për muzë dhe modele, si për shembull në tablonë ‘Dhoma turke’ dhe do martohet me të rreth moshës 60 vjeçare gjatë një udhëtimi të tij në Japoni, nga viti 1967… kurse ajo vajzë është 24 vjeç.
Bravo, zoti Balthasar, se ke nderuar gjithë Orientin tradicional, porse këtu në Europën Përendimore, kemi të tjera norma. Jeni i ftuar sonte për darkë, tek Kulla e Çun Mulës, Bajraktari i Hotit! Balthusi do e rinovojë komplet Villën Medicis, e cila sot është bërë epiqendra simbolike e kulturës franceze në kryeqytetin gjenial italian.
Me daten 3 nëntor 1968 i lind një djalë, Fumio, i cili i vdes pas 3 vitesh dhe pastaj një vajzë Harumi në vitin 1973. Pas përfundimit të mandatit të tij në Romë, shkon për qejf në një hotel të Zvicrës për pushim «Le grand Châlet de Rossinières» dhe do i pëlqejë aq shumë, saqë e blen. Do jetojë atje gjer në vdekje me shoqën e tij japoneze Setsuko dhe vajzën e tij Harumi, duke punuar gjer në fund. Do shkëputet nganjëherë në Paris sipas aktivitetëve dhe projekteve të tij artistike, ku është edhe vëllai i tij Pierri. Balthusi vepron me këtë ritual rigoroz: pra zgjohet herët në mëngjes, e merr një kaftjallë të mirë dhe punon gjithë ditën, sa ta ketë dritën natyrore në dispozicion (ngaqë e urren çdo dritë artificiale) nuk ha fare drekë dhe pasi që shuhet vetvetiu ajo drita e natyrës, e përfundon punën e tij të ditës dhe pastaj ushqehet dhe pushon.
Është i ekspozuar dhe i mbivlerësuar kudo në botë, nga kritika, mediat dhe publiku. Nganjëherë, paraqitet i veshur me një kostum tradicional japonez, pranë shoqës së tij, e cila e do dhe e admiron. shtë një personalitet i rafinuar, i kultivuar, asketik, minimalist dhe super i disiplinuar. Është i koncentruar dhe i përmbledhur, shkon direkt nga esencialja dhe nuk harxhon kohën e tij kot, me banalitete dhe absurditete, siç bëjnë 90 përqind të europianëve, të droguar nga Amerika e klisheve, do me thënë, konsumi maksimal, materializmi, akumulimi i kotësirava dhe Zoti Dollar, e aq më tepër shqiptarët e uritur dhe të frustruar, të cilët lakmojnë në atë, çka nuk e kanë pasur kurrë… dhe për ta mbrri atë qëllim (pse mos të jam edhe unë, pasi që nuk jam më idiot se ata, si Donald Trump dhe Berluskoni?) natyrisht, pshurrin në çdo vlerë njerëzore dhe shqiptare, në çdo kriter moral dhe kulturor, në çdo botë të brendshme shpirtërore dhe shiten te kushdo pa asnjë problem… A ju kujtohet miti i FAUSTIT tek autori GOETHE? Kjo është ajo që e definonte nëna ime, «këtu tek ne, në Shqipëri apo në Kosovë, mbretëron aktualisht vetëm shkolla e Shejtanit»!
Ishalla, do na rikthehen vlerat shqiptar, dhe drejtësia e Zotit ! Shampanjë… A mundet për të më thënë dikush, që e ka pasur gabim dhe me ma faktuar me ca argumente serioze, të kundërtën?
Po ku e lamë Balthusin, se po ia fut dikush prej nesh duart në xhepa…!
– Ma lini rehat, se tani është me mua.
– Paska mbaruar i shkreti, a është babai juaj? Dërgoje sa më shpejt në një dom, nëse i ka ngelur ndonjë lekë… merrja gjysmën për veti, se nuk do i duhen!
– Mos ja bani hallin, të dashurit bashkatdhetar, por më mirë, kërkoni të drejtat e juaja legjitime në fushën ekonomike dhe sociale së pari… atë çka ju takon!
Një farë drejtësie humane minimale, çka është baza elementare e njerëzimit!
Dhe mundësisht, aplikimin e një «Demokracie të vërtetë, të mbështetur nga një shtet ligjor, i cili funksionon në praktikën e përditshme. Të tjerat gjëra, janë vetëm përralla dhe opiume për ta vendosur një popull në gjumë».
Ky është programi juaj real, o miq dhe mikesha, e jo llafollogjira delirante nëpër kafe dhe lokale dhe trullografi narkotike televizive për çdo mbrëmbje, me të njejtat pseudo-debate politike, të cilat neveritin çdokënd normal ose me seriale banale, apo virtualitete vulgare, që bastardojnë sistematikisht çdo normë të shëndoshë normale brenda një shoqërie. Dilni nga kjo narkozë!
Në vitet 1983 – 84 do i organizohen disa ekpozita madhore retrospektive, në Muzeun e Artit modern Beaubourg të Parisit (alias Georges Pompidou), në New York dhe Tokyo, ku zgjasin 3 muaj, aq shumë, e kanë një sukses publik. Në vitin 1991 merr çmimin prestigjioz japonez «Praemium Imperiale» të cilin ia ndan Perendoria e Japonisë, për çdo vit, një personaliteti madhor të artit. Prej vitit 1994 gjer në 1996, e mban si sekretare, autoren, piktoren dhe kaligrafen franceze me origjinë kineze, Shan SA, e cila do i organizojë ekspozitat në Taiwan, Hong Kong dhe Pekin.
Me 18 shkurt 2001, vdes në pronën e tij zicerane – Châlet de Rossinières. Në atë katund, ku pushon, është një kishëz, si një lloj mauzoleje në kujtimin e tij, ku mundet për të ardhur publiku, në shenjë homazhi, për ta pa një film mbi veprimtarinë e tij dhe shijuar bibliotekën. Pas vitit 2020, familja e tij i ka dhuruar të gjitha dokumentet, arkivat dhe veprat e tij në MCBA – Muzeu kantonal i Arteve të Bukura në Lausanne. Balthusi i ka 6 vepra të botuara me shkrime, vizatime, korrespondenca dhe intervista. Në dy filma të regjisorit emblematik të Valës së rr franceze, zoti François Truffaut – ‘Domicile Conjugal dhe L’amour en fuite’ me personazhin kryesor, alter-egonë e tij, aktori Jean Pierre Léaud, e ka një skenë ku flitet për një tablo të Balthusit. Po ashtu e kemi një referencë evidente të veprës së tij pikturale, tek filmi ‘Péril en la demeure’ të Michel Deville. Pastaj, emri i tij është i cituar në veprat letrare të Antonin Artaud-së «Messages révolutionnaires» tek romani «Incognito» i autorit Hervé Guibert, i botuar në vitin 1989, tek Gallimard. Dhe tek romani i njohur ‘Hannibal’ i Thomas Harris – ku e prezanton piktorin Balthus, si kushëririn e zotit Hannibal Lecter, në Francë. Kur dihet se kush ishte ai psikopatë i famshën i filmave, të vjen për të qeshur me gaz …
Në aspektit bibliografik, studimorë, biografik dhe kritik, i ke rreth 30 vepra që janë të botuara mbi veprimtarinë e Balthusit, çka na konfirmon statutin që e ka pasur ai piktor në artet plastike franceze, por edhe botërore. Mund t’ua përmendi këto emra që kanë shkruar mbi të: Jean Leymarie dhe Frederico Fellini – djali i tij, zoti Stanislas Klossowski – Dominique Bozzo, Gérard Régnier et Jean Clair – pastaj, Guy Davenport – Jorg Zütter – Balthus et Sémir Zeki – Jean Clair – Claude Roy – Jérôme Lequime – Jean Pierre Boulé – Nicholas Fox – Raphaël Aubert – Peter Berger – François Martin, Robert Rouan et René Char…
Janë edhe 4 filma dokumentarë mbi veprimtarinë e Balthusit! Kështu, besoj që do e kuptoni shumë më mirë, se kush kanë qenë realisht këta dy vëllezër Pierre dhe Balthasar Klossowski ( alias Balthus ) të cilët e kam pasur unë personalisht, privilegjin e madh, për t’i njohur nga afër, gjatë qëndrimit tim në Paris. Pierrin e kam pa shumë më rregullisht, por të dy më kanë befasuar dhe pasuruar me botën e tyre unike dhe atipike. E kjo ka rëndësi për mua… Sepse, propozimi i tyre në çdo dialog njerëzor, me cilindo prej nesh, ishte diçka «cash dhe pa koncesione» me atë idenë qendrore: ‘nëse ju interesojmë dhe pretendoni për të ndarë diçka interesante me ne, le ta dini që né jemi këta që jemi, me këto pika dhe kritere, me këtë botë tonën intime dhe shpirtërore … ju pëlqej e s’ju pëlqej … ose e pranoni ose mund të zhdukëni sa më shpejt ku të doni, se nuk do ndryshojmë për askënd’! Pra, ky ishte mesazhi apo para kushti i tyre, për ta pasur shansin për të dialoguar me ta. E kjo mua, më ka pas pëlqyer që në fillim. Bile jam habitur me autenticitetin e të gjitha këtyre figurave prestigjioze franceze, të cilat i kam njohur për nga afër. Kurse tek ne, si në Odat e Brukselit me Emigracionin, si në Kosovë, apo tani në Shqipëri, e shoh që jemi çdoherë, deshëm apo nuk deshëm, në një lloj reprezentacioni teatror, një farë komedi njerëzore, në një inskenim permanent, i cili korrespondon me normat e kësaj shoqërie të spektaklit, çdohere inautentike dhe e pa sinqertë dhe është dikur mjaft e lodhshme. Pra, ti e takon një person, cilido qoftë, por në 99 përqind të rasteve, nuk e dinë se kënd je duke e takuar? Pse? Sepse, e takon realisht maskën e tij, personazhin e tij, rolin e tij shoqëror, posturën e tij, inskenimin e tij, por kurrë jo personin intim dhe autentik, shpirtin e tij të thellë, apo universin e tij…
Prandaj, janë takimet tona në botën shqiptare, aq banale, rutinore, robotike, mekanike dhe aspak interesante në thelb, dhe çka është më e keqja, është fakti që kjo gjë, nuk e shqetëson askënd prej nesh, si të ishte diçka normale. Kurse, apo e shihni, mua më kujtohen akoma sot, pas 30 apo 40 vitesh, mos më tepër, të gjitha ato takime fantastike në Paris! E pse, sipas jush? Sepse kanë qenë gjeniale, me të vërtetë të pasura dhe të fuqishme dhe mua, ma kanë lënë një gjurmë të pavdekshme. E pse, nuk ma kanë lënë globalisht, as në Emigracionin shqiptar, pos një eksepcion i rrallë sikurse Muharrem Bajraktari, po as në Kosovë, me përjashtim të Rugovës, dhe as në Shqipëri? Sepse, jemi në shoqëri të pa sinqerta dhe të pa autenticitet!
Po, a mund të ndryshojmë? Po, patjetër, por kjo varet komplet nga ne. A e kemi 100 përqind vullnetin dhe dëshirën reale për t’u korrigjuar dhe përmirësuar? E imagjinoj vetën para Migjenit, Lasgushit, Fishtës, Nolit apo Konicës për shembull. Jemi ulur ballë për ballë kudo, në një kafe apo tek shtëpia… Okay, por çka kemi për të ndarë mes veti dhe a dojmë për të ndarë diçka, apo jo? Dhe kush jemi në realitet dhe në esencën tonë? Natyrisht ka çdoherë për fat të mirë, ca eksepcione, të cilat ta zbukurojnë qendrimin tënd në Atdhé. Por janë tepër të rralla… dhe e ndien veten të izoluar dhe të vetmuar në botën tënde dhe i detyruar për të aktruar atë çka nuk je. A jemi me të vërtetë, ata që jemi në thellësinë tonë? Nuk e di, se është pikëpyetje e madhe? A mos jemi ata që na kanë thënë prindërit, shkolla me Profesorët, Fretërit, apo Hoxhët, apo Partia, ose Autoriteti Iks për të qenë, të kornizuar brenda një roli të caktuar dhe të stolisur me një kostum të huaj?
Pse na duhet sot për shembull, me çdo kusht ta takojmë Ismail Kadarenë, perms Iksit apo Ypsilonit, tek tarraca e Juvelinës, apo dikund tjetër, sa për show dhe për t’u fotografuar me të… kur dihet mirë dhe qartë, që ai është tani në një moshë tepër të avancuar, shpirtërisht dhe psikologjikisht dikund tjetër… Le t’ia respektojmë qetësinë dhe humanitetin dhe pikë… le ta ndihmojmë me çka është e mundur, në fushat konkrete dhe të përditshme të jetës së tij, sepse e meriton dhe e kemi për detyrë morale, ndaj autorit gjigant që është… por, mundësisht, mos ta eskpozojmë kot për t’u shtirur, apo ta keq përdorim, pa nevojë, në moshën 87 vjeçare, çka më duket mua limit amoral, e pa ndershme dhe sinqerisht, nuk na ka shumë hije!
Përkundrazi, sipas meje, ndershmëria do ishte për ta mbrojtur dhe ruajtur imazhin e tij deri në fund, me dinjitet, siç e meriton emri dhe veprimtaria e tij madhështore. Nuk i kemi 100 ikona emblematike Kombëtare aktualisht, apo jo? Pra, le ta ruajmë atë që e kemi me pak kujdes dhe pikë, me ato kualitete dhe mungesa që mund t’i ketë si çdo njeri dhe si çdokush prej nesh… duke e ditur, që çdo vepër madhore është shumë më e madhe sesa njeriu tokësor… A e njohim ne në detaje jetën private të artistëve të mëdhenj planetarë? Jo! Pra, dijeni prej meje, që shpeshherë kanë qenë njerëz të komplikuar, margjinalë, kompleksë, paradoksalë, devijues, të papërshtatshëm në shoqëri, me plot defekte, delire dhe çmenduri, pa folur fare për droga dhe alkoole … porse na kanë lënë vepra gjigante, të pavdekshme, të cilat e kanë pasuruar shekullin, artin dhe kulturën planetare të mbarë Njerëzimit. A ka qenë ideal Remboja apo Bodleri, të cilit unë i adhuroj në maksimum? Natyrisht, që jo, bile kanë qenë katastrofik! Por kjo është jeta e tyre dhe mua m’intereson prioritarisht vepra! Dhe mund t’ua citoj tani me dashur, 50 emra të tillë, që kanë qenë komplet të destrukturuar dhe borderline në shoqëri, porse krijues absolutisht gjenialë. E si na duhet me vepruar tani? Me ua marrur në konsiderim artin e tyre madhor, apo vetëm diplomat e moralitetit dhe të mirë sjelljes njerëzore? Mua më ushqen vetëm krijimtaria e tyre! Ua kam thënë disa herë: ARTI funksionon krejt ndryshe e jo si jeta e përditshme e çdokujt brenda kornizave të caktuara. Dhe pikërisht artistët autentikë janë detyrimisht jashtë kornizave, sepse ju duhet liria si karburant dhe hapësira maksimale e veprimit. Kështu, që do i shkelin patjetër disa rregulla dhe norma. Dijeni që asnjë vepër madhore në botë, nuk është ndërtuar në kostum, këmishë të bardhë dhe kravatë, duke punuar me oraret strikte të një funksionari… se nuk funksionon fare ajo logjikë veprimi, me lirinë frymëzuese dhe të papriturën e artit! Po ndahem tani me juve me këngën: «Back to Black» të Amy Winhesouse. Dëgjojeni mirë zërin e saj, vibraton blues, se këtu jeni në Krye ART!
E mërkurë, 15 shkurt 2023, Bruksel.