Albspirit

Media/News/Publishing

Diaspora shqiptare në Bruksel feston 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Eden Babani, Bruksel

I.

Prej gati dy javësh, bashkësia shqiptare e Belgjikës zhvilloi veprimtari të shumta me rastin e 15-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ato filluan përpara 17 shkurtit, vazhduan edhe më pas.

Si rëndom, – qoftë përpara Luftës, qoftë gjatë Luftës, ashtu edhe pas saj, – gjithçka rrodhi në vazhdën e çështjes sonë kombëtare, siç ka rrjedhur e do të rrjedhë gjithmonë. Dikur, protesta e greva. Sot, festa, këngë e valle.

* * *

Sjell në kujtesë grevën e urisë të vëllezërve Kuzhnini, së cilës iu bashkuan atdhetari kosovar Ramiz Zekolli dhe deputeti belg i Parlamentit të BE-së, Bart Staes. Ishte fundi dhjetorit 1998 asohere, fill pas Lufte. Bashkësia jonë i mbështeti pa rezerva të ngujuarit në grevë urie, të cilët kërkonin lirimin e të burgosurve kosovarë të deportuar në Serbi, siç deportoheshin dikur hebrenjtë në kampet naziste të vdekjes.

Në atë kohë, Milosheviçi as që e vuri ujin në zjarr. Ndihej ende i fortë deri që Gjyqi i Hagës i tregoi vendin.

Dhe ja, për fat të keq pasardhësi dhe ish-Ministri i tij i Propagandës, Vuçiç, sot e gjithë ditën nuk ka ndërmend të kërkojë të paktën falje për krime serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhe s’ka faj, përderisa ka mbështetjen e pakursyer të qeverisë së Tiranës; përderisa rezoluta përkatëse e Partisë Demokratike fle prej kushedi sesa kohësh në sirtarët e Lindita Nikollës, Kryetare ‘rilindëse’ Parlamentit të Shqipërisë.

II.

Më 16 shkurt, njëra ndër sallat e mrekullueshme të Parlamentit të Brukselit u mbush me histori suksesi të Bashkësisë sonë. Inkuadruar në kuadrin e 15-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, thelbi veprimtarisë ishte Liria, vlerë e qenësishme e Kombit Shqiptar në mijëravjeçarë, që nga lashtësia, – te Pellazgët e Ilirët, – deri në ditët tona.

Veprimtaria u organizua nën përkujdesjen e njërës prej politikaneve më të suksesshme me origjinë shqiptare në Belgjikë, zonjës Kristela Bytyçi, me mbështetjen e deputetit te parlamentit të Brukselit David Leisterh, që të dy partisë Lëvizja Reformatore, (Mouvemenet Reformateur – MR) , një parti e qendrës së djathtë, simotër e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në fjalën e saj të hapjes, zonja Bytyçi theksoi kontributin e Bashkësisë sonë, sa i përket zhvillimin ekonomik të Brukselit, veçanërisht në sipërmarrje, ku shqiptarët dita-ditës po tregohen shumë aktivë në fusha te ndryshme. Sipas shifrave të fundit, – vuri në dukje ajo, – në Bruksel, 61% e sipërmarrësve vijnë nga diversiteti, ose janë me origjine të huaj. Ndër ta, edhe mjaft shqiptarë.

* * *

Në takim, ishte ftuar edhe Michel Maegd, ish gazetar i njohur belg, sot deputet federal, i cili ka një histori sa të veçantë, aq edhe personale me shqiptarët, ngase ka qenë reporter lufte në Kosovë në vitin 1999. Ai, përveç raportimeve mbi luftën, ka vizituar e ka qëndruar edhe ne kampet e refugjateve ne Shqipëri. Ka mësuar dhe shumë fjalë e shprehje të gjuhës shqipe.

Maegd tregoi për të pranishmit disa foto të arkivit të tij nga koha e Luftës dhe solli në vëmendjen e të pranishmëve se Belgjika, historikisht ka përkrahur Kosovën dhe ka njohur ndër të parat vende pavarësinë e saj, qysh në 2008-n.

Takimi u shoqërua me tingujt e mrekullueshëm të violonçelit të Olsi Lekës (violonçelist në Orkestrën Kombëtare Belge) dhe pianos së Alisa Aliut.

III.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe BE, zoti Agron Bajrami, dhe Ambasadori për Marrëdhënie me NATO-n, zoti Astrit Zemaj, pritjen e  rastit e organizuan në mjediset e Ambasadës, mbrëmjen e së hënës, 20 shkurt.

Në pritje, siç vunë në dukje të dy ambasadorët në fjalën tyre, ishin të ftuar shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike: nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Çamëria;  si edhe nga Presheva Nujanovci,  troje shqiptare ende nën sundimin e Serbisë.

E gjej interesant të nënvizoj faktin se, si rrallëherë në pritje të tilla, më zunë sytë festues me kostume kombëtare nga krahina të ndryshme të etnisë shqiptare, si edhe klerikë nga të tria fetë.

Rastësi apo gjetje? Për mua, s’ka rëndësi. Rëndësi ka simbolika dhe mesazhi.

IV.

Mes paragrafëve, një parantezë e ndërmjetme që ia vlen të diskutohet.

Fotografi i njohur Asllan Krasniqi, banues në Bruksel dhe miku im i kahershëm, ka javë që ka shkuar në Prishtinë me qëllim hapjen e disa ekspozitave fotografike, në kuadër të 15-Vjetorit të Pavarësisë. Janë fotografi të marra pikërisht më 17 shkurt 2008, çka nënkupton vlerën e tyre historike të pamasë.

* * *

Fotografi pati kërkuar pranë organeve përkatëse që leja për ekspozitën të jepej për në qendër Prishtinës, te sheshi i përmendores së Skënderbeut. Ekspozita të hapej  përpara 17 shkurtit ose bash atë ditë.

Nuk pati kërkuar asnjë ndërhyrje financiare nga ana e Bashkisë. Gjithçka ,me shpenzimet e veta. Gjithçka me iniciativën e vet. Gjithçka me pasionin dhe këmbënguljen e vet karakteristike.

Çuditërisht, institucioni në fjalë, e zvarriti punën më shumë se dy javë.

Nê bisedat tona të herëpashershme, zoti Krasniqi ankohej i dëshpëruar se punët nuk po i shkonin mirë, sado që ecejaket e tij në zyrat e Institucionit ishin të përditshme. Më në fund, dikush u kujtua dhe leja iu dha.

Po kur, pa?! Jo përpara 17 shkurtit, as ditën e Pavarësisë, por të shtunën, më 18 (!?),  kur kalimtarët numëroheshin me gishtat e dorës, ngase ishte ditë pushimi. Kush do t’u hidhte një sy fotografive? Mizat, harabelat apo laraskat?!

Keqardhje për procedura të tilla burokratike. S”ma do zemra t’i paragjykoj si të qëllimshme. Po i quaj thjesht neglizhenca, që gjithsesi, ashtu ose kështu, të lënë shije të hidhur. Aq më tepër po t’u referohemi festimeve tona këtu, në Bruksel…

V.

Të martën, më 21 shkurt, radioja e Brukselit “Zëri i Shqipes” festoi 37-vjetorin e themelimit. Festimet u organizuar në Grande Place, qendra më e madhe turistike e kryeqytetit belg, dhe bash në mjediset e Shtëpia Kulturore Belgo-Shqiptare (La Maison Culturelle Belgo-Albanais), “SHQIP-Ville”, themeluese dhe drejtore e së cilës  është zonja Lejda Canaj, njëherësh edhe bashkëpunëtore e radios “Zëri i Shqipes”.

* * *

Grande Place (Sheshi i Madh), të cilin Viktor Hygo e ka konsideruar si një ndër sheshet më të bukura të botës, e ka zanafillën qysh në fillimet e shekullit XVI. Që nga viti 1998, është vënë në listën e UNESCO-s si Pasuri e Trashëgimisë Botërore.

Me ndërtesa shekullore, mrekulli arkitekture, Grande Place gumëzhin ditë e natë nga turistë të shumtë. Restorantet e kafenetë, pambarim. Përherë plot e përplot, si brenda, ashtu edhe jashtë. Ngrohës dhe ventilatorë brenda e jashtë tyre, sipas motit, Drita e ndriçime marramendëse gjithandej. Dhe ja, në një cep të Sheshit, një mjedis shqiptar: “SHQIP-Ville”. Fund e krye, shqiptar. Mur më mur e qoshe më qoshe shqiptar, ku, përveç të tjerave, ekspozohen prodhime ushqimore e pije të bizneseve nga Shqipëria.

* * *

Themeluesi i Radios “Zëri i Shqipes”, zoti Sakip Skepi, pret miqtë te dera sipas zakonit të lashtë të mikpritjes shqiptare. Brenda, lëviz poshtë e lart zonja Ledja Canaj, e cila na uron ne, të ftuarve, e na fton të marrim nga një gotë verë. Të kuqe ose të bardhë, sipas dëshirës. Ama prodhim shqiptar, thotë ajo. Ka edhe raki. Raki rrushi. Safi, rrushi. Gjithashtu prodhim shqiptar.

Një vajzë e re, – mëkat që s’ia mësova emrin! – vete e vjen me një tabaka me copa të vogla mish pule të pjekur, sa për t’i përtypur e gëlltitur një herë. Pula nga Shqipëria? S’e them dot. Por e pjekur shqiptarçe dhe e shijshme te Zoti!

Aty-këtu, në sallë, bien në sy të ekspozuara veshje popullore shqiptare, punuar nga artizanë tanë. Bien në sy edhe foto-ekspozita, të piktorëve shqiptarë.

Veçoj ekspozitën e artistit kosovar Maks Vezgishi, e cila është hapur më 14 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur deri më 14 mars 2023. Ia vlen të theksoj se Vezgishi, i cili jeton prej 25 vjetësh në Bruksel, ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias të vitit 2021.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe promovimin e Deko-Myshk, punime artistike të artistes belge Marieke Govaerds, e cila ka blerë në Kavajë një tokë, ku rrit drurë e myshqe, dhe ka punësuar 25 gra që përkujdesen për to. Punimet e saj artistike shiten në të gjithë botën.

* * *.

Rastësisht, 37-vjetori radios “Zëri i Shqipes” përkoi me 15-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Rastësisht, por e bukur. Jo? Sepse, qysh në krye të herës, qysh ditët e para radios “Jehona e Shqipes”, zoti Skepi ka propaganduar mes valëve të saj çështjen kosovare.

VI.

S’ma merr mendja të jetë rastësi inaugurimi i mjediseve të reja të Shoqatës “Konitza  ASBL”. (Konitza, Association Sans Byt Lucratif – Konica, Shoqatë Pa Qëllim Përfitimi).

Kam bindjen e palëkundur se Kryetari i saj, zoti Gentian Metaj, e ka pas programuar inaugurimin e zyrave të reja bash në kuadër të festimeve për 15-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur, në veprimtarinë saj pesëmbëdhjetëvjeçare, “Konitza ASBL” e ka hedhur vështrimin atdhetarisht në të gjitha trojet tona etnike, si edhe në diasporën shqiptare të Belgjikës. Nuk ka sesi të lajthisë veprimtari dhe organizatori i shkathët e i kudondodhur, Genti, kur është fjala për propagandë në favor të shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut.

Po të dojë, le të ma kundërshtojë.

A nuk është ai që më ftoi të isha i pranishëm në Rue d’Albanie 23, në ceremoninë e vendosjes së pllakës përkujtimore te muri i shtëpisë ku pati jetuar Faik Konica, në fund të viteve ’90 të shekullit XIX?

A nuk ishte ai që më ftoi në përvjetorin e vrasjes së Enver Hadrit, madje bash në Rue d’ Albanie 23, shtëpi të cilën dëshmori pejan e bleu dhe jetoi derisa ia mori jetën dora vrastare e UDB-së Jugosllave?

A nuk është ai që, në tetor 2012, më dha rastin mua e shumë të tjerëve si unë të përjetonim  çaste emocionuese me mrekullitë e mjediseve të Parlamentit Evropian (PE) në një bisedë me deputetin sllovak Eduard Kukan, anëtar i Grupit PPE, më i vjetri dhe më i madhi grup parlamentar i PE-së?

* * *

Në përurimin e mjediseve të reja të “Konitza ASBL”, ishin të ftuar shqiptarë nga të gjitha anët e Belgjikës, mes të cilëve Ministrja Këshilltare e Ambasadës së Shqipërisë, Migena Baholli; Këshilltarja e Ambasadës së Kosovës, Mirlindë Gashi; përfaqësues të shoqatave “”, të shoqatave “Vlera” Nënë Tereza nga Namyri, “Lokja” nga Liezha eti.

* * *

Shoqata Kulturore “Konitza ASBL” u themelua në Korrik të vitit 2008. Ajo e zhvillon veprimtarinë e vet në fushën e kulturës, në fushën sociale dhe në atë qytetare.

Në fushën e kulturës, shoqata promovon artistë shqiptarë të artit skenik, shkrimtarë, poetë, piktorë, fotografë etj. Në fushën sociale, ajo u vjen në ndihmë kryesisht emigrantëve që kanë nevojë për ndihmë juridike. Në fushën qytetare, ndikon në integrimin e bashkatdhetarëve tanë në qytetarinë e avancuar të Belgjikës.

Konitza ASBL” ka marrë “Shqiponjën e Artë” në Samitin e Diasporës, në vitin 2019

Atë mbrëmje, pas fjalës hapëse të Gentit, të pranishmit i përshëndeti zonja Myriam Amraini, përfaqësuese e Komunës Saint-Gilles.

VII.

Jam me fat. Kam lindur me këmishë, siç thoshin qëmoti.

Si gazetar, ndonëse i larguar prej vitesh nga impenjimi i përditshëm i marrëdhënieve me mediat, kam qenë i ftuar në të gjitha veprimtaritë për nder të 15-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kam takuar miq e shokë, sa më ka dashur zemra. Njërin te njëra veprimtari. Tjetrin te tjetra. Zotin Jorgji Kote, atje. Sakip Skepin dhe Ladja Canajn, këtu. Të tjerë, sa në Parlamentin e Brukselit, te ” Konitza ASBL”…,

Pastaj, të mos harrojmë, është kënaqësi të njohësh miq të rinj në raste të tilla. Sepse ndodh edhe kështu.

Te “Konitza ASBL”, pata fatin të njihja zotin Arian Bajraktari, i cili kishte ardhur nga Nmyri bashkë me Jetnis Avdiajn, si përfaqësues të shoqatës së studentëve shqiptarë, “Vlera”, e cila, do të zhvillojë më 11 mars në Bruksel aktivitetin me titull “Kodiku i Purpurt i Beratit”, në bashkëpunim me shoqatën “Nënë Tereza” e disa shoqata të tjera. Më ftoi. Dhe unë i premtova se do të vete.

Në shoqërinë e Arjanit, kalova pjesën më të madhe të mbrëmjes. Ishte kënaqësi e veçantë. Ma shtoi adrenalinën, tek s’e prisja.. Aty, në mes të kallaballëkut, me një gotë verë në dorë dhe me pak djathë. Bisedat, vu-u-u bisedat. Herë na afrohej, Sakip Skepi, herë Shkëlqim Aliaj. Sa ikte ky, vinin Luan Dode e Luan Abedini.

Festa vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, nën tingujt e organos së Alisa Aliut, dhe të kitarës së Afrim Jahjas. Duetit të tyre me këngë popullore shqiptare, u shtohej herë pas here Gramoz Gjini, ish këngëtar i Ansamblit Kombëtar, i cili e zbrazi repertorin e vet të këngës korçare. Rrallëherë, kam dëgjuar aq shumë këngë korçare sa atë natë. S’do mend, korçari, korçar…

Dhe unë, si korçar, po e mbyll këtu këtë shkrim kilometrik, me urimin që, në të ardhmen, të kemi edhe më shumë përvjetorë e festa të tilla.

 

 

Please follow and like us: