VOA/Propaganda dhe aleatët e Moskës në Ballkan, rrezik për demokracinë
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur shqetësime mbi rrezikun e zgjerimit të ndikimit të Moskës edhe në rajone tjera të Evropës, në veçanti atë të Ballkanit Perëndimor. Kjo ishte tema e një diskutimi të organizuar dje nga Instituti Harriman i Universitetit të Kolumbias. Ekspertët analizuan ndikimin e Rusisë mbi Ballkanin Perëndimor, përmes shembullit të Ukrainës. Ata thanë se Perëndimi duhet të bëjë më shumë për të luftuar propagandën ruse në rajon dhe të shtojë trysninë ndaj aleatëve të Kremlinit në Ballkan.
Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina janë pikat më të ndjeshme në Ballkanin Perëndimor, ndërsa thonë se Serbia vazhdon të jetë aleatja kryesore e Rusisë në rajon. Sipas tyre, keqinformimi është një nga mjetet kryesore që Kremlini përdor për destabilizimin e rajonit, duke synuar të minojë demokracitë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive thotë se arma kryesore për të luftuar zgjerimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan është demaskimi i vazhdueshëm i propagandës së Moskës. “Mënyra e vetme për ta fituar luftën e informacionit është duke qenë shumë të angazhuar dhe duke demaskuar gënjeshtrat që shpërndahen në mbarë Ballkanin. Para disa ditësh Serbia akuzoi Mbretërinë e Bashkuar për dërgim të armëve në Kosovë. Kjo u përhap me shpejtësi në rajon. Një ditë më pas Britania e përgënjeshtroi lajmin. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania duhet të reagojnë pas çdo lajmi të rremë në Ballkan”, thotë zonja Stradner.
Këto komente ajo i bëri gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti Harriman i Universitetit të Kolumbias, ku panelistët analizuan ndikim rus në Ballkanin Perëndimor duke marrë shkas nga shembulli i Ukrainës. Ata vlerësuan se lufta në Ukrainë ka ndikuar në shtimin e vëmendjes së Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor. Por gazetarja Una Hajdari thotë se kohët e fundit vërehet një zbehje e hapave konkrete për të përmirësuar gjendjen në terren. Ajo përmendi tri incidentet e njëpasjëshme në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Edhe pse e dimë se shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian, zakonisht përmes mesazheve në Twitter nuk kanë asnjë efekt në terren, të paktën e dimë se janë të informuar lidhur me këto ngjarje. Zyrtarët e BE-së kanë një vizion të kufizuar, që tani është tkurrur edhe më shumë”, thotë ajo.
Beogradi po përballet me trysni të shtuar nga perëndimi për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me atë të Perëndimit. Serbia mbështeti rezolutën e Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin rus në Ukrainë, por vazhdon të kundërshtojë vendosjen e sanksioneve kundër Moskës. Qëndrimi i Serbisë shihet nga ekspertët si përpjekje e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të ruajtur balancën midis Lindjes dhe Perëndimit. “Pas votimit për rezolutën në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, të gjithë mundohen që të mos e largojnë, duke mos i bërë trysni, sepse frikësohen se afrohet me palën tjetër. Por duhet t’i thonë le të shkojë ta provojë dhe të shohë se si do të rrjedhin gjërat. Por nuk ekziston vullneti për ta sfiduar”, tha Kurt Bassauner nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit. Qëndrimi ndaj Rusisë dhe konfliktit në Ukrainë ishte një faktor edhe në zgjedhjet presidenciale të Serbisë të zhvilluara në fillim të muajit prill. Presidenti Vuçiç pati thënë se nuk ka në plan të ndryshojë qasje, duke mbrojtur aspiratatat e tij për anëtarim në BE por pa dëmtuar lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën. Rezultatet e zgjedhjeve e nxorrën atë fitues, duke i siguruar një mandat të dytë pesë-vjeçar.
“Mendoj se Aleksandar Vuçiçi është një politikan që nuk njeh limite, i interesuar që ta ruajë pushtetin. Është e rrezikshme dhe jodemokratike, sepse këta individë kur ndjejnë se mbijetesa e tyre është nën rrezik, sulmojnë duke u përfshirë në aktivitete dhe sjellje që mund të godasin interesat atlantike”, tha Richard Kraemer nga Qendra e Vlerave Evropiane për Politikat e Sigurisë.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë janë shtuar zërat në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Por Reuf Bajrovic, zëvendëspresident i Aleancës SHBA-Evropë, një organizatë në Uashington , ky synim është vështirë të realizohet, sepse Kosovës fillimisht i duhet njohja e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. “Mendoj se Kosova po paguan faturën e përpjekjeve të Perëndimit për ta mbajtur Vuçiçin në anën e tyre”, tha ai. Katër nga 30 vendet e NATO-s, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.