Albspirit

Media/News/Publishing

Dy vajza puthen në buzë në mes të Shkodrës

 

Një foto e dy vajzave që puthen në Shkodër përpara një afisheje që shkruan “Gëzuar Bajramin”, jo vetëm që theu tabutë, por shkaktoi edhe reagime të shumta. Ishte Brigela Demaj, një fotografe e re në Shkodër, që realizoi këtë fotografi pikërisht në festën e Bajramit, me dy vajza të komunitetit LGBT që puthen. Kontrasti mes vajzave që puthen dhe urimit për një festë të shenjtë për myslimanët hapi debate.

Shkodra shquhet si qendër e myslimanizmit në Shqipëri, por edhe e katolicizmit, jo vetëm për harmoninë fetare, por edhe emrat e pafundmë që këto dy komunitete kanë prodhuar ndër dekada me radhë, duke lënë një emër të mirë e duke i dhënë një hov në zhvillimin e jetës moderne, kulturore, artistike e social­ekonomike. Brigela zgjodhi të ndryshmen përmes artit të saj, duke prekur aty ku deri më sot askush nuk kishte guxuar.

Brigela ka studiuar Pikturë­ Grafikë dhe ka afro 3­4 vite që fotografon. Nuk e ushtron si profesion dhe nuk ka dëshirë që të fitojë të ardhura përmes saj, ushtron vetëm pasionin. Fotot në të shumtën e rasteve kanë natyrë sociale. Ka marrë pjesë në ekspozita e konkurse në Shkodër, Kosovë e Preshevë. Ka fituar çmimin e tretë te “Marubi Festival” në Shkodër dhe çmimin “Fotografi më i mirë i vitit” në konkursin e realizuar nga agjencia e spektakleve “Buna 1”. Rrallëherë shpjegon mbi fotot që realizon, por kësaj radhe ka vendosur të flasë jo për t’u çliruar më shumë sesa për të treguar të vërtetat e saj rreth fotografisë së dy vajzave lesbike përpara afishes “Gëzuar Bajramin”. Ishte vetëm një mënyrë ndryshe për të uruar festën, por edhe për të përcjellë mesazh paqeje e harmonie.

Brigela, pse zgjodhët të bënit një foto të tillë, duke u puthur me një vajzë tjetër përpara një afisheje që shkruan “Gëzuar Bajramin”?

Në fakt, nuk e kam bërë një foto të tillë, ku unë puthem me një vajzë përpara një afisheje. Kam bërë një foto, ku puthen dy vajza përpara një afisheje që uron “Gëzuar Bajramin” dhe është më se e rrokshme për logjikën që ajo çfarë kam dashur të bëj, është pikërisht të uroj festën e Bajramit.

Nëse mund t’ju pyesim, a jeni lesbike apo fotoja është vetëm sensibilizim për komunitetin LGBT përmes atij provokimi?

Nëse keni dëshirë ta quani të tillë, pyetja do të ishte me vend vetëm nëse ju pëlqej dhe po mendoni të keni diçka me mua. Gjithsesi, meqë ne shqiptarët kuptohemi më së miri mes nesh, po shuaj kuriozitetin duke thënë që nuk jam lesbike. Kam bërë katekizëm dhe kam shkuar rregullisht në kishë për disa vite rresht dhe do të ishte shumë e pavend po të isha.

A e kanë parë familjarët tuaj atë foto dhe nëse po, çfarë ju kanë thënë? Kanë kaluar rreth katër vite që nga 18­vjetori im dhe për më tepër familjarët e mi janë në dijeni të qëndrimeve të mia publike ose jo në lidhje me çështje të caktuara.

Pse nuk zgjodhët ta bënit foton në një vend tjetër pa përfshirë një afishe që uron një komunitet të caktuar të fesë?

Sepse, në një vend tjetër nuk do të ndihej atmosfera e festës. Do të ishte një foto e zakonshme e dy njerëzve që puthen në rrugë.

Një vajzë si ju, sa të vështirë e ka të jetojë në Shkodër? Ju paragjykon qyteti juaj?

“Një vajzë si unë” nuk e ka të vështirë të jetojë në asnjë vend në fakt, për sa kohë pranoj relativitetin e diversitetin si të vërteta të pranishme e të domosdoshme në çdo shoqëri dhe për sa kohë nuk më cenohet liria dhe të drejtat e mia si qenie njerëzore.

Frikësoheni se mund t’ju etiketojnë si lesbike pa ditur realisht se cili është orientimi juaj?

Pse duhet të më frikësojë ideja që dikush mund të mendojë se jam lesbike? Do të ishte njëlloj sikur dikush të mendonte se jam minorene, belge apo çfarëdo lloj gjëje tjetër që tregon mbi identitetin tim (duke marrë të mirëqenë që gjinia dhe orientimi seksual tregojnë mbi identitetin e njeriut). Shtoji kësaj faktin që mendimet e dikujt janë çështje që i përkasin atij dhe sigurisht gëzon lirinë e plotë për të menduar e manifestuar mendimin e tij.

Cilit komunitet fetar i përkisni?

Asnjërit.

A jeni ju një besimtare, a besoni në Zot apo jeni edhe një praktikante e fesë?

Nuk kam miq imagjinarë e as nuk kryej rituale të çuditshme për të fituar simpatinë e qeskat e tyre me karamele, nëse doni të thoni këtë gjë. Besoj te njeriu dhe bashkëjetesa e tij me diturinë.

Ka pasur shumë komente rreth fotos, dikush pyeste se pse për të treguar mbështetjen ndaj LGBT­së duhet të vini patjetër dy vajza që puthen në buzë?

Unë nuk po mbështes komunitetin LGBT, të paktën nuk po e mbështes sipas imazhit që ka shoqëria për atë çka do të thotë “mbështetje”. Logjikisht nuk ka sens të deklarosh që mbështet një grup të caktuar njerëzish sepse kanë preferenca të caktuara në dhomën e gjumit. Po të ishte për mua, as kauza nuk do të ekzistonte. Çështja ngrihet në nivelin e kauzës kur këta njerëz, për shkak të preferencave në dhomën e gjumit, bëhen objekt diskriminimi e dhune të disa formave. Unë mbështes njeriun e të drejtat e tij. Për sa i përket pyetjes, përgjigjja ideale do të ishte: “jo patjetër, por pse jo?”.

Për të vijuar me komentet, një tjetër thoshte se rëndësi ka jeta e individit përderisa nuk dëmton askënd, jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë, jeni e këtij mendimi?

U desh pak kohë për ta kuptuar. Një tjetër koment shprehej se do të vijë një ditë dhe fetë do të zhduken, e mendoni kështu? Nuk e besoj, por shpresoj të ndodhë. Do të nxiste kreativitetin te njerëzit. Dua të them se do të na duhej të gjejmë burime të tjera frymëzimi për djegie në turrën e druve, prerje kokash, përdhunime, pedofili, urrejtje e luftë.

Ka interes të dihet nëse është vetëm pozë apo foto origjinale, pra e dy vajzave lesbike?

Vajzat në foto i përkasin komunitetit LGBT, por nuk kam nga ta di sa e vërteta ishte puthja mes tyre.

“Po shkatërrohet bota me këto perversitete” ishte një koment tjetër, cila është përgjigjja?

Cilat perversitete? Ato që nxit feja? Po. Po shkatërrohet. Meqenëse duhen njerëz të së njëjtës gjini, a mund të themi se mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me njerëzit e një familjeje apo mes njerëzve dhe kafshëve, ka pasur raste që ka ndodhur… Nuk jam e mirinformuar mbi fenomenet në fjalë, prandaj nuk mund të jap një përgjigje të mirëfilltë. Ama ato rreshtat e Migjenit kur përshkruante dashurinë e ndaluar mes dy kushërinjve, më duhet të them ishin të pashoqe.

A është fotografia juaj mungesë respekti ndaj një komuniteti më shumë sesa harmoni, pyeste një komentuese tjetër?

Më besoni, nuk është edhe aq mision i vështirë që të shkaktosh impakt negativ te komuniteti mysliman e që ata të mendojnë se po i ofendon. Islami është shumë i ndjeshëm ndaj mendimeve ndryshe e sidomos ndaj kritikave. Prandaj, nëse do të doja të tregoja mungesë respekti, do të zgjidhja një formë më të thjeshtë e banale, paçka se unë nuk mbaj përgjegjësi për impaktin që shkaktojnë fotot e mia dhe rrallëherë unë jap shpjegime mbi to. Me duhet të them që ajo çfarë kam dashur të përcjell është mesazh harmonie, bashkëjetese, pranimi, pozitiviteti e paqeje. A nuk është paqja parim thelbësor i Islamit?

“Nuk është ngacmim elitar, por banalitet elitar”, përfundonin komentet…

Jeta është banale. Feja po që po. Dashuria nuk është kurrë./Pan/

Please follow and like us: