Fran Gjoka: Mesazhi im në festën e 7 Marsit
Kanë kaluar plot 136 vjet nga 7 Marsi i vitit 1887, dita kur u hap shkolla e parë shqipe, ndoshta shkolla më e re e shfaqur papritmas në kontinentin e mplakur të asaj kohe. Shumë vite përpjekje e përkushtim, djersë e mundim jetësor e njerëzor, për të hapur, mbajtur e lartuar këtë vatër të gjuhës, dijes e kulturës shqipe. Është ky çast i bukur që na detyron të përulemi me respekt të thellë para atyre burrave trima e të mençur, që bënë të mundur hapjen e Mësonjëtores në Korçë, duke vënë gurin e parë në themelet e pavarësisë. Ne me të drejtë ngremë përmendore për heronjtë e luftës, duke lënë pak mënjanë mësuesit, heronjtë e heshtur të gjuhës e arsimit shqip. Nuk e teproj, pasi e ka brenda edhe përgjigjen, vetëm ngacmon kjo pyetje: A mund të kërkosh pavarësi të kombit, kur nuk ke të shkruar gjuhën tënde? E nderojmë Korçën dhe Mësonjtoren e saj, duke mos harruar se edhe kohë më parë nuk kanë reshtur përpjekjet e shqiptarëve për shkollë shqipe, por që u shuan në vorbullat e luftës e të pushtimit. Si xixëllonjat e pranverës ndriçojnë aty-këtu edhe shkollat në Kurbin, në vitet 30-të të shekullit 17-të, në Pllanë e në Blinisht të Lezhës në 1638, në Prizren e gjetkë, të cilat për fat të keq nuk i rezistuan kohës. E vlen të sjell në vëmendje njërën nga shkollat e para jo vetëm në rajonin e Lezhës, po edhe në shkallë vendi. Është fjala për shkollën e Pllanës, e Velës dhe me kontributin e Kolegjit të Trashanit, që ishte në nivelin e një shkolle të mesme ku kishte dhe një noviciatë, që përgatiste studentë që do të ndiqnin shkollat e larta teologjike jashtë vendit. Shkolla e Pllanës ishte fillore, ku fëmijët pranoheshin 8 deri në 10 vjeç dhe mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pas një periudhe 10 vjeçare, kur shkolla kish formuar fizionominë e vet, mbi të do të binte zemërata dhe ndëshkimi i pushtuesve
osman. Ajo do të rihapej e rindërtohej dhe përsëri do të mbyllej. Një histori e bukur, heroike, dhe dramatike, në luftë e përpjekje për ta përçuar gjuhën, dijen e traditën shqipe nga brezi në brez…! Historia na tregon se jo vetëm kjo shkollë, por edhe të tjerat nuk patën jetëgjatësi, ndaj do të duheshin të kalonin 2 shekuj, që lëvizja për shkollë e gjuhë shqipe të vihej në krye të mendimit të rilindasve, që dhanë kushtrimin: “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”. Intelektualët tanë të shquar, që nga N. Veqilharxhi, K. Hoxhi, P. Doçi, N. Mjeda, Gj. Fishta, N. Naçi, P. Vasa, Z. Jubani, Sami e Naim Frashëri, H. Tasimi, K. Hoxhi, që edhe pa shtetin e tyre, pa fonde dhe asnjë institucion kombëtar, e gjetën gjuhën e bashkimit për kombin. Abetaret e Veqilharxhit e Tahsimit etj, u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit dhe patrikanën e Stambolli. Fjala shqipe ndezi zemrat dhe pushkët e komitëve, që shpejt mbushën malet e Shqipërisë. Mësonjëtorja e parë Shqipe u hap me 35 nxënësit e parë e më pas breza të tërë do të nisin udhën e bukur të dijes në një shkollë të vërtetë shqipe. Një ditë më vonë, më 8 Mars 1887, Th. Mitko do shkruante: “Dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”. Më pas u hapn edhe shumë shkolla të tjera, si në Pogradec e Kolonjë, shkolla e vashëzave në Korçë, etj. E vemë re sa pak fjalë shkruhen për një ngjarje kaq të madhe, duke mbuluar me mjegull floriri përpjekjet dhe gjakun e dijetarëve dhe mësuesve si misionarë të dijes. Sepse u flijuan shumë patriotë e atdhetarë të shquar me burgosje, vrasje, helmime e internime. P. Sotirin do ta hidhnin nga kati i tretë i shtëpisë së tij, Papa K. Negovanin do ta thernin me thika, si në kohën e inkuizicionit, Petro N. Luarasin e helmuan, Gjok Shqiptarin e dogjën, por mësimi në gjuhë shqipe nuk u ndal. Kongresi i manastirit, i cili vuri themelete alfabetit shqip dhe shkolla Normale e Elbasanit e afruan ditën e shpalljes së pavarësisë, më 28 të vjeshtës së tretë 1912. Ndër vendimet e parë të Qeverisë së kryesuar nga plaku Ismail Qemali dhe ministër arsimi L. Gurakuqi, ishte hapja e 70 shkollave. Kaq ishte fuqia, pavarësisht se dëshira dhe nevojat ishin ku e ku të mëdha. Tallazet e luftës së parë botërore e përfshinë edhe vendin tonë të varfër e të cfilitur, por shkolla nuk u braktis. Vetëm pas Kongresit të Lushnjës, më 1920, më pas në kohën e monarkisë e sidomos pas Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shkolla u vu në udhën e zhvillimit të qetë e kurdoherë në ngjitje.
Në vitet 50-të do të zhdukej analfabetizmi nën moshën 40 vjeç, do të shpallej arsimi i detyruar fillor e më pas ai 7-8 vjeçar. Në vitin 1957 hapet Universiteti i parë shqiptar në Tiranë e pas tij institute e Universitete, si ai i Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës, për t’u kurorëzuar me Akademinë e Shkencave dhe degët e saj pranë instituteve e katedrave të gjuhësisë e historisë, arteve të bukura dhe kulturës fizike dhe sporteve. Me ditën e shenjtë të “7 Marsit”, jemi të lidhur të gjithë, gjyshërit e gjyshet, baballarët dhe nënat, të rinjtë dhe të rejat, adoleshentët, fëmijët e gjitha moshave. Kjo për shkakun e vetëm e të thjeshtë, pasi që shkolla mbetet institucioni i mësimit dhe edukimit më i organizuar për të gjithë, qofshin këta nxënës, studentë apo frekuentues e dashamirës të kulturës e dijes, pa të cilin nuk mund ta mendojnë ecjen përpara të një shoqërie në zhvillim, rritje e përparim. Pikërisht aty është vendi ku kultivohen vlerat e intelektualëve të vërtetë me ndjesi njerëzore, kulturë qytetare dashuri e përgjegjësi atdhetare. Aty mësohet parimi i demokracisë për zbatimin e të drejtave dhe lirive nga njëra anë dhe të detyrave e përgjegjësive nga ana tjetër. Në të vetmin institucion, në shkolla dhe nga vetë shkolla, përcillet tek gjeneratat e reja, që do t’i dalin për zot vendit në të ardhmen, mesazhe paqeje, mirëkuptimi dhe tolerance, njëkohësisht dëshira për të mësuar gjatë gjithë jetës në mënyrë aktive dhe krijuese. Parë në këtë vështrim, “7 Marsi” i sivjetshëm, që përkon me 129 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, është një kërkesë e drejtpërdrejtë për faktorët dhe aktorët që e kanë detyrim ligjor, por edhe qytetar e moral, për përkujdesje e vlerësim më të madh ndaj i mijëra mësuesve, të cilët në disa raste punojnë edhe në kushte të vështira e me trajtim financiar nën mundësitë që ata të sigurojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve. Pa shtuar fjlaë të mëdha, mësuesi është ai që hap portën e dijes, që të orienton në lumin e madh të informacionit, që udhëzon më mirë se kushdo tjetër, se si lexohet e punohet me librin, se si mund të bëhesh një krijues i denjë për shoqërinë njerëzore. Ai dhe vetëm ai, edhe gjërat më të vështira t’i bën me të lehta. Ata, në shumicën e rasteve, punojnë me ngarkesë e pasion të veçantë për t’i përgaditur nxënësit për kohën kur ata do të dalin në jetë. Dhe kurdoherë me ndjenjat e një prindi të urtë, pa iu rënduar askujt, pa kërkuar haraç dhe kurdoherë në mënyrë më të shenjtërueshme!
Askush nuk lind i ditur, por bëhet i tillë në jetë duke filluar nga vatra prindërore e familjare e më pas nga bankat e shkollës,ku armata e mësuesve punon pa pushim, skalit pak nga pak dhe pa u ndjerë mendjet e vocrrakëve dhe të rinjëve, përsos çdo ditë ngrehinën monumentale ,intelektuale dhe shpirtërore të kombit. Këtë mësuesit e bëjnë çdo ditë pa u lodhur, pa zhurmë, seriozitet, durim, përkushtim e fisnikëri dhe pse s’ka ende stimuj moralë e materialë nga shteti shqiptar. Të gjithë mësuesit, me profesionalizmin e tyre, duken të afërt, sikur diku i ke takuar, i ke njohur dhe ke bashkëbiseduar me ta, ke ndjerë ngohtësinë, mirësinë dhe humanizmin e tyre. Njohja me ta të bën të ndjehesh mirë, të zgjon ide dhe kujtime të bukura, mbresa dhe emocione, respekt për jetën dhe njerëzit. Vlerat e mësuesve janë të mëdha, me gjithë trysninë e gjithanshme të dhunës psikologjike të ushtruar ndaj tyre dhe përsëri çdo njëri prej nesh e ndjen se ka marrë diçka prej tyre, diçka që është fiksuar fort në fëmininë tonë, në përsonalitetin, në shprehitë dhe zakonet tona. Janë mësuesit ato që kapin e zbulojnë prirjet dhe talentet e nxënësve dhe kujdesën vazhdimisht, që ata të rriten dhe të zhvillohen më tej në drejtimin e duhur. Ndonëse brezi i mësuesve, që janë sot në pension e kanë kryer detyrën e shenjtë, duke dhënë të gjitha energjitë e tyre, pasionin e profesionalizmin, përsëri ata nuk ndjehen të qetë, ku brenda tyre zjen ndjenja e dashurisë për shkollën, arsimin e nxënësit. Kanë merak dhe mall për shkollën, për klasën, për zilen regjistrat, kanë merak dhe mall e dashuri për nxënësit e tyre. Është ky një mall që nuk shuhet kurrë. Janë mjaft emocionuese kur kujton dhe flitet shpesh me nderim dhe respekt për ata autoritete të arsimit, të shkencës e të pedagogjisë shqiptare, që s’jetojnë më, por vepra dhe ndihmesa e tyre e shquar do të mbeten të pavdekshme në kujtesën e mësuesve shqiptarë e më gjerë, siç janë ministrat e Arsimit Naxhije Dume e Thoma Deliana, rektori i Universitetit të Tiranës Kahreman Ylli, si dhe pedagogët e mësuesit e shquar: Persa Grabova, Vasil Kamani, prof. Bedri Dedja, Emine Gjakova, prof. Jup Kastrati, Fatbardha Gega, prof. Hamit Beqja, Nazmije Pasholli, prof.Shefik Osmani, Lame Xhama “Mësues i Popullit”, Evanthi Ciko, prof. Mark Vuji-“Mësues i Popullit” etj. etj, të cilët me thjeshtësinë e njohur ,shpirtin e madh e bujar, edukuan e mësuan breza të tërë, nderonin njerëzit e thjeshtë të dijes dhe të kulturës, respektonin vlerat e vërteta të mësuesisë shqiptare. “7 Marsi” ngre zërin para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve, intelektualëve,
medias e shoqërisë civile, mbarë opinionit publik: Më shumë përkujdesje për shkollën dhe mësuesin, më shumë nderim, ndjeshmëri e mirënjohje për punën e tyre të veçantë e të lodhshme, për ata që na mësuan shkrim e këndim, matematikë e shkencë dhe që na bënë ta shohim jetën në dritë të syrit!
Ndërsa prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në diasporë, në Evropë e Amerikë, në Australi e vende të tjera, “7 Marsi” u kujton se krahas punës dhe mundit për mbijetesë, mos ta harrojnë shqipen e bukur dhe t’ua mësojnë edhe fëmijëve, nipave e mbesave. Gjuha është medalion i artë i çdo shqiptari, që na njeh në botë e që na lidh e na bashkon. Festa përcjell mesazhe urimi edhe për mësuesit, që si “shërbëtorë të përjetshëm të kombit”, kurdoherë janë në ballë të punës për zbatimim e politikave dhe reformimin e shkollës, kultivimin e vlerave qytetare, shoqërore e demokratike, sepse përpiqen për zhvillimin e fuqisë krijuese tek brezat e rinj për t’i shërbyer vetes, familjes, atdheut e shoqërisë. Këtu më vinë ndërmend vargjet e poetit të njohur Llazar Siliqi, i cili shprehej:
“Edhe kur kryet do na mbulojnë thinjat,
Ndërmend do të sjellim një emër nderues,
Emrin e dashur, emrin e bukur,emrin e thjeshtë, por të madh Mësues!…”