Saimir Z. Kadiu: NË DITËN E MËSUESIT…
Homazh për Reformatorin e Madh të Arsimit Shqiptar
MIRASH IVANAJ (12 mars 1891 – 22 shtator 1953)
– A e more vesh, mor ti?
– Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?
– Je i dënuar me 7 vjet burg!
– Po për ç’ka jam dënue mor zotni?
– Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
– Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës arsimore.
– Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh propagandë.
– Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?
– Mbylle gojën se je i dënuar!
Me këto dialogje, pjesë e farsës bolshevike, regjimi dënoi me 7 vjet heqje lirie kryereformatorin e arsimit kombëtar, Mirash Ivanajn…
Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të Mirash Ivanajt. Thuhet se disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar.
Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, mbylli sytë për jetë.
U shua në spitalin e Tiranës, pas një ndërhyrjeje të thjeshtë kirurgjikale, në moshën 62-vjeçare.
Asnjë mëkat politik…
Intelektual klasi dhe patriot i vendit të tij. Shkrimtar, eseist, mësues, publicist, humanist…
U largua nga Shqipëria në vitin 1939 duke refuzuar pushtimin fashist të vendit.
I lauruar në Romë për Filozofi dhe Jurisprudencë, Ivanaj ishte edhe një poliglot me plot 7 gjuhë të “gjalla” dhe tre të “vdekura”.
“Mëkati” i vetëm… i preu bursën në kohën që ishte Minister i Arsimit “ngelësit” Enver Hoxha…
Thuhet që kur Mirash Ivanaj u kthye në Shqipëri u prit nga vetë Enver Hoxha, i cili me stilin e tij thumbues i thotë:
“Shiko si po të presim… jo si ty që më hoqe bursën”.
Mund të qëndronte në Turqi. Por erdhi për të bërë Shqipërinë… dhe u dënua nga gjykata e teneqexhinjve dhe harbutëve provincialë.
Në këtë mënyrë Shqipëria humbi ministrin më reformator të Arsimit që ka patur ndonjëherë në historinë 110-vjeçare të shtetit shqiptar.
Për ironi të fatit, asokohe, Ministër i Arsimit ishtë një nga katilët e gjyqeve të pasluftes… Bedri Spahiu.
Vdiste i vrarë Mirash Ivanaj… dhe arsimin e “reformonte” Bedri Spahiu… dhe populli “liridashës” dhe “arsimdashës” për këtë kriminel kishte “kënduar”:
“Dridhen armiqtë
Porsi miu
I gjykon Bedri Spahiu”
Një nga këta “armiq” ishte edhe Mirash Ivanaj… dhe “krimi” i tij ishte sepse donte Shqipërinë…