Viron Kona: Mbi prozën romanore të Xhavit Çitakut
Të mos lejojmë që të na i thyejnë ëndrrat dhe dëshirat e mira për jetën!
Duke lexuar romanin “Ëndrra të thyera” të Xhavit Çitakut
Nga gazetari i mirënjohur dhe i talentuar Xhavit Çitaku kam lexuar shumë artikuj në prozë, informues, problemorë, ese, reportazhe, recensa, por s`kisha lexuar ndonjë sprovë të letërsisë artistike, ndaj u befasova kur ai më dhuroi një roman të titulluar ”Ëndrra të thyera”, i cili në fakt është romani i tij i dytë. Romani ka redaktor prof. Nexhat Rexha, recensente Saranda Iseni, lektor prof. Rexhep Jashari, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Mes punëve të mia krijuese gjeta kohën dhe nisa ta lexoj, por me sinqeritetin e krijuesit dëshiroj të them se nuk e shkëputa nga dora pa e lexuar gjer në fund. Një roman tërheqës, që të trondit dhe të përfshin në subjektin e tij, figurativisht e krahasova me një lumë që vërshon i rrëmbyeshëm, duke u përplasur me “diga” rrethanore, gurë e shkëmbinj të nënujshëm, duke krijuar gjeratore mes tij, turbullirë apo dhe kthjelltësi, kështu gjer në fund të rrugëtimit. “Kështu është dhe jeta, – thosha me vete, – si lumi që të rrëmben dhe nuk e di se ku do të të çojë, nuk di se çfarë të del përpara, çfarë pengesash e vështirësish do të duhet të kalosh e përballosh, gjersa të arrish fundin…”.
Një subjekt i thjeshtë dhe drithërues
Libri paraqet një subjekt të dhimbshëm e drithërues, ku ëndrrat dhe dëshirat e mira për jetën shkatërrohen ende pa nisur mirë. I shkruar thjesht, me personazhe realë, të vizatuar bukur si tipa dhe si karaktere. Paraqiten aty mjedise të njohura, kryesisht familje fshatare patriarkale, ku nisin e marrin rrjedhë ngjarjet e librit; aty veprojnë personazhe me veçori dhe karakteristika origjinale, e ku ajo që sundon në të tërën, ëndrrat e bukura, nuk realizohen. Pse? Për shumë shkaqe, por ndër më kryesoret është atmosfera dhe sundimi i rëndë i paragjykimeve, i zakoneve kanunore, të cilat ndryshojnë ngadalë dhe bëhen pengesë për jetën, sidomos për të rinjtë që dashurohen natyrshëm e që pengohen padrejtësisht në kurorëzimin e dashurisë së tyre.
Subjekti i librit në pamje duket i thjeshtë: Në familje jeton djali, Xhaferi i martuar me gruan e tij, Ajshën, me dy vajza, Fatimenë, Nexhmijen dhe me nënën e tij, Salën. Bënin një jetë të qetë, i gëzoheshin gjërave që kishin, të cilat i siguronin përmes punës, më shumë u gëzoheshin fëmijëve që rriteshin si lulet më të bukura të kopshtit. Por një e papritur e jetës ndodhi edhe tek ata, një e papritur thellësisht tragjike. Teksa kthehej me qerren e ngarkuar me dru, Xhaferi pëson një aksident, qerrja rrëzohet dhe e zë nën vete. Nuk mundi të shpëtonte. Dy fshatarë që e gjetën e çuan me dhimbje në shtëpinë e tij. Vdekja kishte rrëmbyer burrin e vetëm në atë shtëpi. Ai po linte pas, pa asnjë mbrojtje, bashëshorten, Ajshën, dy vajzat e vogla dhe nënën. Fshati tradicional, me njerëz të mirë i erdhën dhe i qëndruan pranë familjes në këtë fatkeqësi, nënës së djalit, bashkëshortes së tij dhe dy vajzave të vogla. Ishte një familje vërtet për të qarë hallin, pa një burrë në shtëpi. Kush do të punonte, kush do të përkujdesej për ta, kush do të siguronte ekonominë e tyre? Çfarë fati i priste pas kësaj ngjarjeje tragjike?
Gjërat rrodhën sipas kanunit: Nënën 70-vjeçare erdhi dhe e mori i vëllai në shtëpinë e tij. Për nusen pa burrë të shtëpisë, Ajshën dhe dy vajzat “u kujdes” i vëllai i saj, Neziri, i cili i mori t`i strehonte në shtëpinë e tij. S`kaloi shumë kur ai e martoi të motrën që kishte mbetur e ve me një burrë krejt të panjohur, duke e ndarë dhunshëm nga të dy vajzat. E ndërsa Ajsha u bë nuse në një familje tjetër, vajzat jetonin nën kujdesjen e dajës, duke vijuar shkollën.
Kur femra konsiderohej si një plaçkë tregu
Kur Fatimja, vajza e madhe, vijonte shkollën e mesme, në një takim të rastësishëm i mbeti në mendje Heseti, një djalosh simpatik, i cili shfaqi interesim ndaj saj dhe me fjalët e tij e vuri vajzën në mendime… Nisën të takoheshin fshehurazi dhe teksa bisedonin, thurnin ëndrra të bukura për të ardhmen… Në këtë atmosferë, autori i librit ndalet paksa te figura e dajë Nezirit, duke e portretizuar atë si interesaxhi, zakonor, paragjykues, xhelat. Ai, kur mori vesh se vajza e tij, Sania dashuronte një djalë, së bashku me dy xhelatë të tjerë si ai, e gjetën vajzën dhe djalin, e rrahën djalin barbarisht, kurse bijën e tij, Sanijen e martoi dhunshëm,”duke ia dorëzuar një njeriu që as ai vet nuk e kishte njohur e lëre më e bija, Sanija!”
Fatimes i kalonin shpesh herë nëpër mendje këto sjellje dhe veprime të egra të dajë Nezirit. Ato e frikësonin vajzën, pasi ai ishte i paparashikueshëm dhe mund të bënte me Fatimenë, atë që bëri edhe me të bijën, Sanijen. Frika e saj u vërtetua, e papritura erdhi. Daja e urdhëroi Fatimenë që të ndërpriste shkollën, sepse ai do t`i gjente “një burrë të mirë, që nuk i gjendej shoku në shtatë katunde”. Pas këtyre fjalëve, pa kaluar një muaj, daja mori vendimin e tmerrshëm për mbesën, e fejoi pa e pyetur. Fjala e tij ishte urdhër dhe nuk diskutohej, ato ishin zakonet dhe kanuni, por ai ishte dhe karakteri i lig dhe i zi i Nezirit. Ai e shikonte Fatimenë si një plaçkë, që mund ta përdorte si të donte, ai donte ta “shiste” atë sa më shtrenjtë, atje ku ai do të kishte më shumë përfitime. Fatimeja nisi ta vuaj shumë këtë gjendje, sidomos ndërprerjen dhunshëm të dashurisë së saj për Hesetin. Por edhe Heseti, i cili e dashuronte shumë Fatimenë, e vuajti shpirtërisht veprimin e dajës së saj. Veçse, protesta e Hesetit ishte vetëm kaq. Edhe Fatmija, edhe Heseti, nuk bën përpjekjet e duhura për ta shfaqur dhe për ta kurorëzuar dashurinë e tyre, ata u bindën dhe iu nënshtruan zakoneve poshtëruese e skllavëruese të kohës, mund të themi se reagimi i yre ishte më shumë se i dobët, ata iu dorëzuan zakonit kanunor, iu dorëzuan fatit dhe ligësisë së zakonit, por edhe karakterit të keq të dajës së Fatimesë, i cili gjatë gjithë librit shfaqet si një personazh i uryer për lexuesin. Neziri ishte tipi i njeriut që e konsideronte veten pronar të gjithçkaje, madje edhe pronar të zemrës së vajzës së tij, Sanijes, ashtu si dhe më parë të motrës Ajshës, dhe më pas të mbesës, Fatimesë…
Shoqëri patriarkale, e ndërtuar mbi padrejtësi
Daja Nezir, i tha Fatimes se më 3 korrik, ditën që ajo mbushte 18 vjeçe, do të martohej. U tha dhe u bë. Fatimeja u martua me një njeri që kurrë nuk e kishte njohur më parë! U martua, por mendjen e kishte te djali që dashuronte, ndërkohë që edhe Heseti, nuk e hiqte nga mendja Fatimenë, por tashmë ajo ishte bërë nuse e dikujt tjetër. Të dy të pafuqishëm, të dy pa vendosmërinë e duhur që t`i bënin ballë padrejtësisë që u bëhej për shkak të zakoneve të vjetra, por edhe për shkak të karakterit të keq të dajës së Fatimesë, Nezirit.
Romani vijon me jetën dhe fatin e vajzës së vogël të Xhaferit dhe të Ajshës, me Nexhmijen, e cila është ende e vogël, por që ndihet krejt vetëm: me nënën larg, me motrën të martuar, e mbetur nën kujdesin e dajës shpirtzi. Nexhmija ishte shumë e re, vetëm 14-15 vjeçe. Deri atëherë, të motrën, Fatimenë e kishte konsideruar edhe si nënë, edhe si shoqe, edhe si motër. Ishte e bukur, e kërkonin shumë djem, por ligji e ndalonte martesën në moshën 15 vjeçe, ndërsa daja i saj, Neziri interesazhi dhe shpirkatran, kërkonte një dhëndër ku të shihte interesin e tij.
Kur Nexhmija mbushi 18 vjeçe, daja Nezir e martoi, sigurisht me një njeri krejt të panjohur për vajzën dhe pa dëshirën e saj. Këto që ndodhnin shkrimtari Çitaku i konsideron ”Një shoqëri patriarkale, e ndërtuar mbi padrejtësi” dhe vijon:”Sa vuajtje të heshtura ka shkaktuar në përgjithësi në trojet shqiptare kjo mënyrë e përcaktimit të dashurisë, sa plagë në shpirtërat dhe zemrat e djemve dhe vajzave që shihnin nga të afërmit të diktonin nëpërmjet dokeve e zakoneve, ligjet e zemrës”.
Në faqet e romanit
dhe vetes sonë ndjejmë shpirtin e protestës
Fatimeja, vajza e madhe përpiqet të ambjentohet me jetën e saj, përpiqet të gjejë anët e mira të jetës. I lindi një djalë dhe ky qe gëzim i madh për të. Autori shkruan:”Një gjë në jetë duhet të kuptohet, se është me rëndësi që të kërkosh gjërat që i do, por shumë më e rëndësishme është që t`i vlerësosh ato që i ke”.
Jeta ecën në rrjedhat e saj. Nëna e Fatimes, Ajshja ndërroi jetë, kurse vet Fatimja, në vite, u bë nënë e katër fëmijëve, që i donte shumë, ndërkohë që edhe bashkëshorti e respektonte. Veçse fati i keq nuk iu nda. Kur ishte aty te 52 vjeçe, Fatimeja u sëmur rëndë. Djali i saj i madh u kujdes shumë për nënën e tij që ajo të shërohej. Kishte nisur të bënte rrezatime. Aty, në mjediset spitalore, takohet rastësisht me Hesetin, djalin që dikur e kishte dashur aq shumë. Edhe Heseti u trondit, por tashmë atyre u mbeteshin vetëm kujtimet. Heseti u kujdes shumë që Fatimeja të shërohej, por më kot, sëmundja avancoi. Pas tetë muajve që kishte filluar mjekimet, Fatimeja ndërroi jetë. Një hidhërim i madh i përshkoi të gjithë. Thonë se “kur ndodh e keqja, hapi derën!” Pas Fatimesë, edhe Nexhmija, motra e saj humbi jetën në një aksident automobilistik…
Romani ka dhe dy kapituj mbyllës njëri më interesant se tjetri, të dy me mesazhe të qarta. Në kapitullin e 18-të, tregohet sesi Heseti, gjen në shtëpinë e tij, në një situatë jo “korrekte” motrën e tij, Merjemen me shokun e tij të ngushtë, Agimin. U zemërua, nisi t`i marrë në pyetje të motrën dhe më pas shokun dhe, nga të dy mësoi se ata duheshin prej kohësh. Lexuesi ndjen se zakonte e vjetra, kanë rrënjë të thella në mendjen e njeriut, sepse, Heseti, ndonëse i përvëluar edhe vet nga këto zakone, duket sikur disa çaste pushtohet nga fryma e tyre. Ai druante se çfarë do të thoshte fshati, si do ta komentonte njohjen, martesën dhe dashurinë e motrës së tij, Merjemes me shokun e tij të ngushtë, Agimin! Por, duke kujtuar dashurinë e humbur me Fatimenë, pikërisht për shkak të zakoneve dhe kanuneve të egra, ai kupton se pengimi nga ana e tij i dashurisë së motrës me Agimin, do të ishte i gabuar; ai s`duhej të bënte ndaj dashurisë së tyre, atë që daja i Fatimesë kishte bërë me atë dhe me vajzën që ai dashuronte. Heseti bisedon me të atin dhe të dy i hapin rrugë marrëdhënies dhe dashurisë së sinqertë mes Merjemes dhe Agimit.
“Kështu e ka jeta”, apo…?
Është trishtues por dhe simbolik kapitulli mbyllës, i 19-ti, ku autori i rikthehet përshkrimit të shtëpisë së vjetër, ku dikur kishte jetuar një familje e thjeshtë me shpirt të kristaltë por me ëndrra të thyera. Tashmë ajo kishte mbetur një shtëpi e braktisur, gërmadhat e saj heshtnin (figurativisht) se realisht ato flisnin, aty rritej bari, vinin fluturim dallëndyshet dhe zogjtë e tjerë; ajo tregohej me dhimbje si shtëpia e një familjeje fatkeqe. Ajo familje u shua, u shuan dhe kujtimet e një jete njerëzish të thjeshtë, që donin të jetonin, por…
Ç’mund të themi? Na vjen në mendje fjala e vjetër ngushëlluese frënge “C`est la vie” (kështu e ka jeta!), duke dashur të ngushëllojmë vetveten, për fatet e mijëra njerëzve të mjerë, për ëndrrat e tyre të thyera, teksa brenda vetes ndjejmë shpirtin e protestës, që të mos dorëzohemi ndaj të këqiave që më shumë se natyra i bëjnë vet njerëzit; të mos lejojmë që njerëzit me shpirt të zi të na thyejnë dëshirat dhe ëndrrat e mira për jetën dhe për të ardhmen…
Mozaik personazhesh realiste dhe të portretizuar me art
Mendoj se ky artikull ka vend për një koment rreth personazheve të romanit, të cilët janë të vizatuar bukur, secili me veçoritë dhe karakteristikat e veta, me dritëhije dhe me ngjyrime, që e bëjnë romanin sa të vërtetë, aq edhe realist.
Xhaferi, një “shtatore” e dhimbshme, simbol i thjeshtësisë, i mundit dhe i punës. Sala, nëna e Xhaferit, mëshirim i shpirtmadhësisë, e plagosur keq nga ngjarjet tragjike të familjes së saj. Ajshja, grua fatkeqe, të cilën e shoqërojnë gjatë gjithë jetës brenga dhe dëshpërime. Xha Bardhi, burrë fisnik, që përpiqej t`u gjendej njerëzve me shpirtmadhësinë e tij. Fatimja, femër e nëpërkëmbur në ndjenjat dhe në ëndrrat e saj, e pafuqishme që t`a çonte gjer në fund dashurinë; teksa iu ndërpre po aq dhunshëm edhe ëndrra për të treguar personalitetin në jetë:”Kishte besim në vetvete, se do të bëhej një edukatore e shkëlqyer, se do të shpërndante nektarin e dashurisë tek nxënësit me kujdesin më të madh dhe do të organizonte aktivitete të tjera të shumta në dobi të gjeneratës së re…”. Dajë, Neziri, njeri me karakter të keq, i lig e shpirtkatran, shfrytëzonte për interesa të tij zakonet, kanunet dhe paragjykimet e kohës ndaj femrave.(”Fatimeja dhe motra e saj ishin dy fëmijë të lënë në mëshirën e një mizori..”.). Nexhmija, viktimë e zakoneve dhe kanuneve të kohës, iu “bind” me zemër të thyer zakoneve të egra (”Martesa e saj, pra, u bë në heshtje dhe pa bezdisur askënd, që në të vërtetë është protesta më e lexueshme kundër një rrugëtimi pa sistem vlerash të një shoqërie patriarkale, e ndërtuar mbi një padrejtësi dhe pa sentiment njerëzor…” Sanija, vajza e Nezirit, viktimë e zakoneve të kohës dhe e karakterit të zi të babait të saj, që në sytë e lexuesit s`është veçse një xhelat, që përdor si mburrojë injorancën, kanunin dhe paragjykimet. Hasimja, nëna e Sanijes, gruaja e Dajës së Fatimes dhe Nexhmijes, një grua që vetëm miraton vendimet e burrit, gjithnjë e nënshtruar;Heseti, ndonëse i shkolluar, i pafuqishëm dhe i tërhequr për të përballuar pengesat e dashurisë…
Kundër patriarkalizmit
Romani ka formën dhe karakterin e një drame, ku skenat dhe personazhet veprojnë në mjedise të njohura, ata lëvizin lirshëm, duket sikur diku i kemi parë, sikur u kemi dëgjuar zërat; ata janë më se të njohur në disa prej mjediseve shqiptare në Kosovë e Shqipëri, që kanë qenë të mbuluara nga mjegulla e zakoneve kanunore e patriarkale, e ku janë nëpërkëmbur brutalisht fati i emencipimit të femrës, të drejtat dhe liritë e saj. Romani shigjeton dhe trondit rëndë sundimin e plotë, të pakufizuar dhe të padiskutueshëm të burrit, demaskon zakonet e normat e vjetëruara të sjelljes, si dhe prapambetjen e thellë në mënyrën e të menduarit dhe të jetesës.
Me këtë roman realist dhe protestues, Xhavit Çitaku ndez dritën e respektit dhe të emancipimit të femrës shqiptare, e cila edhe vet, duhet doemos të kthehet në një luftëtare, të di të mbrojë jetën dhe të ardhmen e saj…
Libri ka nënvizime dhe përshkrime realiste, madje edhe drithëruese, ashtu siç vijnë dramat dhe tragjeditë njerëzore. Gjen aty mendime të bukura dhe mesazhsjellëse, gjen një figuracion të pasur artistik, ndjen bukurinë e zemrës së autorit, shpirtmadhësinë e tij, dritën me të cilën ai ndriçon fatet njerëzore, ndjen dëshirën e tij për të mbështetur dhe për të lehtësuar sadopak shpirtërat dhe zemrat e vuajtura.