Albspirit

Media/News/Publishing

“Biblioteka Zoja e Shkodrës” publikon librin ‘Dioqeza e Kunavisë’ të prof. Lutfi Alia

Shtëpia botuese “Biblioteka Zoja e Shkodrës” dhe shtypshkronja “Fiorentia” në Shkodër, kanë botuar librin e prof. Lutfi Alia “Dioqeza e Kunavisë – Dioecesis Chunaviensis” (shekujt IV – XVIII), me redaktor studiuesin Kastriot Marku dhe me konsulent Dom Nikë Ukgjini – Doktor i Shkencave Teologjike, historian, shkrimtar.
Në antikitetin e hershëm parahelen dhe pararomak, trojet ilire në verilindjes të Durrësit quheshin Kandavia, që ishte emri i lashtë i Ilirisë. Emri Kandavia, mbijetoi deri në pushtimin e Ilirisë nga romakët, të cilët në vitin 168 para K e quajtën Kunavia, emër i formuar nga bashkimi i dy emrave latine Cuna (djepi) + via (rruga) = Cunavia – rruga e djepit. Në shekujt e pushtimit romak, Kunavia bënte pjesë në provincën e Epirit të Ri. Farlato dhe Koleti në “Illirici sacrii” e përshkruajnë Kunavinë trevë dhe dioqezë e shtrirë në rrafshnaltën në verilindje të Durrësit. Milan Šufflay thekson: “Chunavia, gjatë antikitetit dhe në mesjetë ishte emëri i trevës dhe i dioqezës shufragane të Kunavisë e shtrirë në pjesën e sipërme të rrjedhës të lumit Mati”. Po me këtë shtrirje e përcakton dhe Gjergj Akropoliti, pretori i perandorit të Bizantit, kur kaloi nga Durrësi nëpër Kunavi në vitin 1258. G. J. Von Hahn, në librin “Albanesiesche Studien” botuar në vitin 1854 shkruan: “Pamja malore e Martineshit … formon hyrjen e pjesës veriperëndimore të Kandavias së vjetër”.
Krishtërimi në Epirin e Ri u përhap në shekullin I pas K me apostolin Pali, pra kisha iliro-arbërore-shqiptare është apostolike. Gjatë shekujve IV – VI, kishat në Epirin e Ri ishin në vartësi të Romës. Disa nga ipeshkëvitë dhe dioqezat shufragane morën emërat e qyteteve ku ndodhej katedralia si ipeshkëvitë e Durrësit, Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës, Krujës, Skampës, Ohrit etj, ndërsa disa të tjera morën emërin e trevës si dioqezat e Albanisë, e Kunavisë, e Pultit, e Bendës, e Cernikës etj.
Shumë autorë si Farlato e Koleti, Eubel, Makuŝev, Gams, Praga, Darrouzès, Janin, Meksi, Xhufi, Shtylla, etj, theksojnë se në fund të shekullit IV dhe ne shekullin V, banorët e Kunavisë e kishin përqafuar krishtërimin dhe kishat e manastiret në këtë trevë malore u organizuan në dioqezën shufragane të Kunavisë, në varësi të Arkipeshkëvisë së Durrësit, ndërsa pas shekullit VI disa kisha u lidhën me Patriarkanën e Kostantinopojës. Kisha e parë, e cila më pas u bë katedrale e dioqezës sufragane të Kunavisë kishte titullin e Shen Dhimitrit, ndërsa në fund të shekullit XIII, ndryshoi dhe u konsakrua me titullin e Shen Gjon Pagëzori (Sanctus Johannes Batista). Për shumë shekuj, dioqeza e Kunavisë ishte dy kishtare, pra me kisha katolike dhe ortodokse.
Dioqeza e famëshme e Kunavisë, ishte aktive për 1500 vite (nga shekulli IV deri në fund të shekullit XVIII), ku kanë shërbyer priftërinj dhe murgjë të huaj dhe arberor. Në shekujt XIII – XV kjo dioqezë kishte 23 famulli. Në Martanesh ishte katedralja e Shen Gjon Pagëzorit, si edhe 10 kisha e 4 manastire. Në dioqezën e Kunavisë kanë shërbyer shumë ipeshkëv, por njihen emërat dhe aktiviteti vetëm i 47 ipeshkëve të huaj dhe arbëror, me kontribute ekleziazike, kulturore, arsimore dhe patriotike. Në fund të shekullit XVIII dioqeza e Kunavisë u shua, por historia dhe vlerat fetar e shpirtërore të kësaj dioqeze u ruajtën edhe kur malësorët e kësaj treve u kovertuan në fenë islame dhe kur masivisht përqafuan bektashizmin. Prania e katër besimeve fetare në Martanesh, historikisht është karakterizuar me bashkëjetesë harmonike e në unitet ndërmjet malësorëve, çka ka shprehur kulturën e tolerancës, të mirëkuptimit dhe respektit reciprok, pavarësisht nga përkatësia fetare.
Please follow and like us: