Albspirit

Media/News/Publishing

Duke kujtuar nobelistin e parë grek Jorgos Seferis në 123-vjetorin e lindjes…

Saimir Z. Kadiu
“Tre pëllumba të kuq nën diell
shkruajnë fatin tonë nën rreze
me ngjyrat dhe gjestet e njerëzve
që dikur deshëm”.
Ai u shfaq në letrat greke në 1931 me përmbledhjen poetike “Kthesë”, e cila që në çastin e parë të qarkullimit të saj, ngacmoi interesin e shoqërisë letrare të Athinës, duke provokuar reagime pozitive dhe negative njëkohësisht. Ishte një përmbledhje me trembëdhjetë poezi – ndër të cilat edhe poezia e frymëzuar nga Zhaklina, pianistja franceze me të cilën u dashurua, “Fjala erotike”.
Ajo do të jetë edhe një nga femrat më të rëndësishme të jetës së tij, e cila do ta pushtojë poetin për më shumë se një dhjetëvjeçar dhe pjesa më e madhe e poezisë së tij erotike do t’i kushtohet asaj.
“Janë disa ndjenja në jetë që nuk zbehen kurrë…”, do të shprehet ai për Zhaklinën.
Vlen të përmendet fakti se ai ka qenë Konsull i Përgjithshëm edhe në Korçë gjatë viteve 1936-1938 dhe ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende në ditët e sotme si “Ndërtesa Seferi”.
Gjatë qëndrimit të tij dyvjeçar në Korçë, ai do të mrekullohet nga qyteti nën dëborë dhe do të frymëzohet për të shkruar disa nga poezitë e tij më të bukura. Veçojmë një letër shumë domethënëse që i dërgon nga Korça të dashurës së tij në Greqi, ku ndër të tjera shkruan: “Dimri në Korçë nuk do të na pengojë, verën e kemi përpara…”.
Më 10 dhjetor 1963, Akademia Suedeze do t’i akordojë Jorgos Seferisit, Çmimin Nobel për Letërsi. Ndër shkrimtarët kandidatë për Nobel ishin emra shumë të fortë si Pablo Neruda, Vladimir Nabokov, Aksel Sandemose, Samuel Beckett, Wystan Hugh Auden etj.
Por, mesa duket, Beckett, ashtu si rezulton edhe nga praktikat e Akademisë Nobel, të cilat për pesëdhjetë vite mbahen të fshehta, cilësohej si “nihilist” dhe “trishtues”, Neruda si “komunist” dhe Nabokov si “i pamoralshëm”. Ndërsa, vetë poeti grek konsiderohej si poeti ideal i klasicizmit, që përfaqëson Greqinë si modelin e qytetërimit evropian.
Seferis bëhej shkrimtari i dytë ballkanas që fitonte Nobelin e Letërsisë. Dy vjet para tij kishte fituar serbi Ivo Andriq. Pas tij kanë fituar Odiseas Elitis (1979), hebreu sefardit bullgar Elias Canneti (1981) dhe Orhan Pamuk (2006).
Seferis vdiq në Athinë në vitin 1971, në kohën e regjimit të kolonelëve, ndaj të cileve ai mbajti qëndrim kundërshtues. Në funeralin e tij njerëzit që e shoqëronin për në banesën e fundit këndonin këngën “Denial” (Greek: Άρνηση) me muzikë të Mikis Teodoraqis dhe tekst të Seferis që ishte në atë kohë kënga e rezistencës kundër diktaturës së Papadhopullosit.
Në gjuhën shqipe, poeti i madh grek është përkthyer pas viteve 1990 dhe më konkretisht, për lexuesin shqiptar ai prezantohet me tre vepra të përkthyera: “Poezi”, përkthyer nga Perikli Jorgoni (1996), “Legjendë”, përkthyer nga Niko Kacalidha (2010) dhe “Poezi” perkthyer nga Romeo Çollaku dhe Alket Çani (2019).
Please follow and like us: