Ndue Ukaj: Harku i dëshirave të thyera
Çfarë të shkruaj?
Se jeta është gjithçka ose siç thonë disa asgjë,
një pranverë e gjallëruar ose një dimër i pikëlluar.
A s’janë të mjaftueshme të gjithë ato libra
që ruhen në biblioteka madhështore,
për të treguar kujën e botës,
fatet e rrëpira, rrengjet e kohëve,
gëzimet mëngjesore të bardha si bora
e perëndimet përflakura në horizont?
Shija e tokës është e thartë
dhe e ëmbël njëkohësisht,
si një filxhan kafeje bosh
ose çatia e një shtëpie të braktisur.
Mes kapitujve të librave ka zbrazëti,
aromë parfumesh të rënda,
gjurmë të paqarta gishtërinjsh.
Dhe ti e di se ky është një realitet i ri i realitetit të vjetër
ku marrim frymë dhe shikojmë harkun e dëshirave të thyera,
sepse dëshirat thyhen gjithmonë në jetë.
Vështirë është t’i harmonizosh të kundërtat,
prandaj të pamjaftueshme janë
të gjitha bibliotekat madhështore të botës,
me harqe të bukura që ruajnë libra e legjenda pafund,
traktate paqe mes popujve të hasmuar,
trille të gjata historike,
intriga dashurie me fund tragjikomik.
Duhet të shkruhet përsëri,
për dëshirat e pamjaftueshme,
për dritën dhe errësirën,
për Testamentin e Vjetër – sy për sy
dhe të Riun që këshillon – duaje çdo njeri.
Bota është plot çudira dhe bibliotekat përplot me to,
por ti s’ngushëlloheshe me tingujt e fatit,
universin e të panjohurave
dhe e trallisur hidheshe në përqafimin e çdo mëngjesi të ri,
duke besuar se çdo histori është unike dhe e papërsëritshme.
Këto s’janë vite të legjendave,
profetëve të thinjur, kalorësve të fortë që çajnë shkëmbinj,
janë vite të dëshpërimit, të rënies, të agonisë.
Jemi tepër vonë për t’i përmirësuar gabimet e pandreqshme.
Ne u dërdëllitëm nën hijen e lisit të vjetër,
mblodhëm gjethe dhe bëmë një nënkresë të butë
ku mbështetëm kokën dhe hipëm në krahë të një ëndrre të harlisur.
Ëndrra na çoi në botën e tingujve madhështorë
prej ku kompozuam himnin e mëngjesit të bukur.
Kur ra terri gjithçka u grimcua.
U grimcua nënkresa në mijëra pupla,
u grimcuan dëshirat në mijëra ëndrra,
u grimcuan duart e mia në mijëra universe
ku mblidhja copëza të vogla udhëtimesh
dhe i strehoja në ajrin e dashurisë
në hambarin e madh të universit,
në atë amfiteatër paqeje plot shenjtorë e qelbanikë.
Pastaj erdhi stina e thatësisë,
ëndrrat u arratisën prej nesh,
e dëshirat u bënë strehë shprese.
Gjithçka dukej e pamjaftueshme dhe e leckosur.
Vetëm deklarata kishte mjaftueshëm:
për politikën, ndryshimin e motit, zhdukjen e akullnajave.
Po! Asaj stine të gjatë dhe të ftohtë
askush s’fliste për akullnajat e shpirtit
që formonin njeriun e ri të asgjësë,
të ideologjive dhe të marrive.
Në tryezën time fanepsen yllësi, djathë, ullinj e vérë,
dhe unë flas si i marrë për bionjeriun pa coha ideologjie.
Me sy të plogësht e duar të lodhura
rishtas grumbulloj thërrmija për zogjtë e uritur,
për zogjtë ëndërrimtarë,
vargjet dhe poezitë i hedh në ajër
si prifti temjanin para një meshe solemne të dashurisë.
Dhe cakërroj një gotë për ditën e re,
për zgjimin e ri me muzikë, puthje dhe parfum natyre.
Një ditë të gjithë mund të humbasin
si silueta që fshihen pas një kthese të madhe.