Natasha Lako: Nëpër rrugën e kapërcimeve poetike të Helena Halilaj
Nëpër rrugën e kapërcimeve poetike të Helena Halilaj
Natasha Lako
Në rrugën poetike, gjithenjë ka udhëtarë, që i përshëndesim. Një prej këtyre udhetareve është Helena Halilaj, që vjen me ketë libër poetik, per të ftuar lexuesin në udhëtimin e saj. Por rrallë ndodh që njëkohësisht, në poezi, të vështrosh, edhe botën e krijueses edhe botën që ajo sheh. Dhe për herë të parë, duke lexuar poezitë e këtij libri mund të mendosh, se nuk janë krijuar rastësisht, dy sytë e ballit, që krijojnë bashkarisht një projeksion të botës. Poeten mund ta shohim të parën, a njeriun, atë vajzë që kundron, kur ndjen, kur humb a kur fiton. Dhe pohimi i vetes,është po aq monumental dhe i pranishëm, sa krijon një qetësi të madhe të egzistencës. Por nga ana tjetër njëkohësisht lexuesi kqyr nëpërmjet të njëjtit pikëshikimi të saj, botën që një tjetër po vështron, me pjekurinë e syrit, atje në vreshtat e saj, të ndjeshmërive femërore. Shumë herë i ndodh çdo njeriu, të gjendet nëpër galeri arti, ku janë vendosur tablo, piktura, skulptura ose instalacione, atje ku mbretëron qetësia e thellë, për të njohur dhe mirëkuptuar nëpërmjet heshtjes.
Poezia e lindur në botën që shfaqet në këtë libër poetik, si gjithënjë qëkur ka lindur vetë arti poetik, i tejkalon të gjithë, dimensionet në atë betejë midis objektives dhe subjektives, në të cilën mund të lexohen poezitë e këtij libri. Dhe kapëcimi poetik, këmben edhe krahët e këtij subjektiviteti me objektivitetin për qark, që shpesh herë është më i ashppër dhe kundërshtues për botën e poetes vetë. Por qetësia kqyrëse dhe kryeneçe mbizotëron, në sajë të një formësimi të qëndrueshëm të gruas plot personalitet, ku poezia e Helena Halilaj, ndjell gjakftohtësinë e hidhur që nevojitet mes ndërlikimeve që marrin peshë guri. Dhe secilit i takojnë gurët e tij, thotë Helena Halilaj… “Gurët po shkruajnë sot melodinë, Sa kanë ardhur, sa kanë ikur. Para gurëve tanë”. Kjo vendosje mes të tjerëve është edhe e thjeshtë edhe e madhërishme.
Një tërësi bote ka zënë rradhën para autores që ka mbërritur, me gurët e saj, të cilët do të jenë edhe të një tjetri. Pasi në shpirtin e saj ka lindur fjala që në botën e saj femërore është shumë e fuqishme. Dhe në botën e Helena Halilaj, vendoset një kufi i pakapërcyeshëm, që gjithënjë krijon ankth dhe shpresë, midis blusë që ra prej qiellit dhe shënoi miliona vështrime “që krijojnë botën e babait dhe jetës ku: “Diell ka me ra /Si me e shpërnda nënat… Por negjithënjë mund të ndodhet si para një termeti, kur ajo këndon… Kur mendoj se një ditë s’do e kem dorën tënde, ku mbajta një jetë ose “mbyte agoninë ose mbytu në mua”.
Të gjithë këta kufinj, nuk janë kufizues, por shprehës të një fati, ku çdo individ dallohet nga një tjetër. Sepse pa këtë botë kaq personale nuk mund të këmbëngulet për egzistencën njerëzore, që secilit i jep shpirtin e tij. Poezitë e dashurisë, në këtë vëllim zënë vendin kryesor, si kusht pa të cilin nuk mund të ketë asnjë lidhje tjetër me botën. Dhe ndodh që përdorim i gegnishtes, të nderet deri në pakohësi, por jo deri në diçka që mungon, në gjuhën e pasigurt sepse gjithënjë ka diçka më shumë për të dhënë.
Me t’dashtë ty. Me t’dashtë ty asht’ m’u zgju me një andërr në sy të kaftë. E nata me u shkurtu si mëngë foshnje kur zgjatet. Me ty është me u rritë përditë…”. Dhe vetëm e pasigurta fillon të bëje lundrimin e vet nga bota objektive, te bota subjektive. Bota subjektive në këtë realitet është më e sigurta, pasi ka me vete dashurinë. Është kjo dashuri që vetëm fton. Me një buzë që qesh. Të shkrijnë shpatullat e mia dimër këtë verë…
Poezia e Helena Halilajt, e ka dhënë adresimin e saj të saktë personal, nëpërmjet ndjenjës dhe gjykimt. Dhe brenda këtyre kufinjvje krijohet nje densitet i madh përplasjesh, nga etja për të jetuar që, shfaq si meritë shfaqjen e një personaliteti të formuar, si shenjë e mirë edhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Por poezia ka lindur shumë dimensionale gjithënjë, si për të çmontuar edhe pikturën edhe sklupturën, në gjendje që mund të përplasen edhe brenda një vargu.
Te poezia e Helena Halilaj, dashuria mbretëron dhe është aq e fuqishme dhe e pafjalë, sa duket sikur jeton me frikën e humbjes. Dhe pohimi është gjithënjë përballë. Po jemi në këtë galeri të Helena Halilajt, gjatë gjithë këtij vëllimi, ku së pari nevojitet një qetësi solemne, për të ndjerë gjithëçka. Tabloja para saj shumë herë mund të jetë rënqethëse, sepse bota e trazuar do të gjendet gjithënjë para syve… Lejtmotivi i vazhdueshëm i këtij vëllimi shprehet në vargun “Një udhë e uritur pret ta ushqesh e rritësh ti”, një nga vargjet më kumbonjës të këtij vëllimi dhe gjithë botës poetike, të një bije shqiptare. Prapa ka mbetur një histori e gjatë përpjekjesh, ku realiteti mban ende gruan e ngarkuar me një barrë të rëndë mbi shpinë. Por ajo ka vazhduar të ecë. Ka ardhur koha të ushqesh gjithë rrugën e urritur për jetën që njeriu mban vetëm në duart e dashurisë. Dhe udhëtimi kërkon të mbushet me dritën e secilit. Veçanërisht me atë fjalëzën ‘ne-‘ të papërsëritshme në gjuhën shqipe, kur bëhet fjala për dashurinë. Dhe në çdo udhëtim ka distancë pse jo, midis botës subjektive dhe botës objektive, të ndërthurrur në mënyrë të dhimbshme me njëra tjetrën.
Nëqoftëse flitet brenda lëndës letrare si udhëtim të këtij realiteti të madh te gjendjes në realitetin që pret të zotërohet kjo është rruga mes dëshirave dhe kontrasteve, që shpreh vetë fjala ku metaforat shtrohen butë, si brënda ndërgjegjes poetike, pa qënë si një synim përplasjesh brenda qetësisë. As te dashuria nuk arrihet lehtë a si dhuratë, por nëpërmjet vargut si valëzim.
Mund ta quajmë poezinë e Helena Halilaj, një qëndresë, gjatë këtij udhëtimi, ku jeta shtrëngohet në duar dhe në çdo udhëtim ka distancë pse jo, pasurohet figura e femrës së ditëve të këtij fillim shekulli, që po krijon fytyrën e tij së bashku me fytyrën femërore, që zor se mund te shihej pa këto kapërcime të mëdha poetike.