Albspirit

Media/News/Publishing

Sali Morina dhe Sokol Sali Morina, Qytetar Nderi i Tropojës

 

Ibrahim Hajdarmataj

Këto ditë Këshilli Bashkiak i drejtuar nga Kryetarja Shota Basha dhe Bashkia Tropojë me Kryetar Rexhë Byberin, në qytetin Bajram Curri, organizuan aktivitetin për dhënie të titullit të lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës, bijve të Kosovës kreshnike, babë e djalë Sali Morina e Sokol Sali Morina. Kishin ardhur intelektualë të fushave të ndryshme, nga Gjakova, Prizreni, Tropoja, Tirana dhe Shqiptarë me banim në Amerikë.

Në kujtimet që ka lënë Sali Miftar Kolgeci për ish mësuesin e tij Sali Morina, për periudhën 1924 – 1926 ku punoi si mësues, drejtor i shkollës konvikt (internat) “Kosova”, ku më vonë Sali Morina, nderohet edhe me titullin “Mësues i Popullit” për veprimtarinë e tij në shkollën e parë Shqipe të Malësisë Gjakovës, janar 1923, në fshatin Bujan, te shtëpia e Ali Jakupit të Dojan. Në muajin Mars të atij viti 1923, shkolla u shpërngul nga Bujani në fshatin Kolgecaj (sot qyteti i “B. Curri”) dhe u vendos në ndërtesën e ish prefekturës të cilën ia kishin marre Mulla Dautit, forcat e ushtrisë Austro – Hungareze për ta përdorur për zyrë të tyre.

Meqënëse nënprefektura u transferua atë vit në fshatin Tropojë dhe qëndroi atje deri në vitin 1950, kjo ndërtesë tashmë shërbeu për vendosjen e shkollës dhe më vonë të konviktit (internat) “Kosova”, ku u siguruan kushte shumë të mira për zhvillimin e proçesit mësimor – edukativ dhe sigurimin e kushteve të jetës së nxënësve konviktor-burësist.

Në vitin shkollor 1923 – 1924 shkolla kishte dy klasë, të parën dhe të dytën.
Në katin e parë u vendos zyra e drejtorit të shkollës, salla e personelit dhe salla e ngrënies për konviktorët. Në katin e dytë ishin dy klasa për mësim, ndërsa në katin e tretë ishte fjetorja për konviktorët. Gjatë punës që po bëhej për hapjen e konviktit, nxënësit konviktor  –  bursist u strehuan në shtëpinë e Sali Manit, në Bujan, në atë të Bardhec Hajdarit në Kolgecaj dhe të Shpend Balisë në Margegaj, ku aty banonte edhe Bajram Curri. Shkolla – konvikt (internat) “Kosova” u hap në Kolgecaj në vitin shkollor 1923  – 1924 dhe vazhdoj aty deri në vitin shkollor 1928 – 1929 dhe me urdhër të Ministrisë së Arsimit atë vit u transferua në Krumë të Hasit ku ishte qendra e Prefekturës. Tashmë atje, në konviktin e Krumës ishin të regjistruar 122 nxënës me bursë, ku 22 prej tyre ishin nga Tropoja.  Shkolla e parë shqipe në Malësinë e Gjakovës, është hapur në Bujan në vitin 1923 dhe këtë e vërteton me dëftesën e shkollës të lëshuar nga mësuesi i tij i atij viti Mana Shaqa (Osman Shaqiri), i cili shërbeu në shkollën konvikt (internat) “Kosova” nga viti 1923 deri në vitin 1928.

Në vitin shkollor 1923 – 1924 numri i nxënësve u shtua me ardhjen e të rinjëve nga Prefektura e Kosovës ku 50 nxënës u trajtuan me bursë. Fillimisht drejtor i parë i shkollës në Kolgecaj ishte Niman Ferizi, sekretari personal i Bajram Currit, i cili në dhjetorin e vitit 1923 largohet për në Tiranë pasi u zgjodh deputet i Tropojës, kështu detyrën e drejtorit e mori mësues tjetër Gjakovar Ibrahim Fehmiu i cili jepte mësim në klasën e dytë, ndërsa në klasën e parë jepte mësim Mana Shaqa.
Nën drejtimin e tij, nxënësit e mësuesit e shkollës morën pjesë aktive në ngjarjet e revolucionit të Qershorit të 1924, ku ndër të tjerë u dalluan Asim Vokshi e Sali Myftari (Kolgeci). Në vitin arsimor 1924–1925 shkolla pati një rritje në numër ku 77 nxënës ishin me bursë nga Luma, Tropoja dhe Hasi. Në vitin shkollor 1925–1926 numri i nxënësve dhe mësuesve ishte shtuar në shkollën – konvikt “Kosova”. Aty kishin shkuar nxënës nga Luma, nga konvikti “Naim Frashëri” i Tiranës.

Trupa mësimore atë vit përbëhej nga:

1.Sali Morina drejtor i shkollës, me cilësinë e inspektorit për të gjitha shkollat e qarkut të Kosovës, për rrethet Tropojë, Has e Kukës. Njëherësh ishte edhe mësues për klasën e 5 e të 6 kolektive.

2.Ibrahim Kolçi, mësues për klasën e 4 dhe kujdestar i konviktit.

3.Osman Shaqiri (Mana Shaqa) mësues për klasën e 3.

4.Qazim Haraçiu, mësues për klasën e dytë.

5.Hysen Tenolli, mësues për klasën e parë.

Në kujtimet e Sali Kolgecit, ai shkruante:  “Sali Morina ishte i mrekullueshëm. Ne e dëgjonim me tan sy e veshë. Kishte një horizont të gjerë dijesh. Veç kësaj punonte me shumë pasion e ambicie. Por i kushtonte kujdes të madh edhe anës argëtuese të nxënësve. Ai kishte një metodë mësimdhënie të shkëlqyer, punonte edhe përdorte tekste dhe enciklopedi të ndryshme në gjuhën turke, njëherësh shfrytëzonte edhe literaturën e lënë nga Ibrahim Fehmiu i cili kishte dalë në emigrim. Rëndësi të veçantë u jepte lëndëve shkencore gjuhë shqipe, hartimit, matematikës, fizikës, historisë dhe gjeografisë duke synuar në formimin e botëkuptimit shkencorë të nxënësve. Për këtë qëllim organizonte ekskursione e vizita në vende ku ishin zhvilluar luftime e ngjarje histori për mbrojtjen e tokave shqiptare. Përgatitje të veçantë bënte me nxënësit për festën e flamurit 28 Nëntorin ditën e shpalljes së pavarësisë, kështu mund të përmendim udhëtimin tre ditor në këmbë përmes shiut e dëborës me 25 – 27 Nëntor 1925 nga Kolgecajt në Krumë e Kukës, me nxënësit nën drejtimin e tij për të festuar 28 Nëntorin, ditën e pavarësisë. Po me këtë datë 28 Nëntor 1925 nxënësit e shkollës – konvikt “Kosova” nën drejtimin e mësues Sali Morinës dhanë një program artistik në Krumë, në qëndrën e prefekturës, ku shfaqën komedinë “Vëllezëri dhe interes” të Floqit. Ai me autoritetin e drejtorit të shkollës internat “Kosova” dhe të inspektorit të arsimit për qarkun, përveç kujdesit që kishte për të gjithë nxënësit si një prind i mirë, mundi të siguronte bursa për shkollën e mesme për nxënësit që shkëlqyen në mësime dhe konkretisht nxorri bursë për në shkollën normale të Elbasanit për Sali Kolgecin, Rexhep Shpendin dhe Asim Vokshin, por Asimi shkoi në gjimnazin e Shkodrës, ku u bashkua me rininë përparimtare të kohës.  E burgosën, por mbas daljes nga burgu në vitin 1936 shkoi në Spanjë në luftë kundër fashizmit, ku flijoi jetën për lirinë e popujve, ndaj shteti ynë e ka shpallur “Hero i Popullit” dhe ka përjetësuar me emrin e tij gjimnazin e qytetit “Bajram Curri” dhe pallatin e kulturës në Gjakovë”. Edhe i biri i Sali Morinës Sokoli, i cili jeton sot në Tiranë ka një aktivitet të pasur, kryesisht në fushën e sportit. Sokol Morina mbeti gjithmonë një legjendë e Sportit Shqiptar, si sportist, mësues, pedagog, drejtues i sportit, kryetar i fiskulturës Tiranës dhe përgjegjës i klubit sportiv Dinamo. Sokoli do të vlerësohet për dashurinë, respektin, bashkëpunimin e ndihmën që ka dhënë në vite mësuesve të edukimit fizik të Tropojës si: Ibrahim Shabani, Dan Doçi, Isa Sherifi, Rexhep Mustafa, Halil Gjongeci, Cenë Haklaj, Bajram Gjyriqi, Shpend Hoxha, Shkelzen Logu, Nuredin Seci, Çelë Hajdari, Avdyl Doçi e Xhafer Hoxha. Këta si familje me origjinë nga Gjakova, shpëngulen në Shqipëri në vitin 1913. Sokoli në vitin 1953 deri në vitin 1965 shpallet kampion në garat 800 metra dhe 1500 metra. Në spartakiadën e parë kombëtare ka marrë 3 medalje ari. Me 6 Mars 1966 në Bullgari për krosim Ballkanik, Shqipëria zë vëndin e parë si ekip i vajzave, me trajner Prof. Sokol Morinën. Nga viti 1969 – 1971 krijoi ekipin e atletikës të klubit sportiv “Dajti” dhe njëkohësisht profesor në IKF “Vojo Kushi” në Tiranë. Në vitin 1971 – 1975, në Ministrinë e Arsimit, Kulturës, inspektor për edukimin fizik. Nga viti 1975 – 1987 kryetar i Komitetit Fizik të Tiranës, duke hapur për herë të parë klasa sportive në shkollat e kryeqytetit. Në vitin 1987 përgjegjës i klubit sportiv “Dinamo” i cili ky klub shpallet më i miri në shkallë republike.  Disa herë është dekoruar me medalje dhe urdhëra “Naim Frashëri” nga Presidentët e Republikës, duke marrë edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

Të shumtë ishin ata që e morën fjalën në këtë aktivitet të larmishëm, si Ali Demushi kolonel në rezervë, Ali Qerimi, major në rezervë, Man Doçi biznesmen, Arben Hoti nga Lidhja e Shkrimtarëve Prizren, Xhevat Kokoshi drejtori i parë i gjimnazit “Hajdar Dushi” Gjakovë, Çel Hajdari profesor i edukimit fizik, vajza intelektuale e Sokolit, Dinora. Gjithashtu Sokoli mori edhe nga Biblioteka e B. Currit disa libra dhuratë. Pjesëmarrësit i përshëndetën me këngë këngëtarë të mirënjohur Bashkim Muça e Rustem Muça.

Për pjesëmarrësit u shtrua edhe një drekë në lokalin “Sylbica” me përgjegjës punëtorin e palodhur Hysni Ahmetaj. Gjatë drekës Ansambli “Dardania” i qytetit B. Curri përshëndeti pjesëmarrësit me këngë e valle.

Please follow and like us: