Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ORIGJINALITETI DHE HARMONIA E PËRKTHIMIT

I përkushtuar ndaj artit të fjalës në skenë, doemos, kam patur të bëjë, jo vetëm me letërsinë dramatike, po edhe me gjinitë e tjera të letërsisë, si në një rrugëtim të bukur shpirtëror. Veçanërisht përkthimi i Shekspirit dhe i Servantesit nga Noli, që na kanë krijuar të gjithëve kënaqësi të dyfishtë, ndaj shkrimtarëve respektivë të përmasave të mëdha, si edhe një dëshirë të nxehtë për të lexuar krijimin letrar edhe në origjinalin e veprës. Me një fjalor të begatë, të përshtatur në një tjatër gjuhë e me po atë pasuri gjuhësore, si te ishin tinguj qiellor në kupola magjepsëse katedralesh me akustikë, që e begatojnë shpirtin e njeriut.
Nuk i vë detyrë vetes, të jap mendime e sentenca për përkthimet tona në tërësi. Si edhe për kontributin e përkthysave tanë profesionistë, po përse mos të shprehem kur vepra të veçanta letrare, përkthehen edhe nga shkrimtarët e huaj, me pasion, përkushtim e talent nga krijues të tretë, sikundër veproi vitin e kaluar regjisori Piro Milkani që përktheu nga Çekishtja veprën interesante”I kam shërbyer Mbretit të Anglisë” të shkrimtarit Bohumil Hrabal, ku Milkani, me një seriozitet madhor të linguistikës, me logjikë e emocione rrjedhëse, përballon edhe dy-tre faqe tekst të librit në fjalë, në përgjigje edhe të stilit të autorit!… Apo ish redaktorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” Donika Omari e Iskra Thoma, nga Italishtja, me veprat letrare respektive “Emëri i Trëndafilit” të Umberto Ekos prej Omarit dhe “Trëndafili i Dimrit” nga Thoma. Ca më tepër akoma, kur vepra e përkthyer të tërheq në rrjedhën e saj burimore, me po të njejtin origjinalitet, si tek krijuesi i parë. Si vlerë estetike e besnikëri ndaj artit të përkthimit të veprës origjinale, për të aritur “magjinë e fjalës”…
Tre herë e kam nisur, për ta lexuar romanin e Umberto Ekos, por e kam nderprerë leximin, sepse Shtëpia Botuese e kishte rradhitur me gërma të vogla, fort të lodhshme për një lexim normal, aq sa duhej për ne moshatarët ”lentia zmadhuese”, për të shijuar aty përkthimin rrjedhës e me talent nga Donika Omari. Po, kur i sigurova “syzet e duhura”, kënaqësia e leximit qe maksimale, aqsa u dëshpërova, që ai roman voluminoz, që më rrëmbeu ditë e net të tëra, rrodhi e përfundoi kaq këndshëm, me “gufime krahërori” e dridhma zemre të vazhdueshme. Për të njohur një Umberto Eko universal, të mënçurisë letrare, të stilit e harmonisë së kompozicionit, të artit e filozofisë, si edhe të gjithësisë së botës njerëzore që përmban vepra e tij. Nëpërmjet atij përkthimi adekuat me origjinalin, duke ruajtur ato emocione që sjell ai truall subjekti e kompozicioni të ndërlikuar, me vrasje e mistere nëpër labirinthet e nje institucioni të kultit e me një shtyrje kohore e historike të thellë, i cili vërtetë që është i vendosur në një Abaci të shenjtë, po merr rrjedha sa të mistershme, po aq dhe policore, në fund të fundit, sa që arrijnë të paralelizojë, me art e filozofi, jetën e njerëzimit në një spirale të dhimbshme. Nje punë krijuese kolosale nga Donika Omari, ku lypsej, jo vetëm talent, përvojë gjuhësore, po edhe njohje universale të botës, teologjisë, filozofisë dhe jetës njerëzore. Dhe nuk është e rastit që, në vitin 2014, ky botim i Donika Omarit vlerësohet si përkthimi më i mir i vitit…
Po në këtë hulli, vlerë njohëse, letrare e gjuhësore, ish kolegia e saj Iskra Thoma, ndodhet me përkthimet e saj, prej tetë shkrimtarëve të shquar italianë, në prozën e tyre të shkurtër. Ajo nuk shkoi në vendin fqinj për të lexuar e përkthyer, po për të punuar e jetuar si gjithë të mërguarit tanë. Dhe aty jeton edhe sot e kësaj dite, e dashuruar edhe me krijimtarinë letrare të atij vendi me kulturë të lashtë e të re, me bukurinë e melodicitetin e gjuhës së folur e të shkruar, midis gjashtë shkrimtarëve e poetëve me emër (Diego Angeli, Contessa Lara, Edmondo Amicis, Ugo Fleres, Marchesa Colombi, Giovani Pascoli) dhe të dy nobelistëve të shquar Grazia Deledda dhe Luigji Pirandelo. Iskra Thoma është e impresionuar nga arti i tyre i fjalës, nga subjektet realiste e plot jetë, nga gjuha aq e mrekullueshme me njerëzit e thjeshtë të Italisë, me shumë dashuri, po edhe me një humor të hidhur, me aspektet dramartike e nganjëhere edhe tragjike, po edhe me erotikën e tyre të ndritur, kur edhe varfëria eshtë pjesë e jetës së këtyre njerëzve e personazheve kaq shumë tërheqës. Një prozë elegante që përpihet edhe nga lexuesi, ku vërtetësia, thjeshtësia e origjinaliteti, ndodhen po aty, në ato ”buronja” të neorealizmit të filmave italian, me romantikën e shpirtin e madh të varfërisë.
Themi shumë herë se na mungon lexuesi e blerësi i librave, po ja tek janë edhe përkthimet me vlerë, që i pasurojnë bibliotekat tona, vetëm sa t’i marrësh nëpër duar e pastaj “bjerrë e të vdesësh mbi to”, si i thonë më mirë e më thjeshtë, nga ana jonë. Se, nga dritaret e një libri mund të shohësh edhe BOTËN…
Londër, më 6 prill 2023.
Please follow and like us: