Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Ibrahim Vasjarit si shpërthim i heshtur ndjenjash e mendimesh

 

Artur Shemaj

Pas dy romaneve “Kristale në errësirë” dhe “Zjarre të brendshme”, si dhe vëllimit të parë poetik “Mozaik nate”, poezitë e të cilit janë shpërndarë dhe riorganizuar në tri ciklet përbërëse të kësaj përmbledhjeje, Ibrahim Vasjari me këtë botim të plotë paraqitet para lexuesve me një ndjesi të brendshme që vlon thellësive të mendimit dhe brendashkruhet në rrathë mendimorë të sinqertë.

Rrugëtimi poetik i Ibrahim Vasjarit është i gjatë e vijimisht i pandërprerë që nga bankat e shkollës në gjimnazin “Ali Demi” Vlorë e deri në vitet e pleqërisë. Një sy i kujdesshëm e dallon lehtë rritjen graduale të cilësisë shprehëse artistike, që nga poezitë e hershme me tematikë dhe frymë folklorike e në vijim me ato të botuara në faqen letrare të gazetës “Zëri i rinisë” në fillim të viteve ’60, si: “Ne erdhëm në jetë”, “Gjethe të këputura” etj. Më tej iu ndërpre e drejta e botimit për arsye biografie. Mendoj se kaq informacion paraprak për autorin e bën më të plotë rrugëtimin e tij poetik, kushtëzuar edhe me faktorë të fatit personal. Poezia e Vasjarit është një prurje e këndshme, krejt origjinale dhe ngërthen e përhap çaste intime e të zbuluara me syrin e sinqertë të një artisti befasues. Ai e zotëron mirë penën, është i sigurt në ndërtimin e një arkitekture solide të vjershës, në përcaktimin dhe mbajtjen e një ritmi që ta kujton atë bisedën e shtruar e plot intonacione të këndshme duke iu afruar një tonaliteti tërheqës.

Për këtë arsye, ligjërimi poetik i Vasjarit është cilësi e një poeti të mirë që nuk e tradhton kurrë bukurinë e fjalës dhe lëmimin e saj. Ky ligjërim shpërthen nga një “Un” i trazuar, i thellë, ashtu si burimi që vjen nga kushedi ç’thellësi e tokës e, për këtë, e ruan freskinë edhe në ecjen mbi tokë. Ky ligjërim i shtruar që i përket një qasjeje liriko-mediative na kumton çaste, brenga, vuajtje, përjetime, hove të brendshme, të cilat përbëjnë një botë njerëzore jo aq të qetë, mban në prehrin e vet të kristaltë kohën dhe rrjedhën e jetës, të një jete që shkrihet e ravijëzohet në dimensione të ecjes dhe që ka lënë aq shumë gjurmë te poeti.

Pika më e fortë e këtij ligjërimi është mendimi, i cili ngjizet dhe frymon brenda një shqetësimi poetik që shpërthen pa bujë. Ky mendim u jep jetë fjalëve, ai nuk është artificial, i kërkuar, përkundrazi buron nga një përvojë e madhe, nga kultura poetike që të kujton gjithmonë dhe të mban në një tension të natyrshëm gjatë leximit. Për këtë, ky ligjërim rrjedh e buron nga thellësia e shpirtit dhe merr formë prej mprehtësisë së mendjes. E mund të thuhet se këtu poetit i vjen në ndihmë peizazhi, natyra.

Nëpër muzg konture malesh

Ngjethur mbrëmja në të ftohtë

Ke diçka… po befas ndalesh

E përtyp e s’e tret dot.

Në shumë poezi të Vasjarit do të ndeshësh pasazhe të tilla kaq mbresëlënëse dhe të qëndisura me një natyrshmëri që të befason. Gjendja shpirtërore dhe peizazhet janë aq afër dhe të brendashkrira sa nuk mund ta ndash këtë kufi. Bie në sy këtu elegance e fjalës, përpunimi i saj, shkurtësia e të thënit dhe kumti jetësor që përcjell me finesë. Si e tillë, poezia e Ibrahim Vasjarit i përmbahet me natyrshmëri dhe bëhet burimisht e tejdukshme, larg çdo artifici, mode apo tendence mistifikuese; ajo nyjëtohet qartësisht e tejdukshme, e pastër si pika e ujit në një mëngjes të kthjellët.

Vëllimi është i ndarë në tri cikle: 1. Jehonë rinore, 2. Mozaik nate dhe 3. Mall e mbresa, në të cilat poeti shtrin e shtjellon ide e çaste në një këngëtim të bukur. Duket se poeti ndërton këtu një pjesë të grafikut të ëndrrave dhe i çliron ato prej mundësive kufizuese. Të tria ciklet udhëhiqen nga një prolog “Vorbulla jete”, me të cilin poeti thur testamentin poetik me nuancë faustiane. Jeta është një brendapërfshirje e detyruar nga faktorizimi që i bën asaj fati. Dhe Brenda këtij koncepti buron mësimi dhe kuptimi i mundshëm i kumteve të saj. E shpesh në këtë kumt vjen ajo: origjina dhe vendlindja që krijojnë kujtesën e vrapit çmendurak të kohës. Në këtë vorbull poeti thotë:

Seç më del një shtjellë befas më zë pritë,

Më përthith një vorbull kohësh, më robit.

Nëse në ciklin e parë vijnë dhe parakalojnë caste meditimesh për jetën rinore dhe natyrën, në ciklin e dytë nis “Mozaik nate”, një titull befasues që ka si qasje paradoksin, pasi natës së humnertë është e vështirë t’i gjesh mozaikun. Poeti arrin të konturojë momente e zbulime të hidhëta përmes “fluturave të shpirtit”, “xhindeve” e “maktheve”, por edhe duke udhëtuar në antikitet, për të na sjellë vizionin e Circes, Polifemit, Hadit dhe Uliksit, duke bërë kudo analogjinë me ngjarje të realitetit tragjik shqiptar, të cilat e bëjnë të plotë mozaikun e kujtesës, gdhendur nga dalta e mjeshtërisë së tij. Nata nuk është thjesht terr, as unike, në gjirin e saj pjesë-pjesë zbulohet mozaiku me gurë përbërës vezullues, që rrezatojnë shqetësime, zhgënjime, ëndrra e makthe të jetës. Net pa gjumë, net vetmie me re pikëllimi. Cikli mund të lexohet në këtë ideogramë si një paradigmë e fuqishme e mendjes dhe e shpirtit të hovshëm poetik. Mozaikë të pafund ka jeta në luftë me  harresën. Cikli mbyllet me poezinë “Në perëndim”.

Cikli i tretë “Mall e mbresa” vjen si një nostalgji e shënjuar edhe nga vetë titulli. Nëna, babai, miq, nipper e mbesa, pendë të këputura ditësh, gëzime të rralla e më shumë trishtim jete shkëndijojnë një poezi me lirizëm të thellë, pa bujë, jashtë çdo patetike. Poeti përvijon çaste, dilema, shkund kujtesën dhe derdh shpirtin poetik në vargje emocionuese.

Poezia e Ibrahim Vasjarit lexohet me ëndje, ajo është e qetë, e thellë, me një muzikalitet që rrjedh lirshëm e plot ëmbëlsi. Ajo buron së thelli, ka një inkadeshencë të brendshme, një përndezje të natyrshme si të xixëllonjave në muzg. Poet i verbit të thjeshtë dhe i frymës së lirë, i larmisë tematike dhe i begatisë së fjalës artistike, Ibrahim Vasjari fton lexuesin me bujari për të shijuar nektarin poetik të këtij botimi.

 

Please follow and like us: